ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

    Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët, derisa në zonat malore pritet të ketë edhe vranësira.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 30 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me mot të kthjellët dhe intervale me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 31 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 36 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Ambasadorja amerikane: Për t’i arritur aspiratat euroatlantike, Mali i Zi duhet ta përkrahë sovranitetin e Kosovës

    Ambasadorja amerikane: Për t’i arritur aspiratat euroatlantike, Mali i Zi duhet ta përkrahë sovranitetin e Kosovës

    Ambasadorja e ShBA-së në Mal të Zi, Judy Rising Reike ka folur lidhur me atë se cilat hapa duhet t’i ndjekë Mali i Zi në mënyrë që t’i arrijë aspiratat euroatlantike.

    Reike ka potencuar që ky vend duhet të përkrahë sovranitetin e shteteve fqinje, përfshi atë të Kosovës.

    Ndër të tjerash ajo ka shkruar se Mali i Zi duhet të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

    “Në mënyrë që Mali i Zi të arrijë aspiratat euroatlantike, i nevojitet një qeveri që dënon agresionin e Rusisë, avokon për integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, po ashtu të përforcojë pjesëmarrjen aktive në NATO, të mbrojë të drejtat e minoriteteve dhe të përkrahë sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”, ka shkruar ajo në Twitter.

  • ​Ballkani sot synon hapin tjetër në Ligën e Konferencës

    ​Ballkani sot synon hapin tjetër në Ligën e Konferencës

    Kampioni i Kosovës në futboll Ballkani synon që ta bëjë hapin e radhës drejt fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

    Ata sot do ta zhvillojnë ndeshjen kthyese kundër skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln, raporton KosovaPress.

    Skuadra e Ilir Dajës futet në këtë ndeshje me epërsinë e dy golave nga ndeshja e parë e zhvilluar javën e kaluar në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Ndeshja nis nga ora 18:00.

  • Mbi 60 migratë dyshohet se kanë vdekur në brigjet afrikane

    Mbi 60 migratë dyshohet se kanë vdekur në brigjet afrikane

    Më shumë se 60 persona dyshohet se kanë vdekur pas gjetjes së një anijeje në brigjet e shtetit Kejp Vërd, në Afrikën Perëndimore.

    Në pamjet e publikuara në media është parë se 39 persona, përfshirë fëmijë, janë shpëtuar në ishullin Sal. Pothuajse të gjithë personat që kanë qenë në anije, e cila besohet se ka qenë në det për një muaj, kanë qenë nga Senegali.

    Zyrtarë të Kejp Vërdit kanë bërë thirrje për veprim global për migrimin, ashtu që të parandalohet humbja e mëtejme e jetës së njerëzve. Anija është identifikuar fillimisht të hënën, ka thënë policia shtetërore për agjencinë e lajmeve AFP.

    Fillimisht ka pasur raportime se ajo është përmbytur, por më vonë ajo është parë duke lëvizur. Ministria e Jashtme e Senegalit ka thënë të martën se anija është larguar prej një fshati të Senegalit më 10 korrik me 101 persona në të.

    Të mbijetuarit mund të kenë përfunduar në Kejp Vërd, mirëpo ky shtet besohet se nuk ka qenë destinacioni i tyre. Ky shtet gjendet rreth 600 kilometra larg rrugës që bëjnë emigrantët drejt Ishujve Kanare, territor spanjoll, i cili për shumë emigrantë është rrugë drejt Bashkimit Evropian.

    Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrantë (IOM) kjo është një prej rrugëtimeve më të rrezikshme që mund ta bëjnë migrantët.

    Shifrat e sakta nuk dihen për shkak të migrimit të parregullt, mirëpo besohet se në periudhën 2020 – 2023, të paktën 67.000 persona kanë shkuar në Ishujt Kanare. Në të njëjtën periudhë, mbi 2.5000 persona kanë vdekur. /REL

  • 25 vjet nga vrasja e dëshmorit Cen Dugollit

    25 vjet nga vrasja e dëshmorit Cen Dugollit

    Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e dëshmorit të UÇK-së, Cen Dugolli.

    Dugolli ishte njëri ndër veprimtarët e parë të rezistencës, i cili u vra më 17 gusht 1998 nga forcat serbe në burg.

    Ai vdiq nga torturat e shumta që i bënë policët serbë, por asnjëherë nuk u dorëzua e nuk tregoi për veprimet çlirimtare që po përgatisnin shokët në ilegalitet.

    Bashkëshortja dhe fëmijët për disa vite me radhë jetojnë në Francë.

  • ​25 vjet nga rënia heroike e Skënder Haxhi Çekut

    ​25 vjet nga rënia heroike e Skënder Haxhi Çekut

    Sot mbushen 25 vjet nga rënia heroike e dëshmorit gjeneral Skënder Haxhi Çekut.

    Skënder Çeku u lind më 1 janar 1955 në Qyshk të Pejës. Ai në vitin 1996 shpërngulet nga Zvicra dhe vendoset në Tiranë. Banesa e tij u bë bazë e fuqishme armatimi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gjatë kësaj kohe, kontakton shumë shokë të veprimtarisë, të cilët më vonë edhe do të bien dëshmorë, si Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

    Pas shpërthimit të luftës në Kosovë, Skënderi u autorizua të angazhohet në sferën e logjistikës së armatimit dhe ngritjen e bazave të UÇK-së në zonat e kufirit Kosovë-Shqipëri.

    Ai në fillim të verës së vitit 1998 hyri në Kosovë së bashku me dhjetëra bashkëluftëtarë, duke sjellë një sasi të madhe armatimi.

    Sulmi i parë i forcave serbe mbi fshatin Loxhë, më 6 korrik 1998, Skënderin e gjeti në istikamet e UÇK-së. Në këtë betejë ai u shqua me guxim dhe aftësi të rrallë luftarake.

    Mirëpo, luftëtarët e lirisë, Loxhën e kishin bërë fortifikatë të pathyeshme, mbi të cilën sulmet e armikut u përsëritën edhe më të ashpra, më 15 korrik.

    Në këto sulme, kundër pozicioneve të UÇK-së, Skënder Çeku u plagos rëndë dhe me gjithë përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën, ai hyri në përjetësi, duke ia shtuar lavdinë Kosovës dhe ushtrisë së saj çlirimtare.

    Bashkëluftëtarët e varrosën në fshatin Semetisht të Suharekës, ndërsa pas luftës trupi i dëshmorit u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan. Për merita të dëshmuara ushtarake, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka graduar, pas rënies, me gradën e gjeneralmajorit.

    Vepra e tij është lartësuar në monumente përkujtimore, por edhe në emra rrugësh e institucionesh. Në fshatin Loxhë të Pejës është zbuluar pllaka e tij përkujtimore, ndërsa emrin e këtij dëshmori e mori shkolla fillore e fshati Qyshk.

  • Sot paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Sot paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Sot pritet të paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Sot është dita e fundit e gjykimit për këtë javë.

    Dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje e ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë.

    Dëshmia e tij për tri ditë me radhë është dëgjuar në seancë private derisa ai është intervistuar nga prokuroria, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Rexhep Selimit.

    Dëshmitari me kodin 3879 ka dëshmuar nën masa mbrojtëse ndërsa në një pjesë të dëshmisë së tij, kur seanca ishte publike, ai ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai ka dëshmuar rreth periudhës së vitit 1998 dhe zonës së Llapushnikut.

    Ndërsa të enjten në gjykatore do të paraqitet dëshmitari i radhës i prokurorisë.

    Dëshmitari i shtatëmbëdhjetë do të ketë masa mbrojtëse por pritet që pjesë të dëshmisë së tij të dëgjohen edhe në seancë publike.

    Deri tani në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 16 dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur dhe në seanca private, përveç ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit dhe një oficeri britanik, të cilët kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse.

    Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur me 3 prill ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Ministri Aliu takon Ali Ahmetin, flasin për rrugën Prizren-Tetovë

    Ministri Aliu takon Ali Ahmetin, flasin për rrugën Prizren-Tetovë

    Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu të mërkurën ka qëndruar në Maqedoni të Veriut, ku është takuar me zëvendëskryeministrin e këtij shteti, Artan Grubi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

    Ministri Aliu njofton në këtë takim kanë biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit, rifuqizimin e lidhjeve historike e kulturore, dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për projekte në dobi të të gjithë Shqiptarëve.

    “Mes tjerash, biseduam për projektin shumë të rëndësishëm infrastrukturor rrugor që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe për hapat e mëtejmë për finalizimin e marrëveshjes financiare. Bashkërisht, u zotuam që këtë projekt të përbashkët ta realizojmë sa më parë. Jemi bashkë për rrugë që na bëjnë bashkë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa  Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve do të intensifikohen edhe më tej.

    Sipas Presidentes Osmani, Austria mbetet aleate e rëndësishme, e cila e ka mbështetur Kosovën në faza të ndryshme të shtetndërtimit.

    Presidentja Osmani ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e palëkundur, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Në takim me ambasadorin Schnetzer, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e forcimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, tregtisë, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

  • “Smart Patrol” identifikon autobusin pa regjistrim, gjobitet shoferi me 300 euro

    “Smart Patrol” identifikon autobusin pa regjistrim, gjobitet shoferi me 300 euro

    Policia e Kosovës përmes veturës me pajisje inteligjente “Smart Patrol” ka identifikuar duke qarkulluar një autobus pa regjistrim.

    Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.

    Shoferit të autobusit i është shqiptuar gjobë prej 300 euro ku të njëjtit i janë konfiskuar edhe targat.