ATV

Author: G.O.

  • ​Osmani premton mbështetje për studentët

    ​Osmani premton mbështetje për studentët

    Presidentja Vjosa Osmani ka takuar studentët shqiptarë në Universitetin Columbia në New York, ku ka premtuar mbështetje për studentët, duke thënë se janë shtylla e së ardhmes sonë.

    Osmani ka shkruar në X, se kishte një pasdite frymëzuese me studentët brilantë të shoqërisë shqiptare në Columbia.

    “Studentët tanë janë shtylla e së ardhmes sonë. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë që secili prej tyre të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të dhurojë sepse kur mendjet tona të reja lulëzojnë, Kosova lulëzon”, ka shkruar ajo.

  • Gjermania vendos kontrolle kufitare me Poloninë dhe Çekinë

    Gjermania vendos kontrolle kufitare me Poloninë dhe Çekinë

    Nancy Faeser, Ministrja gjermane e Punëve të Brendshme njoftoi për vendosjen e kontrolleve kufitare në kufirin me Poloninë dhe Republikën Çeke.

    “Unë mendoj se tani duhet të jemi pragmatikë dhe të vendosim kontrolle të palëvizshme kufitare në kufijtë me Poloninë dhe Republikën Çeke” tha Faeser (Partia Social Demokratike e Gjermanisë, SPD) në një intervistë për gazetën Welt am Sonntag, transmeton KlanKosova.tv.

    “Ky është vetëm një nga instrumentet që duhet të kontribuojë në uljen e numrit të refugjatëve që vijnë në Gjermani”, tha ajo.

    Për muaj të tërë, Faeser refuzoi kërkesën e opozitës dhe të shteteve federale në lindje të Gjermanisë, të cilat janë nën sulmin e një vale gjithnjë e më të fuqishme refugjatësh që kohët e fundit po mbërrijnë gjithnjë e më shumë përmes Republikës Çeke dhe mbi të gjitha Polonisë.

    Njoftimi i Faeser se do të vendoste kontrolle ndaj Polonisë dhe Republikës Çeke u mirëprit nga sindikatat e policisë si dhe nga opozita kristiandemokrate.

  • Detaje për Maratonën e nesërme të Prishtinës

    Detaje për Maratonën e nesërme të Prishtinës

    Nesër në kryeqytet mbahet Maratona “Prishtina 2023”.Sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, nisja do të bëhet nga ora 9:00 para Teatrit Kombëtar, sheshi “Skënderbeu”.

    Kryetari i FAK-ut, Halil Sylejmani i Federatës së Atletikës e Kosovës (FAK), ditë më parë tha se organizimi i kësaj maratone ka filluar para 22 vitesh dhe nuk është ndalur deri më sot, pasi që e ka bërë punën e vetë, e jo vetëm në Kosovë.

    Nga kjo maratonë do të ketë shpërblime edhe për atletët që zënë tetë vendet e para, ku shpërblimet do të jenë njëjtë sikurse për meshkujt ashtu edhe për femrat.

    Shpërblimet për vrapimin Maratonë (42.195 kilometra) te meshkujt dhe femrat: Vendi i parë (1 mijë euro), vendi i dytë (700 euro), vendi i tretë (400 euro), vendi i katërt (200 euro), vendi i pestë (150 euro), vendi i gjashtë (100 euro), vendi i shtatë (70 euro) dhe vendi i tetë (50 euro).

    Shpërblimet për vrapimin Gjysmë Maratonë (21.0975 kilometra): Vendi i parë (250 euro), vendi i dytë (200 euro), vendi i tretë (150 euro), vendi i katërt (100 euro) dhe vendi i pestë (50 euro).

  • Ish-konkurrentja e “Përputhen” flet për skandalin e dhunës që bëri bujë

    Ish-konkurrentja e “Përputhen” flet për skandalin e dhunës që bëri bujë

    Këngëtarja kosovare Brikenda Karrica e ftuar në emisionin “Libero” në ATV foli për karrierën e saj, familjen si dhe rrugëtimin e saj në muzikë dhe jo vetëm. Përveç si këngëtare Brikena (Briki) është njohur edhe për pjesëmarrjen e saj në një ‘reality show’ në Shqipëri për çka Briki thotë se për këtë është paragjykuar shumë.

    “Në fakt nuk e kam prit që kam me marr dashni aq shumë nga shqiptarët atje ndoshta më shumë se sa nga kosovarët mirëpo edhe jam paragjykua nga ajo që unë vij nga një fshat dhe ndoshta shpesh jam paragjykua prej atyre që i kam pasur të afërm dhe jo prej atyre që nuk i kam njohur”, tha ajo.

    Tutje Brikenda përmendi se si në javën e parë që ishte pjesë e këtij emisioni nuk është ndjerë e mirëpritur nga vajzat aktuale të programit.

    “Ka qenë dita ime e dytë në atë emision, ka qenë diçka e planifikuar besoj, ka qenë ngacmim direkt që besoj në plan ishte që Briki të nxjerrin një anë negative dhe e arritën atë qëllim sepse kisha shume emocione, stres dhe nuk disha se si me reagu. Për një moment një vajzë më është afru ka fol në mënyrë të ashpër dhe më ka godit dhe në atë të timen jam vetëmbrojtë, d.m.th. vetëm e kam largu”, shtoi ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: 

  • Superliga e Kosovës, sot derbi mes Llapit dhe Gjilanit

    Superliga e Kosovës, sot derbi mes Llapit dhe Gjilanit

    Superliga e Kosovës i rikthehet sot aksionit me dy ndeshje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e gjashtë të sezonit të ri.

    Të dy ndeshjet do të zhvillohen në orar të njëjtë, me fillim nga ora 15:00, ku spikat derbi mes Llapit dhe Gjilanit, raporton KosovaPress.

    Llapi hyn në këtë ndeshje si lider i Superligës me 10 pikë, kurse Gjilani renditet në vendin e shtatë me katër pikë.

    Ndërkaq, sot do të zhvillohet edhe ndeshja mes Dukagjinit dhe Fushë Kosovës në stadiumin “18 Qershori” të Klinës.

    15:00 Dukagjini – Fushë Kosova

    15:00 Llapi – Gjilani

  • Lufta në Ukrainë: SHBA do furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë ATACMS

    Lufta në Ukrainë: SHBA do furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë ATACMS

    Presidenti amerikan Joe Biden planifikon t’i japë Ukrainës raketa të avancuara me rreze të gjatë veprimi për të ndihmuar Kievin në kundërofensivë të vazhdueshme, raportojnë mediat amerikane.

    Mediat citojnë zyrtarë amerikanë të njohur me këtë çështje të kenë thënë se Ukraina do të marrë disa raketa ATACMS me një rreze veprimi deri në 190 milje (300 km).

    Kjo do t’i mundësonte Kievit të godiste objektivat ruse thellë pas vijës së frontit.

    Të paktën një raketë ukrainase goditi selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Krimenë e aneksuar të premten.

    Një burim ushtarak ukrainas i tha BBC-së se sulmi në portin e Sevastopolit u krye duke përdorur raketa Storm Shadow, të cilat furnizohen nga Britania dhe Franca, duke theksuar rëndësinë e armatimit perëndimor për Kievin.

    Raketa të tilla kanë një rreze prej pak më shumë se 150 milje.

    ‘NBC News’ dhe ‘Wall Street Journal’ citojnë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të kenë thënë se Presidenti Biden i tha homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky se Kievi do të merrte “një numër të vogël” raketash ATACMS (Sistemi i Raketave Taktike të Ushtrisë). Të dy udhëheqësit u takuan në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

    ‘Wall Street Journal’ shton se armët do të dërgohen në javët në vijim.

    As SHBA dhe as Ukraina nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht raportet e mediave amerikane./BBC/

  • Ushtroi dhunë psikike ndaj babait të vet, arrestohet

    Ushtroi dhunë psikike ndaj babait të vet, arrestohet

    Një person është arrestuar në Pejë, nën dyshimin se i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij viktimës mashkull kosovar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje në Pejë, ku me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Demi lavdëron Përparim Ramën: Po sillet më shumë si menaxher se sa si politikan

    Demi lavdëron Përparim Ramën: Po sillet më shumë si menaxher se sa si politikan

    Agron Demi, nga GAP e ka lavdëruar punën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

    Ai ka thënë se për herë të parë në histori një kryetar i kryeqytetit po sillet si menaxher dhe jo si politikan.

    Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka thënë se as kjo nuk po mjafton që Qeveria ta pengojë në punën e tij.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta ndihmojë Komunën e Prishtinë për ta financuar unazën e jashtme të qytetit.

    “JO alternativës për vetura, PO alternativës pa vetura. Për herë të parë në historinë e kryeqytetit, një kryetar po sillet ma shumë si menaxher se sa si politikan. Por as kjo nuk po mjafton që niveli qendror mos me blloku. Për inate partiake, ma përpara partitë janë në gjendje me i lanë qytetarët me u shtyp nga veturat se sa me ndërtu një mbikalim në veternik. Ma përpara janë në gjendje me na lanë me jetu në kaos, se sa me financu unazën e jashtme të qytetit. Ma përpara dëshirojnë me i shpu malet e me na bashku me shtete tjera, se sa me rregullu trafikun në kryeqytet”, ka shkruar Demi.

  • KFOR me trajnime për kontrollin e turmës dhe trazirave, publikon pamjet

    KFOR me trajnime për kontrollin e turmës dhe trazirave, publikon pamjet

    Misionit i KFOR-it, Njësia e Specializuar Shumëkombëshe, ka zhvilluar trajnime për kontrollin e turmës dhe trazirave këtë javë.

    “Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (MSU) zhvilloi trajnimin për Kontrollin e Turmave dhe Trazirave (CRC) këtë javë. Personeli italian italian, Karabinierët dhe personeli çek u stërviten së bashku për të vazhduar forcimin e ndërveprimit të njësisë dhe për të ruajtur aftësitë e tyre ushtarake dhe gatishmërinë operacionale”, tha KFOR-i në një postim në Facebook.

  • McGonigal pranon të gjitha akuzat e lidhura me Shqipërinë, akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga një shqiptaro-amerikan

    McGonigal pranon të gjitha akuzat e lidhura me Shqipërinë, akuzohet se mori 225 mijë dollarë nga një shqiptaro-amerikan

    Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi të premten fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

    Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

    Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk do të shkojë në gjyq. Kjo gjithashtu do të thotë që nuk do të bëhen publike të dhëna të tjera për këtë çështje.

    Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

    I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

    Zoti McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.

    Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

    Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.

    Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.

    “Përpara se të largohesha nga FBI në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin”, tha ai në gjykatë duke iu referuar kontakteve me qeverinë e Shqipërisë.

    Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.

    Zoti McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

    I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

    Në të njëjtën mënyrë ai u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A, ai i kishte bërë thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë, ndërkohë që personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare.

    Po ashtu ai pohoi që gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

    Pas seancës avokati i tij Seth Ducharme foli për gazetarët.

    Seth Ducharme

    Avokat i ish-zyrtarit të FBI-së, Chales McGonigal

    “Megjithëse ai mund të ketë pasur ose ka pasur, mendoj unë, disa interesa mjaft legjitime që përputheshin me Shtetet e Bashkuara për të mbajtur ato marrëdhënie, ai gjithashtu kishte qartazi interesa personale që të përgatiste terrenin pasi të largohej nga detyra t’i vazhdonte ato marrëdhënie. Pra, sigurisht që ishte diçka e papjekur”, tha ai.

    Ai shtoi se kur mendon të hapësh një firmë private konsulence, kur largohesh nga qeveria, “sa më shumë kontakte të kesh në të gjithë botën, aq më të shumta mundësitë për e biznes”.

    “Kështu, për disa prej njerëzve me të cilët ai (McGonigal), konsideroi zhvillimin e mundshëm të biznesit dhe burime për marrëdhënie të mëtejshme, ai aludoi në pranimin e fajësisë sot dhe ata hyjnë në këtë kategori”, tha ai.

    Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.

    Vepra penale për të cilën pranoi fajësinë zoti McGonigal në Uashington, parashikon një dënim deri në 5 vjet burg, por dënimi mund të jetë më i zbutur. Kushtet e marrrëveshjes parashikojnë që zoti McGonigal nuk ka të drejtën ta apelojë vendmin, i cili parashikohet të jepet në shkurt të vitit të ardhshëm.