ATV

Author: G.O.

  • LDK-ja nis mobilizimin për zgjedhje, zhvillon takim online me mërgatën

    LDK-ja nis mobilizimin për zgjedhje, zhvillon takim online me mërgatën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka mbajtur një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e kësaj partie në mërgatë.

    Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se i ka njoftuar për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat, sipas tij, fatkeqësisht kanë dështuar, përkundër vullnetit maksimal dhe kërkesave minimale të partisë.

    Ndër të tjera, Abdixhiku njofton se është dakorduar për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë.

    Postimi:

    Në vijim të zhvillimeve të fundit, dhe në përgatitje për hapat e ardhshëm, mbajtëm një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e LDK-së në mërgatë.

    I njoftova për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit tonë maksimal dhe kërkesave tona minimale – veç demokraci. Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe per Lidhjen.

    Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët.

    U dakorduam për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë. Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë.

    Koha për pritje ka përfunduar.

    Koha për veprim ka nisur.

     

  • Ukraina i kërkon Turqisë ndihmë për organizimin e takimit Zelensky–Putin

    Ukraina i kërkon Turqisë ndihmë për organizimin e takimit Zelensky–Putin

    Ukraina i ka kërkuar Turqisë të ndihmojë në organizimin e një takimi të mundshëm mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ringjallur bisedimet e paqes, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha.

    Sibiha ka deklaruar se kërkesa i është bërë jo vetëm Turqisë, por edhe disa kryeqyteteve të tjera, duke theksuar se Ukraina është e gatshme të shqyrtojë çdo vend si mikpritës të mundshëm, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë.

    Sipas tij, Bjellorusia nuk është një opsion për shkak të rolit të saj si aleate e Rusisë dhe përdorimit të territorit të saj në fillimin e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Ai shtoi se Ukraina do të pranonte çdo vend neutral që mund të lehtësojë dialogun.

    Nga ana tjetër, Kremlini ka deklaruar se është i gatshëm që Zelensky të zhvillojë takim në Moskë, por presidenti ukrainas e ka përjashtuar këtë mundësi.

    Ministri Sibiha nuk ka dhënë detaje mbi përgjigjen e Turqisë ndaj kërkesës, por ka theksuar se Kievi mbetet i hapur për çdo iniciativë ndërkombëtare që mund të çojë drejt një zgjidhjeje të luftës që vijon prej më shumë se katër vitesh.

  • Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 63 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 63 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Vetëm në 24-orëshin e fundit janë shënuar 1,795 gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

    Siç bëhet e ditur në raportin policor, gjatë ditës së djeshme nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, 27 aksidente trafiku me persona të lënduar, si dhe 36 aksidente me dëme materiale.

    Sa i përket sigurisë publike, janë arrestuar 13 persona, ndërsa 10 persona janë dërguar në mbajtje. Gjatë kësaj periudhe nuk është raportuar asnjë rast i ndalimit policor.

  • Pse ju dridhet syri, dhe kur duhet të shkoni te mjeku

    Pse ju dridhet syri, dhe kur duhet të shkoni te mjeku

    Shumica e njerëzve së paku njëherë janë ballafaquar me problemin e dridhjes së qerpikut.

    Ky fenomen njihet me emrin miokimi, dhe ndodh për shkak të tkurrjes spontane të muskujve të vegjël të vendosur në qerpikë.

    Kjo ndodh për shkak të irritimit të mbaresave nervore, të cilat i irritojnë muskujt dhe më së shpeshti kalon vetvetiu pas një deri në tri javë.

    Nëse ju ndodh fuqishëm ose shpesh dhe nuk ju zvogëlohet, duhet të shkoni te oftalmologu në mënyrë që të verifikohet se a është në rregull dioptria e syrit.

    Cilat janë shkaktarët më të shpeshtë të miokimisë dhe si ta zbusni këtë problem?

    Stresi

    Stresi është shkaktari kryesor i dridhjes së qerpikut. Zakonisht zgjat për një javë ose derisa të zgjasë periudha e stresit. Mësojini disa teknika të relaksimit, bëni ushtrime, flini më shumë dhe organizohuni më mirë.

    Kafja

    Shumë ekspertë mendojnë që stimulantët si kafeina, e shkaktojnë dridhjen e qerpikut. Nëse e keni shtuar sasinë e kofeinës, do të ishte mirë që ta zvogëloni atë. Keni kujdes në marrjen e lëngjeve, prandaj me kafe gjithmonë pini një gotë ujë.

    Mungesë e magnezit

    Mungesa e mineraleve, më së shpeshti magnezit mund të çojë deri tek miokimia. Hani spinaq, bajame dhe arra, ose merrni suplemente të këtij minerali.

    Sytë e thatë

    Sytë e thatë tej mase mund të jenë si pasojë e mplakjes, mbajtjes së thjerrëzave apo edhe si pasojë e marrjes së disa medikamenteve të caktuara. Përdorni lot artificialë ose lagni sytë me ujë të ftohtë.

    Tendosja e syrit

    Shumë shprehi sjellin deri te tendosja e syve dhe dridhja e qerpikëve. Disa nga fajtorët më të shpeshtë: mosmbajtja e syzeve gjatë ditëve me diell, mosmbajtja e syzeve me dioptri të drejtë, shikimi i gjatë në kompjuter ose telefon mobil. Sytë duhet të pushojnë mirë!

    Shtangia e nofullës ose kërcitja e dhëmbëve

    Shumë njerëz shtangin nofullën ose kërcasin dhëmbët, posaçërisht në gjumë, dhe kjo quhet bruksizëm. Duhet të kontrolloheni te stomatologu dhe në këtë rast duhet që të mbani mbrojtëse për dhëmbët. Në ndërkohë, bëjini masazh të lehtë nofullës nga jashtë dhe brenda. Kjo do t’i lëshojë muskujt e fytyrës dhe do ta lehtësojë problemin.

    Shkaktarët tjerë potencialë

    Nganjëherë dridhja e qerpikut mund të jetë si tregues i ndonjë problemi të rëndë medicinal. Hipoglikemia, sëmundja e Parkinsonit, sindroma Turetov dhe problemet neurologjike, gjithashtu mund të shkaktojnë dridhjen e qerpikëve.

    Nëse i keni provuar të gjitha këshillat e cekura më lartë dhe dridhja ende vazhdon, vizitohuni te mjeku

  • Për tre muaj Prokuroria e Pejës ngriti 371 aktakuza kundër 458 personave

    Për tre muaj Prokuroria e Pejës ngriti 371 aktakuza kundër 458 personave

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se për periudhën tre mujore janar, shkurt mars, ka ngritur gjithsej 371 aktakuza, kundër 458 personave për vepra të ndryshme penale.

    Nga departamenti i krimeve të rënda, departamenti i përgjithshëm dhe për të mitur, prokurorët e shtetit, kanë ngritur 371 aktakuza, ndaj 458 personave për lloje të ndryshme të veprave penale nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

    Mesatarja për muaj e ngritjes se aktakuzave është 124, kurse e personave të akuzuar rreth 153 persona të akuzuar për një muaj pune.

    Prokuroria Themelore në Pejë thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe gjithë atyre personave që bien ndesh me ligjin komfor Kodit Penal i Republikës së Kosovës.

  • Britania miraton ligjin historik për ndalimin e duhanit

    Britania miraton ligjin historik për ndalimin e duhanit

    Londra ka miratuar një ligj historik që synon krijimin e një “brezi pa duhan”, duke ndaluar përgjithmonë shitjen e cigareve dhe produkteve të nikotinës për të gjithë personat e lindur pas 1 janarit 2008.

    Sipas këtij ligji të ri, i miratuar nga Parlamenti britanik, as cigaret tradicionale dhe as pajisjet elektronike të duhanit (vape) nuk do të mund të blihen ligjërisht nga ky brez, edhe kur ata të arrijnë moshën madhore.

    Masa parashikon gjithashtu rritjen graduale të moshës ligjore për blerjen e duhanit çdo vit, deri në zhdukjen e tij të plotë nga përdorimi i ligjshëm.

    Zyrtarët britanikë e kanë cilësuar këtë vendim si një hap historik në shëndetin publik, duke deklaruar se synimi është krijimi i një gjenerate pa varësi nga nikotina.

    “Ky është një hap historik që do të krijojë një brez pa nikotinë”, kanë deklaruar përfaqësues të qeverisë.

    Ligji tani pritet të marrë miratimin formal nga Mbreti Charles III-të, i cili përbën hapin e fundit për hyrjen e tij në fuqi.

    Nëse nënshkruhet, Mbretëria e Bashkuar do të bëhet vendi i parë në botë që ndërmerr një masë të tillë ligjore për eliminimin gradual të duhanit nga shoqëria. /Telegrafi/

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Shëndetësi

    Dështon mbledhja e Komisionit për Shëndetësi

    Ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi e paralajmëruar për sot.

    Kjo mbledhje ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

    Në këtë mbledhje pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i raportit përfundimtar për Projektligjin nr.10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

    Kryetari i këtij komisioni nga radhët e VV-së, Haxhi Avdyli ka thënë se do të njoftojnë për mbledhjen e ardhshme.

  • Korab Blakaj publikon librin “Shqiptari përballë rrënimit”, një reflektim mbi gjendjen dhe aspiratën kombëtare

    Korab Blakaj publikon librin “Shqiptari përballë rrënimit”, një reflektim mbi gjendjen dhe aspiratën kombëtare

    Vepra “Shqiptari përballë rrënimit” nuk paraqet thjesht një kontribut bibliografik në fushën e polemikës politike, por shpalos një traktat të mirëfilltë të filozofisë politike dhe sociologjisë kritike, që synon të ndërtojë një ontologji të krizës shqiptare në agimin e shekullit XXI. Ky punim manifestohet si një përpjekje monumentale për të rishkruar narrativën e munguar të kombit që po përjeton një erozion identitar dhe një rrënim moral të përmasave strukturore. Narrativa, kategorikisht refuzuese ndaj korrektësisë politike dhe konformizmit akademik, e shtyn autorin të mbështetet në një metodologji që ndërthur analizën gjeopolitike, etikën e virtytit dhe përkushtimin patriotik, duke e trajtuar “shqiptarinë” jo si një atribut statik të lindjes, por si një akt serioz ndërgjegjeje, një përgjegjësi të lartë historike dhe një detyrë që kërkon një pakt të ri shoqëror, të bazuar mbi dinjitetin, atdhedashurinë dhe vetëmohimin.Në thelb të kësaj vepre qëndron vlerësimi radiografik i fenomenit të “shtetit të kapur”, të cilin autori e zbërthen si një proces të programuar degjenerimi dhe jo si një dështim sporadik të tranzicionit demokratik. Analiza fokusohet në dështimin e plotë të meritokracisë së pasluftës dhe në dështimin për të prodhuar një elitë shtetformuese me vizion strategjik kombëtar, e cila u zëvendësua nga një kastë “matrapazësh” politikë që shndërruan dijen dhe aftësinë profesionale në lojalitet tribal. Kjo kapje sistematike e institucioneve përshkruhet si një “aksident i rëndë historik”, ku zyrat e shtetit janë shndërruar në postblloqe interesash private dhe parlamenti në një “cirk mediokriteti” e sfilatë narcizmi, duke humbur autoritetin moral dhe politik në raport me qytetarin.

    Autori sfidon logjikën e parlamentarizmit mekanik, duke argumentuar se një shumicë pa bosht etik dhe busull kombëtare është thjesht një gangrenë e legjitimuar përmes votës, që kërkon amputim për hir të shpëtimit.

    Ai propozon një sistem përfaqësimi ku pesha e vendimmarrjes bazohet te virtyti, sakrifica, përkushtimi patriotik dhe integriteti intelektual.Në dimensionin e sigurisë kombëtare dhe gjeopolitikës, vepra ofron një analizë koncize të luftës hibride, duke e pozicionuar Kosovën si një fushëbetejë të padukshme të aleancës Serbi-Rusi. Autori identifikon qartë “kolonën e pestë” që operon përmes infiltrimit në media, OJQ dhe segmente fetare, me qëllim paralizimin gradual të shtetit përmes relativizimit të luftës për liri dhe minimit të identitetit kombëtar, në këmbim të një imitimi të avangardizmit dhe kozmopolitizmit të shoqërisë sonë. Një ashpërsi e veçantë analitike drejtohet ndaj “Shqipërisë zyrtare”, e cila portretizohet si një faktor rreziku strategjik për shkak të braktisjes së doktrinës së bashkimit dhe ndjekjes së agjendave diversioniste “ballkanike” që cenojnë vijat e kuqe të sovranitetit. Kjo brishtësi shtetërore, e lënë në mëshirë të garancive të përkohshme ndërkombëtare pa një mbrojtje ushtarake të mirëfilltë bilaterale, paraqitet si një vakum strategjik dhe rrezik permanent që kërkon urgjentisht kalimin në një vizion të ri sovranist dhe një doktrinë ofensive të sigurisë kombëtare.

    Thelbi i vërtetë i këtij manifesti qëndron te thirrja për një ringjallje shpirtërore e intelektuale kundër dekadencës morale.

    Autori diagnostikon një shoqëri ku turpi është shpallur nocion abstrakt, ku rinia është viktimë e një shthurjeje të programuar mediatike dhe ku inteligjencia ka zgjedhur heshtjen oportuniste ose “komoditetin e karriges në sistem” si mjet mbijetese. Tradhtia moderne, sipas autorit, nuk është më akti i thjeshtë i hapjes së portave për armikun, por tjetërsimi gradual i vlerave, institucioneve dhe idealeve kombëtare. Libri propozon figurën e “Njeriut të Madh”, individit inteligjent që në kohën e injorancës guxon të mbetet rebel dhe i pakorruptueshëm — si të vetmen shpresë për ringritje.Ky punim përfundon me një imperativ etik që tejkalon analizën e thjeshtë: ose do ta gjejmë vetveten përmes një elite të re të bazuar në kultin e burrështetësisë së vërtetë, ose do të lejojmë që identiteti ynë të fshihet nga historia si një popull që dështoi të plotësonte misionin e vet historik. Ky libër është, në esencë, një akt rezistence që kërkon jo lexues pasivë, por bashkëluftëtarë në betejën për shpëtimin e nderit, të ardhmes, shpirtit tonë kombëtar dhe misionit historik të shqiptarëve. Libri mbetet një dokument i rrallë i guximit intelektual, i cili e sheh të keqen në sy, duke ofruar një strategji ringritjeje që fillon nga individi dhe përfundon te Shteti Kombëtar i Bashkuar si garanci e vetme për ekzistencën tonë në shekullin XXI.

     

  • Maqedonci: Kosova dhe ShBA vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

    Maqedonci: Kosova dhe ShBA vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

    Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes bashkëpunimit të zgjeruar ndërmjet institucioneve përkatëse, raporton Gazeta Sinjali.

    Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas takimit që ka zhvilluar me Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneral Major Stephen Osborn.

    Sipas Maqedoncit, në takim është diskutuar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.

    Ai ka theksuar se është vënë në pah rëndësia e partneritetit të deritanishëm, si dhe është dakorduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOWA-s mbetet një ndër shtyllat kryesore në ngritjen e kapaciteteve tona operacionale dhe ndërveprueshmërisë me partnerët strategjikë”, ka thënë Maqedonci.

    Ai ka falënderuar Gjeneral Osborn dhe përmes tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe forcimit të ushtrisë së saj.

  • Gjykata Supreme lë në fuqi paraburgimin për Pantiqin e Zariqin: Ekziston rreziku i arratisjes

    Gjykata Supreme lë në fuqi paraburgimin për Pantiqin e Zariqin: Ekziston rreziku i arratisjes

    Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile, duke lënë në fuqi vendimet për vazhdimin e paraburgimit ndaj tyre.

    Kërkesat ishin paraqitur nga mbrojtja kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, që kishin vendosur për vazhdimin e masës së paraburgimit.

    “Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, ka vlerësuar se kërkesat janë të pabazuara, pasi rezulton ekzistimi i dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, me ç’rast janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Supremes.

    Sipas këtij institucioni, ekziston rreziku që të pandehurit të arratisen nëse mbrohen në liri, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, sanksionin e mundshëm, si dhe faktin që ata janë shtetas të Serbisë dhe posedojnë dokumente udhëtimi që u mundësojnë lëvizje jashtë vendit.

    “Në këto rrethana, masa e paraburgimit konsiderohet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin e rregullt të procedurës penale. Gjykata Supreme gjithashtu ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme dhe nuk kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa masat alternative janë vlerësuar si të pamjaftueshme në rrethanat konkrete”, thuhet në njoftim.

    Pantiq dhe Zariq akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Zariq, së bashku me pjesëtarë të forcave serbe, kanë keqtrajtuar civilë shqiptarë.

    Të pandehurit nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre.

    Sipas aktakuzës, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare nga shtëpitë e tyre në Komunën e Istogut, si dhe në plaçkitje, djegien e rreth 5 mijë shtëpive, shkatërrimin e pronave dhe vrasjen e 260 personave, prej të cilëve 19 fëmijë.