ATV

Author: G.O.

  • Polici i vrarë në veri la pas vetes gruan e tre fëmijë

    Polici i vrarë në veri la pas vetes gruan e tre fëmijë

    Në familjen e policit të vrarë në veri, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë kanë nisur vizitat e familjarëve për ngushëllime.

    Pranë shtëpisë së policit të rënë në detyrë po qëndrojnë Policia e Kosovës dhe autoambulanca, pasi gjendja emocionale e familjarëve të tij është jo e lehtë.

    Gjatë orëve të para të mëngjesit, familjarët kanë shkuar edhe në QKUK ku kanë marrë lajmin se po kryhet obduksioni i policit të rënë në krye të detyrës e tek më pas do të mund ta marrin trupin e familjarit të tyre.

    Deri në këto momente nuk ka ndonjë informacion se për vizitë do të vijë dikush nga krerët e shtetit, por një gjë e tillë pritet ta bëjnë gjatë ditës.

    Polici i rënë në detyrë ka lënë prapa vetës gruan dhe tre fëmijë ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është jo e mirë aktualisht.

  • Sulmi tragjik në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë

    Sulmi tragjik në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë

    Forca të shtuara të Policisë së Kosovës bashkë me KFOR-in janë parë të stacionuara në rrugën Mitrovicë – Zveçan, përkatësisht në afërsi të Banjskës pas sulmit tragjik që ndodhi rreth orës 02:34, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy të tjerë.

    Pas këtij sulmi, kryeministri Kurti ka njoftuar se do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës në orën 10:00.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në Nju Jork.

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, konfirmoi për KosovaPress se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën dhe do të niset menjëherë drejt Kosovës.

    Kujtojmë se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. Ajo rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. Këshilli i Sigurisë i Kosovës duhet të ofrojë informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.

    Takimet e Këshillit të Sigurisë nuk janë të hapura për publikun.

  • Ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

    Ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

    Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.

    Gatishmëria është ngritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë.

    Njëkohësisht, ShSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë.

    ShSKUK ka shprehur ngushëllime të thella për familjen e policit të vrarë dhe të plagosurve iu uroi shërim të shpejtë.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

  • Kurti viziton policin e plagosur në veri

    Kurti viziton policin e plagosur në veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme e ka vizituar policin e plagosur në fshatin Banjskë në Zveçan.

    “Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit”, shkroi Kurti.

    Tutje, Kurti ka thënë se polici Alban Rashiti do të lirohet sot në shtëpi dhe se gjendja e tij është stabile.

    Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

  • Schneeberger i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim

    Schneeberger i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas vrasjes së rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosjes së një polici tjetër në fshatin Banjskë të Leposaviqit nga grupe kriminale.

    Schneeberger i tha shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se kjo ndodh kur “luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon”.

    “Kështu ndodh kur e qetëson Vuçiqin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrel, Mirsolav Lajçak”, shkroi Schneeberger.

  • Drejtori i Klinikës Torakale tregon për gjendjen e policit të plagosur: Ka qenë i plagosur në gjoks

    Drejtori i Klinikës Torakale tregon për gjendjen e policit të plagosur: Ka qenë i plagosur në gjoks

    Drejtori i Klinikës Torakale Nazmi Kolgeci ka thënë se polici i plagosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, është jashtë rrezikut për jetë.

    Ai ka thënë se së bashku me ekipin kujdestar kanë arritur t’ia largojnë një predhë nga ana e majtë e gjoksit.

    Kolgeci ka thënë se plumbi nuk i ka prekur organet vitale dhe se gjendja e tij është e mirë.

    “Në orët e para të mëngjesit kemi arrit ta kryejmë një intervenim ndaj tij dhe e kemi larguar një predhë (dyshohet të jetë plumb) nga ana e majtë e gjoksit. Fatmirësisht, nuk i ka prekur organet vitale të policit. Gjendja e tij shëndetësore është mirë dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën tonë”, u shpreh Kolgeci për EO.

  • Granata dore e zollë, detaje nga sulmi në veri ku mbeti i vrarë një polic

    Granata dore e zollë, detaje nga sulmi në veri ku mbeti i vrarë një polic

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Lajmi është dhënë nga kryeministri Albin Kurti përmes rrjeteve sociale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore. Policia ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja.

    Sipas kronologjisë, ngjarja ka rrjedhur kështu: Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa, dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhej, pasi e njëjta ishte bllokuar.

    Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

    Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

    Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

    Policia njofton se të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

    “Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor”, thotë policia.

  • Aliu thotë se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë janë intensifikuar

    Aliu thotë se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë janë intensifikuar

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë javë duke vazhduar.

    Ai ka thënë se në këtë aks janë intensifikuar punimet në të gjitha llotet dhe se po angazhohen që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejtë.

    “Ky aks rrugor është vënë në rrugën e duhur me intensifikimin e punimeve në të gjitha llotet. Po bëjmë çmos që këtë rrugë ta përfundojmë sa më parë, rrugë kjo e rëndësishme jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes me kryeqytetin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Aliu.

  • Eksportet bujqësore në Shqipëri shënuar rritje mbi 17 për qind

    Eksportet bujqësore në Shqipëri shënuar rritje mbi 17 për qind

    Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, Anila Denaj ka bërë të ditur se eksportet bujqësore shënuan rritje me 17.5 për qind, gjatë 8-mujorit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Sipas minstres Denajt, ato arritën në vlerë mbi 380 milionë euro nga rreth 320 milionë euro që ishin në 8-mujorin 2022.

    Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtare ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit.

    “Ecuria dhe rritja e vazhdueshme e eksporteve është pasqyrë e qartë e njerëzve të punës në bujqësi dhe suksesit të politikave të qeverisë për sektorin, të cilat na sjellin më afër me objektivin 1 miliard dollarë eksporte bujqësore deri në vitin 2030”, ka shkruar ministrja Denaj.

  • Arrestohet në Kukës shqiptari që po transportonte ilegalisht 27 emigrantë në drejtim të Kosovës

    Arrestohet në Kukës shqiptari që po transportonte ilegalisht 27 emigrantë në drejtim të Kosovës

    Është arrestuar një person në Shqipëri i cili po transportonte 27 emigrantë në drejtim të Kosovës.

    Emigrantët kishin paguar nga 200-400 euro për të dalë jashtë vendit, njofton Policia e Shqipërisë.

    “35-vjeçari i arrestuar, iu kishte premtuar transportimin nga Korça në drejtim të Kukësit, kundrejt pagesës 200-400 euro për person, 27 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe që synonin të kalonin po në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, me destinacion final vendet e BE-së”, thuhet në njoftim.

    Për 27 emigrantët nis procedura në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, ndërkaq rasti ka kaluar në prokurori.