ATV

Author: G.O.

  • Blinken: Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit që kishte vënë nën kontroll Moska

    Blinken: Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit që kishte vënë nën kontroll Moska

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Ukraina ka rimarrë gjysmën e territorit që Rusia kishte marrë fillimisht nën kontroll që kur filloi agresionin, por se Kievi përballet me “një luftë shumë të vështirë” për të siguruar rimarrjen e mëtejshme.

    “Tashmë është siguruar rreth 50% e territorit që u mor fillimisht,” tha zoti Blinken në një intervistë për CNN-in të dielën.

    “Janë ende ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë,” tha ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për një ose dy javë, por për muaj.

    Në fund të muajit të kaluar, presidenti Volodymyr Zelenskiy u citua të ketë thënë se përparimi i kundërofensivës kundër forcave ruse ishte “më i ngadalshëm nga ç’dëshirohej”.

    Ukraina ka rimarrë disa fshatra në jug dhe territorin përreth qytetit të rrënuar të Bakhmut në lindje, por nuk ka shënuar përparim të madh kundër frontit rus të fortifikuar rëndë.

    I pyetur nëse Ukrainës do të marrë avionë luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA, Blinken tha se besonte se po.

    “Është e rëndësishme të sigurohemi që kur t’i marrin, të jenë të trajnuar siç duhet, të jenë në gjendje t’i mirëmbajnë avionët dhe t’i përdorin ato siç duhet.”

    Një koalicion prej 11 vendesh do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të përdorur avionët luftarakë F-16 në gusht në Danimarkë dhe një qendër trajnimi do të ngrihet në Rumani.

    Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë F-16 të prodhuar nga Lockheed Martin, por këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha muajin e kaluar se nuk kishte vendim përfundimtar për dërgimin e tyre nga Uashingtoni.

    Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se duhen të paktën 18 muaj për trajnimin dhe dorëzimin e avionëve.

    Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 41 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që kur filloi agresioni i Rusisë në shkurt 2022./VOA

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Ferizaj me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 40 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Mblidhen dy Komisione të Kuvendit të Kosovës

    Mblidhen dy Komisione të Kuvendit të Kosovës

    Sot do të mbahen mbledhjet e dy komisioneve të Kuvendit të Kosovës.

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, mban mbledhje, në të cilën do të bëj shqyrtimin e raportit me amendamente të Komisionit Funksional për Projektligjin pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimin e raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore dhe shqyrtimin e raportit me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshilllin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Po ashtu ky komision do të bëj shqyrtimin edhe të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, raporton RTKlive.

    Në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit vjetor i Organit Shqyrtues i Prokurimit për vitin 2022, shqyrtimi i raportit vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2022, shqyrtimi i raportit vjetor Financiar i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022, shqyrtimi i raporti vjetor Financiar i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2022 dhe shqyrtimi i Raporti vjetor Financiar i Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2022.

    Ndërkaq Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, në rend dite ka shqyrtimin e raporteve të komisioneve të përhershme për Projektligjin pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.

  • Kuvendi hap dyert për mërgimtarët

    Kuvendi hap dyert për mërgimtarët

    Sot, Kuvendi i Kosovës organizon aktivitetin tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”.

    Ku bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës mund edhe të takohen me deputetë.

    Ky aktivitet fillon nga ora 08:00, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

     

  • AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    AAK-ja mban tryezë diskutimi për situatën politike në vend

    Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot mban tryezë diskutimi me shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë dhe të pagjeturve dhe ish-udhëheqës të UÇK-së.

    “Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kohë që ka filluar një cikël diskutimesh për situatën e rëndë politike në Kosovë dhe modalitetet e mundshme për të dalë nga kjo situatë, me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave”, njofton AAK.

    Tryeza mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Ndryshe AAK edhe javën e kaluar ka mbajtur tryze të tillë me akterë të tjerë në vend.

  • Haradinaj i drejtohet opozitës: Nëse doni të rrëzoni Kurtin, mbështesni mocionin

    Haradinaj i drejtohet opozitës: Nëse doni të rrëzoni Kurtin, mbështesni mocionin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse partitë opozitare janë të sinqerta në qëndrimin për të rrëzuar Qeverinë Kurti ato duhet ta kujtojnë se rruga e vetme është mocioni i propozuar nga AAK.

    Sipas Haradinajt, është shtuar numri i atyre që besojnë se Kurti dhe qeveria e tij janë fatkeqësi për Kosovën.

    “Një shumicë kritike pajtohet se është e nevojshme që sa më parë të dilet nga kjo gjendje. Njëra parti kërkon zgjedhje për të ndalur këtë të keqe që po i bëhet vendit, ndërsa partia tjetër është në kërkim të një rruge të re, po ashtu për të dalur nga kjo gjendje”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka thënë se AAK e ka ofruar modelin se si të dilet nga situata e krijuar, që sipas tij është mocioni i mosbesimit.

    ”Në fakt edhe njëra edhe tjetra parti opozitare, po e kërkojnë të njëjtën gjë që e kemi kërkuar edhe ne, por nuk po e shohin mënyrën se si realizohet kjo! Pyetja ime është, si shkohet në zgjedhje, ose si gjendet rruga e tretë për të dalë nga kjo gjendje? A ta presim kryeministrin që ta dorëzojë me vullnet mandatin e tij, gjë e cila duket e pamundshme, apo të presim të ndodhë ndonjë mrekulli vetvetiu? Prandaj partitë tjera opozitare, nëse janë të sinqerta në qëndrimin e tyre se kjo qeveri duhet ndalur me çdo kusht sepse po e shkatërron vendin, atëherë duhet ta kuptojnë se mocioni i propozuar prej nesh, është rruga e vetme, rrjedhimisht edhe ta mbështesin”, ka shkruar Haradinaj./

  • Mbappes i ofrohet kontratë 10-vjeçare në vlerë 1 miliard euro

    Mbappes i ofrohet kontratë 10-vjeçare në vlerë 1 miliard euro

    Paris Saint-Germaini po i mendon krejt mënyrat e mundshme për ta bindur Kylian Mbappen të qëndrojë në Francë.

    Sipas mediumit “Defensa Central”, yllit francez i është ofruar një kontratë stratosferike vetëm për ta bindur që të mos largohet nga “Parku i Princave”.

    Më saktësisht, nënkampionit të botës thuhet se i është ofruar një kontratë 10-vjeçare me një vlerë të pabesueshme prej 1 miliardi euro.

    Mbappe ëndërron të transferohet në Real Madrid, por kjo ofertë mund t’ia ndërrojë mendjen ish-futbollistit të Monacos.

    Ai ka kontratë edhe një vit me PSG-në dhe nuk po pranon ta vazhdojë atë për një vit tjetër, ashtu siç ishte paralajmëruar.

    Tash, mbetet të shihet nëse 24 vjeçari do të joshet nga paratë apo do ta ndjekë ëndrrën.

    Ndërkohë, thuhet se interesim për njërin prej futbollistëve më të mirë në botë kanë shfaqur edhe klubet e Premierligës, Liverpool e Arsenal.

  • Krasniqi: Deklarimet se mosardhja e Bislimit në Komision ishte për mungesë të kuorumit janë shpifje dhe manipulim

    Krasniqi: Deklarimet se mosardhja e Bislimit në Komision ishte për mungesë të kuorumit janë shpifje dhe manipulim

    Kryetarja e këtij komisioni, njëherësh deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se mosardhja e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është arsye e dështimit të mbledhjes së Komisionit për Integrime e jo mungesa e kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    Krasniqi i ka quajtur shpifje deklarimet e Qeverisë se mungesa e kuorumit ia pamundësoi raportimin Bislimit.

    “Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë për raportim në Komisionin për Integrim Evropian, duke i ikur përgjegjësisë kushtetuese”, ka shkruar ajo.

    “Kjo është e vërteta e vetme, ndërsa deklarimet se mos-ardhja e tij ishte si rezultat i mungesës së kuorumit janë shpifje dhe manipulim. Ata që nuk ishin prezent i takojnë partisë në pushtet. Tani del se gjithçka ka qenë mirë e organizuar nga ta, për të pamundësuar raportimin, sepse duan ta fshehin para qytetarëve se kush në të vërtetë janë ata dhe në çfarë janë të angazhuar. Mashtruesit mbesin mashtrues”, ka shkruar Krasniqi.

  • Greqia vazhdon përpjekjet për të pestën ditë për të shuar zjarret

    Greqia vazhdon përpjekjet për të pestën ditë për të shuar zjarret

    Greqia u përpoq të frenonte një zjarr në perëndim të Athinës, i cili dogji tokën pyjore për të pestën ditë të premten, pasi një tjetër valë nxehtësie goditi vendin.

    Zjarrfikësit, të mbështetur nga avionë që bartin ujë dhe me ndihmë nga personeli shtesë nga Qiproja, Franca, Izraeli dhe Italia, u përpoqën të kontrollonin zjarrin që shpërtheu në zonën më të gjerë të Athinës të hënën, duke shkatërruar shtëpi dhe duke detyruar evakuime të banorëve.

    “Ne po vazhdojmë të luftojmë zjarrin në perëndim të Athinës. Po i frikësohemi rindezjes së tij”, tha një zyrtar i zjarrfikësve për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Mbi 100 shtëpi dhe biznese janë dëmtuar rëndë nga ky zjarr dhe një tjetër pranë Athinës, të cilin autoritetet arritën ta shuajnë më herët gjatë javës.

    Qeveria njoftoi të premten se do të ndajë ndihma për familjet e prekura, duke përfshirë ndihmën financiare dhe subvencione për shtëpitë me qira.

    Dy zjarre të tjera në pyje në ishullin Rodos dhe në lagjen Lakonia në Greqinë jugore u vunë nën kontroll të premten.

    Ministri për Krizat Klimatike, Vasilis Kikilias u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë vigjilentë.

    Rreziku i zjarreve në ditët në vijim do të mbetet i lartë dhe parashikohet vapë e mëtejshme.

    “Po kalojmë një periudhë shumë të vështirë treditore, të premten, të shtunën dhe të dielën, me kushte ekstreme të motit dhe temperatura shumë të larta të përcjella me erëra të forta”, tha ministri, duke shtuar se pas një pushimi të shkurtër, nga mesi i javës së ardhshme parashikohet një tjetër vapë.

    Me temperaturat që priten të arrijnë 45 gradë Celsius të shtunën dhe të dielën, Ministria e Kulturës tha se të gjitha vendet arkeologjike, përfshirë monumentin e Akropolit, do të mbyllen mes orës 12 dhe 17:30./REL/

  • Legalizohet marihuana në Shqipëri por vetëm për këto qëllime

    Legalizohet marihuana në Shqipëri por vetëm për këto qëllime

    Pas seancës maratonë me debate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

    Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

    Me debate në Kuvend, opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

    Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha.