ATV

Author: G.O.

  • MPB-ja aktivitet me mërgimtarët për parandalimin e të shtënave festive

    MPB-ja aktivitet me mërgimtarët për parandalimin e të shtënave festive

    Duke iu dëshiruar mirëseardhje në vendlindje mërgimtarëve që vinin në Kosovë përmes pikës së kalimit kufitarë në Merdare, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, diskutoi me mërgimtarët për fushatën që është duke e organizuar Ministria e Punëve të Brendshme, kundër të shtënave festive: “Festo me zemër, jo me Armë”.

    Me këtë rast zëvendësministri Gashani kërkoi nga mërgimtarët që bashkë me institucionet të shpërndajë mesazhet kryesore të kësaj fushate, për të gjithë familjarët e tyre për rreziqet dhe pasojat që vijnë nga të shtënat festive.

    “Mërgimtarët janë një aset i madh për shtetin e Kosovës dhe për gjallërinë që sjellin në vendlindje. Ju kemi përzgjedhur ju, me qëllim që të na ndihmoni të shpërndani këtë mesazh për rrezikun që kanë të shtënat festive dhe të raportoni rastet te Policia e Kosovës. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndihmojmë në parandalimin e kësaj dukurie negative e cila i përket së kaluarës”, theksoi Gashani

    Koordinatori për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, gjatë bashkëbisedimit me mërgimtarë, vuri në dukje rreziqet që vijnë nga të shtënat me armë, por edhe pasojat juridike që do t’i kenë qytetarët që shtënë me armë, prandaj theksoi ai është e rëndësishme që të festohet pa armë.

    Ndërsa mërgimtarët mirëpriten nismën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në parandalimin e të shtënave festive dhe theksuan gatishmërinë e tyre që të njëjtat mesazhe që morën sot, do t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme, me 30 qershor filloi zyrtarisht  fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë. Aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive.

    Kjo fushatë është duke u mbështetur nga UNDP dhe SEESAC.

  • Zbulohet ilaçi i ri i kancerit! Ofron shpresë për miliona njerëz

    Zbulohet ilaçi i ri i kancerit! Ofron shpresë për miliona njerëz

    Një klasë e re e imunoterapisë mund të ofrojë shpresë për pacientët me kancer që nuk i përgjigjen trajtimeve ekzistuese, sugjeron hulumtimi.

    Studimi zbuloi se ilaçi, i quajtur MOv18 IgE, zvogëloi një tumor tek një pacient me kancer ovarian dhe raportoi se ai u pranua mirë nga pacientët.

    Shkencëtarët sugjerojnë se gjetjet e tyre mund të hapin rrugën për një ilaç krejtësisht të ri kundër kancerit për njerëzit me kancer rezistent ndaj kimioterapisë.

    Studimi, nga studiues nga King’s College London dhe Guy’s dhe St Thomas’ NHS Foundation Trust, dhe i financuar nga Cancer Research UK, testoi nëse një lloj antitrupi i quajtur imunoglobulina E (IgE) mund të përdoret për të trajtuar kancerin njerëzor.

    Imunoterapia funksionon duke stimuluar sistemin mbrojtës natyror të trupit për të sulmuar kancerin.

    Ilaçet ekzistuese të antitrupave të përdorura në kancer i përkasin një lloji të antitrupave të quajtur IgG, por antitrupat IgE nuk janë testuar më parë te njerëzit.

    Antitrupat IgE evoluan për të synuar parazitët si krimbat dhe flukset, dhe antitrupat IgG përfshihen në sulmin e baktereve dhe viruseve në trup.

    “IgE është një formë krejtësisht e re e terapisë me antitrupa, e cila ka treguar premtime të mëdha në këtë provë të Fazës I”, tha autori kryesor Profesor James Spicer, profesor i mjekësisë eksperimentale të kancerit në King’s College në Londër dhe konsulent në onkologjinë mjekësore në Fondacionin NHS të Guy dhe St Thomas.

    “Gjetjet tona tregojnë se ilaçi tolerohej mirë te pacientët dhe zvogëloi një tumor kanceroz në një pacient me kancer ovarian. Rezultatet hapin rrugën për zhvillimin e një klase krejtësisht të re të ilaçeve kundër kancerit, për njerëzit me kancer rezistent ndaj kimioterapisë. Ekspertiza e imunologjisë në laboratorët e King’s College në Londër na lejoi të ndërmarrim këtë provë të një forme krejtësisht të re të terapisë me antitrupa”, u shpreh Profesor James Spicer.

    Bashkautorja Sophia Karagiannis, profesoreshë e imunologjisë dhe imunoterapisë përkthimore të kancerit në King’s College në Londër, tha: Imunoterapia ka treguar një potencial të madh kohët e fundit, por ka ende njerëz me kancer që nuk i përgjigjen terapisë konvencionale. Kjo provë bazohet në punën tonë të mëparshme në biologjinë e IgE, duke përfshirë eksperimentet në laborator që sugjerojnë se IgE, mund të jetë një trajtim efektiv që mund të ofrojë përfitime shtesë për të plotësuar ato të antitrupave të IgG të vendosura në klinikë.

    Ndërsa jemi ende në fazën e hershme të provave, hapat tanë të ardhshëm do të jenë të vlerësojmë IgE në grupe më të mëdha dhe të ndryshme pacientësh dhe të vazhdojmë të studiojmë se si antitrupat IgE, janë në gjendje të zgjojnë sistemin imunitar të pacientit për të luftuar kancere të ndryshme.

    Antitrupi MOv18 IgE u zbulua dhe u zhvillua në King’s College në Londër, në bashkëpunim me IRCCS Instituto Nazionale dei Tumori, Milano, Itali dhe u testua klinikisht nga Qendra Eksperimentale e Mjekësisë së Kancerit me bazë në Spitalin Guy.

    Studimi, i financuar dhe i sponsorizuar nga Cancer Research UK, është publikuar në Nature Communications./Top Channel/

  • Vdes babai i avokatit Besnik Berisha

    Vdes babai i avokatit Besnik Berisha

    Avokati Besnik Berisha ka njoftuar se babai i tij ka ndërruar jetë.

    Ai këtë e ka bërë nëpërmjet një postimi në Facebook duke treguar se për kohën e varrimit do të njoftohet së shpejti.

    “Te dashur miq, me pikellim te thelle ju njoftoj se prindi im u nda nga kjo jete! Per kohen e varrimit ju njoftojme se shpejti”, ka shkruar ai në Facebook.

    Berisha kishte njoftuar tash e disa kohë se babai i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.

     

  • Dy seanca parlamentare gjatë kësaj jave

    Dy seanca parlamentare gjatë kësaj jave

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Më 27 korrik të enjten do të mbahet vazhdimi i seancës së kaluar, ku do të shqyrtohen pikat e mbetura pezull, ndërsa të premten me 28 korrik do të mbahet seanca e rregullt plenare.

    Në seancën e së premtes, PDK-ja ka kërkuar të përfshihet edhe pika për debat parlamentar për audio-incizimin që ka dal në media, të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, por që nuk është aprovuar në kryesi.

    Kusari-Lila tha se asnjëherë nuk ka hezituar të përgjigjet në lidhje me siç i quajti ajo incizimet e jashtëligjshme, por Kuvendi duhet të vazhdojë agjendën legjislative.

    Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se qeveria dhe mazhoranca në Kuvend, e kanë humbur kredibilitetin, andaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

  • Abdixhiku takohet me shefin e Zyrës së BE-së, ia shpalos planin 7 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veri

    Abdixhiku takohet me shefin e Zyrës së BE-së, ia shpalos planin 7 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog.

    Në njoftim thuhet se Abdixhiku ia ka shpalosur ambasadorit Syunzog planin 7 pikësh të LDK-së për zgjidhjen e krizës në Veri dhe “përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

    Tutje, Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin edhe për ecurinë e takimeve me akterë të jetës publike në vazhdën e ndërtimit të Rrugës së Re si dhe qëndrimet e LDK-së karshi të gjitha proceseve që po kalon vendi.

  • Në TikTok mund të bëjmë postime edhe vetëm me tekst

    Në TikTok mund të bëjmë postime edhe vetëm me tekst

    Aplikacioni i transmetimit të videove në pronësi kineze, TikTok, thotë se do të ofrojë postime vetëm me tekst.

    Platforma thotë se funksioni i ri u jep përdoruesve “një mënyrë tjetër për të shprehur veten”.

    “Në TikTok, ne jemi gjithmonë në kërkim për të fuqizuar krijuesit dhe komunitetin tonë me mjete inovative që frymëzojnë vetë-shprehjen. Sot ne jemi të emocionuar të njoftojmë zgjerimin e postimeve me tekst në TikTok, një format i ri për krijimin e përmbajtjes së bazuar në tekst që zgjeron opsionet për krijuesit për të ndarë idetë e tyre dhe për të shprehur kreativitetin e tyre. Me postimet me tekst, ne po zgjerojmë kufijtë e krijimit të përmbajtjes për të gjithë në TikTok, duke i dhënë krijimtarisë së shkruar që kemi parë në komente, titra dhe video një hapësirë të dedikuar për të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e aplikacionit, transmeton KosovaPress.

    Sipas TikTok-ut, postimet me tekst ofrojnë një përvojë të thjeshtë publikimi që e bën më të lehtë se kurrë shpërndarjen e përmbajtjes së tekstit.

    Ja se si funksionon:

    Krijimi i një postimi me tekst

    Kur hyni tek kamera, do të keni mundësi të zgjidhni nga tre opsione: foto, video dhe tekst. Duke zgjedhur tekstin, do të drejtoheni në faqen e krijimit të tekstit, ku mund të shkruani përmbajtjen e postimit tuaj.

    Përmirësimi i postimeve tuaja me tekst

    Me të arritur në faqen Post, do të gjeni opsione të njohura për të personalizuar përmbajtjen tuaj. Këto përfshijnë shtimin e Muzikës, etiketimin e vendndodhjes, aktivizimin e komenteve dhe lejimin e dueteve, ndër të tjera. Këto veçori e bëjnë atë që postimet tuaja me tekst të jenë po aq dinamike dhe interaktive sa çdo postim video ose foto.

  • Tahiri: Në seancë marrin pjesë vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi

    Tahiri: Në seancë marrin pjesë vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se në seancë marrin pjesë vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri pohoi se Kryesia ka dështuar në mungesë të kurimit dhe i mbetet kryetarit që ta thërras vet seancën.

    Përderisa tha se ka kërkuar nga ai që të gjitha ftesat t’i bëjnë në bazë të Kushtetues e rregullore duke shtuar se seancën e para dyjavësh e kanë dërguar në Kushtetuese për këtë çështje.

    “Kjo bllokadë do të vazhdojë deri në seancën kur do të shpërbëhet Kuvendi. Ne u kemi dhënë mbështetje të gjitha ligjeve që kanë qenë jetike për qytetarët e Kosovës, marrëveshje ndërkombëtare. Ju e shihni që ka ikje masive nga Kosova, prandaj ne si GP marrim pjesë atëherë kur do të shpërbëhet Kuvendi sepse kjo mazhorancë nuk e meriton asnjë moment”, tha Tahiri.

    “Kërkova që nga kryetari që seancat e ftuara të respektohet Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Ju e dini që në seancën e mbajtur para dy javësh është thirrur anti-kushtetuese dhe e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese”.

    “Ne si GP kërkuam që të premten kur mbahet seanca të kemi një diskutim mbi bisedat që kemi dëgjuat nga eksponentë të VV së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe dhe të kemi një diskutim se mbi çfarë diskutimi është bërë me njeriun që është në listën e zezë të ShBA-së. Është refuzuar nga mazhoranca dhe nuk pat kuorum dhe i bie që pa kuorum të thërrasë seancën e radhës”, tha Tahiri.

  • “Google” po ofron mundësinë e zëvendësimit të mjekut

    “Google” po ofron mundësinë e zëvendësimit të mjekut

    Google për vite me radhë ka pasur funksion të pa definuar, aty ku janë bërë edhe pyetjet më të sikletshme që ndoshta njerëzit nuk kanë guxuar t’ua bëjnë as mjekëve e personave kompetentë.

    E nga këto kërkime disa njerëz marrin si të mirëqenë çdo informacion që marrin e madje edhe funskionojnë me to, kështu duke u referuar, e lexova në internet.

    Nga koha kur Google prezantoi versionin e tij të Inteligjencës Artificiale, “Bard”, është punuar në heshtje në një tjetër mjet nga Inteligjenca Artificiale që do specializohej për pyetjet e mjekësisë. Dhe kështu lindi Google Med-PaLM 2, një mjet i fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale që u përgjigjet pyetjeve mjekësore.

    Kështu sipas gazetës prestigjioze “The Wall Street Journal”, ky mjet është testuar në klinikën e famshme Mayo që në prill ku dhe ka treguar rezultate shumë të mira.

    Google beson se mjeti i tij i Inteligjencës Artificiale mund të jetë i dobishëm sidomos në vendet ku mjekët janë të vështirë për t’u gjetur.

    Njëllojë si mjekët të lexonin literaturë profesionale gjatë jetës së tyre të punës për t’i zgjeruar njohuritë e tyre, ashtu edhe Med-PaLM 2 “mësoi” përmes një sërë demonstrimesh të zgjedhura të kryera nga ekspertë mjekësorë dhe mjekë. E pikërisht për këtë arsye Google mendon se mjeti i tyre i Inteligjencës Artificiale do të jetë më i suksesshëm në mjekësi sesa mjetet e tjera të përgjithësuara si Bard, Bing ose ChatGPT.

    Med-PaLM 2 mund të ketë akoma vështirësi me saktësinë në përgjigje, për të gjitha mesazhet e tjera si të kuptuarit, mirëkuptimin dhe përgjigjen e konsensusit, ishte pikërisht atje me mjekët.

    Megjithëse tregon potencial dhe në të ardhmen mund të luajë një rol të rëndësishëm në punën e përditshme të mjekëve. Ndonëse Med-PaLM 2 ende nuk është gati për përdorim më të gjerë.

    Ende supozohet se duhet të punohet në aftësitë e tij, e patjetër edhe të fillohet të pranohet ideja e zëvendësimit të mjekur nga pacientët apo të interesuarit mbi diagnozat dhe pyetjet që ata kanë.

    Nga aplikacioni Google janë të bindur se mjetet mjekësore të AI do të jenë një ndryshim pozitiv në mjekësi dhe do t’i lehtësojnë vendimet e diagnostikimit dhe trajtimit.

    Mirëpo ende nuk është sqaruar detaji i fundit dhe më i rëndësishmi, se çfarë ndodhë dhe kush merr përgjegjësi në rast të gabimeve./atvlive.tv/

  • Dhurata Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

    Dhurata Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha së bashku me Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin janë duke u gjykuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në seancën e të martës, të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ish-ministrja Hoxha akuzohet se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

    Në seancën e sotme ka filluar dëshminë dëshmitari Ilir Muqaj, i cili deklaroi se momentalisht është duke punuar në Qeveri, ndërsa pritet të dëgjohet edhe dëshmitarja Blerta Verbovci.

    Gjatë deklarimit të dëshmitarit Muqaj kishte edhe një konfrontim verbal në mes prokurores speciale llirjana Tafa Collaku dhe kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili lidhur me konstatimet apo jo të deklarimit te dëshmitarit në procesverbal.

    Kryetari i trupit gjykues iu drejtua me fjalët “je ka i përsërit fjalët oj prokurore, seriozisht nuk po të kuptoj prokurore”.

    Tutje prokurorja Tafa Collaku përsëri kërkoi që t’i lejohet vazhdimi i marrjes në pyetje të dëshmitarit pasi që sipas saj ka ndërhyrje nga kryetari i trupit gjykues dhe nga mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, avokate Kosovare Krasniqi.

    “Unë diktoj jo ti, ti nuk mundesh të merr rolin e gjyqtarit”, deklaroi gjykatësi, Ismaili.

    Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Dushi avokate Kosovare Krasniqi e ka kundërshtuar një pretendim të tillë të prokurores e pas kësaj trupi gjykues mori aktvendim përmes së cilit konstatoi se mbrojtësja e te akuzuarit Dushi nuk ka bërë ndonjë pengese në kryerjen e punës se prokurores në ketë seancë.

    Andaj, edhe seanca është duke vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.

    Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

    Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

    I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.

    Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.

    I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

    Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.

    I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

    Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

    Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

    Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës./BetimipërDrejtësi/

  • Mijëra mercenarë të Wagner-it në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar

    Mijëra mercenarë të Wagner-it në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar

    Mijëra mercenarë të grupit të lidhur me Rusinë, Wagner, kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi, ka thënë të hënën një grup vëzhgues ushtarak.

    Besohet se 3.450 deri në 3.650 ushtarë kanë shkuar në një kamp afër Asipovichy, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit ukrainas, sipas Belaruski Hajun, grupit i cili i gjurmon lëvizjet e trupave ushtarake brenda vendit.

    Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin muajin e kaluar, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse.

    Shefi i Wagner-it e quajti rebelimin “marshi i drejtësisë” për t’i rrëzuar liderët kryesorë ushtarakë. Mercenarët u përballën me qëndresë të vogël dhe i rrëzuan të paktën gjashtë helikopter ushtarakë dhe një aeroplan luftarak, duke i vrarë një numër ushtarësh rusë.

    Kjo kryengritje ishte kërcënimi më serioz ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë sundimit të tij 23-vjeçar, duke ia dobësuar autoritetin dhe duke ia nxjerr në pah dobësitë e Qeverisë.

    Imazhet satelitore tregojnë se rreth 700 automjete dhe pajisje ndërtimi kanë mbërritur në autokolona të Wagner-it në Bjellorusi, tha Belaruski Hajun.

    Prigozhini e ka regjistruar një “kompani për menaxhimin e patundshmërisë” në Bjellorusi javën e kaluar me emër Concord Management and Consulting in Belarus. Dokumentet e analizuara nga mediumi i pavarur bjellorus reform.by, tregojnë se kompania është regjistruar në adresën e njëjtë të fshatit ku është i vendosur kampi mercenar Wagner.

    Ndërkohë, zyrtarët vendorë thanë të hënën se mercenarët po vazhdojnë të punojnë me trupat bjelloruse, përfshirë në qendrat stërvitore afër kufirit polak.

    “Luftëtarët e Wagnerit, të cilët kanë qenë në zjarrin e luftës, po u japin informacione dhe përvojë të vlefshme ushtarëve tanë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë në një komunikatë.

    Pas një takimi me presidentin rus të dielën, Lukashenko tha se trupat e Wagner-it po e “stresonin atë” duke i kërkuar ta bëjnë një “ekskursion” në Poloni.

    Këto deklarata janë hedhur poshtë nga ekspertët, me Institutin Amerikan për Studimin e Luftës që tha se trupat e Wagner-it nuk mund ta kërcënojnë Ukrainën dhe Poloninë.

    “Nuk ka indikacione se luftëtarët e Wagner-it në Bjellorusi kanë armatim të rëndë, që është i nevojshëm për të ndërmarrë ofensivë serioze kundër Ukrainës apo Polonisë, pa riarmatim serioz”, tha Instituti amerikan të dielën.

    Nënkryetari i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës, Vadym Skibitsky, tha se nuk ka “kërcënim direkt” nga mercenarët rusë në Bjellorusi, por se Kievi do t’i mbajë nën vëzhgim luftëtarët e Wagner-it.

    “Vlerësimi ynë është shumë i thjeshtë: Sot nuk ka kërcënim direkt (nga Bjellorusia), por ne jemi gati. Ne po vëzhgojmë çdo gjë që lidhet me të ashtuquajturin sistemin e mbrojtjes raketore Wagner”, tha ai. /REL/