ATV

Author: G.O.

  • Nëntë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit

    Nëntë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit

    Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se rastet kanë ndodhur në Obiliq, Prishtinë, Viti, Drenas, Prizren, Pejë dhe Rahovec.

    Obiliq 21.06.2023 – 09:29. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke ushtuar dhunë ndaj saj. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar për tretman mjekësor psikiatrik. Rasti në procedurë hetimore.

    Prishtinë 21.06.2023-19:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Obiliq 21.06.2023 – 15:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gllogoc 21.06.2023 – 21:11. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    Viti 21.06.2023 – 08:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar duke shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    Prizren 21.06.2023 – 10:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullt hetimore.

    Pejë 19.06.2023 – 00:02. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare e cila si pasojë e dhunës ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë 21.06.2023 – 14:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes veti ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është liruar ndërsa i dyshuari tjetër është dërguar në mbajtje.

    Rahovec 21.06.2023 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari kishte qenë në ndikim të alkoolit, ndërsa me vendim të prokurorit i njejti është dërguar në mbajtje.

     

     

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Për ditën e sotme në vendin tonë parashikohet të mbajë mot i kthjellët dhe me diell, derisa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje shiu në disa zona të caktuara

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 31 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 32 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kuvendi sot mban seancë plenare

    Kuvendi sot mban seancë plenare

    Kuvendi i Kosovës sot nga ora 10:00 mban seancë plenare.

    Në rend dite është interpelanca e ministrit të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

  • Borrell fton urgjentisht Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel

    Borrell fton urgjentisht Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel

    Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se ka ftuar në një takim urgjent kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri.

    Borrell, përmes një psotimi në Twitter, deklaroi se duhet deesklaim të menjëhershëm të situatës dhe zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.

    “Kam ftuar në Bruksel liderët e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe të Kosovës, Albin Kurti, për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi Borrell.

    https://twitter.com/JosepBorrellF/status/1671753029257658368

    Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti, ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Ai ka thënë se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.

    “Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter.

    https://twitter.com/albinkurti/status/1671559676683595779

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Megjithatë, Stano shtoi se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

    Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

    Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

    Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

    Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

    Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.

  • Policia e Kosovës arrestoi një serb të dyshuar për krime lufte

    Policia e Kosovës arrestoi një serb të dyshuar për krime lufte

    Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Bëhet fjalë për periudhën e luftës në Kosovë(1998-1999) kur personi në fjalë, si gardian i burgut, dyshohet të ketë ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike dhe trajtime çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë.

    Arrestimi i personit me inicialet D.M është bërë në orët e paradites në zonën e Graçanicës.

    “Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.

    Gjithashtu, zyrtarët policor kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiëan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal.

    I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”./KosovaPress

  • Bislimi: Dyert e Qeverisë gjithmonë të hapura për shqiptarët në Luginën e Preshevës

    Bislimi: Dyert e Qeverisë gjithmonë të hapura për shqiptarët në Luginën e Preshevës

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim gjatë ditës së djeshme kryetarin e ri të KKSH-së në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.

    Ky ishte takimi i parë mes zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Lutfiu, të cilit i uroi suksese në pozitën e re, duke ritheksuar se dyert e Qeverisë së Republikës së Kosovës qëndrojnë gjithmonë të hapura për KKSH-në dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Luginë përmes kultivimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar në Serbi.

    Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria ka ndarë 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, ku përfshihen për herë të parë ndarja e 255 mijë eurove për sigurimin falas të teksteve mësimore në gjuhën shqipe për 4010 nxënës në Luginën e Preshevës, gjë e cila do të vazhdojë tutje, si dhe janë ndarë 78 grante në vlerën e 1 milion eurove, si dhe përkrahje financiare me bursë në vlerën e 107 mijë eurove për 107 studentë nga Lugina.

    Gjithashtu në mbledhjen e 143-të të Qeverisë, u ndanë dhe 17,350 euro për të financuar vizitën e një delegacioni nga Lugina e Preshevës në Parlamentin Evropian, për ngritjen e çështjes së diskriminimit dhe problemeve me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Mbështetja e Qeverisë për Luginën, do të vijojë të rritet konform nevojave të komunitetit shqiptar atje.

  • Konjufca në Strasburg kërkon anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

    Konjufca në Strasburg kërkon anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një agjendë të pasur takimesh në Strasburg, me udhëheqës të grupeve politike, komiteteve dhe delegacioneve të ndryshme shtetërore në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

    Pas takimeve me drejtues të APKE-së, të zhvilluara gjatë paradites së djeshme, kryetari Konjufca është pritur në takime të veçanta nga kryesuesi i Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Frank Schwabe, shoqëruar nga anëtarë të tjerë të delegacionit gjerman, kryesuesi i Grupit të Partive Popullore Evropiane, Aleksander Pociej dhe kryesuesi i Grupit të të Majtëve Evropianë të Bashkuar (UEL), George Katrougalos.

    Po ashtu kryetari i Kuvendit ka zhvilluar takime me kryesuesin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Zsolt Nemeth dhe dy delegacione parlamentare në APKE: delegacionin e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë Francës.

    Në këto takime të përzemërta u diskutua lidhur me proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, sfidat që ka para vetes dhe aspiratat euro-atlantike të tij.

    Kryetari Glauk Konjufca potencoi rëndësinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkoi mbështetjen e grupeve politike dhe të delegacioneve që përfaqësojnë, gjatë vlerësimit dhe procedurave të brendshme.

    U diskutua po ashtu edhe lidhur me caktimin raportuesve për Kosovën nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci, si dhe Komiteti për Çështje Juridike dhe të Drejta të Njeriut, të cilët do të jenë hartues të raportit për vendin tonë. ​

  • Kurti me mesazh në gjuhën serbe: Le të ecim së bashku drejt një të ardhme më të mirë

    Kurti me mesazh në gjuhën serbe: Le të ecim së bashku drejt një të ardhme më të mirë

    Kryeministri Albin Kurti iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë, përmes një video. Përmes mesazhit Kurti është shprehur se duhet ecur se bashku drejt një të ardhmeje më të mirë.

    ‘’E kam theksuar vazhdimisht se ky vend është i përbashkët i yni – ai që na përqafon dhe na mbron, dhe për të mirën jemi të detyruar të luftojmë. Le të ecim drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, për atë që duam për veten dhe familjet tona. Shtëpia është aty ku është shtëpia dhe vendi ynë është shtëpia e të gjithëve ne’’, ka thënë Kurti.

    Më tutje Kurti thotë se tashmë presidenti i Serbisë është penduar që i ka thënë Po marrëveshjes e që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës.

    “Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. E kam të qartë tani që presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani ankohet dhe pendohet duke thënë PO, për pranimin e asaj marrëveshjeje, që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës”, ka shtuar më tutje Kurti.

  • BE-ja nuk konfirmon datë për takimin Kurti-Vuçiq

    BE-ja nuk konfirmon datë për takimin Kurti-Vuçiq

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pas ftesës që kanë marr nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell për një takim këtë javë.

    Stano tha se shpresojnë që sa më shpejtë të konfirmohet takimi i mundshëm, edhe pse javës i kanë mbetur edhe pak ditë.

    “Gjëja kryesore tani është që takimi të bëhet në Bruksel dhe për këtë nuk kam asnjë lajm. Nuk jam në gjendje të konfirmoj ende ndonjë datë, sot është e mërkurë dhe deri në fund të javës kemi edhe pak ditë, por për momentin nuk mund të konfirmoj asnjë datë ende”, theksoi Stano.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

    “Rezultati përfundimtar për ne është se Përfaqësuesi i Lartë i ftoi të dy liderët, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, të vijnë në Bruksel në fund të kësaj jave. Ne jemi duke pritur dhe presim dhe shpresojmë që do të mund të shpallim ditën dhe orën e atij takimi dhe pastaj të diskutojmë edhe për modalitetet. Por, kryesorja është të kemi një datë dhe të kemi një kohë të caktuar për të zhvilluar takimin sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe tani është koha për veprim, jo për biseda dhe spekulime”, u shpreh zëdhënësi i BE-së.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

    Ndërkaq, më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit. Të premten atyre i është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Kralevë.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës në terren, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore./KosovaPress/

  • Zëdhënësi i Qeverisë: Serbia e ka shkelur marrëveshjen e Ohrit në 8 pika

    Zëdhënësi i Qeverisë: Serbia e ka shkelur marrëveshjen e Ohrit në 8 pika

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka akuzuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes së Ohrit në tetë pikat e saj. Sipas tij, dialogu mund të ketë progres vetëm kur Serbia ta zbatojë në tërësi marrëveshjen.

    “Deri më tani Serbia ka shkelur më së paku tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit. Progres në dialog ka atëherë kur ka respektim të marrëveshjeve. E ne besojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i saj duhet të zbatohet e plotë, shpejtë dhe pa kushte”, tha Kryeziu për RTV21.

    Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i kthehen urgjentisht procesin të dialogut në Bruksel për gjetjen e zgjidhjes për uljen e tensioneve në veri të vendit. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka ftuar për këtë javë takim të nivelit të lartë Kurt-Vuciq. Kryeministri Kurti ka pranuar të takohet me presidentin Vuçiq, siç ka thënë për të, kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të kidnapuar. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin për shkak se, sipas tij, Kurti nuk është i interesuar për dialog.