ATV

Author: G.O.

  • Shkencëtarët evropianë: Korriku, muaji më i nxehtë ndonjëherë

    Shkencëtarët evropianë: Korriku, muaji më i nxehtë ndonjëherë

    Organizata evropiane që monitoron klimën e ka bërë zyrtare konstatimin: Korriku i vitit 2023 ishte muaji më i nxehtë në Tokë i regjistruar ndonjëherë.

    Temperatura mesatare botërore në muajin korrik prej 16.95 gradë Celsius, por këtë vit ishte një e treta e gradës më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar më 2019, tha Shërbimi për Ndryshime Klimatike, një degë e programit hapësinor të Bashkimit Evropian. Thyerja e rekordeve të temperaturave globale zakonisht bëhet me të qindrat ose me të dhjetat e një grade, prandaj diferenca aktuale është e pazakontë.

    “Këto rekorde kanë pasoja të rënda për njerëzit dhe planetin që po ekspozohen gjithnjë e më shpesh ndaj ngjarjeve ekstreme dhe intensive”, tha drejtoresha e këtij shërbimi, Samantha Burgess.

    Valë vdekjeprurëse të të nxehtit kanë goditur jugperëndimin e Shteteve të Bashkuara, Meksikën, Evropën dhe Azinë. Disa studime kanë fajësuar ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, sikurse djegia e qymyrit, përdorimi i naftës dhe i gazit natyror.

    Ditët gjatë korrikut ishin më të nxehtat që janë regjistruar ndonjëherë. Temperaturat ishin aq të larta sa që Shërbimi i BE-së dhe Organizata Botërore e Meteorologjisë bënë një njoftim të mëhershëm se korriku pritej të ishte më i nxehti në histori, para se muaji të përfundonte. Njoftimi i 8 gushtit vetëm ka konfirmuar këto konstatime.

    Korriku i këtij viti ishte 1.5 gradë Celsius më i nxehtë se në kohët paraindustriale. Më 2015, shtetet e botës u pajtuan që të parandalonin ngrohjen afatgjatë që është 1.5 gradë më e nxehtë sesa në epokën paraindustriale.

    Korriku i këtij viti ishte 0.7 gradë Celsius më i nxehtë sesa mesatarja e regjistruar në këtë muaj në periudhën 1991-2020, tha Shërbimi i BE-së.

    Oqeanet e botës, ndërkaq janë për gjysmë gradë më të nxehtë sesa në 30 vjetët paraprak dhe temperatura në Atlantikun e Veriut ishte 1.05 gradë më e nxehtë sesa është mesatarisht.

    Ndërkaq, Antarktiku këtë vit ka shënuar nivelin më të ulët të akullit, 15 për qind më pak se mesatarja që regjistron zakonisht në këtë periudhë të vitit./REL/

  • Sinani: U ndala edhe mbrëmë nga policia kufitare në Muçibabë

    Sinani: U ndala edhe mbrëmë nga policia kufitare në Muçibabë

    Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, ka thënë se është ndaluar edhe mbrëmë në Muçibabë nga policia kufitare serbe.

    Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se edhe herën e dytë është ndaluar pa ndonjë arsye.

    “Mbrëmë rreth orës 21:00 në vendkalimin e njëjtë kufitar me Republikën e Kosovës, Muçibabë, përsëri u ndalova nga policia kufitare serbe. Për herë të dytë brenda të njëjtës ditë. Jo vetëm duke e lëshuar Serbinë, por edhe duke hyrë. Këtë herë periudha kohore ishte më e shkurtër se në orët e mëngjesit të djeshëm”.

    “Edhe kësaj radhe pa asnjë sqarim e arsyetim! Thjeshtë ndalesë! Kjo është Serbia me të cilën si shqiptarë të Luginës së Preshevës ballafaqohemi çdo ditë. Kjo është Serbia për pakicat kombëtare”, ka thënë Sinani.

  • Çitaku: Prokuroria me urgjencë të fillojë hetimet për aferën anti-shtetërore të ndërmjetësuesit të Qeverisë Kurti

    Çitaku: Prokuroria me urgjencë të fillojë hetimet për aferën anti-shtetërore të ndërmjetësuesit të Qeverisë Kurti

    Pas raportimeve mediale që e përfshijnë ndërmjetësuesin e Qeverisë Kurti për furnizim me rezervat shtetërore, Ridvan Muharremin, edhe me çështje të tjera si tregtia ilegale me armë dhe krijimi i dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UÇK-së, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kërkuar që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urgjencë të fillojë hetimet për ta zbardhur të vërtetën e këtyre pretendimeve, raporton Ekonomia Online.

    Çitaku në një konferencë për medie tha se dje në dritën e zbulimit të fakteve të reja, raportimeve, edhe një herë më radhë, Qeveria Kurti u lidh me keqpërdorime dhe situata të shumta, të cilat, këtë herë, nuk ishin vetëm materiale.

    “Reagimi i Institucioneve të Drejtësisë duhet të jetë emergjent. Të gjithë ju, të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, dëgjuat dhe patë, me zë dhe figurë, dëshminë e një personi i cili ndërlidhë ndërmjetësuesin e Qeverisë Kurti për furnizim me rezervat shtetërore, Ridvan Muharremin, edhe me çështje të tjera. Tregtia ilegale me armë, gjetja nga hiqi apo krijimi i dëshmitarëve të paqenë kundër krerëve të UÇK-së dhe zhdukja e një politikani të PDK-së, të gjithat ishin subjekt i kësaj dëshmie – e cila sot kërkon vetëm një gjë: Hetim, Hetim, Hetim. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me urgjencë duhet të veprojë për ta zbardhur të vërtetën e këtyre pretendimeve, sepse ato nuk përfaqësojnë më vetëm korrupsionin enorm në të cilin është zhytur kjo Qeveri, por edhe rrezikun që i kanoset lirisë, demokracisë e kombit tonë nga mentaliteti zhvatës e shkatërrimtar i kësaj Qeverie”, shtoi ajo.

    Sipas Çitakut, këto deklarata dhe veprime të Ridvan Muharremit, mikut dhe bashkëpunëtorit të Kryeministrit Kurti, paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në drejtësi.

    “Mbi të gjitha, këto kërkesa specifike të Ridvan Muharremit për gjetjen e “katër dëshmitarëve katolikë”, ndikojnë në nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes ndër-fetare dhe popullore në vendin tonë. A ka qenë ndonjëherë në Mejë të Gjakovës Ridvan Muharremi, apo kushdo i cili e ka porositur që të bëjë kërkesa të tilla? Prandaj, meqë çështja është serioze, PDK kërkon edhe veprime serioze, të përgjegjshme dhe të shpejta, të të gjitha institucioneve relevante të drejtësisë. Situata të tilla nuk guxojnë të kalojnë pa u hetuar, sqaruar e më pas, padyshim, edhe pa u dënuar”, theksoi ajo.

    Çitaku ka pyetur se kush e ka autorizuar Ridvan Muharremin për tregti ilegale me armë, kush e ka autorizuar atë për prodhimin e dëshmitarëve të rrejshëm kundër krerëve të UÇK-së, kush ia ka kërkuar atij zhdukjen e një politikani të PDK-së dhe për cilin politikan bëhet fjalë, si dhe cili është roli i Kryeministrit Kurti dhe i zyrtarëve tjerë qeveritarë në të gjithë këtë aferë të paskrupullt.

    “Ndërkaq, kërkesat tona për Prokurinë e shtetit janë të qarta. Niseni menjëherë dhe urgjentisht një hetim profesional mbi pretendimet e fundit të dëshmitarit në fjalë. Niseni menjëherë dhe urgjentisht hetimin e Ridvan Muharremit, përfaqësuesit të Qeverisë së Kosovës për furnizimin e rezervave shtetërore. PDK kërkon që të hetohet edhe Kryeministri Albin Kurti, emri i të cilit është ndërlidhur ngushtë me deklaratat e fundit, për çështje anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. Sot, nuk ka asnjë temë më të rëndësishme për gjithë sistemin e drejtësisë, sesa hetimi urgjent i gjithë kësaj situate. Qytetarët kanë nevojë për sqarime dhe llogaridhënie, nga të gjithë të përfshirët në këtë aferë të turpshme. PDK kërkon hetim dhe përgjegjësi. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, përfundoi Çitaku.

  • “Sofia” shkakton të qeshura në studio: Përpara kanë bo sehire në dasma, tash ja pse nuk po munden më

    “Sofia” shkakton të qeshura në studio: Përpara kanë bo sehire në dasma, tash ja pse nuk po munden më

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në emisionin e mbrëmshëm, mysafir në këtë emision ishte edhe aktori Adnan Blaku në rolin e Sofisë, i cili krijoi disa situata mjaft komike.

    Derisa “Sofia” u pyet se çfarë mendimi ka “ajo” për organizimin e dasmave tash dhe në të kaluar, përgjigja e “saj” epike, shkaktoi të qeshura në studio.

    Për të kuptuar përgjigjen, klikoni në videon e mëposhtme:

  • Këto janë lulet që mbushin shtëpinë me oksigjen

    Këto janë lulet që mbushin shtëpinë me oksigjen

    E dinit se ajri brenda shtëpisë mund të jetë shumë herë më i ndotur se ajri jashtë saj?

    Ambientet e mbyllura thithin shumë energji dhe kimikate brenda tyre. Për fat të mirë bimët na ndihmojnë që të arrijmë ta filtrojmë ajrin në mënyrë të vazhdueshme dhe natyrale në çdo ambient.

    Por vetëm një lloj i caktuar lulesh arrijnë ta kryejnë plotësisht këtë proces.

    Një studim i vitit 2016 nga NASA, të cilit i referohet AgroWeb.org tregoi për rëndësinë e këtyre bimëve në jetën tonë të përditshme.

    Këto bimë përveçse do të filtrojnë ajrin do të thithin lagështinë, eliminojnë erën e keqe dhe të pastrojnë pluhurin nga shtëpitë tuaja.

    Fieri

    Për vite të tëra lulja e fierit ka zënë vend në shtëpitë dhe kopshtet shqiptare. Mund ta vendosni në çdo zonë të shtëpise, në sallon gjethet e shpeshta jeshile do t’i japin shtëpisë shumë stil dhe dritë.

    Kjo bimë shumë voluminoze dhe e bukur është shumë e thjeshtë për t’u mbajtur në ambientet e shtëpisë nga çdokush. Fieri ndihmon në pastrimin e toksinave të dëmshme që ju rrethojnë. Është mirë ta mbani në zona me lagështirë ku nuk bie shumë dielli.

    Sigurohuni ta ujisni rregullisht në mënyrë që të shpërndajë sa më shumë oksigjen brenda dhomave tuaja.

    Lule shpata

    Nëse po kërkoni një lule e cila mund të rritet edhe pa shumë kujdes, lule shpata është e duhura për ju. Është një ndër lulet më të përhapura nëpër ambiente të brendshme dhe jo pa qëllim.

    Lule shpata do të veprojë si një pastrues ajri natyral për shtëpinë tuaj. Mbajeni në ato zona të shtëpisë ku bie më shumë dielli dhe ujiteni çdo 2-6 javë. Gjatë ujitjes spërkasni edhe gjethet e luleve me pak ujë sigurohuni të mos e ujisni shumë.

    Zambaku

    Zambaku është një bimë me gjethe të mëdha jeshile dhe lule të bardha. Një dekoruese shumë e mirë dhe e dobishme për shtëpinë.

    Perfekte për t’u mbajtur në tavolinë apo në ambientet e dhomës. Zambaku do t’ju ndihmojë të filtroni pluhurin dhe ajrin e rënduar nga çdo ambient.

    Mbajeni të hidratuar dhe në vende me shumë dritë natyrale.

    Fikusi

    Një bimë që rritet në vazo të mëdha perfekte për dekorim dhe pastrimin e ajrit.

    Gjethet e mëdha janë dekori i duhur për shtëpinë tuaj. Mund ta lini në një cep të dhomës pasi nuk kërkon shumë dritë natyrale.

    Ujiteni sa herë që të shikoni se dheu në vazo është plotësisht i thatë. Në verë përsëriteni i këtë proçes 1 herë në javë.

  • NATO-ja dërgon ndihma për Slloveninë pas përmbytjeve

    NATO-ja dërgon ndihma për Slloveninë pas përmbytjeve

    Vendet anëtare të NATO-s kanë filluar të ofrojnë ndihmë urgjente për Slloveninë e cila është goditur nga përmbytjet, thanë të hënën nga aleanca.

    Duke folur në telefon me kryeministrin slloven Robert Golob, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu ngushëllimet e tij dhe solidaritetin e fortë të NATO-s me Slloveninë, thuhet në një deklaratë, shkruan AA.

    “Unë e mirëpres që aleatët e NATO-s u ngritën me oferta të menjëhershme mbështetjeje, duke përfshirë helikopterë, ura modulare, ekskavatorë dhe ekspertizë inxhinierike”, tha Stoltenberg, përcjell KosovaPress.

    Përmbytjet e rënda të fundjavës kanë prekur dy të tretat e vendit, duke lënë të vdekur të paktën gjashtë persona dhe duke lënë qindra persona pa strehë.

    Me kërkesën e Sllovenisë për ndihmë nëpërmjet Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive Euro-Atlantike të NATO-s (EADRCC) pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet rekord javën e kaluar, Spanja ofroi një helikopter të rëndë CH-47 dhe deri 25 personel, duke përfshirë një ekuipazh dhe staf mbështetës.

    Aleatët e NATO-s po ofrojnë gjithashtu mbështetje përmes Bashkimit Evropian. Bullgaria, Kroacia, Gjermania dhe Franca kanë ofruar mbështetje duke përfshirë helikopterë, ekskavatorë, ura modulare dhe ekipe inxhinierike.

    SHBA ka vendosur gjithashtu staf në kryeqytet, në Ljubljana, për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar nevojat urgjente humanitare.

  • Parashikimi i motit, këto priten të jenë temperaturat për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit, këto priten të jenë temperaturat për sot dhe nesër

    Në Kosovë sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të herëpashershme, derisa priten edhe reshje shiu në zonat malore.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Peja me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 30 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale, për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 25 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:.

  • PDK thërret konferencë për medie

    PDK thërret konferencë për medie

    Partia Demokratike e Kosovës sot do të mbajë konferencë për medie.

    Kështu është bërë e ditur nga vetë kjo parti përmes një komunikate për media ku është shtuar se konferenca do të zhvillohet në selinë qendrore të kësaj partie.

    Në komunikatë shtohet edhe se konferenca do të fillojë në orën 11:00, ndërsa arsyet s’janë dhënë.

  • Haradinaj falënderon nënshkruesit e letrës dërguar drejt ShBA-së dhe BE-së: Ky akt është vule se Kosova është euro-atlantike

    Haradinaj falënderon nënshkruesit e letrës dërguar drejt ShBA-së dhe BE-së: Ky akt është vule se Kosova është euro-atlantike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur mirënjohjen ndaj politikanëve të shteteve mike të Kosovës të cilët i janë drejtuar me letër mbështetëse ndaj Kosovës, liderëve në BE, Washington dhe Britani të Madhe. Ai shtoi se ky akt është vulë se Kosova është euro-atlantike.

    Shkrimi i plotë:

    Falënderim i veçantë për ligjvënësit e Komiteteve të Punëve të Jashtme nga shtetet mike të Kosovës për letrën e dërguar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, Brit dhe Washingtonit në mbështetje të Kosovës.

    Arritjet e deritanishme si shtet i kemi falë ndihmës dhe bashkërendimit me aleatët tanë, me ShBA-të në veçanti. Ky akt është vulë e asaj se Kosova është euro-atlantike dhe se ky përkushtim do të jetë i përhershëm.

  • Mbi një orë pritjet në dalje të Merdares

    Mbi një orë pritjet në dalje të Merdares

    Mbi një orë po presin mërgimtarët për të dalë nga pika kufitare në Merdarë, teksa kolona është 600 metra.

    Në të njëjtën pikë kufitare, për të hyrë ka pritje deri në 5 minuta. Ndërkaq, te Dheu I Bardhë pritjet në hyrje e dalje janë nga 5 minuta.

    Ndërkohë, në pikat tjera kufitare tokësore situata është e qetë, me pritje-daljet që shkojnë nga 5  minuta.

    Kujtojmë, se në ditët e fundit ka pasë fluks të madh të mërgimtarëve që kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të Evropës e më gjerë, për të kaluar pushimet në Kosovë.