ATV

Author: G.O.

  • Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm

    Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona për sulmin ndaj Policisë. Ata dyshohen për katër vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit e njëra nga to është për vepra terroriste.

    Avokati, Arbër Jashri, i tha Ekonomia Online se veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë veprat më të rënda që parashihen në Kodin Penal.

    Ai ka sqaruar se legjislacioni ka paraparë dënime, nëse të arrestuarit shpallen fajtor më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm.

    “Veprat penale kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë prej veprave më të rënda penale që i ka paraparë legjislacioni jonë penal, janë ato që e hapin Kodin Penal dhe për to janë paraparë dënime shumë të rënda”.

    “Personat që janë arrestuar po dyshohen për katër vepra penale, sulm ndaj rendit Kushtetues, vepra të rënda penale kundër rendit Kushtetues, përgatitja e veprave penale terroriste dhe vepra penale për armë mbajtje pa leje”.

    “Tek këto vepra të rënda kundër rendit Kushtetues, legjislacioni ka paraparë dënime të cilat vepra rezulton me vdekjen e ndonjë personi siç ka ndodhur dje, atëherë personat përgjegjës nëse shpallen fajtor do të dënohen ose mund të dënohet më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm”.

    Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.

    Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Manastiri i Banjskës nën kontrollin e policisë, shihen edhe makinat e EULEX-it

    Manastiri i Banjskës nën kontrollin e policisë, shihen edhe makinat e EULEX-it

    Policia e ka në kontroll gjithë perimetrin edhe të Manastirit në Banjskë të Zveçanit por edhe të gjithë fshatit për shkak të pranisë së madhe të saj.

    Një grup i disa makinave të blinduara të EULEX-it ka shkuar atje, ndërkaq grupet e forenzikës janë duke e kryer punën e tyre,

    Për më tepër, një grup i pelegrinëve kanë ngelur gjatë gjithë kohës në manastir dhe ende janë aty.

  • Hoxhaj: Përulje dhe nderim përgjithmonë për Afrim Bunjakun

    Hoxhaj: Përulje dhe nderim përgjithmonë për Afrim Bunjakun

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur mëngjesin e sotëm duke shpërndarë një fotografi të emblemës së Policisë së Kosovës, në nderim të policit Afrim Bunjaku. 

    Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkruar përulje dhe nderim për policin Afrim Bunjaku.

    “Përulje dhe nderim përgjithmonë për Afrim Bunjakun!”, ka shkruar Hoxhaj derisa ka publikuar edhe një fotografi të emblemës së Policisë së Kosovës.

    Sot, dijmë që në Kosovë është shpallur ditë zie nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në nderim të policit të vrarë dje nga bandat terroriste serbe në veri të Mitrovicës, Afrim Bunjakut.

  • Edi Rama: Mirëmëngjes me përuljen me nderim për Afrim Bunjakun

    Edi Rama: Mirëmëngjes me përuljen me nderim për Afrim Bunjakun

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditën e sotme e ka nisur me një postim në Facebook.

    Ai ka nderuar me përulje policin e vrarë dje në Veri, Afrim Bunjaku.

    “Mirëmëngjes me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, ka shkruar ai.

  • Sot varroset polici Afrim Bunjaku

    Sot varroset polici Afrim Bunjaku

    Polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në veri të vendit, do të varroset sot nga ora 16:00.

    Ai do të varroset në varrezat e fshatit Samadrexhë, sipas faqes jozyrtare të këtij fshati në Facebook.

    “Nesër nga ora 16:00 bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, Heroit, Afrim Bunjaku. I njoftojmë të gjithë bashkëvendësit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendësi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thotë njoftimi në këtë faqe.

  • Lajçak shkruan për domosdoshmërinë e dialogut, s’e përmend faktin se sulmuesit e Policisë ishin terroristë serbë

    Lajçak shkruan për domosdoshmërinë e dialogut, s’e përmend faktin se sulmuesit e Policisë ishin terroristë serbë

    Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka bërë edhe një deklarim tjetër mbi zhvillimet e djeshme në veri ku nga grupet terroriste serbe, mbeti i vrarë një polic kosovar.

    Por, duke mos përmendur fare faktin se sulmi ndodhi nga grupet terroriste të palës serbe, Lajçak flet për domosdoshmërinë e dialogut parandalues të dhunës.

    ’’Me t’u kthyer nga Nju Jorku këtë mëngjes, më takoi lajmi tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në margjinat e nivelit të lartë, fola me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, ne të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit.

    Takova gjithashtu gjashtë presidentët nga Ballkani Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të OKB-së, për të diskutuar mbi dinamikat rajonale. HR/VP Borrell organizoi gjithashtu një drekë tradicionale të Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar mesazhet tona për këtë javë në skenën globale.

    Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në Dialog, mbajta diskutime strategjike me partnerët tanë amerikanë.

    Këtë vit e vlerësova veçanërisht darkën me ish-kryetarët e Asamblesë së Përgjithshme dhe Presidentin aktual të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Ishte e mrekullueshme të kthehesha në OKB, por pas një jave të “takimit të shpejtësisë globale” ishte koha për t’u kthyer në Bruksel. Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara’’, ka shkruar ai.

  • Nata ishte e qetë në veri, Policia jep detaje

    Nata ishte e qetë në veri, Policia jep detaje

    Nata ka qenë e qetë në veri. Kështu tha për Express zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    “Situata ka qenë normale, e qetë”, tha shkurt ai.

    Dje në Zveçan, disa persona të armatosur kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur një polic, një të plagosur dhe dy të lënduar.

    Për këtë rast, në prangat e policisë kanë rënë gjashtë persona.

    Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

    Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë.

    Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

    Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

    Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri dhe njëri prej policëve u vra.

    Autoritetet thanë se sulmuesit – rreth 30 syresh – ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

    Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

    Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

    “I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha Sveçla, por nuk tha nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.

    Të vdekur kanë mbetur edhe tre nga sulmuesit e serb, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

  • Ditë zie në Kosovë për nder të policit Afrim Bunjaku, flamujt ulen ne gjysmështizë

    Ditë zie në Kosovë për nder të policit Afrim Bunjaku, flamujt ulen ne gjysmështizë

    E hëna e 25 shtatorit është shpallur ditë zie shtetërore nga presidentja Osmani. Kjo është bërë për të nderuar policin e Kosovës që u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

    “Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Presidencës.

    Dje në Zveçan, disa persona të armatosur kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke e lënë të vdekur një polic, një të plagosur dhe dy të lënduar.

    Për këtë rast, në prangat e policisë kanë rënë gjashtë persona.

    Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

    Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë.

    Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

    Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

    Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri dhe njëri prej policëve u vra.

    Autoritetet thanë se sulmuesit – rreth 30 syresh – ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

    Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

    Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

    “I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha Sveçla, por nuk tha nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.

    Të vdekur kanë mbetur edhe tre nga sulmuesit e serb, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

  • Policia: 3 sulmues janë vrarë, dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë i kemi arrestuar, situata vazhdon të jetë e tensionuar

    Policia: 3 sulmues janë vrarë, dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë i kemi arrestuar, situata vazhdon të jetë e tensionuar

    Policia e Kosovës ka dalë me njoftimin e fundit për sulmin terrorist në Banjskë ku ka bërë të ditur se dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë i kanë arrestuar.

    Policia thotë se situata vazhdon të jetë e tensionuar, por se e kanë nën kontroll.

    Komunikata e plotë:

    Si rezultat i përkushtimit dhe angazhimit të njësiteve relevante policore, në kuadër të perimetrit të caktuar të sigurisë është arrestuar edhe sulmuesi i dytë, i cili gjithashtu ka qenë në uniformë ushtarakedhe i armatosur me armë të gjata dhe municion.

    Deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

    Në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve,përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh.

    Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla,mitralozë, kallashnikov etj.

    Policia e Kosovës nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkë koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare.

  • Kryetari i Vushtrrisë ngushëllon familjen e policit të vrarë në veri

    Kryetari i Vushtrrisë ngushëllon familjen e policit të vrarë në veri

    Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi i ka shprehur ngushëllime familjes së policit Afrim Bunjaku i cili u vra sot gjatë detyrës në veri të Kosovës.

    “E nderuara Familja Bunjaku, lajmi për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku nga bandat terroriste kriminale serbe na goditi rëndë. Andaj, duke ndarë dhimbjen me juve në këto qaste të rënda, ju shpreh ngushëllimet më të thella për rreshterin Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës”, shkruan në postimin e Idrizit në Facebook.

    Polici që mbeti i vrarë është nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë.