ATV

Author: G.O.

  • DASh:Kosova e Serbia të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës

    DASh:Kosova e Serbia të bashkëpunojnë me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës

    Departamenti amerikan i Shtetit ka konsideruar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin e situatës në Kosovë është i nevojshëm.

    Zëdhënësi i DASH-it, Matt Miller, në një konferencë për media të mbajtur të martën ka thënë se për ta qetësuar situatën në veri është e nevojshme që të gjitha palët të punojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

    Kështu u shpreh ai derisa u pyet për qëndrimin e SHBA-së lidhur me propozimin që NATO-ja përmes KFOR-it të marrë kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

    “Mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të depërshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë, sundimin e ligjit dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Miller.

  • Limaj: AKI-ja e ka mundur BIA-n

    Limaj: AKI-ja e ka mundur BIA-n

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e ka mundur Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA) në veri të vendit.

    Ai ka thënë se shërbimi inteligjent i Kosovës ka qenë në dijeni për lëvizjet e grupit terrorist dhe stërvitjet e tyre.

    “Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës e ka mundur BDI-në dhe UDB-ën… Shërbimet tona kanë pasur informacione për lëvizjet e tyre, për stërvitjet e tyre. Një javë më parë, nëse e shihni deklaratën e Escobarit – Vuçiqit ‘të mos ta destabilizojë situatën’. Kjo ka qenë e qartë, është ditë se diçka po lëvizë atje. Informacione kemi pasur si siguri shtëtërore, si AKI, si inteligjencë e Policisë. Momenti se kur dhe ku do të vendosen është diçka që nuk mundesh më e përcjellë. Nuk është rastësisht që institucionet tona kanë qenë të përgatitura. Përndryshe, Njësia Speciale ka qenë e përgatitur”, ka thënë Limaj në emisionin “context” në ATV.

    Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.

    Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

  • Snajperisti gjerman komenton ikjen e terroristëve: Diçka këtu nuk shkon, po ecin si në një shëtitje të së dielës

    Snajperisti gjerman komenton ikjen e terroristëve: Diçka këtu nuk shkon, po ecin si në një shëtitje të së dielës

    Ish-snajperisti gjermano-amerikan i UÇK-së, Michael Spath, ka komentuar videon e terroristëve serbë duke ikur maleve, pamje që u transmetuan dje nga Associated Press.

    Spath ka thënë se në këtë video nuk sheh rezistencë nga Policia e Kosovës.

    Ai thotë se kryengritësit madje po ecin “si në një shëtitje të mëngjesit të së dielës”.

    “Më thuaj çfarë dëshiron, unë shoh një goditje plumbi pas kamionit dhe kaq. Ata kryengritës po ecin atje si në një shëtitje në mëngjes të së dielës me gjyshin. Përveç kësaj, ata po lënë pas miliona armë dhe pajisje. Më thuaj përsëri, por diçka nuk është në rregull këtu”, tha ai.

  • Von Cramon pas publikimit të videos nga Sveçla pyet BE-në: Kur do të sanksionohen këta njerëz

    Von Cramon pas publikimit të videos nga Sveçla pyet BE-në: Kur do të sanksionohen këta njerëz

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar pas videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq në krye.

    Von Cramon ka pyetur zyrtarët e Bashkimit Evropian, duke etiketuar Josep Borrell, Oliver Varhlelyi dhe Ursula Von Der Leyen se kur Bashkimi Evropian do të sanksionojë këta persona ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka nja dy kriminelë të tjerë) që të udhëtojnë në vende? Ky do të ishte të paktën një fillim (siç bëri SHBA disa kohë më parë).”, ka shkruar ajo në platformën X.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka publikuar pamje ku shihet Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Sveçla ka thënë se Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

  • Konjufca priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili

    Konjufca priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

    Kryetari Konjufca e falënderoi Ambasadorin Angili për bashkëpunimin dhe i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë, derisa theksoi se ato burojnë nga miqësia e kahmotshme, partneriteti strategjik dhe respekti i ndërsjellë.

    Kreu i Kuvendit po ashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur që Turqia mike i ka dhënë në vazhdimësi Republikës së Kosovës në proceset e shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione dhe organizata ndërkombëtare.

    Kryetari Konjufca dhe Ambasadori Angili ritheksuan gatishmërinë për intensifikimin e raporteve dypalëshe dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

  • Berisha i shqetësuar për situatën në veri: Policët po i kryejnë detyrat me patriotizëm

    Berisha i shqetësuar për situatën në veri: Policët po i kryejnë detyrat me patriotizëm

    Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, ka thënë se e kanë përcjellë me shqetësim sulmin terrorist të grupit të armatosur serb të dielën në Banjskë të Zveçanit.

    Duke shprehur mbështetjen ndaj Policisë së Kosovës ai tha se të njëjtit me paga të vogla dhe pa asnjë privilegj po e kryejnë detyrën e tyre me patriotizëm të madh.

    “Policia e Kosovës me shumë mungesa dhe pa privilegje, me paga të vogla, pa rrezikshmëri dhe pa sigurim shëndetësor më së shumti ka patriotizëm dhe në saj të saj po i kryen detyrat për vendin dhe Kosovën. Dëshirojmë t’i falënderojmë edhe si qytetarë dhe si parlament për punën dhe përkushtimin e tyre”, tha ai.

    Megjithatë, Berisha u shpreh më i matur që të komentojë situatën në veri, pasi tha se komisioni s’ka rol aktiv në këtë ngjarje.

    “Ne nuk kemi rol aktiv në ngjarje mirëpo e shohim me kujdes zbatueshmërinë e ligjit. Ne nuk kemi rol aktiv, nuk dimë çka me iu tregu në momentin që është duke ndodhur situata. Për ngjarjen, sekuencat se çka ka ndodhur pa pasur raport zyrtar nuk mundemi me t’iu raportojmë”, shtoi Berisha.

    Derisa i konsideroi të gabueshme publikimet e fotografive të policëve të njësisë speciale që kanë marrë pjesë në aksion në Banjskë të Zveçanit.

    “Dedikimet personale duke postuar policë me snajper me fytyrë, duke thënë se ky polic apo ai e kryer detyrën janë shumë gabim. Çka iu merr mendja pse dalin Policia e Kosovës me maska, pasi ata janë në mbrojtje të rendit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës. Nuk duhet personale me bërë me policin, ato postime që janë bërë janë gabim dhe duhet të fshihen”, tha ai.

    Këto komente Berisha i bëri pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Siguri, ku ishte paraparë të raportonte ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin zviceran në Kosovë, Thomas Kolly

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin zviceran në Kosovë, Thomas Kolly

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje Ambasadorit Kolly për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, si dhe i dëshirojë suksese në angazhimet e radhës.

    Ai po ashtu i cilësoi të shkëlqyera raportet ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për forcimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët.

    Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e institucioneve tona shtetërore, theksoi Kryetari i Kuvendit teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të këtij shteti mik ndaj Republikës së Kosovës në proceset integruese.

    Duke e falënderuar Kryetarin Konjufca për mikpritjen, Ambasadori Kolly i vlerësoi si të veçanta raportet mes popujve dhe dy shteteve tona.

  • Konjufca bëri homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme

    Konjufca bëri homazhe në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe.

    Në atë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq.

    Osmani kujton Masakrën e Abrisë: Regjimi i Millosheviqit ua mori jetën egërsisht 23 anëtarë të familjes Deliu

     

  • Komandanti i Njësisë Speciale: Krenar me djemtë, më vjen keq për ata që gënjejnë sikur kanë qenë aty

    Komandanti i Njësisë Speciale: Krenar me djemtë, më vjen keq për ata që gënjejnë sikur kanë qenë aty

    Komandanti i Njësisë Speciale, Besart Ahmeti, ka folur plot lavd për pjesëmarrësit në aksionin kundër grupi kriminal në Banjskë të Zveçanit.

    “Krenarë me djemtë, pamë djallin në sytë e tyre, i pamë tek u rrëzuan, duke qarë, duke vrapuar, më vjen keq për ata që nuk ia kishin idenë se çfarë kishte ndodhur dhe që po gënjejnë sikur kanë qenë aty”, ka shkruar ai në Facebook.

    Polici Afrim Bunjaku u vra, një u plagos e dy u lënduan pas një sulmi terrorist ndaj tyre në Banjskë.

  • ​Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë e pleq, askush nuk u dënua për këtë

    ​Haradinaj: Serbia ka ekzekutuar fëmijë e pleq, askush nuk u dënua për këtë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 26 shtatorit në 25-vjetorin e përjetësimit.

    Haradinaj ka kujtuar heronjtë Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdari.

    “25 vjet nga rënia heroike e luftëtarëve të lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari. Mësuesi me dy nxënësit e tij, që nuk lëshuan pozicionet deri në frymën e fundit, për të mbetur frymëzim trimërie në rrugën drejt lirisë”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj po ashtu ka kujtuar familjen Deliu e cila ishte ekzekutuar nga forcat serbe.

    “Po atë ditë, në Abri forcat serbe ekzekutuan familjen Deliu, duke mos kursyer askënd, nga foshnja disa muajshe e deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre! Të paharruar janë ata që sakrifikuan për Atdheun! Nderimi për ta do të jetë i përhershëm”, është shprehur Haradinaj.