ATV

Author: G.O.

  • Vdes një viktimë e pranuar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Bashkëshortja e tij e zëvendëson në proces

    Vdes një viktimë e pranuar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Bashkëshortja e tij e zëvendëson në proces

    Ka vdekur një viktimë e pretenduar e krimeve të luftës, që ishte pranuar si e tillë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykimin në Hagë. Kjo është bërë e ditur me një parashtrim nga trupi gjykues.

    Në këtë vendim të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, theksohet se bashkëshortja e viktimës është pranuar të jetë pjesë e procedurave të mëtejshme që do të zhvillohen në Hagë.

    “Më 15 shkurt 2023, Trupi Gjykues pranoi kërkesën e V131/06 për të marrë pjesë si viktimë në këtë procedurë Më 6 qershor 2023, avokati i viktimave njoftoi Panelin për vdekjen e V131/06, dhe paraqiti një kërkesë për të lejuar bashkëshorten e V131/06 të marrë pjesë në procedura”, thuhet në hyrje të këtij vendimi fillimisht.

    Sipas vendimit të trupit gjykues, në ligj nuk specifikohet qartë nëse një familjar i një viktime të pranuar mund të vazhdojë të jetë pjesë e procedurave. Megjithatë, një kërkesë e tillë e avokatit të viktimave u aprovua.

    “Në mbështetje të këtij interpretimi është neni 22(3) i ligjit, i cili parashikon se viktimat kanë të drejtën e njoftimit, njohjes dhe dëmshpërblimit. Siç është vënë në dukje nga gjyqtari i procedurës paraprake, e drejta e njohjes kërkon që të njihet dëmi i pësuar nga viktima. Për të garantuar efektivitetin e kësaj të drejte, të afërmit e viktimave të vdekura ose individë të lidhur ngushtë mund të marrin pjesë në vend të tyre nëse plotësohen parametrat specifikë”, thuhet më tutje në vendim.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu mbajti qëndrimin në këtë rast se, në mënyrë që një individ të mbrojë viktimën e ndjerë, duhet të sigurohen prova që: a) viktima ka vdekur dhe b) individi që kërkon të rifillojë veprimin në emër të viktimës së ndjerë ka qenë një i afërm ose një person i lidhur ngushtë”, thuhet më tutje.

    Dhe si rezultat, avokati i viktimave kishte dorëzuar certifikatën e vdekjes dhe dokumentet e tjera të këtij rasti.

    “Avokati i viktimave ka dorëzuar certifikatën e vdekjes V131/06 si dhe certifikatën e martesës së V131/06 dhe bashkëshortit të saj, [I REDAKTUAR].11 Çdo dokument ka indikacione të natyrës zyrtare bazuar në letrën e tyre, paraqitjen dhe vulat zyrtare të pranishme në dokumente. Prandaj, Paneli është i kënaqur me autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumentacionit të dorëzuar. Rrjedhimisht, Paneli konstaton se parashtresat e avokatit të viktimave plotësojnë kërkesat e nevojshme të përshkruara në paragrafin 7 për bashkëshortin e V131/06, [REDAKTUAR], që të rifillojë veprimin në emër të V131/06”, thuhet në vendim.

    Si rezultat, kërkesa e avokatit të viktimave është pranuar. Në total, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, janë pranuar në procedura 140 viktima.

    Disa prej këtyre vendimeve kanë qenë dhe janë ende subjekt i ankesave në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara të Hagës.

  • Protesta të dhunshme në Izrael, shkak reforma gjyqësore e miratuar nga parlamenti

    Protesta të dhunshme në Izrael, shkak reforma gjyqësore e miratuar nga parlamenti

    Protestat e dhunshme në Izrael u ndezën sërish, këtë herë për shkak të miratimit të ligjit nga parlamenti për për të kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.

    Policia izraelite u përlesh me turmat e protestuesve gjatë natës, ku nuk munguan as arrestimet. Forcat e rendit në Jerusalem dhe Tel Aviv përdorën presionin uji për të shpërndarë protestuesit që bllokonin autostradat. Kritikët deklaruan se reformat e qeverisë së djathtë kërcënojnë demokracinë izraelite.

    Pas muajsh protestash masive në rrugë për reformën në drejtësi, votimi i së hënës në parlament ishte një fitore e rëndësishme për kryeministrin Benjamin Netanyahu. Ky vendim pjesë e një pakete të madhe reformash, do të parandalojë gjykatën të rrëzojë veprimet e qeverisë që i konsideron të paarsyeshme.

    Netanyahu deklaroi se votimi i reformës ligjore ishte hap i domosdoshëm demokratik, ndërsa i oftoi opozitës të diskutojnë.

    “Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për negociata dhe arritjen e marrëveshjeve. Nuk po heqim dorë nga shansi për të arritur një konsensus të gjerë dhe po ju them se është e mundur. Në ditët në vijim koalicioni do të kontaktojë me opozitën për të nisur një dialog mes nesh”, tha ai.

    Një grup mbikëqyrës politik dhe kreu i opozitës qendrore Yair Lapid planifikojnë t’i bëjnë kërkesë Gjykatës së Lartë për të anuluar ligjin e ri.

    Nga ana tjetër sindikatat kanë kërcënuar se do të zhvillojnë një grevë të përgjithshme dhe mijëra rezervistë ushtarakë, duke përfshirë pilotët e forcave ajrore, nëse ligji lejohet të zbatohet./Top Channel/

  • ​FFK/ Të premten hidhet shorti për edicionin e ri të garave

    ​FFK/ Të premten hidhet shorti për edicionin e ri të garave

    Komisioni i Garave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës ka njoftuar klubet e Superligës dhe Ligës së Parë se në bazë të Rregullores së Garave tërheqja e shortit për edicionin e ri të garave do të bëhet të premten më 28 korrik.

    Tërheqja e shortit do të bëhet sipas orarit të më poshtëm:

    Superliga në orën 12:00

    Liga e Parë – Grupi A në orën 13:00

    Liga e Parë – Grupi B në orën 13:30

  • Mbytet një 20-vjeçar në plazhin e Velipojës

    Mbytet një 20-vjeçar në plazhin e Velipojës

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në Velipojë ku është mbytur një 20-vjeçar.

    Nga të dhënat e para mësohet se i riu ka dalë nga uji në gjendje të rënduar shëndetësore.

    Menjëherë ka mbërritur ambulanca e Velipojës duke i dhënë ndihmën e parë, por 20-vjeçari nuk ka mundur dot të mbijetojë.

    Paraprakisht dyshohet se 20-vjeçari ka humbur jetën nga arresti kardiak, ndërsa do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.

    Ky vit ka shënuar dhjetëra raste të mbyturish në det e liqene, ku jo më larg se në fundjavë u mbytën 4 persona në liqenin e Banjës në Gramsh./Top Channel/

  • Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë do të zgjerohet edhe më shumë

    Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë do të zgjerohet edhe më shumë

    Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë do të zgjerohet për t’u shndërruar në qendër ndërkombëtare për kampe trajnimi.

    Kështu ka bërë të ditur ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku përmes një postimi në Twitter. Ai ka bërë të ditur se projekti për zgjerimin e saj tashmë është hartuar, kurse ndërtimi do të nis sapo të përfundoj procesi i shpronësimit, raporton KosovaPress.

    “Qendra Nacionale e Xhudos n’Pejë po zgjerohet për t’u shndërruar në qendër ndërkombëtare për kampe trajnimi.”, ka shkruar Çeku.

    Sipas Çekut, zhvillimi i turizmit sportiv sjellë reputacion për shtetin dhe qarkullim për ekonominë.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, polemika në mes pozitës dhe opozitës

    Dështon mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, polemika në mes pozitës dhe opozitës

    Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e sotme e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku do të raportonte Komisioni i Pavarur për Media.

    Komisioni parlamentar nuk kishte votat e mjaftueshme për të miratuar rendit e ditës, pasi deputetët opozitarë nuk morën pjesë në votim, gjë e cila nxiti polemika pozitë-opozitë.

    Kryqtari i komisionit, Valon Ramadani tha se të njëjtën mbledhje do ta thërras sërish ditët në vijim.

  • Kryeministri Kurti pret në takim emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

    Kryeministri Kurti pret në takim emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Takimi do të zhvillohet në mbrëmje, nga ora 21:30. Kjo është konfirmuar nga ZKM-ja, derisa nuk janë dhënë detaje nëse do të ketë konferencë për media pas përfundimit të takimit.

    Kujtojmë se herën e fundit që Sarrazin u takua me Kurtin, deklaroi se kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, tensioneve në veri dhe marrëveshjen e Ohrit.

     

  • Greqia vazhdon luftën me zjarret

    Greqia vazhdon luftën me zjarret

    Greqia vazhdon përpjekjet për të kontrolluar zjarret në ishullin Rodos, për të shtatën ditë me radhë.

    Qindra turistë që u detyruan të evakuohen, pritet të kthehen në vendet e tyre.

    Rreth 20.000 njerëz u larguan nga shtëpitë dhe hotelet në Rodos, ditëve të fundit, pasi zjarret që nisën një javë më parë, u përhapën dhe arritën vendpushimet bregdetare në juglindje të ishullit.

    Greqia përfshihet shpesh nga zjarret, sidomos gjatë verës, por ndryshimet klimatike kanë shkaktuar sivjet valë më ekstreme të të nxehtit në të gjithë Evropën jugore.

    Qindra zjarrfikës, me përforcime nga Turqia dhe Sllovakia, janë duke luftuar me flakët pranë fshatrave Genadi dhe Vati në juglindje të Rodosit.

    Zjarret shpërthyen edhe në ishullin e Korfuzit, në pjesën perëndimore të Greqisë, dhe në ishullin Evia, pranë kryeqytetit të Athinës.

    “Zjarret kanë përfshirë gjithë vendin, por asnjë vendbanim nuk po kërcënohet për momentin”, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Greqia ka shënuar temperatura shumë të larta javëve të fundit dhe ato pritet të mbeten të tilla së paku deri të mërkurën, duke i tejkaluar 44 gradë Celsius në disa zona.

    Turizmi përbën 18% të prodhimit të Greqisë dhe një në pesë vende pune. Në Rodos dhe shumë ishuj të tjerë grekë, varësia nga turizmi është edhe më e madhe./REL/

  • Masat ndëshkuese ende në fuqi, Kosova në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e tyre

    Masat ndëshkuese ende në fuqi, Kosova në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e tyre

    Kosova dy javë më parë u pajtua me kushtet e BE-së për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tani ajo pret që BE të heqë masat ndëshkuese.

    Aktualisht Kosova është në pritje të njoftimit të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese pas një pajtueshmërie të arritur ndërmjet Kosovës dhe BE-së në Bratislavë. Qeveria ka tërhequr tanimë 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Kosova është pajtuar po ashtu që të mbajë zgjedhje të reja në komunat veriore.

    Por zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një deklaratë të fundit, ka bërë të qartë Kosova “nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian”. Ndërkohë që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët ka thënë se “organizimin e zgjedhjeve në veri e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se diçka e tillë mund të bëhet edhe përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese.

    Besnik Bislimi i pasigurt për bazën ligjore të zgjedhjeve në veri

    Zëvëndëskryeministri Bislimi, njëherësh edhe kryengociator i Kosovës në dialog me Serbinë, “nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e zgjedhjeve në veri”. Sipas tij “është problem i brendshëm i Kosovës për të cilin nuk ka dakordim, se a mjafton udhëzimi adminsitrativ, apo duhet ligj”. Një opsion tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, është edhe dorëheqja eventuale e kryetarëve shqiptarë, që do të çonte automatikisht komunat veriore në zgjedhje të parakohshme. Por qeveria e Kosovës që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të kërkojë një gjë të tillë, ka thënë kryenegociatori i Kosovës Bislimi.

    Vetëm dy javë më parë me 10 korrik, qeveria e Kosovës ra dakord të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore pas verës. Në një deklaratë të qeverisë theksohej po ashtu se, “qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmёrinё e saj për të kontribuar nё de-eskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve qё mund tё shkallёzojnë situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejshëm tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhej në një njoftim të qeverisë së Kosovës.

    Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës që përfshiu veriun e Kosovës që nga muaji maj, dhe mosveprimi i qeverisë për të shtensionuar situatën, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Situata në veriun e Kosovës u  përkeqësua pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

    Bashkimi Evropian i kërkonte Kosovës që të pezullojë operacionet policore, të bëhet  zhvendosja e kryetarëve shqiptar të komunave në zyra alternative dhe të shpalljen zgjedhjet e parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës. Zyrtarë të BE-së kanë përsëritur, se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.

    Tensionet vazhdojnë

    Bashkimi Evropian po vazhdon të mbajë masat penalizuese ndaj Kosovës që përfshijnë; pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe. Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

    Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë, ende në sfond nuk duket një komunikim i mirëfilltë, megjithë ndërmjetësimin e BE-së. Më 24 korrik Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi se e ka refuzuar kërkesën e Petar Petkoviq, që të hyjë në Kosovë.  “E konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar këtë herë kërkesën e zyrtarit serb, Petar Petkoviq për hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në një njoftim të ministrisë. Petkoviq, që njëherësh është edhe kryenegociator i Serbisë në dialog me Kosovën, nuk është hera e parë që i ndalohet hyrja në Kosovë./REL/

  • Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë

    Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë, të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Ndonëse hyrja iu ndalua, arsye e ndalesës nuk është bërë e ditur nga MPJD.

    “Ju konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar këtë herë kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për medie.

    Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Petkoviq ndalohet nga institucionet e Kosovës.

    Ai edhe në vitin 2022 ishte ndaluar dy herë.

    Për këtë e kishte njoftuar dërguarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe QUINT-in.