ATV

Author: G.O.

  • Kosovë: Mbi 100 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, prej tyre një me fatalitet

    Kosovë: Mbi 100 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, prej tyre një me fatalitet

    Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 104 aksidente trafiku, prej të cilave një ka përfunduar me fatalitet, 32 me të lënduar dhe 71 aksidente të tjera me dëme materiale.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë thuhet se aksidenti me fatalitet, ka ndodhur pasditen e djeshme në Gjilan.

    “I dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke e drejtuar traktorin në rrugë me një pjerrtësi të madhe dhe kthesë në anën e majtë e kishte humbë kontrollin mbi drejtimin e traktorit dhe kishte goditur anësoret e rrugës e më pas ishte rrokullisur. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda vdekje prurëse kishte pësuar pasagjeri që kishte qenë në traktor, viktima mashkull kosovar i cili kishte ndërruar jetë.Lëndime trupore ka pësuar edhe i dyshuari drejtuesi i traktorit i cili pas marrjes së ndihmës së parë në qendrën emergjente në Ferizaj është dërguar në QKUK për tretman të mëtejmë mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion./atvlive.tv/

  • Këto janë temperaturat për ditën e sotme në Kosovë

    Këto janë temperaturat për ditën e sotme në Kosovë

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot i kthjelltë dhe i nxehtë.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjilanit me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 36 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 17 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 42 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • 12 vjet nga aksioni në veri ku mbeti i vrarë polici Enver Zymberi

    12 vjet nga aksioni në veri ku mbeti i vrarë polici Enver Zymberi

    Sot bëhen 12 vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

    Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

    Por ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe u vra polici Enver Zymberi.

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

  • Dëmtohet gypi i ujësjellësit, këto lagje dhe fshatra të Prishtinës mbesin pa ujë të pijshëm

    Dëmtohet gypi i ujësjellësit, këto lagje dhe fshatra të Prishtinës mbesin pa ujë të pijshëm

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar se për shkak të defektit të një gypi, rrugët “Bajram Bahtiri” nga kryqëzimi me rrugën e “Tomorit” dhe fshatrat Llukar e Makovc në Prishtinë, kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.

    Sipas K.R.U “Prishtina”, ndërrimi i gypit të ujit është i domosdoshëm, pasi thellësia e tij është mbi dy metra, me ç’rast edhe rrezikshmëria është e lartë.

    Kompania shtoi se janë detyruar t’i ndërpresin punimet për shkak të shembjes së dheut.

  • Sot dita më e nxehtë e korrikut, apelohet për kujdes

    Sot dita më e nxehtë e korrikut, apelohet për kujdes

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vapë, ndërkaq parashihet të jetë dita më e nxehtë e javës së fundit të korrikut.

    IHMK-ja njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-39 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

    Për shkak të temperaturave të larta apelohet respektimi i këshillave të IKSHP.

    Sipas llogaritjeve të vlerave të temperaturave maksimale, IHMK ka ardhur në përfundim se korriku do të jetë ndër muajt më të nxehtë për shumë vite të fundit.

  • Balla e Sveçla s’komentojnë raportet e kryeministrave, zotohen për zbatim të marrëveshjeve

    Balla e Sveçla s’komentojnë raportet e kryeministrave, zotohen për zbatim të marrëveshjeve

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla, kanë vizituar pikën e përbashkët kufitare në Morinë ku kanë diskutuar për problemin e pritjes me të cilin po përballën diaspora gjatë udhëtimit në Kosovë. Derisa kanë folur para mediave për ketë çështje, ata nuk kanë dashur të komentojnë anulimin e mbledhjes së dy qeverive dhe raportin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

    Sveçla ka shprehur vullnetin politik që problematika e pritjes së mërgimtarëve të marr fund sa më shpejt.

    Ndërsa është zotuar se po punojnë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në mes dy qeverive.

    “Si rezultat i marrëveshjes e keni parë që nuk ka shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë të cilët me targat e këtyre vendeve presin në rend. Vështirësinë që e kemi tash është me mërgatat tona të cilat vijnë qoftë në Kosovë apo Shqipëri për pushimet e tyre, ne kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona tu shërbejmë shpejt me efikasitet dhe po mendojmë disa variante se si të tejkalohen këto vështirësi, zgjidhje ka patjetër që ka vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj që shumë shpejt do të vërehen ndryshimet….Ka tashmë përmirësime po flasim për zgjidhje tash menjëherë“, theksoi ai.

    Edhe Taulant Balla theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje që koha e pritjes për mërgimtarët në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë të shkurtohet.

    “Ka një rritje të numrit të mërgimtarëve dhe jo vetëm dhe udhëtarëve të tjerë nga vende të ndryshme të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Kosovë dhe për shkak se për të gjitha target në përjashtim të targave të Shqipërisë do të duhet që të pajisjen me siguracion kjo merr një kohë të caktuar…shqetësimi im është që sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjitha Evropa dhe jo vetëm për t’u kthyer të gjejmë të gjitha mundësitë që gjatë kthimit të tyre në Kosovë përmes pikës kufitare të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër ose të gjejmë një modalitetet se si t’i japim një zgjidhje që pajisje me siguracion të mos ta bëjnë në pikën e kalimit kufitar, një propozim ka qenë ta bëjnë brenda një kohe të caktuar sapo hyjnë në territorin e Kosovës, ose brenda një distance të caktuar…Mendojmë se një nga arsyet e këtij niveli të lartë të trafikut është pikërisht kjo…..Këtu nuk ka një pengesë nga dy policitë tona, pra këtu bëhet fjalë për një çështje administrative”, u shpreh Balla.

    Derisa nuk e ka komentuar anulimin e mbledhjes së dy qeverive, Balla ka thënë se ministrave u takojnë t’i zbatojnë marrëveshjet e firmosura nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.

    “Mërgimtarët presin prej nesh që të bëjmë zgjidhje për këtë çështje dhe unë mendoj se ne do ta zgjidhim këtë çështje, dhe unë mendoj që do ta zgjidhim këtë çështje. Sa i për çështje tjera kemi kohë plotë të flasim dhe natyrshëm ajo që I takon dy ministrave është të zbatojnë marrëveshjet që kryeministrat kanë firmosur”, theksoi ai.

    Ndërsa ministri Sveçla, i pyetur për lirim e serbëve të arrestuar pas sulmeve në veri të vendit, ka thënë se ka opinion të kualifikuar për këto çështje, por do ta adresojë në një rast tjetër.

    “Kam shumë opinion të kualifikuar për këto çështje që do t’i adresoj në një rast tjetër”, u shpreh shkurt Sveçla.

  • Llapi transferon Leotrim Bekteshin

    Llapi transferon Leotrim Bekteshin

    Klubi i futbollit Llapi ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin, Leotrim Bekteshi.

    Në prani të Drejtorit Sportiv, Mentor Zhdrella, qendërmbrojtësi mitrovicas ka nënshkruar kontratë 1 vjeçare me mundësi vazhdimi.

    Bekteshi me Ballkanin është shpallur kampion në sezonin e fundit dhe ka fituar Superkupën. Me Prishtinën ka fituar titullin kampion, Kupën dhe Superkupën e Kosovës, teksa ka qenë edhe në formacionin e vitit me këtë skuadër.

    Bekteshi do të bashkohet menjëherë me ekipin e Tahir Batatinas në përgatitjet parasezonale për edicionin e ri të Superligës që fillon në muajin gusht.

  • Kryeministri Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin norvegjez, Jens Erik Grøndahl

    Kryeministri Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin norvegjez, Jens Erik Grøndahl

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.

    Të dy falënderuan ambasadorin Grøndahl për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy vendeve, si dhe për angazhimin dhe përkushtimin e tij në këtë drejtim, duke i uruar atij suksese në angazhimet dhe përgjegjësitë e radhës.

    Krahas takimit në zyrën e tij të pritjeve, kryeministri, për nder të ambasadorit Grøndahl, shtroi edhe një mëngjes të përbashkët edhe me këshilltarët e angazhuar në Qeveri nëpërmjet mbështetjes së ambasadës norvegjeze.

    Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë të tij për kontributin e shtetit norvegjez dhe ritheksoi se Norvegjia është dhe mbetet partnerja jonë e rëndësishme me të cilën ndajmë vlera, bindje dhe pikëpamje për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë.

  • Ndërprerje të ujit në Prishtinë, këto zona do të mbesin pa ujë

    Ndërprerje të ujit në Prishtinë, këto zona do të mbesin pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se sot do të realizohen punime teknike, në përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit.

    Sipas njoftimit, punimet realizohen te lagja 038, me ç’rast pa furnizim me ujë, nesër 24 korrik duke filluar nga ora 09:00-16:00 mbesin zona e Veternikut dhe Çagllavicës.

    “Ju rekomandojmë që për shkak të punimeve, kur vjen uji në krojet tuaja, leni ato të rrjedhin për pak minuta sepse mund të vjen i turbullt në fillim, por pa shqetësim”, thuhet në njoftim.

  • Stuhia dëmton kulturat bujqësore në Malishevë

    Stuhia dëmton kulturat bujqësore në Malishevë

    Breshri e stuhia kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore në Malishevë. Raportohet se dëmet më të mëdha janë në fshatin Plloqicë.

    Lidhur me këtë, Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se është aktivizuar komisioni që do të bëjë vlerësimin e dëmeve.

    “Do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve, e në veçanti pranë bujqve e fermerëve, të cilët janë dëmtuar rëndë gjatë ditës së djeshme”, ka deklaruar drejtori për Bujqësi, Sylë Dukolli, derisa ka vizituar fshatin Plloqicë.

    Si pasojë e stuhisë, janë dëmtuar serrat dhe të mira të tjera materiale.

    Sipas njoftimit të Komunës, në familjen e Shkumbin Malokut, stuhia i ka dëmtuar rreth 80 ari serrë.

    “Përveç dëmeve të rënda në serrat e tyre, në tokë shihej breshëri i rënë gjatë ditës së djeshme, e që ende nuk është shkrirë dhe krahas serrave dhe pemëve, breshëri e stuhia i ka dëmtuar në masë të madhe edhe kulturat tjera, si grurin e pa korrur dhe misrin”, është bërë e ditur në njoftim.