ATV

Author: G.O.

  • Në 24 orët e fundit raportohen pesë raste të dhunës në familje

    Në 24 orët e fundit raportohen pesë raste të dhunës në familje

    Për një ditë në Kosovë janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

    Në Gjilan është arrestuar një person nën dyshimin për sulm fizik ndaj gruas. Ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

    “Gjilan 08.07.2023 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima  nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe sipas saj i dyshuari vazhdimisht i shkakton dhunë fizike dhe psikike. Me  vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

    Ndërkaq, në Suharekë një grua e ka lajmëruar burrin e saj që jeton jashtë vendit. Se po ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj.

    “Suharekë 12.07.2023 – 17:40. Viktima femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull  kosovar, i cili jeton jashtë shtetit, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. I dyshuari me datë 12.07.2023 e ka telefonuar viktimën dhe ka kërkuar nga ajo që të dalë nga shtëpia dhe po ashtu e ka kanosur. Viktima së bashku me dy fëmijët e saj ka shkuar tek prindërit e saj. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Ndërsa në Prizren është arrestuar një i mitur për dhunë ndaj nënës dhe dy motrave të tij.

    “Prizren  12.07.2023 – 18:00. Është arrestuar i dyshuari i mitur mashkull  kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë ndaj nënës  dhe dy motrave të tij, viktimave femra kosovare. Me  vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton tutje policia.

    E në Gjakovë është arrestuar një person pasi i kanosi dhe tentoi t’i sulmojë fizikisht vëllain dhe kunatën e tij.

    “Gjakovë 12.07.2023 – 14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi i njëjti kishte kanosur dhe tentuar që t’i sulmojë fizikisht vëllain dhe kunatën e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    Ndërsa në Skenderaj është arrestuar një persin nën dyshimin se ka kanosur gruan dhe djalin e tij.

    “Skenderaj 12.07.2023 – 17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka kanosur bashkëshorten dhe djalin e tij. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në njoftim.

  • Aksident trafiku në Mitrovicë, lëndohen 6 persona

    Aksident trafiku në Mitrovicë, lëndohen 6 persona

    Një aksident trafiku me gjashtë të lënduar ka ndodhur dje në Mitrovicë.

    Sipas policisë në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri vetura, derisa të lënduarit pas pranimit të tretmanit mjekësore janë liruar.

    “Fsh. Shupkovc, Mitrovicë 12.07.2023 – 14:40. Tri vetura civile me drejtues meshkuj  kosovarë janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 4 femra dhe 2 meshkuj kosovarë. Të lënduarit pas pranimit të tretmanit mjekësore janë liruar”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Tentim vrasje në fshatin Siboc të Podujevës, i dyshuari gjendet në arrati

    Tentim vrasje në fshatin Siboc të Podujevës, i dyshuari gjendet në arrati

    Një burrë ka raportuar në Polici se mbrëmë një person kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tij, derisa ai ishte duke drejtuar veturën.

    “VRASJE NË TENTATIVË/ Fsh. Sibofc, Podujevë 12.07.2023 – 19:34. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën në drejtim të tij kishte gjuajtur me armë zjarri i dyshuari mashkull kosovar”, njoftoi Policia.

    “Vetura e viktimës ishte qëlluar me pesë predha në pjesën e pasme- bagazh. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjete asgjë e dyshuar”, thuhet mes tjerash në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari nuk është hasur nga policia dhe gjendet në arrati.

     

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë pritet të mbizotërohet kryesisht me kthjellime dhe mot me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 36 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 33 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 39 gradë Celsius. /atvlive.tv//atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Kuvendi mban seancë, në rend dite zgjedhja e guvernatorit të BQK-së

    Kuvendi mban seancë, në rend dite zgjedhja e guvernatorit të BQK-së

    Kuvendi i Kosovës nga ora 10:00 do të mbajë seancë plenare, derisa ka njoftuar se në rend dite është edhe zgjedhja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

    Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, ndërsa pritet të bëhet votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Në seancën e sotme gjithashtu pritet të votohet edhe projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit.

    Kuvendi sot do të shqyrtoj edhe Projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

  • Nushi: Audio-incizimet e kanë rrënuar e kthyer përmbysë VV-në, dikush duhet të japë përgjegjësi

    Nushi: Audio-incizimet e kanë rrënuar e kthyer përmbysë VV-në, dikush duhet të japë përgjegjësi

    Sekretari Organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje me publikimin e audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, është rrënuar dhe është kthyer përmbysë.  

    Ai i tha Ekonomia Online se për këto përgjime në të cilat Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke diskutuar me Listën Serbe, do të duhet që dikush të japë përgjegjësi edhe morale edhe penale.

    Nushi shtoi se problem në këtë çështje është se koordinimi është bërë me Milan Radojiçiqin, i cili sic thotë ai, është koka e krimit të organizuar në veriun e vendit dhe i sanksionuar nga Amerika.

    “Krejt imazhi që e kanë ndërtuar përgjatë viteve Lëvizja Vetëvendosje duke i cilësuar të gjithë të tjerët si bashkëpunëtor të Serbisë përmes Listës Serbe, me këto përgjime është rrënuar dhe është kthyer përmbysë. Aty lëre që ka koordinim me Listën Serbe që në vetë vete nuk është ndonjë problem sepse ata kanë vota në parlament edhe janë parti parlamentare, mirëpo përmes Listës Serbe ajo koordinohej me Milan Radojiçiqin, i cili është koka e krimit të organizuar në veriun e vendit dhe më gjerë edhe i sanksionuar nga Amerika”.

    Ai tha se kjo është një çështje skandaloze dhe se dikush do të duhet që të jep përgjegjësi morale e penale, pasi sipas tij, Kusari-Lila ka biseduar me njerëz që janë në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë nuk ka lajmëruar asnjë institucion të sigurisë.

    “Problemi këtu është edhe trajtimi që subjekti ja bërë vetë këtyre përgjimeve. Zonja Kusari fillimisht i mohoj, pastaj tha po është zëri imi, pastaj tha skam folur me Milan Radojiçiqin, pastaj tha po, tash po del që ka folur pesë herë. Pra është një tendencë për manipulim dhe shmangie të fakteve që ne të gjithë po i dëgjojmë të cilat kjo Qeveri po do që t’i mbuloj me propagandën e saj. Është skandaloze dikush duhet që të jep përgjegjësi edhe morale edhe penale sepse Mimoza ka biseduar me njerëz që janë në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë nuk ka lajmëruar as një institucion të sigurisë”.

    Ai tha se kur është votuar paga minimale në Kuvend të vetmit që kanë votuar për janë VV-ja dhe Lista Serbe, raporton EO.

    “Tash duhet me i pa historikisht qysh ka vajtur votimi, mua mu kujtua paga minimale kur është votuar, është një ndër momentet e rralla kur Lista Serbe merr pjesë në votim dhe janë komplet në votim për edhe janë veç dy subjekte që janë për, Lista Serbe edhe VV-ja. Dihet që më atë ligj u eliminua ndërlidhja e veteranëve me pagën minimale çka shkaktoj edhe revolta shumë të mëdha tekë kjo kategori”, tha ai për EO.

  • Abdixhiku sot mban takimin e tretë konsultativ për gjendjen politike në vend

    Abdixhiku sot mban takimin e tretë konsultativ për gjendjen politike në vend

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot do ta mbajë takimin e tretë konsultativ për gjendjen politike në vend.

    Sipas njoftimit të LDK-së, kësaj radhe Abdixhiku ka ftuar komunitetin akademik dhe diplomatë.

    “Nesër (e enjte), në orën 15:00, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar komunitetin akademik dhe diplomatë, takimi i tretë konsultativ për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

    Takimi mbahet në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës duke filluar në orën 15:00.

  • Pacolli për Mimozën: Karma ekziston!

    Pacolli për Mimozën: Karma ekziston!

    Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se “karma ekziston” për deputeten Mimoza Kusari-Lila e cila dikur ishte bashkëpartiake e tij.

    “Gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë për njerëzit që në të kaluarën më lënduan, më zhgënjyen, u përpoqën të më mashtronin. Unë nuk jam shqetësuar kurrë për këtë, sepse kam qenë i bindur që nuk kam pse të hakmerrem me askënd. Karma ekziston!”, shkroi Pacolli pas incizimeve të reja të publikuara ku është e përfshirë Kusari-Lila dhe Sllavko Simiq i Listës Serbe.

    Mimoza Kusari – Lila ka qenë pjesë e AKR-së për një kohë të gjatë, ndërsa me këtë parti pati qenë edhe ministre në Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi. Po kjo parti e pati nominuar për kryeministre.

    Po me AKR garoi për kryetare të Gjakovës, ku më 2013 fitoi zgjedhjet por në gjysmë të mandatit doli nga partia dhe krijoi Alternativën të cilën e udhëheq edhe sot dhe është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

  • Krasniqi kërkon Komision hetimor për audio-incizimet e Kusari-Lilës: Kanë lënë shije të hidhur

    Krasniqi kërkon Komision hetimor për audio-incizimet e Kusari-Lilës: Kanë lënë shije të hidhur

    Profesori universitar Milazim Krasniqi, i tha Ekonomia Online, se çdo bisedë e fshehur është pjesë politikave të pa moralshme, duke i’u referuar përgjimeve të publikuar së fundi në medie ku është e implikuar shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, me pjesëtarë të Listës Serbe.

    Ai ka shtuar se për këtë çështje do të duhet që të krijohej një Komision hetimor Parlamentar. Krasniqi ka theksuar se komunikimi i Kusari-Lilës më Milan Radojiçiqin, që është në listën e zezë të ShBA-së, dhe në kërkim nga organet e drejtësisë, lënë shije të hidhur.

    “E para çdo bisedë jo zyrtare e fshehtë është një farë mënyre pjesë e spiunazhit ose politikave të pa moralshme pavarësisht se kush i zhvillon. E dyta varet edhe në rastin që bisedohet me Listën Serbe e cila bënë diversion permanent ndaj shtetit të Kosovës dhe veçmas me Milan Radojiçiqin që është në listën e zezë të ShBA-së dhe është në kërkim nga organet e drejtësisë kjo lënë shije edhe më të hidhur”.

    “E treta zhvillimet në veri që janë tash sa muaj në sfondin e këtyre përgjimeve krijohen dyshime serioze se janë disi të orkestruara, të koordinuara dhe në këtë rast nëse është kështu unë sinqerisht nuk do të dëshiroja që të ishte ashtu, atëherë rezulton që këto politika të koordinuara me Listën Serbe edhe me Radojiçiqin janë tmerrësisht të dëmshme për stabilitetin e Kosovës”, tha ai.

    Sipas tij, Prokuroria e Shtetit do të duhej që të vije ne lëvizje për të parë eventualisht pasojat që janë shkaktuar.

    “E kanë dëmtuar imazhin e Kosovës shumë, me një fjalë dhe vetë këto biseda jo vetëm që lënë shije të hidhur por bindja ime e thellë është që ka hapësirë për të hapu minimumi në Parlament një Komision hetimorë për këtë. Dhe e dyta unë mendoj që Prokuroria e Shtetit do të duhej që të vije ne lëvizje për të parë gjithë këtë ngjarje dhe për të parë eventualisht pasojat që ajo ka shkaktuar”, tha ai.

    Krasniqi shtoi se të gjitha partitë në vend kanë bashkëpunuar në të kaluarën me Listën Serbe, por sipas tij, problem është kur bëhen biseda të fshehta e koordinime me Milan Radojiçiqin që është person në kërkim.

    “Ata në fakt edhe kanë qenë partner të pa shpallur të koalicionit sepse më votat të eksponentëve të listës Serbe është zgjedhur edhe Vjosa Osmani, presidente dhe këtë nuk e fshehë askush sepse dihet botërisht. Ka pasur një periudhë të bashkëpunimit, periudha e bashkëpunimit me Listën Serbe kanë pasur edhe partitë e tjera, si e tillë ajo është pjesë e infrastrukturës politike të Kosovës dhe askush nuk e konteston bashkëpunimin më të”.

    “Problemi është kur bëhen biseda të fshehta dhe kurë benë pazare të fshehta në stilin ju na votoni këtë ligj, ne ju votojmë këtë ligj jashtë syrit të publikut. Nuk do të ishte fare kontestuese pse bëhen takime me Listën Serbe, por është kontestuese pse behën koordinime me Milan Radojiçiqin që është person në kërkim”, tha ai.

  • Dodik thotë se ka “një plan” nëse shkarkohet nga posti i presidentit të Republikës Sërpska

    Dodik thotë se ka “një plan” nëse shkarkohet nga posti i presidentit të Republikës Sërpska

    Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha se vendimet e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, nuk do të aplikohen në entitetin serb.

    “Unë jam një plan nëse përfaqësuesi i lartë sjell diçka. Do të jetë shumë interesant, por plani nuk përfshin asnjë konflikt, por sfidë politike”, tha Dodik duke komentuar raportimet mediave për shkarkimin e tij.

    Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, ka autoritetin që të shkarkojë çdo zyrtarë të emëruar apo të zgjedhur, nëse ai vlerëson se ata kërcënojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit apo sundimin e ligjit.

    Gjatë një konference për media, Dodik tha se ai është zgjedhur në postin e presidentit të Republikës Sërpska nga qytetarët gjatë zgjedhjeve të mbajtura tetorin e vitit të kaluar.

    “Lëreni të tentojë, ndoshta ai ka dëshirë që ajo të ndodhë në mënyrë që të shfaqet paaftësia e tij për të bërë diçka”, tha Dodik.

    Deklarata e tij vjen një ditë pasi anëtarët e Agjencisë për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) mblodhi dokumentacione në zyrat e Gazetës Zyrtare në Republikën Sërpska.

    Ky institucion ka publikuar dekretin joligjor të Dodikut që thotë se vendimet e Zyrës së përfaqësuesit të lartë më nuk do të publikohen në Republikën Sërpska, sikurse edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës më nuk do të aplikohen në territorin e entitetit.

    Dekreti i Dodikut është publikuar në Gazetën Zyrtare më 10 korrik. Propozuesit e këtij legjislacioni ishin Dodik, deputetët dhe Qeveria e Republikës Sërpska. Asambleja e këtij entiteti i miratoi këto ndryshime ligjore në fund të qershorit.

    Schmidt me vendimet e tij të 1 korrikut ka pezulluar krejtësisht të gjithë procedurën ligjore. Përfaqësuesi i lartë po ashtu ka penalizuar mosrespektimin e vendimeve të tij dhe kushdo që e bën këtë shkelje mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

    Konferenca për media e Dodikut u mbajt pas takimit të zyrtarëve të lartë të Bosnjës me kryetaren e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Johanna Sattler, dhe drejtoreshën për Evropë të Shërbimit për Punë të Jashtme të BE-së, Angelina Eichhorst.

    Pas takimit të mbajtur në Sarajevë, Dodik tha se ai dëshiron që Bosnja të pranohet si anëtare e BE-së.

    Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për krizën politike të shkaktuar nga aktivitetet anti-Dejton të Dodikut.

    Dodik tha se u pajtua me BE-në që përfaqësuesit e autoriteteve duhet të paraqesin një propozim për shtensionim politik deri të hënën./REL/