ATV

Author: G.O.

  • Kuvendi mban dy seanca

    Kuvendi mban dy seanca

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot do të vazhdojnë një seancë plenare, në të cilën do të hedhen në votim 10 projektligje, si dhe do të shqyrtohen 7 projektligje tjera, vendime dhe rekomandime. Gjithashtu, është paraparë edhe një seancë e jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës.

    Sipas njoftimit, seanca do të vazhdojë me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimin në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe shqyrtimin e Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Në seancë do të votohet edhe për propozim rezolutën nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimin në lexim të dytë i Projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe do të shqyrtohet për herë të parë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

    “Shqyrtimi i parë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për tekstet shkollore, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë, shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”. Votimi për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Ndërkohë, do të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë kosovare të Akreditimit.

  • Edhe një gazetare nga Ukraina strehohet në Kosovë

    Edhe një gazetare nga Ukraina strehohet në Kosovë

    Programit “Journalists in Residence – Kosovo”, i është bashkuar gazetarja e radhës nga Ukraina, Liudmyla Lukianchenko.

    Në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, Lukianchenko u mirëprit nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, koordinatori i terrenit, Adem Sylejmani, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci, si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

    Journalists in Residence – Kosovo që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF e po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

  • Vdekja e 50-vjeçarit në Gjilan, Hyseni: Shpresojmë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë

    Vdekja e 50-vjeçarit në Gjilan, Hyseni: Shpresojmë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë

    Pas vdekjes së një 50-vjeçari si pasojë e zjarrit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka uruar që tragjeditë e tilla të mos përsëriten kurrë.

    Në llogarinë e tij në Facebook, ai iu ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të gjithë atyre që e njohin tashmë të ndjerit.

    “Një tragjedi e rëndë na ka goditur sot. Një 50-vjeçar humbi jetën sot në një aksident zjarri, duke lënë zbrazëti të madhe në zemrat e familjes, por edhe gjithë miqve e bashkëqytetarëve. Njësitet e zjarrfikësve dhe policia e qytetit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dhe kanë bërë evakuimin e të gjithë banorëve nga ndërtesa, për çështje sigurie”, ka shkruar ai.

    Një banesë në Gjilan përfshihet nga zjarri, vdes një 50-vjeçar

  • Një banesë në Gjilan përfshihet nga zjarri, vdes një 50-vjeçar

    Një banesë në Gjilan përfshihet nga zjarri, vdes një 50-vjeçar

    Sot në mëngjes një banesë është përfshirë nga zjarri në Gjilan, ku si pasojë një 50-vjeçar ka humbur jetën.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Drejtoria rajonale e Policisë, stacioni policor në Gjilan, sot më 08.07.2023 në orën 08:45 nga qendra emergjente 112 është pranuar një informatë se nga një banesë afër tregut të gjelbër kati i katërt është duke dalë tym. Janë angazhuar njësitet patrulluese. Njësitet e zjarrfikësve me urgjencë kanë dalë në vend të ngjarjes”, ka thënë Hashani.

    Sipas tij, janë evakuuar të gjithë banorët e banesave përreth për çështje sigurie.

    “Hetuesit rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit. Nga hetimet e para njoftohet se në banesë është gjetur një person pa shenja jete i gjinisë mashkullore rreth 50-vjeç . Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML”, ka deklaruar ai.

    Tutje, ai ka treguar se hetuesit rajonalë janë duke i hetuar rrethanat e këtij rasti të rëndë që rezultoi me vdekjen e një personi.

  • Haradinaj kujton Betejën e Morinës: Shënoi kapitull të ri në luftën tonë çlirimtare në Dukagjin

    Haradinaj kujton Betejën e Morinës: Shënoi kapitull të ri në luftën tonë çlirimtare në Dukagjin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar Betejën e Morinës në 25-vjetorin e saj.

    Haradinaj ka thënë se kjo betejë shënoi një kapitull të ri në luftën çlirimtare në Dukagjin.

    “25 vjet më parë, Beteja e Morinës shënoi një kapitull të ri për luftën çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit. Atë ditë ranë në altarin e lirisë djemtë më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rënia e tyre ishte goditje e madhe për rrjedhën e luftës, por ata u bënë frymëzim për mijëra ushtarë të tjerë për t’ju bashkuar radhëve të UÇK-së”, është thënë Haradinaj.

    “Lavdi të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e Kosovës! Respekti dhe mirënjohja për sakrificën e tyre sublime do të jetë i përhershëm!”, është shprehur Haradinaj.

  • Miratohet raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit

    Miratohet raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit

    Komisioni për Shëndetësi miratoi sot raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit.

    Mes tjerash, në këtë raport kërkohet edhe plotësim-ndryshimi i këtij projektligji, ku do të përfshihen edhe cigaret elektronike, po ashtu edhe përcaktimi i ambienteve të mbyllura dhe të hapura.

    Në anën tjetër, anëtarët e komisionit, përfshirë edhe deputetët e mazhorancës shprehën mospajtime për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale.

  • Guler prezantohet te Reali, ky është numri që do ta bartë

    Guler prezantohet te Reali, ky është numri që do ta bartë

    Real Madridi e ka prezantuar sot transferimin më të ri të klubit, Arda Guler.

    Guler lë Fenerbahcen për Real Madridin, ku ky i fundit do t’i paguajë gjigantit turk 20 milionë euro dhe 10 milionë euro në formë të bonuseve, raporton KosovaPress.

    Reali tani e ka prezantuar Guler si lojtarin më të ri të klubit, ndërsa edhe ka zbuluar se cilin numër ia ka dhënë yllit turk.

    Guler, i cili po cilësohet si “Messi turk”, do ta bartë numrin 24 në fanellën e tij te Reali.

    Kjo nënkupton se Jesus Vallejo, për të cilin e ardhmja mbetet ende e paqartë te Reali, do të ndryshojë sërish numër në fanellë te gjiganti spanjoll.

    Në të kaluarën, Vallejo kishte mbajtur numrin 5 në fanellë, por atë e morri yllin anglez, Jude Bellingham. Pas Bellingham, Vallejo morri numrin 24 në fanellë, por tani ka ndryshuar sërish numrin pasi që Arda Guler është numri 24 i ri i Realit.

  • Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it: Jemi të përkushtuar për shtet ligjor e demokraci

    Kurti priti në takim shefin e ri të EULEX-it: Jemi të përkushtuar për shtet ligjor e demokraci

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, me rastin e fillimit të mandatit të tij.

    Duke e falënderuar për mikpritjen, Barbano e përgëzoi Kryeministrin Kurti për progresin mbresëlënës ekonomik dhe demokratik që ka shënuar Kosova.

    U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.

    Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

    Në takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.​

  • Begaj në Azerbajxhan, pritet nga homologu Aliyev

    Begaj në Azerbajxhan, pritet nga homologu Aliyev

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjendet për vizitë në Azerbajxhan me ftesë të homologut të tij, Ilham Aliyev.

    Begaj u prit nga Aliyev sot në mëngjes.

    Ndërsa pas takimit, Begaj u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit është më i fortë se kurrë.

    “Faleminderit miku im President Aliyev për pritjen shumë miqësore! Teksa Shqipëria dhe Azerbajxhani festojnë 30 vjet marrëdhënie diplomatike, bashkëpunimi mes dy vendeve është më i fortë se kurrë!”, shkroi Begaj në Facebook.

  • Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e këtij personi

    Policia kërkon bashkëpunim për identifikimin e këtij personi

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin e të dyshuarit që i shkaktoi lëndime të rënda trupore një të mituri.

    Sipas njoftimit të policisë, rasti kishte ndodhur me 7 qershor 2023, rreth orës 20:15, në rrugën “Hadi Kantarxhiu”, në Prizren, ku i dyshuari ka sulmuar të dëmtuarin te mitur me ç ’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Sipas policisë, sektori i hetimeve ka bërë përpjekje maksimale në ndriçim të veprës penale dhe ka siguruar fotografi dhe video të të dyshuarit, mirëpo deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tij.

    “Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim të dispozitave të nenit 76 prag 2 te KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e te dyshuarit”, ka njoftuar policia.

    Për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarit për identifikimin e të njëjtit.

    “Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kanë çfarëdo informate, apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim të policisë.