ATV

Author: G.O.

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot kryesisht i kthjellët dhe temperatura stabile.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 25 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 29 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 40 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Ukraina merr përgjegjësi për sulmin ndaj urës së Krimesë në muajin tetor

    Ukraina merr përgjegjësi për sulmin ndaj urës së Krimesë në muajin tetor

    Të mërkurën, shërbimi i sigurisë së Ukrainës pranoi se ishte përgjegjës për një shpërthim që dëmtoi rëndë urën e Kerçit, që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, në muajin tetor të vitit të kaluar.

    Shpërthimi, i shkaktuar nga një kamioni me bombë, rezultoi në tre viktima.

    Duke folur në televizionin kombëtar ukrainas të mërkurën, kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Malyuk tha se agjencia e tij qëndronte pas sulmit.

    “Kishte shumë operacione të ndryshme, operacione speciale. Për disa prej tyre do të mund të flasim publikisht dhe me zë të lartë pas fitores, nuk do të flasim fare për të tjerët”, tha Malyuk.

    “Është një nga veprimet tona, përkatësisht shkatërrimi i urës së Krimesë më 8 tetor të vitit të kaluar”.

    Një anije ushtarake ruse duke lundruar pranë urës së Krimesë, më 17 korrik 2023.
    LEXONI EDHE KËTË:
    Kievi sulmon Krimenë e okupuar, ndërpret trafikun në urë
    Pas këtij incidenti, Rusia rindërtoi urën. Presidenti Putin drejtoi një makinë nëpër strukturën e restauruar pasi u kryen riparime të shumta.

    Javën e kaluar, një tjetër sulm në urë la të vdekur një çift dhe plagosi rëndë vajzën e tyre.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ura që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë “sjell luftë, jo paqe”, dhe rrjedhimisht është objektiv luftarak.

    Kjo urë ka një rëndësi të madhe për Moskën, duke shërbyer si një rrugë thelbësore për furnizimet ushtarake dhe civile dhe simbolizon kontrollin e Kremlinit mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë që nga viti 2014.

    Ura rrugore dhe hekurudhore është e gjatë 19 kilometra.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar për “përgjigje” ndaj sulmit.

    Krimea u aneksua nga Rusia më 2014, ndërsa Kievi do që ta rimarrë atë, teksa po lufton kundër pushtimit të plotë rus prej 17 muajsh.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Tre të moshuar humbin jetën nga zjarret në Itali

    Tre të moshuar humbin jetën nga zjarret në Itali

    Ishulli jugor italian i Sicilisë është dërrmuar nga zjarret e egra nga të cilat humbën jetën tre të moshuar, bëri të ditur presidenti rajonal.

    Mediat italiane raportojnë se një çift rreth të 70-ave vdiq në shtëpinë e tyre në periferi të Palermos, dhe thanë se trupat e tyre u gjetën të djegur në rrënojat e shkaktuara nga zjarri.

    Një grua e moshës 80 vjeçare vdiq në provincën e Palermos, pasi ambulanca nuk mundi të arrijë në banesën e saj për shkak të zjarreve të mëdha që po digjeshin në afërsi.

    Përmes një mesazhi të postuar gjatë natës në Facebook, presidenti sicilian Renato Schifani tha se “nxehtësia përvëluese dhe zjarret shkatërruese të paprecedentë” e kishin kthyer të martën në “një nga ditët më të vështira në dekada”.

    Zjarrfikësit italianë thanë se luftuan rreth 1,400 zjarre nga e diela deri të martën, duke përfshirë 650 në Sicili dhe 390 në Kalabri. Trupi i pajetë i një burri një 98-vjeçar që kishte qenë i shtrirë në u gjet pasi shtëpia e tij është djegur nga zjarri në Kalabri.

    Të mërkurën, zjarret ishin ende aktive në kodrat përreth Palermos, duke nxitur vendosjen e avionëve zjarrfikës për të luftuar flakët.

    I gjithë rajoni i Mesdheut ka përjetuar një valë të nxehtë të fortë verore të martën, duke çuar në zjarre vdekjeprurëse të përhapura në zona të mëdha.

    Në Sicili, që është një destinacion i famshëm turistik, një zjarr brenda një terminali javën e kaluar rezultoi në mbylljen pothuajse totale të aeroportit të saj më të madh në Katania, që ndodhet në pjesën lindore të ishullit.

    Për më tepër, aeroporti i Palermos duhej të mbyllej për disa orë të martën për shkak të një zjarri aty pranë.

    “Shpresoj që flukset turistike në zonat e prekura nga zjarret të mos pësojnë humbje”, tha ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci, me origjinë nga Sicilia, në një intervistë për gazetën La Stampa. Ai pranoi se rreziku i humbjeve të tilla ekziston dhe është i kuptueshëm duke pasur parasysh rrethanat.

    Qeveria do të mblidhet në Romë të mërkurën për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në rajonet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe për të futur një skemë të veçantë të pushimit për punëtorët më të ekspozuar ndaj valës së të nxehtit.

    Ndërsa zjarret vazhdojnë të sfidojnë jugun e Italisë, pjesa veriore e vendit po përballet me stuhi të forta që rezultuan në vdekjen e dy personave të martën.

    Një nga viktimat ishte një vajzë 16-vjeçare, e shtypur nga një pemë që i ra përsipër./REL/

  • Bie nga ura, vdes 50-vjeçari në Mitrovicë

    Bie nga ura, vdes 50-vjeçari në Mitrovicë

    Një 50-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e rënies nga ura në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë.

    Lajmin e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës në policinë rajonale të Mitrovicës.

    Rasti është hapur në polici si “hetim i vdekjes”.

    “Sot, rreth orës 13:30, është raportuar se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë, si pasojë e rënies nga lartësia e urës, ka humbur jetën viktima mashkull/kosovar rreth 50 vjeçar. Hetuesit policor kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”.

  • Osmani dënon kërcënimet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës: Kjo fushatë duhet ndalur

    Osmani dënon kërcënimet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës: Kjo fushatë duhet ndalur

    Presidentja Vjosa Osmani u ka dhënë mbështetje policëve të rinj të cilët janë nën kërcënim pas marrjes së pozitës në veri të vendit.

    “I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale”, nis postimi i Osmanit në Twitter.

    “Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”.

  • Interi emëron kapitenin e ri të skuadrës

    Interi emëron kapitenin e ri të skuadrës

    Interi ka konfirmuar zyrtarisht Lautaro Martinezin si kapiten të ri të klubit.

    Largimi i Samir Handanovic dhe Marcelo Brozovic këtë verë i la “Nerazzurrët” pa kapiten dhe sulmuesi argjentinas ka qenë zgjedhja kryesore për të marrë shiritin , pasi e kishte bartur atë në disa raste sezonin e kaluar.

    Lautaro është bërë një figurë qendrore për Interin që nga ardhja e tij në vitin 2018 dhe thuhet se refuzoi një ofertë fitimprurëse nga Arabia Saudite kohët e fundit duke shfaqur besnikëri ndaj klubit milanez, përcjellë KosovaPress.

    Siç u njoftua sot, Lautaro tani është kapiteni i ri i klubit të Interit, me Nicolo Barella që u promovua si zëvendës-kapiten.

    Lautaro ka bërë 238 paraqitje në të gjitha garat për Interin që nga ardhja e tij në 2018, duke shënuar 102 gola dhe duke dhënë 36 asistime.

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend e rajon.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje ambasadorit Grondahl për bashkëpunimin e frytshëm dhe vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë mike për Kosovën në shumë fusha dhe procese integruese, ndërsa theksoi rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

    Ambasadori Grondahl, duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të partneritetit dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët ndërmjet Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës. ​

  • E dhimbshme: Ky është 25-vjeçari nga Skenderaj që ndërroi jetë tragjikisht

    E dhimbshme: Ky është 25-vjeçari nga Skenderaj që ndërroi jetë tragjikisht

    Një 25-vjeçar nga Abria e Skenderajt, me vendbanim në Shtrubullovë të Drenasit ka humbur jetën dje, pasi është rrëzuar aksidentalisht nga rimorkioja, e cila ishte e ngarkuar me dru.

    Viktima është Ekrem Smakiqi.

    Për rastin ka njoftuar policia e cila po merret me hetimet e rastit.

    “Gllogoc 25.07.2023 – 11:21. Viktima mashkull kosovar është dërguar pa shenja jete në QKMK, pasi që dyshohet se gjatë ngarkimit të druve në rimorkio është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, sipas njoftimit të familjarëve thuhet se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot nga ora 17:00, në varrezat e fshatit Abri e Poshtme, te Xhamia.

    Ngushëllime familjes Smakiqi, i ka shprehur edhe kryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura.

    “E dhimbshme ngjarja e djeshme tragjike që si pasojë vdiq bashkëvendësi ynë, Ekrem Smakiqi, për të lënë pas pikëllim të thellë te familjarët dhe tek të tjerët që patën fatin e rastin ta njohin si djalë të urtë dhe një punëtor i përkushtuar ndaj familjes!
    Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, shokët dhe gjithë dashamirët!”, ka shkruar ai në Facebook.

    LEXONI EDHE:

    Drenas: Vdes një person pasi u rrëzua duke ngarkuar drunjtë në rimorkio, Policia fillon hetimet

     

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

    Kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Weidinger për kontributin e tij në fuqizimin e partneritetit dhe thellimin e marrëdhenieve dypalëshe, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.

    Kreu i Kuvendit vlerësoi lart rolin e Austrisë mike si një partnere e rëndësishme dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik. Ai po ashtu vlerësoi bashkëpunimin në projekte të përbashkëta, veçmas në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare.

    Ambasadori Weidinger nga ana e tij e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, si dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve tona. ​

  • Infarkti në det, pse po preken edhe moshat e reja? Mjeku kardiolog tregon gabimin që mund të jetë fatal

    Infarkti në det, pse po preken edhe moshat e reja? Mjeku kardiolog tregon gabimin që mund të jetë fatal

    Në këto ditë përvëluese të gjithë i drejtohemi plazhit, por askush nuk është imun nga problemet me zemrën nga temperaturat arrijnë në 43 gradë Celcius.

    Janë pafund lajmet e verës për njerëz që pësojnë arrest kardiak sapo bien në kontakt me ujin gjatë pushimeve, edhe pse e pazakontë, këtu nuk përjashtohen edhe të rinjtë.

    Jo më larg se dje, një djalë vetëm 20 vjeç pësoi arrest kardiak sapo ra në kontakt me ujin në plazhin e Velipojës. Vapa është armiku kryesor jo vetëm i personave që vuajnë nga patologji kardiake, por i kujtdo që ekspozohet gjatë në diell, në orët më të nxehta të ditës.

    Por cilat janë shkaqet, dhe pse gjithnjë e më shumë pushuesit pësojnë infarkt në det?

    Top Channel i është drejtuar mjekut kardiolog Novrus Çaushaj, i cili tregon sesa e rrezikshme është futja e menjëhershme në ujë.

    “Një nga shkaqet kryesore për njerëzit e shëndetshëm, por edhe ata të sëmurë është qëndrimi i gjatë në diell ose lojërat në rërë (futboll, volejboll etj.), që e rrisin shumë temperaturën trupore. Shtojmë këtu edhe temperaturën e mjedisit. Kur futen në ujë menjëherë, diferenca mes temperaturës së ujit dhe trupit është shumë e madhe dhe këtu ndodh tkurrja e menjëhershme e enëve të gjakut, me pasoja katastrofale për zemrën, deri në arrest kardiak. E vetmja metodë për të shmangur rrezikun e një arresti kardiak, është futja me kujdes në përshtatje ndaj temperaturës së ujit, duke e freskuar trupin dhe këmbët për gati 10-15 min, pastaj zhytja e gjithë trupit.”-tha ekskluzivisht për Top Channel, mjeku kardiolog.

    Ai thekson se janë shtuar rastet e sëmundjeve të zemrës edhe te moshat e reja, teksa rendit edhe veset të cilat zemra nuk i do, siç është kequshqyerja, alkooli, duhani, drogat apo jeta pasive.

    “Aktualisht edhe në vendin tonë është vënë re nga kardiologët që është ulur mosha e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të zemrës, ashtu sikundër është edhe infarkti akut i miokardit. Nëse para 25 viteve dhe më tutje kjo sëmundje shfaqej te moshat mbi 55-vjeçe, tani e gjejmë në mosha më të reja nën 40 vjeç, madje edhe te femrat, edhe pse janë të mbrojtura nga prezenca e hormoneve femërore.

    Shkaqet janë disa por po përmend më të rëndësishmet. Ushqyerja pa kriter, jo e kontrolluar dhe aspak e shëndetshme. Përdorimi pa kriter i alkoolit dhe lëngjeve të sheqerosura. Futja te rinia jonë e “kulturës” europiane dhe me tutje e përdorimit të të gjitha llojeve të drogave (të lehta dhe të rënda).

    Këta përdorues janë grupi me moshë akoma më të re të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Fillimi i përdorimit të duhanit në mosha edhe më të vogla, është gjithashtu shkaktar. Ky është një brez pasiv, që rri larg jetës aktive fizike ku aktiviteti i rregullt fizik është një nga “mjekimet” më të mira natyrale të kësaj sëmundje.”-thekson mjeku kardiolog./TCH/