ATV

Author: G.O.

  • Berisha: Rama është armik i hapur i Kosovës, i turpshëm turi i tij ballkanik

    Berisha: Rama është armik i hapur i Kosovës, i turpshëm turi i tij ballkanik

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur sot të turpshëm turin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka deklaruar se Rama është armik i hapur i Kosovës dhe se agjenda e tij ndaj Kosovës ka nisur në javën e parë kur ai ka marrë pozitën.

    Kryetari i PD-së ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është armik i deklaruar i Kosovës, sipas tij, me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës.

    “Turi i Ramës është një tur i turpshëm, turi i një njeriu, i cili është i aftë të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Edi Rama është një armik i hapur, i deklaruar i Kosovës me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës. Agjenda e Edi Ramës kundër Kosovës nisi javën e parë të ardhjes në pushtet, kur akoma pa bërë betimin si kryeministër i vendit, vrapo në Kosovë dhe zbrazi parlamentin për shkak të qëndrimit fyes ndaj arkitektit të Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugovës, detyroi deputetet e LDK të braktisnin parlamentin. Më vonë, Edi Rama riktheu fuqishëm projektin serb të shpërbërjes së Kosovës, ndryshimit të kufijve, de-facto ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pasi dështoi me këtë projekt, Edi Rama u bë protagonist i projektit tjetër të Aleksandër Vuçiç, me të cilin ai shpalli nga Tirana, luftën e ftohtë ndaj Prishtinës. Kalonte nga samiti në samit duke anatemuar Procesin e Berlinit dhe reklamuar procesin e Vuçiçit. Shkon tani në një tur për Procesin e Berlinit, por shkon në një tur më qesharak se kurrë.”, ka thënë ai.

    Kreu i PD-së ka thënë se Rama ka vendosur i pari sanksione ndaj Kosovës.

    Ai e ka akuzuar kryeministrin Rama se është ndërmjetës i Vuçiqit.

    “Ka hequr qyrkun e Ballkanit të Hapur dhe thotë se po reklamon Procesin e Berlinit, në një kohë kur ka dëshmuar si njësoj Vuçiçi se është i aftë të shkelmojë pavarësinë e Kosovës. Edi Rama vendosi i pari sanksione ndaj Kosovës, kërcënoi në mënyrë primitive se Kosova do kthehet në epokën e bronzit, foli për Donbase dhe Donjetcke dhe për skenarë që ia servirte Vuçiçi. Kosova ia preu biletën si ndërmjetës, nuk të pranojmë si ndërmjetës dhe kjo është në meritën e tyre. Edi Rama është ndërmjetës i Vuçiqit, nuk ka asnjë tagër tjetër. Pardje në Kosovë ishin kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut. Po çfarë ka Edi Rama për të thënë për BE-në përveç marrëzive të tij dhe hallit të McGonigalit? Këto i ka se e pret në bankën e akuzës McGonigali, jo vetëm për akuzën për korrupsion, por edhe për akuza më të tmerrshme të lidhura me Kremlinin dhe Rusinë.”, ka shtuar ai.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar sot Maqedoninë e Veriut. Rama do të vizitojë sot edhe Kosovën, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit. Në Prishtinë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, derisa ende nuk është konfirmuar se a do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.Pas Kosovës, kryeministri shqiptar, Edi Rama do të udhëtojë drejt Bosnje e Hercegovinës, pastaj në Mal të Zi, ndërsa do ta mbyllë turin e tij në Serbi.

  • Zelensky viziton sot Bullgarinë

    Zelensky viziton sot Bullgarinë

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka mbërritur në Sofje, të enjten, në një vizitë të paparalajmëruar, raporton agjencia “AP”.

    Gjatë vizitës së tij të shkurtër, Zelenskyy do të diskutojë me zyrtarët bullgarë mbi dërgesat e armëve në Ukrainë dhe bashkëpunimin energjetik, duke përfshirë këtu edhe furnizimet e termocentraleve bërthamore.

    Poashtu të enjten, Parlamenti i Bullgarisë pritet të miratojë një deklaratë mbështetjeje për Ukrainën mbi anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake të NATO-s, pas përfundimit të luftës.

  • Zbulohen 13 marrëveshjet që i nënshkroi Rama dhe pritet t’i nënshkruajë edhe Qeveria e Kosovës

    Zbulohen 13 marrëveshjet që i nënshkroi Rama dhe pritet t’i nënshkruajë edhe Qeveria e Kosovës

    Janë publikuar 13 marrëveshjet të cilat janë nënshkruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe pritet që të nënshkruhen edhe nga Qeveria e Kosovës sot.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka konfirmuar se tashmë kanë pranuar marrëveshjet por s’kanë dhënë detaje nëse do të nënshkruhen sot.

    Rama i ka dërguar këto marrëveshje në MPJD me shpresën ta bindë kryeministrin Kurti për takim bilateral pas refuzimit që iu bë atij.

    Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Kurtit për takim me Ramën.

  • Vuçiqi flet me Erdoganin në telefon: E kam informuar për aktualitetin në Kosovë

    Vuçiqi flet me Erdoganin në telefon: E kam informuar për aktualitetin në Kosovë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton se ka biseduar sot në telefon me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të cilin tha se e ka informuar për aktualitetin në Kosovë dhe kronologjinë e ngjarjeve që çuan në siç tha ai, përshkallëzimin e dhunës ndaj komunitetit serb në Kosovë.

    Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq shton se kanë biseduar për çështjet rajonale dhe se janë pajtuar që paqja dhe stabiliteti nevojiten më shumë se kurrë.

  • Tahiri për Kurtin: Të takohet me Ramën, refuzimi që ka bërë është skandali më i madh

    Tahiri për Kurtin: Të takohet me Ramën, refuzimi që ka bërë është skandali më i madh

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se refuzimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama është veprim skandaloz.

    Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se kryeministri i Shqipërisë, Rama ka plotësuar tashmë kushtin e kryeministrit për nënshkrimin e marrëveshje, ku kërkoi nga kryeministri Kurti që të ketë takim.

    Tahiri, tha se Rama vjen si një përfaqësues i një shteti që është anëtar në NATO dhe jo si një individ.

    “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vjen në shtëpinë e vet, tek vëllezërit e motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë nga Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që e bënë të turpshëm secilin shqiptar që frymon dhe mendon shqip. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat, ai përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s. Takimi duhet të ndodhë, sepse Edi Rama ka bërë edhe një hap tutje që ka urdhëruar të gjithë ministrat e vet që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare në mënyrë që të plotësohet edhe kushti i kryeministrit, Kurti. Këto kushtëzime jo që bien ndesh me synimet tona politike por zbardhin një agjendë mashtruese që ka pasur Kurti, duke nisur prej platformës të Bashkimit Kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend. Shoh një veprim skandaloz dhe kërkesa jonë është që të ketë takim”, tha Tahiri.

    Tahiri tha se i qëndrojnë prapa mocionit për rrëzimin e qeverisë, për çka theksoi se është i bindur që shumica opozitare është e gatshme për një gjë të tillë.

    “AAK në këto dy vite e gjysmë ka pasur pozicione shumë të qarta në Kuvend, ka pasur momente kur i kemi thënë jo dhe po ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në fakt marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ne kemi ngritur një mocion sepse mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Kemi qenë shumë të qartë nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë ne ato i bëjmë në Kuvend, përderisa në aspektin e bojkotimit kemi marrë një vendim i cili do të reflekton në komisione, kryesi e seancë. Mirëpo e shohim rrugën tjetër, që partitë opizitore që kanë biseduar me shefat e grupeve, kanë shprehur gatishmëri, t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellin një vendim në Kuvend. Jam i bindur se një shumicë shqiptare pa ‘Listën Srbska’ është e gatshme që t’ia jap verdiktin e merituar kësaj qeverie”, tha Tahiri.

    Ndërkaq deputeti nga kjo parti, Shemsedin Dreshaj foli për Projektligjin e ri për pensionet.

    Sipas tij, ky projektligj duhet të debatohet në Kuvend pasi ka shumë paqartësi.

    “Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj sipas rregullës ka qenë dashur t’i nënshtrohet të gjitha procedurave legale, të hartimit, të debatit publik, debatit parlamentar, të debatit në komisione funksionale të Kuvendit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura janë shkuar me një rrugë të torturuar, madje as debat publik fare nuk kemi pasur. Dhe, ne nuk kemi informatë që palët e interesit sot a janë të kënaqura me këto propozime apo jo. Ky ligj aktualisht në formën që na është propozuar është shumë konfuz përkundër rekomandimeve që kemi dhënë që në mënyrë të largohet 15-vjetëshi dhe të largohet neni diskriminues 5, i udhëzimit administrativ”, tha Dreshaj.

    Dreshaj shtoi se paragrafi i dytë në këtë ligj është i paqartë, dhe sipas tij, nëse ky paragraf do të jetë funksional, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është implementuar në tërësi.

    “Ky ligj fatkeqësisht ka edhe një paragraf që është i paqartë, bëhet fjalë për paragrafin dy të këtij neni ku definohen disa kategori si të papërcaktuara, çfarë ka në të, vërtetë është për tu diskutua. Kjo mbetet ta debatojmë në Kuvend lidhur me kompetencat e kësaj pjese, për shkak se nëse ky paragraf do të jetë funksional, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është implementuar në tërësi”, tha mes tjerash Dreshaj.

  • Szunyog takohet me Kusarin: BE ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve

    Szunyog takohet me Kusarin: BE ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar me juristen për media, Flutura Kusari, me të cilën ka diskutuar për shqetësimet e saja për kërcënimet e vazhdueshme dhe fushatën e shpifjeve kundër saj në rrjete sociale.

    Me anë të një cicërime në Twitter, Szunyog ka thënë se BE-ja e ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

    “BE-ja ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë”.

    “Mediat e lira dhe të pavarura janë pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike”, ka shkruar Szunyog.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet, mungojnë deputetët

    Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet, mungojnë deputetët

    Mbledhja e Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka dështuar në mungesë të kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se në mungesë të deputetëve mbledhja nuk mund të mbahet.

    Në këtë komision në rend dite ishin këto pika: Propozimi i Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të  Fondit të Kursimeve Pensionale; Shqyrtimi i kërkesës së Radio Televizionit të Kosovës për ndarjen e mjeteve për periudhën korrik-shtator 2023; Shqyrtimi i Raportit vjetor Financiar i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022 dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022.

  • Futbollisti i kosovar i jep fund karrierës në moshën 39-vjeçare

    Futbollisti i kosovar i jep fund karrierës në moshën 39-vjeçare

    Futbollisti Robert Gjeraj ka njoftuar se i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollit në moshën 39 vjeçare.

    Ai në edicionin e kaluar ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit, skuadër me të cilën arritën që të sigurojnë inkuadrimin në Superligën e Kosovës në futboll.

    Në njoftimin e tij, Gjeraj ka thënë se ky vendim ishte jashtëzakonisht i vështirë për t’u marr.

    “Përmes këtij postimi dua t’iu njoftoj se nga sot kam marrë vendimin që të pensionohem nga futbolli aktiv në moshën 39 vjeçare. Nuk ishte aspak e lehtë ta marr këtë vendim pas 22 vitesh të mrekullueshme në sportin e futbollit, ku fitova gjithçka dhe shijova çdo moment në fushat e blerta të vendit tonë. Është e vështirë të shprehem pasi po largohem nga fusha e blertë pas më shumë se dy dekadave, andaj fjalët s’mund të përshkruajnë emocionet që kam sot. Po largohem, pasi arrita qëllimin tim me ekipin e zemrës dhe vendlindjes, andaj kjo më bën të lumtur.“, ka shkruar Gjeraj, përcjellë KosovaPress.

    Ai më tutje xka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën gjatë karrierës së tij.

    “Personalisht dhe me shumë sinqeritet dua t’i falënderojë të gjithë drejtuesit, bashkëlojtarët, trajnerët e tifozët që më ndihmuan shumë gjatë këtij rrugëtimi tim shumëvjeçar. Falënderoj Shkollën e Futbollit Shkëndija nga Prizreni, KF Lirinë, KF Getoari, KF Besa, KF Vëllaznimin, Trepçën 89′, Ballkanin dhe gjithashtu kombëtaren e Kosovës. Ishte kënaqësi të kontribuojë në klubet tuaja dhe për shtetin tim, teksa ju falënderojë për çdo gjë që keni bërë për mua. Po ashtu dua t’i falënderojë edhe gazetarët dhe mediat kosovare e shqiptare që më përcollën në çdo hap deri më sot, pasi pa ju nuk mund të isha ky që jam sot.Ju faleminderit të gjithëve, i juaji, Robert Gjeraj!”, përfundon Gjeraj.

  • Rama në Shkup, pritet nga Kovaçevski

    Rama në Shkup, pritet nga Kovaçevski

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka arritur në Maqedoninë e Veriut.

    Ai në Shkup është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Pas takimit, Rama dhe Kovaçevski do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë sot edhe Kosovën, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.

    Në Prishtinë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, derisa ende nuk është konfirmuar se a do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

    Pas Kosovës, Rama do të udhëtojë drejt Bosnjës, pastaj në Mal të Zi si dhe e mbyll turin e tij në Serbi.

  • Shënohet 25-vjetori i Betejës së Loxhës, përurohen shtatoret e Tahir Zemajt e Rrustem Bruqit

    Shënohet 25-vjetori i Betejës së Loxhës, përurohen shtatoret e Tahir Zemajt e Rrustem Bruqit

    Në shënimin e 25-vjetorit të Betejës së Loxhës, veteranët e njësive operative të UÇK-së, organizojnë manifestimin” Beteja e Loxhës 2023″ nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Me këtë rast inaugurohen shtatoret e heroit Rrustem Bruqi dhe kolonelit Tahir Zemaj.

    “Ardhja juaj nderon veprën dhe sakrificën e heronjeve të Betejës së Loxhës te reneve ne betej Rrustem Bruqi ,Lumni Surdulli, Enver Alaj dhe Kolonelit Tahir Zemaj”, thuhet në ftesë.

    Agjenda:

    Ora 12:00 – Akademi Përkujtimore në nderim të 25-vjetorit të Betejës. (Kino Jusuf Gervalla)

    Ora 13:30 – Inaugurimi i shtatores së Heroit Kolonel Tahir Zemaj. (Pejë);

    Ora 14:00 – Inaugurimi i shtatores së Heroit Rustem Bruqi, (Pejë);

    Ora 17:30 – Homazhe pranë bustit të Heroit Lumni Surdulli në Samadrexhë;

    Ora 18:00- Tubim përkujtimor për Heroin Lumni Surdulli në Samadrexhë.