ATV

Author: G.O.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte kundër popullatës civile

    Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte kundër popullatës civile

    Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër një personi me inicialet S.T, i nacionalitetit serb për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

    “Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurit të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik, komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të rajonit të Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë në konflikt me ç’rast ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafin 1 shkronja a, b, c, të përbashkët me katër konventa (1a dhe b) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë (protokollin I).”, ka bërë të ditur Prokuroria Speciale.

    Me veprimet e përmendura më lart, i pandehuri S.T. në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së përmendur të policisë serbe dhe persona tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile’’, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga nenin 143 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • “Nuk po kam çka me bo, po duhet me dal me shitë shampona” – Edhe pse në karrocë qytetari nga Kaçaniku nuk heqë dorë nga puna

    “Nuk po kam çka me bo, po duhet me dal me shitë shampona” – Edhe pse në karrocë qytetari nga Kaçaniku nuk heqë dorë nga puna

    Njihet si një nga qytetarët më të respektuar të qytetit të Kacanikut, Luta Shehu 30-vjeçar çdo ditë del në qendër të qytetit dhe shet detergjent të duarve, vetëm të bëjë një punë pasi që lëvizjet e tij janë të kufizuara.

    “Prej 08:00 të mëngjesit e filloj punën por varet edhe qysh më thërrasin shoqëria, është dashtë me dalë me shitë se nuk kam çka me bo edhe po duhet me dal me shitë shampona, nuk kam shitje edhe aq shumë, shkaku I dyqaneve që janë hapur edhe tani njerëzit edhe s’kanë nevojë shumë me ble prej meje…Nuk kam asnjë vërejtje për qytetarët e Kaçanikut, më presin mirë dhe më dojnë shumë, pasi nuk jam agresiv ndaj dikujt, nuk e pres dikon me fjalë të këqij apo diçka edhe për këtë më dojnë njërzit shumë”, tha ai.

    Tutje, ai shtoi se ka vështirësi për qarkullimin e tij me karrocë nëpër qytet.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Zyrtare: Victor Roque, lojtar i Barcelonës (VIDEO)

    Zyrtare: Victor Roque, lojtar i Barcelonës (VIDEO)

    Përmes një komunikate në faqen zyrtare, Barcelona e ka konfirmuar marrëveshjen me Athletico Paranaense për transferimin e Victor Roques.

    Roque pritet t’i bashkohet Barcelonës në sezonin 2024/25, dhe jo për sezonin e ri 2023/24, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, ylli brazilian do të nënshkruajë kontratë afatgjate me klubin, e cila do ta mbajë atë në “Camp Nou” deri në fund të sezonit 2030/31.

    Në kontratën e Roque, Barça ka përfshirë një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurove.

    “Mbreti i tigrave ka mbërritur në Barcelonë”, ishte përshkrimi i Barçës në videon ku e bëri zyrtare transferimin e Roques.

     

  • Kurti i bën thirrje të kualifikuarëve që të aplikojnë për inspektorë shëndetësorë

    Kurti i bën thirrje të kualifikuarëve që të aplikojnë për inspektorë shëndetësorë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij po e përmbush premtimin për rritjen e numrit të inspektorëve shëndetësorë në vend.

    Kryeministri Kurti ka shkarkuar në Facebook se nga 12 inspektorë shëndetësorë, ky numër do të rritet për 25 sosh.

    Ai ka ftuar të gjithë të kualifikuarit të konkurrojnë për këtë pozitë.

    “Ashtu siç kemi premtuar numri i inspektorëve po rritet. Vetëm 12 inspektorë shëndetësorë ishin në Republikën e Kosovës. Shumë shpejt numri i tyre do të rritet për 25 sosh. Pra, po e bëjmë trefishimin e numrit të inspektorëve shëndetësor, duke e ngritur atë në 37. Kjo padyshim do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Të gjithë ju të kualifikuar për këtë pozitë ju ftoj që të konkurroni”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Rama takon Macronin, presidenti francez po përgatitet të vizitojë Tiranën

    Rama takon Macronin, presidenti francez po përgatitet të vizitojë Tiranën

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përgatitet që të vijë në Shqipëri.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dhënë këtë lajm përmes një postimi në “Facebook”.

    Kreu i qeverisë ka shpërndarë edhe një foto nga takimi që ka kryer me presidentin francez në Vilnius, aty ku ka marrë pjesë në samitin e NATO-s.

    “Vilnius, Lituani – Me presidentin e Francës, Emanuel Macron, i cili po përgatitet për të ardhur në Tiranë”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

  • Todosijeviq lirohet nga akuzat pas deklaratës për Raçakun

    Todosijeviq lirohet nga akuzat pas deklaratës për Raçakun

    Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar zyrtarin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, nga të gjitha akuzat për gjuhë të urrejtjes në deklaratën e tij ku mohonte masakrën e Reçakut.

    Vendimi nënkupton se edhe aktgjykimi i mëparshëm me të cilin ai ishte dënuar me një vit burgim, anulohet.

    Lajmin për lirimin e tij nga të gjitha akuzat e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë avokati i tij, Nebojsha Vlajiq.

    “Vendimi i Gjykatës Supreme është i formës së prerë, nuk ka më ankesa apo procedurë, zoti Todosijeviq është njeri i lirë”, tha Vlajiq, shkruan REL.

    Ivan Todosijeviq u gjykua dy herë për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”. Herën e parë ai u dënua me dy vjet burg, por Gjykata e Supreme e Kosovës mori vendim në fund të vitit 2021 që gjykimin ta kthejë në fillim.

    Në një gjykim të përsëritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai është dënuar me një vit burg.

    Gjyqi ndaj tij është zhvilluar për shkak të gjuhës së urrejtjes. Todosijeviq ka deklaruar në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

    Todosijeviq është anëtar i kryesisë së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai është edhe kryetar i komunës paralele serbe të Zveçanit.

    Në kohën kur Todosijeviq bëri deklaratat për masakrën e Reçakut, ai mbante postin e ministrit të Administrimit të Vetëqeverisjes Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më pas ai u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Përveç se i kishte cilësuar si “trillim” ngjarjet në Reçak, deklaratatat e bëra në 20-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershëm, Todosijeviq tha po ashtu se “terroristët shqiptarë, që i shpikën të gjitha, i bënë krimet më të mëdha në Kosovë dhe Metohi, për të cilat askush nuk është burgosur dhe nuk ka dhënë përgjegjësi deri më sot”.

    NATO nisi sulmet ndaj caqeve serbe për të parandaluar dhunën e ushtruar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kësaj ngjarje i parapriu vrasja e 45 shqiptarëve në fshatin Reçak të Shtimes.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht i ka dalë në mbrojtje Todosijeviqit, duke thënë se ai beson se “Reçaku është trillim” dhe se serbët në Kosovë nuk kanë të drejtë të lirisë së fjalës./REL/

     

  • Aliu thotë se nga 350 mijë ndërtime pa leje janë legalizuar vetëm 15 mijë, kanë vlerë 1 miliard euro

    Aliu thotë se nga 350 mijë ndërtime pa leje janë legalizuar vetëm 15 mijë, kanë vlerë 1 miliard euro

    Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në konferencën e mbajtur për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur rreth Ligjit për legalizimin e ndërtimeve, si dhe atij për ndryshime klimatike.

    Ligjin për ndryshime klimatike, që u miratua në mbledhjen e Qeverisë, Aliu e ka cilësuar shumë të rëndësishëm.

    Mirëpo, siç u shpreh ai, mos-kalimi i Ligjit për legalizimin e ndërtimeve, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, sjell dëme të mëdha për vendin.

    “Miratuam Ligjin për Ndryshime Klimatike, do të kemi ndryshim të madh në mjedis. Është ligj i rëndësishëm. Dua të jua përkujtoj se ndikimet e ndryshimeve klimatike janë të vërejtshme, që kanë të bëjnë me thatësirat, që kërkojnë projekte në adaptimin e këtyre rrethanave të reja që po hyjmë”.

    “Krahas këtij ligji jemi duke bërë edhe strategji të ndryshme. Vendi ynë është në gjendje kritike sa i përket ujit dhe këto projekte do të na mundësojnë që të adaptohemi me këtë situatë. Kosova është duke shfrytëzuat të gjitha mekanizmat për të lobuar që ne jemi shumë të diskriminuar si vend në botë, në konventën e Kombeve të Bashkuara, Kosova pothuajse nuk ekziston fare. Lobojmë që të kemi qasje në fondet e BE-së, nga ndryshimet klimatike ndikojnë edhe ndikohemi. Edhe dy projektet e tjera janë të rëndësishme.  Jemi duke zgjidhur problemet e shumta për shpronësimet”, tha ai.

    Aliu tha se nga 350 mijë ndërtime pa leje janë legalizuar vetëm 15 mijë.

    Ai theksoi se bëhet fjalë për vazhdimin e afatit për qytetarët për legalizimin e ndërtimeve.

    “Trajtimi i ndërtimeve pa leje ka qenë dje në rend të ditës dhe nuk ka kaluar. Është bërë dëm i madh. Është e vërtetë që numrat kanë qenë por, disa deputetë të Vetëvendosjes nuk e kanë votuar. Një numër i madh i qytetarëve po presin, por shpresoj që në seancën e radhës të kemi këtë mundësi”, tha Aliu.

    “Ju e shihni që ky ligj ka kritere. Nga këto 15 mijë objekte të legalizuara, vlera e tyre është 1 miliard euro”, theksoi ai.

  • Stoltenberg: Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s

    Stoltenberg: Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, janë duke mbajtur një konferencë për shtyp.

    Stoltenberg konfirmoi që në fillim se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s.

    “Ne ramë dakord për një paketë tre-pjesëshe që e afron Ukrainën me NATO-n. Një program i shumëfishtë i ndihmës praktike, krijimi i një këshilli të ri që do të lidhë NATO-n dhe Ukrainën, dhe konfirmimi që Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, gjithashtu. si heqja e kërkesës për anëtarësim në një anëtar veprimi.

    Lidhur me anëtarësimin në NATO, Stoltenberg tha se aleanca do t’i bëjë një ftesë NATO-s kur aleatët të bien dakord, kur të plotësohen kushtet.

    “Kur të përfundojë lufta, ne duhet të sigurohemi që të ketë marrëveshje të besueshme për sigurinë e Ukrainës, në mënyrë që historia të mos përsëritet”, tha Stoltenberg.

    Duke iu kthyer presidentit ukrainas, ai tha: “Sot takohemi si të barabartë, mezi pres ditën kur të takohemi si aleatë”.

  • Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit

    Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit

    Kuvendi Komunal i Rahovecit shkarkoi kryesuesin, Defrim Kafexhiun, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje në komunën që udhëhiqet nga kryetari Smajl Latifi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Nga 27 anëtarë prezentë në këtë seancë të jashtëzakonshme, 16 votuan pro shkarkimit të Kafexhiut, dhjetë ishin kundër ndërsa një abstenoi.

    Në fjalën e tij para votimit, Kafexhiu deklaroi se nuk ka arsye për ta shkarkuar atë përpos që Latifi kërkon të jetë, edhe kryetar Komune, edhe kryesues i Kuvendit Komunal.

    AAK, që fitoi 12 mandatë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 në Asamble, arriti të mbledh rreth vetes për këtë mocion edhe katër asamblistë të tjerë për të formuar shumicën prej 16 votash. Këta që iu bashkuan AAK-së, Kafexhiu i akuzoi se e bënë për interesa personale.

    Kafexhiu pati akuza të rënda ndaj Latifit duke thënë se kërkon një kryesues të Kuvendit që e dëgjon atë se si duhet të sillet në seanca.

    “Kryetari është i zgjedhur me shumicën e votave dhe i dal prej zgjedhjeve të rregullta, ama kryetari po do me votat e veta të udhëheq edhe Kuvendin. Duhet të mësoj dallimin. Duhet të mësoj rëndësinë e Kuvendit, Duhet të mësojë rëndësinë e të zgjedhurve të tjerë, sepse ne nuk jemi emëruar prej tij sepse qytetarët votuan edhe për Kuvendin, andaj duhet respektuar. E di që arsyeja për shkarkim është vetëm forma e qeverisjes së kryetarit, nuk po do me pas një organ institucional që ai të mos e diktojë, ai do një kryesues që e dëgjon kujt e tek me ia dhënë fjalën, kur t’i nxjerrë pikat në votim, e kur me mbyll seancën. Ai do me qenë edhe kryetar Komune dhe kryesues i Kuvendit, kjo është e pa tolerueshme”, deklaroi Kafexhiu.

    Nismëtarja e këtij mocioni, AAK, në arsyetimin e saj tha se Kuvendi mund të funksionojë më mirë me një kryesues tjetër, por kundër kësaj u shprehën LVV dhe LDK.

    Shefi i asamblistëve të AAK-së, Hasan Përboqi, në fjalën e tij tha se nuk kanë asgjë personale me Kafexhiun, por është një proces demokratik dhe po bëjnë veprimin e nevojshëm në interes të zbatimit më të mirë të programit politik me të cilën i kanë fituar zgjedhjet më 2021.

    “Për të pasur funksionim edhe më të mirë, për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme e më funksionale që mundëson zbatimin edhe më efikas të programit qeverisës të fituesit të zgjedhjeve lokale të vitit 2021, në këtë frymë për të vënë në shërbim të rrethanave për të jetësuar sa më mirë programin qeveris i cili u dedikohet qytetarëve tanë kemi ardhur në përfundim se kjo përpjekje është për të mundësuar një zhvillim normal politik i cili rrit edhe më shumë përkushtimin e rolit të Kuvendit”, deklaroi Përboqi.

    Në anën tjetër, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Leonard Morina, deklaroi se pozita në Rahovec po tregon mosdurim ndaj vlerave profesionale e intelektuale që i zotëron Defrim Kafexhiu.

    “Para dy vitesh keni filluar procesin e shkarkimit të kryesuesit, për arse të vetme se ai nuk është nga radhët e AAK-së, duke joshur asamblistë nga subjekte të tjera nëpërmjet favoreve të ndryshme që t’ju bashkëngjiten juve si sasi por jo edhe si cilësi. Kërkoj nga delegatët nënshkrues të kërkesës të këtij mocioni të tregojnë se në cilat raste e ka shkelur rregulloren kryesuesi… Kjo është një mënyrë klasike për të kontrolluar gjithçka, për të sunduar dhe kontrolluar edhe Kuvendin, si organ më i lartë në nivel lokal”, tha Morina.

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është shprehur kundër shkarkimit, duke thënë se po bëhet për të kënaqur kryetarin Smajl Latifi.

    “Është për keqardhje kur në arsyetim nuk ka asnjë vërejtje por o duhet të thirret mocion. Mocioni ka një arsyetim, ka një bazë dhe ka një qëllim të përmirësimit përmes një ndryshimi. Nuk po shoh që ka qëllim përmirësimi përmes një ndryshimi por ka qëllime të kënaqjes së kryetarit që kur të thotë ndale seancën me pas një kryesues që e ndal seancën, lëshojë seancën ta lëshojë seancën.. Nuk ka të bëjë me ecurinë e Asamblesë komunale, nuk ka të bëjë me mos punë për Asamble komune, ose të shkeljes së demokracisë”, tha Burim Krasniqi, shef i asamblistëve të LDK-së.

    Kuvendi Komunal i Rahovecit pritet të mblidhet gjatë ditës për të zgjedhur kryesuesin e ri.

  • Aktakuzë ndaj dy personave për narkotikë në Prizren

    Aktakuzë ndaj dy personave për narkotikë në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka informuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër një personi, me inicialet D.G., i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit se ka kryer veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe ndaj një të pandehurës A.M., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri D.G., me datë 04.05.2023 rreth orës 17:30 min në lagjen Arbana të Prizrenit, në hyrje – dalje të autostradës Prizren – veri, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes, posedon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “marihuanë”, mirëpo të njëjtat nuk arrin t’i shesë pasi që ndërhynë policia, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur afër qytetit të Pejës, me veturën e tij personale “BMW” të cilën po e drejtonte e pandehura A.M., sapo arrijnë afër pompës së derivateve, ndalen nga patrulla policore, mirëpo gjatë parkimit drejtuesja e automjetit niset me vrull duke vazhduar në drejtim të lagjes “Arbana” me shpejtësi të madhe, edhe pse e ndjekur pas nga patrulla policore, e njëjta kryen vozitje të rrezikshme ku gjatë kyçjes në rrugën “Skender Latifi” godet ulëset së bashku me tavolinat e një lokali që ndodhej aty, dhe më pas vazhdon deri në kryqëzimin e rrugës “Ismail Qemali” ku vetura pëson dëme duke i plasur goma e parë djathtas, në ato momente nga dera e pasme del i pandehuri D.G., hap bagazhin nga ku merr një thes dhe vazhdon të ikë duke kaluar pengesa e mure të shtëpive, derisa zyrtarët policorë arrijnë ta kapin brenda një oborri ku edhe i vendosin prangat dhe sekuestrojnë nga i njëjti një thes ngjyrë kafe në të cilin kishte dy qese plastike me substancë të dyshuar për narkotikë, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 2 kg 180.74 gram, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit kanabis – marihuanë.”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Ndërsa, e pandehura A.M., në datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje e ka ndihmuar të pandehurin D.G., në shmangien e zbulimit dhe arrestimit, duke ndërmarrë veprime për pengimin e arrestimit të tij.

    Po ashtu, lidhur me rastin, si mjete të kryerjes, janë konfiskuar sendet, të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale: Vetura e tipit BMW, pronë e të pandehurit D.G., një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1093.23 gramë, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1087.51 gramë, një thes ngjyrë kafe, një sprej me ngjyrë të zezë, dy grinder – mullinj.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit lartëcekur për veprat penale, për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.