ATV

Author: G.O.

  • ​Oborri i qeverisë bëhet skenë e rasteve ku humbin jetën punëtorët e ndërtimtarisë

    ​Oborri i qeverisë bëhet skenë e rasteve ku humbin jetën punëtorët e ndërtimtarisë

    Aktivistë të Partisë Socialdemokrate nëpërmjet një aksioni simbolik në oborrin e Qeverisë së Kosovës, kanë vizatuar skenën ku humbin jetën punëtorët e ndërtimtarisë.

    Donjeta Demolli nga PSD-ja tha se vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti, 12 punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në Kosovë, njëri prej tyre madje duke punuar në një projekt të qeverisë, i cili ishin në një objekt publik.

    Ajo tha se punëtorët punojnë pa masa të sigurisë, pa masa mbrojtëse, pa sigurim shëndetësor e me pagë shumë të ulët, por punojnë edhe të shtunave dhe pas orarit të punës.

    “Qeveria e Kosovës nuk ka lëviz asnjë centimetër për ta ndryshuar këtë gjendje të vështirë, këtë gjendje të mjerueshme të kushteve të punës të punëtorëve të Kosovës. Sa ishin në opozitë, Albin Kurti me partinë e tij premtonin shumë për punëtorët, gojën e kishin solidaritet, drejtësi e barazi për punëtorët e sot, praktikat e shfrytëzimit nisin që nga zyra e kryeministrit. Sot rregulloret e punës e të sigurisë anashkalohen, shfrytëzimi është i shfrenuar e rrugëdalja e vetme që punëtorët e sektorit privat janë duke e gjet është migrimi jashtë Kosovës. Vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti, kemi 12 punëtorë që kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në Kosovë, njëri prej tyre madje ka humbur jetën duke punuar në një projekt të qeverisë i cili ishin në një objekt publik”, tha ajo.

    Ajo shtoi se me këtë aksion duan t’i bëjnë thirrje Qeverisë që ta njoh kontributin e punëtorit të Kosovës dhe t’i korrigjojë padrejtësitë sistematike me të cilët përballën ata.

    “Ne kërkojmë që Qeveria të adresoj me urgjencë pajisjen dhe masat e sigurisë të rrepta për punëtorët dhe t’i obligojë kompanitë që të aplikojnë rregulloret e punës dhe mbrojtjes së punëtorëve dhe të garantoj pagë të dinjitetshme për secilin punëtorë të Kosovës”, tha ajo.

    Lidhur me rrezikshmërinë ndaj punëtorëve ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ku thuhet se është brengosëse humbja e jetës të punëtorëve, e në disa raste në mesin e të cilëve ka persona të mitur.

  • Ministrja Rizvanolli flet për Kosovën para qindra pjesëmarrësve të Kongresit Botëror të Odave Ekonomike dhe Dhomave të Tregtisë

    Ministrja Rizvanolli flet për Kosovën para qindra pjesëmarrësve të Kongresit Botëror të Odave Ekonomike dhe Dhomave të Tregtisë

    Gjeneve, 23 qershor -Ashtu siç kemi njoftuar në Gjenevë po qëndron ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ku po merr pjesë në Kongresin Botëror të Odave Ekonomike dhe Dhomave të Tregtisë, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch

    Në këtë konference botërore po merr pjesë edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila do te flas te premten e ardhshme para 1500 pjesëmarrësve.

    Ministra kosovare sot ne orët e paradites ka folur para pjesëmarrësve te kongresit me temën “Udhëzuesi i biznesit për tranzicionin e energjisë “.

    Kurse në orët e pasdite ministrja Rizvanolli do te jete serish pjese e panelit me temën: Gra që udhëheqin, gra që frymëzojnë , njofton gazeta zvicerane nga Gjeneva Le Canton27.ch
    Gjatë qëndrimit ne Gjeneve ministrja e Qeverisë së Kosovës, Artane Rizvanolli po zhvillon një sërë takimesh me personalitete zvicerane dhe ndërkombëtare, pjesëmarrës te kongresit.

    Kongresi treditor (21- 23 qershor) në Palexpi te Gjenevës organizuar nga CCIG, Dhomat Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) dhe Federatën e saj Botërore të Dhomave (WFC), edicionin e 13-të të Kongresit Botëror të Dhomave. I organizuar çdo dy vjet në një kontinent tjetër, kjo është hera e parë që Kongresi Botëror do të mbahet në Gjenevë.
    Më shumë se 80 folës dhe rreth 40 sesione, seminare ose konferenca do të trajtojnë tendencat dhe sfidat globale aktuale dhe të ardhshme që përcaktojnë aktivitetet e dhomave të tregtisë dhe kompanive. Një pjesë e sesioneve do të mbahen në gjuhën frënge.

    I përqendruar në temën “multilateralizmi në shërbim të paqes dhe prosperitetit”, ky Kongres synon të nxjerrë në pah rolin e biznesit si një nga hallkat e multilateralizmit, në mënyrë që të parashikojmë së bashku një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë.

    Ai do të nxjerrë në pah gjithashtu rolin jetik të Dhomave të Tregtisë, të cilat punojnë për t’i shërbyer ekonomisë dhe bizneseve.

  • Petkoviq pas arrestimin të “Rusit”: Njoftuam menjëherë bashkësinë ndërkombëtare, Kurti do konflikt

    Petkoviq pas arrestimin të “Rusit”: Njoftuam menjëherë bashkësinë ndërkombëtare, Kurti do konflikt

    Pas arrestimit të Nenad Orloviq nga Policia e Kosovës, i dyshuar për sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ka reaguar edhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë, duke pretenduar se “kjo nuk është rastësishme” që ndodhi menjëherë pas takimit të djeshëm në Bruksel “dhe pavarësisht thirrjeve të Josep Borrell për të ndaluar arrestimet e pabaza dhe arbitrare”.

    Kjo e ashtuquajtur Zyrë për Kosovën mes tjerash thotë se kanë njoftuar “menjëherë” përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare për arrestimin e Orliq.

    “Nenad është serbi i tetë që është arrestuar që nga shpërthimi i krizës në veri të Kosovës…është e qartë se Albin Kurti nuk dëshiron dialog dhe as paqe, por dëshiron të arrestojë të gjithë serbët dhe të shkaktojë konflikte dhe të vë zjarrë jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin”, ka shkruar kjo e ashtuquajtur Zyrë.

  • PSD-ja me aksion para Qeverisë, kërkon përgjegjësi për vdekjet në vendin e punës

    PSD-ja me aksion para Qeverisë, kërkon përgjegjësi për vdekjet në vendin e punës

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

    Ata kanë kërkuar përgjegjësi për vdekjet në vendin e punës, raporton Ekonomia Online.

  • BE-ja miraton pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    BE-ja miraton pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë

    Këshilli i Bashkimit Evropian e ka miratuar pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Në këtë pako zgjerohen disa kufizime të mëhershme dhe shtohen dhjetëra entitete të reja në listën e sanksioneve.

    Përmes kësaj pakoje, Bashkimi Evropian po tenton t’ua pamundësojë vendeve dhe kompanive të tjera t’i anashkalojnë masat e vendosura më parë.

    Këshilli i publikoi sanksionet pas miratimit të tyre më 23 qershor, duke thënë se pakoja do të sigurojë që sanksionet e BE-së kundër Rusisë “të zbatohen edhe më mirë, bazuar në mësimet e nxjerra nga zbatimi i tyre gjatë vitit të kaluar”.

    Sanksionet e fundit synojnë t’i mbyllin zbrazëtirat në atë mënyrë që mallrat dhe teknologjia kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë të mos arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në.

    Këshilli i BE-së tha se ka shtuar 87 entitete të reja në listën e sanksioneve, për të cilat BE-ja thotë se “po e mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës”. Këto kompani, tha blloku evropian, janë të regjistruara në Kinë, Uzbekistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Siri dhe Armeni.

    “Sisteme janë duke u vendosur në disa vende për monitorimin, kontrollin dhe bllokimin e rieksportit”, thuhet në deklaratën e BE-së.

    “Shifrat anormale të tregtisë për disa produkte/vende shumë specifike janë dëshmi e fortë se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive t’i anashkalojë sanksionet. Kjo kërkon që ne t’i dyfishojmë përpjekjet tona në trajtimin e anashkalimit dhe t’u kërkojmë fqinjëve tanë bashkëpunim edhe më të ngushtë”.

    Pakoja e re lejon zbatimin e masave që kufizojnë eksportin e mallrave dhe teknologjisë drejt vendeve të treta, të cilat më pas mund t’i transferojnë ato në Rusi. Rregullat e reja ia lejojnë BE-së të ushtrojë shumë më tepër presion për t’i dhënë fund praktikës së mëparshme.

    Zyrtarët e BE-së kanë qenë prej kohësh të shqetësuar për një rritje të kërkesës për produktet e BE-së nga fqinjët e Rusisë, të cilët kanë vazhduar marrëdhënie tregtare me Moskën.

    Pakoja gjithashtu përfshin pezullimin e licencave të transmetimit të BE-së për pesë media të tjera shtetërore ruse të kontrolluara, duke e çuar numrin total të mediave në dhjetë.

    Për më tepër, pakoja ndalon hyrjen në portet e BE-së për anijet që angazhohen në transferimin e naftës së papërpunuar ose të produkteve të naftës në det, nëse ka arsye për të dyshuar se ngarkesa ka origjinë ruse./REL

  • ​Sveçla: Secili që ka qenë pjesë e sulmeve ndaj KFOR-it do të sillet para drejtësisë

    ​Sveçla: Secili që ka qenë pjesë e sulmeve ndaj KFOR-it do të sillet para drejtësisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se të gjithë ata që kanë kryer sulme brutale ndaj KFOR-it do të vihen para drejtësisë.

    Ai ka reaguar pasi Policia e Kosovës e ka arrestuar Nenad Orlovic, i cili dyshet për sulm ndaj paqeruajtësve në ditën e 29 majit në Zveçan.

    “Policia e Kosovës sot ka arrestuar Nenad Orlovic, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i cili dyshohet për sulm ndaj KFOR-it në ditën e 29 majit në Zveçan ku mbeten të plagosur shumë ushtarë. Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar”, ka thënë ai.

    Ministri i Brendshëm ka thënë se do të vazhdojnë luftën ndaj të gjitha bandave që kanë për synim destabilizimin e vendit.

    “Secili që ka organizuar dhe ka qenë pjesë e atyre sulmeve do të sillet para drejtësisë. Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim. Do të vazhdojmë pa u ndalur, në luftë ndaj të gjitha bandave që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

    Ai ka thënë se bandat kriminale në veri, ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët, përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale.

    Sveçla ka kujtuar kohën e dëbimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre si dhe maltretimet e terrorizimet që u janë bërë.

    “Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi. Akte të njëjta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona”, ka thënë ai.

    Gjithashtu, ai e ka quajtur të papranueshëm sulmin që 15 deri në 20 persona e kanë bërë mbi dy të rin shqiptarë të enjten.

    Ai ka thënë se institucionet janë të angazhuara që sulmuesit të sillen sa më parë para drejtësisë.

  • 42 aktakuza kundër 45 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    42 aktakuza kundër 45 personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale

    Prokurori i Shtetit ju njofton se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur dyzetedy (42) aktakuza kundër dyzetepesë (45) personave, për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar shtatë (7) persona dhe janë paraqitur nëntë (9) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dymbëdhjetë (12) personave.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit ka ndaluar katër (4) persona, ka paraqitur pesë (5) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë (5) personave, si dhe ka ngritur dymbëdhjetë (12) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër shtatë (7) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, me urdhër të prokurorit në dy raste të ndara ka ndaluar tre (3) persona, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë (5) personave dhe ka ngritur katër (4) aktakuza kundër katër (4) personave.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur shtatëmbëdhjetë (17) aktakuza kundër tetëmbëdhjetë (18) personave.

  • Zhvillime në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, refuzohen disa persona që pretendojnë se janë viktima

    Zhvillime në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, refuzohen disa persona që pretendojnë se janë viktima

    Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar apelet e parashtruara nga dy grupe individësh, kundër vendimit të Trupit Gjykues me të cilin u refuzuan kërkesat e tyre për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

    Trupi gjykues ka konstatuar se krimet që personat pretendojnë se i kanë vuajtur, nuk përfshihen në kuadrin gjeografik apo material të aktakuzës.

    Gjithashtu, Paneli i Apelit ka konstatuar se mbrojtësi i viktimave të refuzuara nuk e ka vërtetuar se trupi gjykues kishte bërë konstatim të gabuar kur nuk e kishte pranuar kërkesën, andaj edhe e ka rrëzuar mocionin.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të vazhdojë të hënën e 10 korrikut me dëgjimin e dëshmitarit të prokurorisë.

    Më 20 qershor, në gjykatoren e Speciales ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të njëmbëdhjetë, seancë kjo e cila u pasua nga një konferencë mbi ecurinë e çështjes.

    Aty, trupi gjykues ka theksuar edhe njëherë shqetësimin lidhur me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar seanca sa më shumë publike.

    Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Spanja goditet nga thatësira, përballet edhe me mungesë uji

    Spanja goditet nga thatësira, përballet edhe me mungesë uji

    Rezervuari i madh i Spanjës “Rialb” pasqyron pamjen aktuale të krizës së ujit në këtë vend pasi niveli i tij ka rënë në pikën më të ulët në më shumë se tri dekada.

    Aktualisht me vetëm 8 për qind të kapacitetit të tij, rezervuari ‘Rialb’ në provincën katalanase Lleida është një burim i rëndësishëm uji në rajon, duke kontribuuar në bujqësi dhe në prodhimin e energjisë së rinovueshme, raporton Anadolu.

    Ndërsa Spanja po lufton kundër efekteve të kombinuara të ndryshimit të klimës dhe menaxhimit të dobët të ujit, çështja urgjente e mungesës së ujit zë qendrën e vëmendjes, duke kërkuar veprime urgjente dhe zgjidhje të shpejta dhe të duhura për të zbutur vështirësitë me të cilat përballen komunitetet që janë goditur nga efektet e thatësirës.

  • Valë “masive” e sulmeve ruse, Ukraina thotë se ka zmbrapsur një sulm në aeroport

    Valë “masive” e sulmeve ruse, Ukraina thotë se ka zmbrapsur një sulm në aeroport

    Ushtria e Ukrainës ka thënë se e ka zmbrapsur një tentativë për sulm ajror nga forcat ruse në një aeroport ukrainas më 23 qershor. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha se kjo ishte pjesë e një tjetër vale “masive” të sulmeve ruse në mbarë Ukrainën gjatë natës.

    Rusia ka shtuar në mënyrë drastike frekuencën dhe intensitetin e sulmeve ajrore drejt infrastrukturës dhe qyteteve të Ukrainës, veçanërisht drejt Kievit, që nga fillimi i muajit të kaluar. Këto sulme kanë sjellë viktima të shumta civile dhe dëme të mëdha materiale.

    Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se ajo rrëzoi 13 raketat lundruese të lëshuara nga Rusia në një sulm gjatë natës në një aeroport ushtarak në rajonin qendror të Khmelnitskiy. Në deklaratën e publikuar më 23 qershor, ushtria shtoi se sulmi u krye rreth mesnatës nga avionë strategjikë që vinin nga drejtimi i Detit Kaspik.

    “Përveç kësaj, mbrojtja ajrore e shkatërroi një dron të një lloji të panjohur”, thuhet në deklaratën e publikuar.

    Ndërkohë, një tjetër alarm për sulme ajrore u dëgjua për disa orë gjatë natës në mbarë Ukrainën pasi forcat ruse sulmuan me një numër të madh raketash dhe dronësh, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se pasojat e sulmeve “masive” ishin ende të paqarta.

    Në valën e mëparshme të sulmeve, më 22 qershor, Rusia kishte përdorur tre raketa hipersonike Kinzhal, tha Shtabi i Përgjithshëm.

    Në fushëbetejë, forcat ruse vazhduan përpjekjet për t’i sulmuar pozicionet ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm. Luftime të ashpra u raportuan në Lyman, Bahmut, Avdijivka dhe Maryinka, ku janë zhvilluar më shumë se 30 beteja gjaë 24 orëve të fundit.

    Vala e fundit e sulmeve të Rusisë erdhi një ditë pasi një urë kyçe që lidh Krimenë e aneksuar nga Rusia me pjesën e pushtuar të rajonit jugor të Ukrainës, Herson, u dëmtua pasi u godit nga ato që Moska tha se ishin raketa Storm Shadow të dhuruara nga Britania e Madhe.

    Sulmi u krye në urën e njohur si “porta e Krimesë”, rrugën më të shkurtër nga Gadishulli i Krimesë në vijën e frontit në Ukrainën jugore. Kjo cilësohej si një lidhje kyçe për linjën e furnizimit të Rusisë.

    Zyrtarët e emëruar në këtë rajon nga Rusia thanë se rruga në urë ishte dëmtuar, por nuk pati të lënduar, ndërsa shtuan se ishin hapur rrugë alternative të transportit.

    Rusia e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014. Ukraina është zotuar se do ta rimarrë atë.

    Që nga fillimi i kundërofensivës të saj të shumëpritur, ushtria ukrainase ka arritur të rimarrë disa fshatra në Ukrainën jugore të pushtuar nga Rusia.

    Më 22 qershor, kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, parashikoi se kundërofensiva do të sillte rezultate, por u citua nga Ukrinform të ketë thënë se “Ukraina e vlerëson jetën e ushtarëve të saj, kështu që nuk planifikon t’i çojë drejt zjarrit pa menduar fare”.

    “Ne punojmë sipas standardeve të NATO-s”, tha Shmyhal, duke folur në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Londër.

    “Ne mbrojmë secilin prej ushtarëve tanë dhe ecim përpara. Do të duhet kohë, por ne synojmë të ecim përpara dhe po ecim përpara me një kundërofensivë. Të gjithë duhet të jemi të durueshëm dhe t’i shohim rezultatet”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka pranuar se përparimi i kundërofensivës ishte më i ngadalshëm se që dëshirohej, por tha se Kievit nuk do t’i bëhet presion për ta përshpejtuar atë.

    “Disa njerëz besojnë se ky është një film i Hollivudit dhe presin rezultate menjëherë. Nuk është ashtu”, i tha ai BBC-së në një intervistë në fillim të kësaj jave. “Ajo që është në rrezik janë jetët e njerëzve”./REL/