ATV

Author: G.O.

  • Vrasja në Klinë, Policia kërkon bashkëpunim për gjetjen e Tush Frrokut

    Vrasja në Klinë, Policia kërkon bashkëpunim për gjetjen e Tush Frrokut

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë dhe të dhënat e tjera të të dyshuarit për vrasjen që ndodhi sot pasdite në një kafeteri në Klinë.

    Ai është Tush (Nue) Frroku, i lindur me 25.06.1975 në fshati Kosh të Istogut. Policia ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për lokalizimin dhe kapjen e tij.

    PK ka bërë të ditur, nëpërmes një komunikate shtypi, se i dyshuari është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe nën kërcënim të armës ka grabitur me pas një veturë duke u larguar në drejtim të Gurrakocit.

    Policia është vënë në ndjekje dhe në fshatin Kosh të Istogut ka gjetur veturën e braktisur.

    “Më datë 07 gusht 2023, rreth orës 16:50, Policia është informuar se në rrugën “Leonard Palucaj”- Klinë, ka ndodhur një gjuajtje me armë zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje, aty është kuptuar se një person është plagosur nga arma e zjarrit, i njëjti është dërguar ne QKMF-Klinë, dhe më pas në Spitalin Rajonal në Pejë, aty nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    “I dyshuari është arratisur në drejtim të panjohur dhe gjatë arratisjes i dyshuari nën kërcënimin e armës nga një qytetar ka grabitur veturën dhe është larguar në drejtim të Gurrakocit. Njësitet relevante janë vënë në ndjekje të pësonit të dyshuar dhe me të arritur në fshatin Kosh-Istog, është gjetur vetura e braktisur ndërsa personi i dyshuar është ende në kërkim policor”.

    “Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, konfirmon PK.

  • Prishtinë: Një shtëpi merr flakë në lagjen e spitalit

    Prishtinë: Një shtëpi merr flakë në lagjen e spitalit

    Një shtëpi në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka marrë flakë.

    Ekipet e zjarrfikësve janë shkuar në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin.

    Po ashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Policisë së Kosovës.

    Sipas burimeve të ATV-së, nuk ka njerëz brenda kësaj shtëpie, derisa nuk dihet çfarë e ka shkaktuar zjarrin./atvlive.tv/

  • Mbi 20 të burgosur ukrainas lirohen nga Rusia

    Mbi 20 të burgosur ukrainas lirohen nga Rusia

    Kreu i zyrës presidenciale ukrainase, Andriy Yermak, njoftoi përmes Telegramit se 22 të burgosur të luftës janë kthyer në Ukrainë nga burgjet ruse më 7 gusht.

    Në mesin e të liruarve janë dy oficerë, ushtarë të thjeshtë dhe nënoficerë.

    Ata kishin marrë pjesë në beteja në fronte të ndryshme dhe disa prej tyre ishin plagosur, tha Yermak.

    Ai nuk dha më shumë detaje.

    Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk ka komentuar për këmbimin e të burgosurve.

    Këmbimi i fundit i të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës ka ndodhur në korrik të këtij viti.

    Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës shkurtin e vitit 2022. Lufta ka lënë të vrarë mijëra persona, ka detyruar të zhvendosen miliona të tjerë dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale./REL/

  • Hapet thirrja, tetë milionë euro është shuma e grantit për performancë komunale

    Hapet thirrja, tetë milionë euro është shuma e grantit për performancë komunale

    Tetë milionë euro shuma e grantit për performancën komunale Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka lansuar thirrjen për hapjen e procedurave për raportim nga komunat për Grantin e Performancës Komunale. Ky grant do të ketë vlerën rreth tetë milionë euro, ku do të mbulohet nga qeveria e donatorët. Në konferencën e MAPL-së u tha se këtë vit vlerësimi do të bëhet sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ.

    Zëvendëssekretari i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Jeton Qela tha se këtë vit do të jetë edhe më publik procesi i nisjes së procedurave për raportimit nga komunat.

    “Tash do ta fillojmë lansimin e thirrjes për grantin e performancës. Një ndër arsyet pse e kemi thirr këtë konferencë edhe në mënyrë pak më solemne është se sivjet vlerësimi i performancës dhe grantit të performancës do të bëhet sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ. Për atë arsye kemi menduar që ja vlen kësaj radhe ta bëjmë më publik këtë nisje të procesit”, tha ai.

    Udhëheqës i Divizionit për Performancë Komunale, Haxhi Krasniqi tha se sot lansohet thirrja për vlerësimin e performancës së komunave, ku shënohet edhe vlerësimi përfundimtar të shërbimeve komunale.

    “Kemi tri cikle që kjo pjesë do të vlerësohet. Është pjesa organizative që sot pas kësaj konference do ta kemi në sistemin e menaxhimit të performancës. Thirrjen për raportim që thirrja për raportim të këtyre shërbimeve do të jetë 45 ditë të plota që brenda këtyre 45 ditëve do të kemi vlerësim paraprak, një verifikim sipërfaqësor të këtyre të dhënave që komunat do t’i raportojnë. Pas përfundimit të 45 ditëve do të kemi edhe pjesën e verifikimit kryesor që do t’i nënshtrohet treguesve të caktuar dhe ajo do të bëhet përmes monstrimit të treguesve”, u shpreh ai.

    Sipas tij, MAPL ka qenë në fazën e ndryshimeve të kuadrit ligjor këtë vit dhe të dokumenteve tjera përcjellëse.

    Krasniqi shtoi se është përshtatur dokumenti kryesor dhe rregullat e grantit me Ligjin për Performancë Komunale dhe Udhëzimin Administrativ.

    “Do të kap vlerën tetë milionë euro. Sipas informacioneve preliminare që kam, granti i performancës nga qeveria do të jetë diku rreth katër milionë euro nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe donatorët pjesën e tyre, që përfshin pjesën e 3,5 milionë euro. Kjo do të bëhet përmes rregullave të grantit të performancës, që janë lansuar çdo vit. Por, këtë vit kemi rregulla më specifike sepse janë të parapara me udhëzimin administrativ dhe për herë të parë bëhet rregull ligjor granti i performancës së komunave. Dhe do të përpiqemi çdo herë që komunat të trajtohen me standarde të njëjta, përmes sistemit të menaxhimin të performancës”, theksoi ai.

    Përfaqësues të MAPL-së janë pyetur edhe për udhëzimin administrativ për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

  • Efiçienca e energjisë – 10 milionë € për mbi 2 000 familje, subvencionohet 45% e investimit në rinovimin e shtëpive

    Efiçienca e energjisë – 10 milionë € për mbi 2 000 familje, subvencionohet 45% e investimit në rinovimin e shtëpive

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka bërë lansimin e thirrjes publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, raporton Ekonomia Online.

    Për këtë projekt janë paraparë 10 milionë euro investime, e gjitha ndihmë nga BE-ja, si pjesë e fondeve IPA.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nga ky projekt të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë subvencionim të 45% të vlerës së investimit për t’i rinovuar shtëpitë e tyre.

    Ajo më tej ka sqaruar se janë e ardhshme do të shpallin thirrjet për subvencionim për pasjet efiçiente shtëpiake dhe sistemet solare termike për ngrohej të ujit.

    “Këto investime janë mundësuar me përkrahjen e Komisionit Evropian nga fondet e IPA. Është kënaqësi të shohësh kur puna përkthehet në rezultate. Ne jemi në një fazë ku po kurorëzojmë me lansim të masave një punë më se 8 mujore. Të gjithë qytetar do të kenë mundësin të përfitojnë subvencion të 45% të vlerës së investimit për t’i rinovuar shtëpitë e tyre. Izolimin e shtëpisë, ndërrimi i dyerve dhe dritareve si dhe izolimin e kulmit. Ky investim do të ndihmoj direkt edhe më faktuarën e familjeve”, tha ajo.

    “Javën e ardhshme ne si Ministri nga i njëjti program do të shpallim thirrjet për subvencionim të masave të efiçencës të energjisë që përfshinë për herë të parë pasjet efiçente shtëpiake dhe sistemet solare termike për ngrohej të ujit”, tha ajo.

    Nora Arifi, anëtare e Bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, tha se për zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit janë paraparë 10 milionë euro dhe do të përfitojnë mbi 2 mijë familje.

    “Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë nga këtë pako i janë besuar  20 milionë euro nga 75 milionë euro për dy masa. Për banesa sociale si dhe shtëpitë individuale të banimit në të gjithë Kosovës. Kjo që po e promovojmë sot për shtëpitë individuale ka një buxhet prej 10 milionë euro, ku pritet që të përfarojnë mbi 2 000 familje”, tha ajo.

    Alessandro Bianciardi, nga Zyra e BE-së në Kosovë, tha se nga kjo ndihmë do të përfitojnë mbi 2 000 mijë familje, duke shtuar se me këtë mund të kursehet deri në 30% e energjisë.

    “Do të ndihmojnë 2 000 mijë familje që të jetojnë në mënyrë më të rehatshme në shtëpitë e tyre. Me izolim të mirë dhe  dyer e dritare të reja ju mund të kurseni 30 % të energjisë. BE mbete e përkushtuar për të mbështetur Kosovës për energji të mirë e te pastër”, tha ai, raporton EO.

    Kreshnik Muhaxheri, inxhinier në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, para të pranishmëve shpjegoj në detaje realizimin e këtij projekti.

  • Haradinaj kujton dëshmorët e familjes Lleshi: Kontributi i tyre përgjatë gjithë shekullit të kaluar është i jashtëzakonshëm

    Haradinaj kujton dëshmorët e familjes Lleshi: Kontributi i tyre përgjatë gjithë shekullit të kaluar është i jashtëzakonshëm

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e familjes emblematike Markalleshi në 25-vjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se çdo herë Markalleshët ishin në ballë të përpjekjeve për liri.

    “Të brumosur në frymën e atdhedashurisë ndër breza, familja emblematike Markalleshi nga Vraniqi i Gjakovës, në luftën e UÇK-së i dha Kosovës katër dëshmorë; Mark, Kolë, Prend dhe Memë Lleshi. Çdo herë në ballë të përpjekjeve për liri, Markalleshët nuk u zmbrapsen përpara armiqve. Kontributi i tyre dhënë përpjekjeve të vazhdueshme shqiptare për liri dhe pavarësi, përgjatë gjithë shekullit të kaluar është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se Beteja e Markalleshëve dëshmon shtrirjen e luftës për çlirim.

    Më 7 gusht të vitit 1998, armiku hasi në rezistencë të paparë. Luftuan të gjithë, i madh e i vogël, gra, burra e pleq. Heroikisht ranë Mark dhe Kolë Lleshi, rrugën e të cilëve e ndjekën bijtë e kësaj familjeje të madhe, Prendi e Mema. Beteja e Markalleshëve dëshmon shtrirjen e luftës për çlirim, mobilizimin pa dallim moshe e gjinie, vendosmërinë e popullit shqiptar që të jetojnë të lirë në trojet e tyre. Lavdi heroizmit dhe sakrificës së luftëtarëve dëshmorë, Mark, Kolë, Prend dhe Memë Lleshi”, është shprehur Haradinaj.

  • Vdes në moshën 49-vjeçare vëllai i deputetit të PDK-së Hajdar Beqa

    Vdes në moshën 49-vjeçare vëllai i deputetit të PDK-së Hajdar Beqa

    Ka vdekur vëllai i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.

    Lajmin për humbjen e vëllait e ka bërë deputeti Beqa përmes “Facebook”, ku ka njoftuar se pas një sëmundje të shkurtër, vëllai i tij Hasan Beqa ndërroi jetë në moshën 49-vjeçare.

    Ai tutje njoftoi se varrimi i të ndjerit pritet të bëhet nesër në fshatin Molliq, nga ora 15:00.

  • Ferizaj: Burri raporton se bashkëshortja e tij është zhdukur

    Ferizaj: Burri raporton se bashkëshortja e tij është zhdukur

    Një burrë në Ferizaj ka raportuar në Polici se bashkëshortja e tij është zhdukur.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se ajo ka dalë nga shtëpia dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e saj.

    “Ferizaj , 05.08.2023-12:15 Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gruaja e tij kosovare ka dalur nga shtëpia dhe nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raport.

     

  • Ulet çmimi i naftës

    Ulet çmimi i naftës

    Çmimet e naftës pësuan një rënie të lehtë të hënën nga nivelet e çmimeve maksimale të arritura të premten.

    Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent, u tregtua me 86,07 dollarë për fuçi, një ulje prej 0,19% nga çmimi i së premtes prej 86,24 dollarë për fuçi.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej në të njëjtën kohë me 82,66 dollarë për fuçi, 0,19% më pak nga mbyllja e sesionit të së premtes prej 82,82 dollarë për fuçi, raporton agjencia Anadolu.

    Rritja e çmimeve të naftës të premten u nxit nga shqetësimet për mungesën e furnizimit pas njoftimeve për frenim të furnizimit nga Arabia Saudite dhe Rusia.

    Faktorët si ritmi i ngadaltë i rimëkëmbjes ekonomike të Kinës dhe pasiguritë lidhur me atë se sa Arabia Saudite dhe Rusia do të reduktonin prodhimin dhe eksportet në përgjigje të kushteve globale të stokut të papërpunuar po ndikojnë në lëvizjen e tregut të naftës.

    Investitorët do të monitorojnë raportet e ardhshme nga OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, të cilat do të paraqesin informacion mbi gjendjen e tregut të naftës, statistika mbi ofertën dhe kërkesën dhe parashikimet e tregut.

  • Arrestohet një 52-vjeçar në Vushtrri, i dyshuar për armëmbajtje pa leje

    Arrestohet një 52-vjeçar në Vushtrri, i dyshuar për armëmbajtje pa leje

    Policia e Kosovës në Vushtrri ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari 52 – vjeçar mban inicialet B.B dhe është arrestuar në rrugën “Faruk Beqiri”.

    Sipas Policisë, arrestimi është bërë rreth orës 03:00 derisa një patrulluese në një pikë kontrolli ka ndaluar veturën me targa vendore e cila drejtohej nga i dyshuari.

    Gjatë kontrollit, të dyshuarit i janë gjetur dhe konfiskuar një armë me 15 fishekë, një shufër metali, një palë dorëza, një kapelë maskë e zezë dhe një mjet i mprehtë.

    “Lidhur me rastin, në cilësi të të dyshuarit është intervistuar B.B., 52 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.