ATV

Author: G.O.

  • Muja e konsideron të suksesshme punën e Kuvendit në sesionin pranveror

    Muja e konsideron të suksesshme punën e Kuvendit në sesionin pranveror

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja e ka quajtur të suksesshëm sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës.

    Pas dështimit të mbajtjes së seancës së sotme, Muja para gazetarëve tha se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka miratuar rreth 50 projektligje.

    Ai kritikoi opozitën se nuk po dëshiron të votojë për marrëveshjen ndërkombëtare.

    “Ishte e planifikuar që edhe sot të vazhdojë seanca për marrëveshjet ndërkombëtare, të votohen ato pasi kanë qenë në agjendë që nga prilli dhe marsi, por pa votat e opozitës, ato nuk kalojnë, pasi kështu thotë rregullorja. Seanca duhet të ketë kuorumin e nevojshëm për të filluar, ishin deputetët e shumicës edhe nga opozita, por mjerisht nuk ishin mjaftueshëm për të filluar. Ne kishim planifikuar të qëndrojmë, pasi kemi pas edhe ligje që do të duhej të kalonin në këtë sesion”, tha ai.

    Muja akuzoi deputetët e PDK-së për sjellje të dhunshme në Kuvend, derisa përmendi edhe deputeten Ganimete Musliu.

    “Mjerisht ky sesion është përshkruar me incidente të dhunshme nga deputetë të PDK-së, në veçanti më duhet të nënvizoi deputeten Ganimete Musliu, e cila jo vetëm që s’ka ndonjë kauzë politike, por ka pas sjellje të dhunshme duke provokuar incidente që janë hije e rënd për Kosovën dhe demokracinë tonë”, përfundoi Muja.

  • Mbyllet seanca – Tahiri thotë se kjo ndodhi që t’u pamundësohet diskutimi për aferën “Zdravo”

    Mbyllet seanca – Tahiri thotë se kjo ndodhi që t’u pamundësohet diskutimi për aferën “Zdravo”

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, tha se pushteti e mbylli seancën për ta pamundësuar diskutimin për atë që ai e ka quajtur aferën “Zdravo”.

    Tahiri pohoi se krejt kjo po ndodh pasi pushteti nuk do të diskutojë për sanksionet e skandalet e tjera.

    “Ju ishit prezent edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë ku kërkuam debat për aferën Zdravo. Në atë mbledhje na u pamundësua që debati të ndodhte sot siç kërkuam për qartësi nga kryeministria e shefja e GP të VV-së për komunikimin me Radojçiqin”.

    “E mbyllën këtë seancë për të na e pamundësuar që të flasim për aferën Zdravo. E dyta që është shumë shqetësuese është për abuzimet që janë duke ndodhur në Ministrinë e Rozeta Hajdarit. Si Grup Parlamentar do të vazhdojmë të kemi angazhim të vazhdueshëm që vendin ta dërgojmë në zgjedhje”.

    “Kjo seancë qe u anulua sot mund të jetë edhe si rezultat i kërkesës së Radojçiqit. Janë po këta njerëz qe po na e pamundësojnë të bisedojmë për sanksionet. Kjo tendencë e mbylljes në mënyrë kaq të turpshme të seancës është për shkak se nuk duan të flasin për sanksion”.

    Seanca e Kuvendit u mbyll pa filluar fare punimet. Munguan deputetët e pushtetit, rrjedhimisht nuk kishte kuorum. Me këtë rast, Kuvendi edhe i mbylli punimet për sesionin pranveror.

  • Oda Amerikane i kërkon Qeverisë që të adresojë menjëherë sfidat e rritjes ekonomike

    Oda Amerikane i kërkon Qeverisë që të adresojë menjëherë sfidat e rritjes ekonomike

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë njeh potencialin e madh të Kosovës si një destinacion i rëndësishëm për investime. Megjithatë, nuk mund të injorohen konkluzionet shqetësuese të nxjerra në Deklaratat e Klimës së Investimeve për Kosovën të publikuara së fundmi nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Sipas OEAK, këto gjetje, duke theksuar ndërhyrjen thelbësore politike në ekonomi dhe mungesën e dialogut publiko-privat, vënë në spikamë aftësinë e vendit për të tërhequr investimet e huaja direkte (IHD), që janë vendimtare për zhvillimin ekonomik.

    “Është shqetësuese të shihet se çështje të tilla jo vetëm që po ndikojnë në imazhin ndërkombëtar, por gjithashtu po nxisin pakënaqësi në mesin e qytetarëve të Kosovës. Hulumtimi i fundit i Pulsit Publik nga UNDP-ja ka treguar se vetëm 17.7% e qytetarëve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Kjo statistikë sinjalizon një nevojë urgjente për ndryshim dhe përmirësim sistematik në qeverisjen ekonomike duke nënvizuar peshën e detyrave që duhen zbatuar. Çështja e rritjes së ndërhyrjeve politike në ekonomi dhe gjyqësor minon drejtpërdrejt besimin e investitorëve, pengon dinamikën e tregut dhe përbën rrezik të konsiderueshëm për investitorët e mundshëm. Kjo ndërhyrje vë në dyshim reputacionin e Kosovës si një mjedis stabil dhe i parashikueshëm për investime. Pa adresuar këtë, vendi rrezikon të gërryejë më tej besimin e investitorëve dhe qytetarëve të tij. Në mënyrë të ngjashme, mungesa e një dialogu funksional dhe sistematik publiko-privat, pavarësisht rregulloreve që detyrojnë konsultimin publik, është një çështje shqetësuese. Aprovimi i rregullave të reja shpesh pa diskutime thelbësore me palët e interesit krijon një mjedis rregullator të paparashikueshëm që mund të pengojë investitorët. Përtej këtyre çështjeve, vendi duhet të adresojë edhe sfidat e tjera të rëndësishme, si integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, furnizimi jo i besueshëm me energji dhe vështirësitë në vendosjen e të drejtave pronësore. Sektori i madh joformal dhe korrupsioni i shfrenuar vazhdojnë të jenë pengues për investitorët, ndërsa të mbështeturit e madh në përkrahjen financiare ndërkombëtare dhe remitencat vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë së Kosovës. Qeveria duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të zbutur këto shqetësime. Eliminimi i ndërhyrjeve politike, vendosja e një dialogu efektiv publiko-privat dhe zbatimi i strategjive për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar infrastrukturën e Kosovës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të agjendës së Qeverisë”, thuhet në komunikatë.

    Sipas OEAK, duke nxitur një klimë transparence, parashikueshmërie dhe dialogu të hapur, vendi do të përmirësojë me doemos imazhin e tij para investitorëve të huaj.

  • Shqipëri, bien eksportet drejt Gjermanisë, importet rritje me 5.6 miliardë lekë

    Shqipëri, bien eksportet drejt Gjermanisë, importet rritje me 5.6 miliardë lekë

    Eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në gjysmën e parë të këtij viti në Shqipëri shënuan rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë llogariten rreth 12.8 miliardë lekë, nga 18.4 miliardë lekë që llogariteshin për të njëjtën periudhë në 2022-ën.

    Në rënien e eksporteve me 5.6 miliardë lekë, ndikimin kryesor e dha grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Të dhënat tregojnë se nga 11 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, ato ranë në 4.9 miliardë lekë, në 6-mujorin e parë të 2023.

    Ndryshe nga eksportet, importet shënuan rritje me rreth 2.6 miliardë lekë përkundrejt 2022-ës, duke arritur në 27.6 miliardë lekë nga 30.2 miliardë lekë që ishin në 2022-ën.

    Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 llogariten në rreth 6 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e pestë tregtar të Shqipërisë.

    Qeveria federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend, shkruan Atsh.

    Flukset e investimeve të huaja direkte arritën në 91 milionë euro.

  • Gashi akuzon Kusari-Lilën për dështimin e seancës: Kosova s’mund ta përballojë një qeverisje të tillë

    Gashi akuzon Kusari-Lilën për dështimin e seancës: Kosova s’mund ta përballojë një qeverisje të tillë

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha se pushteti qëllimisht nuk mblodhi deputetët për ta pamundësuar diskutimin për skandalet e fundit të Qeverisë.

    Sipas tij, vetë shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u kishte premtuar se në seancën e së premtes do të kishte kuorum.

    Ai ka pohuar se kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, nga kapja e shtetit e shkeljet kushtetuese, madje nga skandalet si ajo e vajit dhe “Zdravo”, me korrupsion masiv.

    Sipas tij, Kosova nuk mund ta përballojë një qeverisje të tillë.

    “Sot përfundoi sesioni me turp, ashtu siç filloi. Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, por jo vetëm – karakterizohet nga kapja e shtetit, shkeljet kushtetuese, nga skandalet si ajo e vajit dhe Zdravo, me korrupsion masiv”.

    “Duke i shtuar kësaj edhe elemente të tjera, si Qeveria e sanksioneve ndërkombëtare. Pra, Kosova nuk mund ta përballojë një qeverisje të tillë”.

    “Mënyra se si u mbyll sesioni për t’ia pamundësuar deputetëve që të deklarohen për çështje me interes në ditën e fundit të sesionit është po ashtu shkelje procedurale, demokratike dhe kushtetuese. Qëllimisht nuk i kanë mbledh deputetët për t’ia pamundësuar Kuvendit të diskutojë”, ka thënë Gashi.

  • Fabinho, largimi i radhës nga Liverpooli

    Fabinho, largimi i radhës nga Liverpooli

    Siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Liverpooli dhe Al Ittihad janë shumë afër që ta mbyllin marrëveshjen për Fabinhon.

    Marrëveshja mes dy klubeve është shumë afër që të kompletohet, ndërsa Liverpooli është ende i kujdesshëm pasi që dokumentet duhet të kontrollohen para se të nënshkruhen, raporton KosovaPress.

    Fabinho do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore së shpejti nëse gjithçka shkon sipas planit.

    Al Ittihad ka rënë dakord me Fabinhon në kushtet personale për një marrëveshje tre vjeçare.

  • Ancelotti thotë se Reali është i kompletuar pa Mbappen

    Ancelotti thotë se Reali është i kompletuar pa Mbappen

    Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti beson se ekipi i tij ka një skuadër të kompletuar edhe pa superyllin francez, Kylian Mbappe.

    Reali e mposhti Manchester Unitedin 2:0 në miqësoren në Houston të Teksasit të martën, raporton KosovaPress.

    Jude Bellingham, i cili i kushtoi Reali plot 103 milionë euro, shënoi golin e parë për Realin, ndërsa Joselu, i cili iu bashkua klubit në huazim nga Espanyoli, shënoi golin e dytë.

    “Skuadra është mirë. Ne nuk do të kemi probleme me skuadrën. Do të ishte problem nëse do të kisha një skuadër pa kualitet. Skuadra është mirë. Jemi të kompletuar”, tha Ancelotti.

    Duke lënë anash Bellingham dhe Joselun, Reali gjithashtu transferoi Arda Guler dhe Fran Garcia gjatë kësaj merkatoje. Ndërkohë, klubi pa disa lojtarë të largohen, duke përfshirë këtu Karim Benzeman dhe Marco Asension.

    Drama e Mbappes po vazhdon pasi që ai refuzoi bisedimet me Al Hilal, i cili ishte i gatshëm t’i paguajë PSG-së plot 300 milionë euro dhe t’i jep Mbappes një pagë prej 700 milionë eurosh në vit, vetëm që ylli francez t’i bashkohej Ligës Profesionale Saudite.

    Ky është ljam i mirë për Realin, i cili ende shpreson që ta transferojë Mbappen.

    Ancelotti refuzoi të fliste për këtë temë dhe u përgjigj “pyetja e radhës” dhe vazhdoi duke lavdëruar lojtarët që i ka te Reali.

  • U lëndua para disa ditësh në një aksident në Prizren, vdes një grua në QKUK

    U lëndua para disa ditësh në një aksident në Prizren, vdes një grua në QKUK

    Ka vdekur një grua që ishte duke u trajtuar në QKUK, që nga 23 korriku, pasi u lëndua në një aksident trafiku, në Prizren.

    “Prizren 23.07.2023-19:00. Lidhur me rastin më 27.07.2023 është raportuar se viktima femer kosovare e cila ishte në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se në konsultim me prokurorin, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

  • Dyshohet për dhunim, arrestohet një burrë në Prizren

    Dyshohet për dhunim, arrestohet një burrë në Prizren

    Të enjten rreth orës 17:00 është arrestuar në Prizren një i dyshuar për përdhunim.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i njëjti është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

    “Prizren 27.07.2023, 17:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Biden takohet me kryeministren italiane, vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

    Biden takohet me kryeministren italiane, vlerësojnë shtensionimin e situatës në veri

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është takuar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, me të cilën kanë vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri.

    Sipas një deklarate për media, të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Bideni dhe Meloni kanë riafirmuar angazhimin që Ballkani Perëndimor të ketë siguri, stabilitet dhe prosperitet.

    “Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në deklaratën e tyre.