ATV

Author: G.O.

  • Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Lajm i mirë, tani është radha për shtensionimin e situatës në veri

    Lirimi i tre policëve, Krasniqi: Lajm i mirë, tani është radha për shtensionimin e situatës në veri

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për lirimin e tre policëve të rrëmbyer nga autoritetet serbe dy javë më parë.

    Krasniqi ka shkruar në Facebook se lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë.

    Krasniqi ka nënvizuar po ashtu se tani është radha për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje.

    “Lirimi i tre policëve nga mbajtja arbitrare në Serbi – Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës, megjithëse mjaft i vonuar, është lajm i mirë për familjet e tyre dhe për qytetarët e shtetin tonë. Falënderoj të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët u angazhuan dhe luajtën një rol vendimtar në këtë proces. Tani, radha është për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit dhe për rikthimin e normalitetit atje, përmes veprimeve të matura dhe të përgjegjshme politike”, shkruan Krasniqi.

    LEXONI EDHE:

    Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

  • Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

    Kurti flet pas lirimit të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia: Shkelja e Serbisë duhet qortuar

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa ka konfirmuar lirimin e tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia, ai ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.

    Kurti ka shkruar se ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe si i tillë duhet qortuar.

    “Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar Kurti.

    Më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës ishin rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit tonë.

    Lirohen tre policët e rrëmbyer nga Serbia

  • Kurti takohet me sekretarin britanik James Cleverly, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Kurti takohet me sekretarin britanik James Cleverly, diskutojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në takim nga Sekretari për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.

    Falënderues për mikpritjen dhe bashkëpunimin e sekretarit Cleverly, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe popullit të saj në të gjitha etapat e shtetformimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit.

    Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen.

    Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi. Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer.

    Kryeministri Kurti po zhvillon një vizitë pune dyditore në Britani të Madhe. Ky ishte takimi i dytë i tij me sekretarin Cleverly. Takimi i parë ishte mbajtur në tetor të vitit të kaluar, po ashtu në Mbretëri të Bashkuar.​

  • Një grua raportohet e zhdukur në Malishevë

    Një grua raportohet e zhdukur në Malishevë

    Një person ka raportuar se një grua është larguar nga shtëpia më 24 qershor dhe nuk është kthyer më.

    “PERSON I ZHDUKUR- Malishevë 25.06.2023 – 14:00. Një mashkull kosovar ka raportuar se viktima femër kosovare prej datës 24.06.2023 rreth orës 14 ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se në konsultim me prokurorin është iniciuar lënda e rastit dhe po vazhdon të hetohet.

  • Sot varrosen nëna dhe djali që humbën jetën tragjikisht në Pejë

    Sot varrosen nëna dhe djali që humbën jetën tragjikisht në Pejë

    Dita e shtunë ishte e rëndë dhe tragjike për familjen Ademaj nga qyteti i Pejës.

    Mirsada, 26-vjeçare dhe djali i saj, Dioni 5-vjeçar, janë dy viktimat që humbën jetën tragjikisht dhe nuk arritën të mbijetojnë, si pasojë e vërshimeve.

    Fillimisht u konfirmua se vogëlushi ishte dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa nëna e tij rezultonte e zhdukur.

    Por tragjedia u thellua, kur Policia njoftoi se edhe gruaja u gjet e vdekur.

    Nga familja Ademaj kanë njoftuar se sot do t’iu jepet lamtumira e fundit dy familjarëve të tyre, në varrezat e qytetit, duke filluar nga ora 15:00.

  • Fillon takimi Osmani-Reynolds

    Fillon takimi Osmani-Reynolds

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Guvernatoren e Shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds.

    Pas takimit, Presidentja Osmani dhe Guvernatorja Reynolds do të nënshkruajnë marrëveshjen e marrëdhënies së shteteve simotra dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shtetit të Iowa-s, derisa do të ketë edhe deklarim për medie.

    Guvernatorja Reynolds gjatë qëndrimit në Kosovë do ta takojë edhe liderë të tjerë institucional.

    Guvernatorja e shtetit të Iowas, e viziton Kosovën

  • Botohet libri me këshilla për gratë shtatzëna nga Argjentina Hoxhaj

    Botohet libri me këshilla për gratë shtatzëna nga Argjentina Hoxhaj

    Argjentina Hoxhaj e ftuar në emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV ka folur rreth librit të saj të botuar së fundi “Nga shtatzënia deri në lindje”, që kryesisht përmban këshilla dhe informacione, për gratë shtatzëna.

    Ajo tha se ky libër është i ndarë në dy kapituj; në pjesën e parë flitet për shtatzëninë, derisa në pjesën e dytë jepen informacione rreth lindjes.

    “Duke e parë se sa e rëndësishme është që secila grua shtatzënë të ketë informacione rreth shtatzënisë, gjendjes emocionale e psikologjike të nënës, ndryshimet për të cilat kalon etj., atëherë unë e kam sjell këtë libër. Fillimisht kam bërë hulumtime rreth temave që i kam përzgjedhur, e pastaj kam vazhduar për teknikat dhe metodat e ndryshme që ndihmojnë gruan në procesin e lindjes, e për të cilin kam bërë thuajse një vit përgatitje që ky libër të botohet. Përveç këshillave dhe informacioneve të përgjithshme për shtatzëninë, në këtë libër ka edhe të dhëna rreth marrëdhënieve në çift, për çka mendoj se ndihmon shumë sepse kuptohet, që ka ndryshime në çift pas lindjes së fëmijës së parë”, tha ajo.

    Tutje, ajo përmendi se është në përgatitje të librit të dytë, që kryesisht do të ketë informacione rreth zhvillimit të hershëm të fëmijës./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Rama sot në Bruksel, fokus tensionet në mes Kosovës e Serbisë

    ​Rama sot në Bruksel, fokus tensionet në mes Kosovës e Serbisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të udhëtojë këtë të hënë drejt Brukselit, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

    Tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe gjetja e rrugës për normalizimin e dialogut Prishtinë-Beograd, pritet të jetë në fokus të takimit mes Ramës e Michel.

    Udhëtimi i kreut të qeverisë në Bruksel vjen pas propozimit të draft-asociacionit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy Kosovës e Serbisë.

    Kujtojmë se më 8 qershor, kryeministri Edi Rama i ka dërguar një draft Presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, si propozim për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

    Rama e konsideroi Asociacionin si “nyjën gordiane” të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, teksa shtoi se drafti është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe europianë prej kohësh.

    Sipas Ramës, drafti ishte dokument konfidencial dhe dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjitha rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Po ashtu, më 21 qershor, Rama u ka nisur sërish një letër Presidentit Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidentit të KE-së lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me vranësira dhe kthjellime të herëpashershme.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 26 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë me 28 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Situata e veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi, mblidhen ministrat jashtëm e BE -së

    Situata e veriut dhe dialogu Kosovë-Serbi, mblidhen ministrat jashtëm e BE -së

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe tensionet e fundit mes dy vendeve.

    Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, ministrat do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth dialogut Prishtinë-Beograd, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”.

    Pritet që para ministrave të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell, dhe më pas të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.

    Nuk priten konkluzione apo vendime formale, përveç diskutimit të masave që mund të marrë blloku evropian për t’i bindur palët që të marrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve.

    Bashkimi Evropian ka pritur se do të ketë ulje të tensioneve pas takimeve të fundit që Borrelli ka pasur me dy liderët në Bruksel, një javë më parë.

    Liderët nuk janë takuar me njëri-tjetrin, por vetëm me Borrellin, veç e veç.

    Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

    Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

    Tensionet janë rritur edhe më kur autoritetet e Serbisë i kanë arrestuar tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Kosova ka thënë se bëhet fjalë për rrëmbim, Serbia ka thënë se policët janë arrestuar në territorin serb

    Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës janë duke arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

    Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si arbitrare.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja.

    Situata në Kosovë dhe dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të jenë temë diskutimi edhe në disa takime tjera të nivelit të lartë në BE, këtë javë.

    Të martën i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, dhe Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian në Drejtorinë për Zgjerim Jan Koopman, do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Evropian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky diskutim do të zhvillohet në Komisionin për Politikë të Jashtme.

    Aty pritet të flitet edhe për takimet e fundit të realizuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe për masat që Komisioni Evropian tashmë ka nisur t’i ndërmarrë ndaj Kosovës, si masë ndëshkuese për zhvillimet në veri.

    Deri më tani janë anuluar disa takime të përbashkëta mes Komisionit Evropian dhe Kosovës, që ekzistojnë në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

    Situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë temë diskutimi edhe në takimin e Këshillit Evropian, pra samitin e liderëve të vendeve anëtare.

    Diçka e tillë, sipas diplomatëve të BE-së, tregon përkushtimin, por edhe shqetësimin që ka blloku për situatën në Kosovë dhe për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Nga këto takime pritet që Kosovës dhe Serbisë t’iu bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kthimin në dialog.

    Por, dy vendeve pritet edhe t’iu tërhiqet vërejtja për pasojat që mund t’i kenë, në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.