ATV

Author: G.O.

  • Situata në Kosovë diskutohet përsëri të enjten dhe të premten në Bruksel

    Situata në Kosovë diskutohet përsëri të enjten dhe të premten në Bruksel

    Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Kosovë dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jenë ndër temat që do t’i diskutojnë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së në një takim që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

    Pritet që në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE. Por, njëkohësisht, pritet të shprehet edhe shqetësim për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

    Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, banorët lokalë protestojnë qysh në fund të majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

    Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

    Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

    Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje edhe në draftin e një dokumenti që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së.

    Sipas tij, Këshilli Evropian pritet të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dy vendet janë pajtuar gojarisht në muajin mars.

    “Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023”, thuhet në draft-dokument.

    Aty kujtohet thirrja e BE-së për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    “Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm brenda kornizave ligjore të shtetit.

    Në takimin e BE-së, më 29 dhe 30 qershor, pritet të përsëritet edhe përkushtimi i liderëve të vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit, që nënkupton edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

    “Këshilli Evropian përsërit mbështetjen e plotë dhe të parezervë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draft-dokument.

    Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën e tyre drejt BE-së, pasi të dyja shtetet kanë hapur kapituj në negociatat për anëtarësim.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur vitin e kaluar negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, po ashtu vitin e kaluar.

    Kosova, ndërkaq, është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e vitit të kaluar, ajo ka aplikuar për anëtarësim në bllok. Deri më tani, shteti ka nënshkruar vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në tetor të vitit 2015./REL/

  • Vuçiq me mesazh përmes djalit në Graçanicë: Dorëzimi s’është opsion

    Vuçiq me mesazh përmes djalit në Graçanicë: Dorëzimi s’është opsion

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dërgoi të birin e tij në Kosovë, Danilo Vuçiq me rastin e festimit të “Vidovdanit”, i cili mbante të veshur një bluz me mbishkrimin “Dorëzimi s’është opsion”.

    I njëjti u pa duke u përshendetur me serbët e tjerë që po marrin pjesë në manifiestim.

    Edhe kësaj radhe, në bluzat e shumë të rinjve serbë u panë mbishkrime nacionaliste “Nuk e japim djepin e Serbisë”.

    Qytetarët e mbledhur serb në Graçanicë u shpërndanë pas përmbylljes së liturgjisë në manastir.

    Ndërkaq, për shkak të sigurisë, këtë vit kjo festë u shënua në Gazimestan, vend i cili ndodhet 10 kilometra larg Prishtinës.

  • Ambasadori Hovenier uron Kurban Bajramin

    Ambasadori Hovenier uron Kurban Bajramin

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier uroi festën e Kurban Bajramit.

    “I dërgoj urimet më të ngrohta me rastin e Kurban Bajramit për të gjithë ata që festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën!”, shkroi Hovenier në Twitter.

    Myslimanët në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin.

  • Ngjarje e rëndë: Një grua i jep fund jetës së saj, bie nga një ndërtesë në Prishtinë

    Ngjarje e rëndë: Një grua i jep fund jetës së saj, bie nga një ndërtesë në Prishtinë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën “Viktor Majer” në Prishtinë, ku një grua dyshohet se I ka dhënë fund jetës së saj.

    Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se viktima është e moshës rreth 70-vjeçare.

    Boroci deklaroi se rreth orës 05:00, është raportuar se në rrugën “Viktor Majer” në Prishtinë, një person ka rënë nga lartësia e një objekti.

    “Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se personi, femër, rreth 70 vjeç, është pa shenja jete. Aktualisht policia ka nisur një hetim mbi vdekjen me qëllim zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha Borovci.

  • ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    ShBA-ja dërgon edhe 500 milionë dollarë ndihma në Ukrainë

    Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Kievit një paketë të re ushtarake, me vlerë prej 500 milionë dollarësh, njoftoi Pentagoni.

    Paketa përmban automjete tokësore, përfshirë automjete luftarake Bradley dhe transportues të blinduar të personelit Stryker.

    Qëllimi është të mbështetet Ukraina në kundërofensivën e saj dhe të forcohet mbrojtja e saj ajrore, tha Pentagoni.

    Në deklaratën e tij thuhet, mes tjerash, se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e tyre për t’i ofruar Ukrainës kapacitete, për të përmbushur nevojat e saj të menjëhershme në fushëbetejë”.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në Twitter se është “sinqerisht mirënjohës”.

    Ai tha se automjetet Bradley dhe Stryker “do ta rrisin edhe më shumë fuqinë” e ushtrisë së tij.

    Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

    Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

    Shtetet e Bashkuara janë deri më tash kontribuueset më të mëdha në këtë drejtim, të ndjekura nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian. Dërgesat, deri më tash, kanë përfshirë: tanke, obusë, sisteme raketore, dronë e të tjera./REL/

  • Presidenti Begaj takohet me homologun bullgar dhe me Ministrin e Jashtëm të Turqisë

    Presidenti Begaj takohet me homologun bullgar dhe me Ministrin e Jashtëm të Turqisë

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, zotin Hakan Fidan, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.

    Në takimin me Presidentin e Bullgarisë Radev, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi më të mirë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse rajonale, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë te Korridori 8-të.

    Lidhur me këtë të fundit, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Bullgarisë si vend anëtar i BE-së në mbështetje të projektit.

    Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për nevojën e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për ndikimin e pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

    Presidenti Begaj u takua edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, zotin Hakan Fidan, me kërkesë të këtij të fundit.

    Pasi e uroi për marrjen e detyrës së Ministrit të Jashtëm të një vendi mik, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

    Në një kohë kur në nëntor të këtij viti Turqia pritet të marrë komandën e KFOR-it në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe te zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Begaj vlerësoi rolin personal të Presidentit Erdogan në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë rajon.

    Në mënyrë të veçantë u shkëmbyen mendime edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për nevojën e vijimit të këtij dialogu, në shërbim jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit në tërësi.

  • Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

    Trazira në Paris pas vrasjes së një adoleshenti nga policia

    Protesta dhe trazira shpërthyen në rajonin e Parisit, pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili, siç u tha, nuk ndaloi kur u urdhërua nga policia rrugore.

    Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset.

    Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se videoja e shpërndarë në mediat sociale, është “jashtëzakonisht tronditëse”.

    Adoleshenti, i identifikuar si Nael M., vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.

    Oficeri që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje.

    Nael M. është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë.

    Vrasja e Nael M. nxiti një seri protestash mbrëmjen e së martës në Nantere – zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti.

    Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, ndërsa stacione të autobusëve u shkatërruan.

    Së paku 24 persona u arrestuan pas trazirave./REL/

  • Krasniqi nga BIK-u ua uron Kurban Bajramin ish-krerëve të UÇK-së

    Krasniqi nga BIK-u ua uron Kurban Bajramin ish-krerëve të UÇK-së

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të mërkurën ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Krasniqi nuk la pa përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjenden në Hagë. Aty, Krasniqi u uroi festën e Kurban Bajramit.

    “Në emër te PDK-se uroj myftiun dhe përmes tij të gjithë anëtarët dhe besimtarët. Kjo është një festë që na e simbolizon solidaritetin dhe sakrificën. Në mënyrë të veçantë kujtojmë miqtë tanë që ndodhen në Hagë. Ua urojmë atyre prej këtu festën”, tha Krasniqi.

  • Abdixhiku viziton BIK-un, uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram

    Abdixhiku viziton BIK-un, uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajram

    Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkësinë Islame të Kosovës, e vizitoi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

    Abdixhiku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, me ç’rast vlerësoi lartë punën e gazetarëve.

    “Sot me bashkëpunëtorë të LDK-së vizituam BIK-un dhe myftiun Tërnava dhe nëpërmes tij ju uruam festën të gjithë besimtarëve. Më lejoni të ju uroj juve gazetarëve në veçanti, kjo është festë edhe për familjet tuaja e ju sot jeni në punë”, u shpreh Abdixhiku.

  • Vrasja e dy vëllezërve në Gjakovë, Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të dyshuarit

    Vrasja e dy vëllezërve në Gjakovë, Gjykata ia cakton një muaj paraburgim të dyshuarit

    Gjykata Themelore e Gjakovës ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit GJ.GJ, i cili dyshohet për vrasjen e dy vëllezërve nga fshati Madanaj dhe mbajtje pa autorizim të armës.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”, raporton Express.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda.

    I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 25 korrik 2023”, ka njoftuar Gjykata.

    Njoftimi i plotë:

    Një (1) muaj paraburgim ndaj të pandehurit Gj. Gj., për vepër penale të vrasjes së rëndë

    Gjakovë, 27 qershor 2023 – Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit GJ. Gj., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes pa autorizim të armës.

    Sipas kërkesës, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor”.

    Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda.

    I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 25 korrik 2023.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.