ATV

Author: G.O.

  • Polonia i shton kontrollet kufitare me Sllovakinë, për shkak të emigrantëve

    Polonia i shton kontrollet kufitare me Sllovakinë, për shkak të emigrantëve

    Qeveria e Polonisë ka urdhëruar kontrolle më të rrepta në kufirin e vendit me shtetin fqinj, Sllovakinë, për ta frenuar arritjen e shtuar të emigrantëve.

    Kjo masë vlen për minibusët, autobusët, furgonët dhe veturat, të cilat dyshohet se bartin emigrantë të jashtëligjshëm, tha të hënën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, gjatë një fushate zgjedhore në Krasnik.

    Duke i shtuar kontrollet kufitare, Varshava synon t’i kundërshtojë ata të cilët “po na akuzojnë neve se kemi kufi të pasigurt”, tha politikani konservator nacionalist, duke shtuar se ka qenë shumë mirë e ditur se në të kaluarën emigrantët mbërrinin në Bashkimin Evropian përmes Hungarisë dhe Sllovakisë, e pastaj përmes Polonisë.

    Sllovakia dhe Polonia ndajnë një vijë kufitare 540 kilometra të gjatë.

    Të dyja, si vende anëtare të BE-së, janë pjesë e Zonës Shengen për lëvizje të lirë pa viza.

    Në Zonën Shengen, e cila ka 26 shtete anëtare, njerëzit nuk kontrollohen në pikat kufitare.

    Megjithatë, në vitet e fundit, disa shtete e kanë shfrytëzuar një përjashtim dhe në disa raste i kanë kthyer kontrollet kufitare.

    Së fundmi, fqinji i Polonisë, Gjermania, po përballet me trysni për t’i kthyer përkohësisht kontrollet kufitare në kufirin që e ndan me Poloninë dhe Republikën e Çekisë.

    Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, po mban bisedime me këto dy vende për “masa shtesë kufitare”./REL/

  • Protestojnë punëtorët teknikë të QKMF-së në Prishtinë, kërkojnë rritje të pagave

    Protestojnë punëtorët teknikë të QKMF-së në Prishtinë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët teknikë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie me trajtimin e këtyre punëtorëve lidhur me pagat dhe kushtet tjera, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, punëtorët po kërkojnë rritje të pagave 300 euro bruto.

    Sipas tij, protesta e greva nuk do të ndalen dhe se nëse nuk realizohen kërkesat mund të ketë lëshim kolektiv të vendeve të punës.

    “Punëtorët duan rritje të pagës prej 300 euro pagë bruto. Protestat e greva nuk do të ndalen deri te lëshimi kolektiv i vendeve të punës”.

  • Rohde: Sulmi terrorist ndaj policëve nënvizon nevojën urgjente për vazhdim të dialogut

    Rohde: Sulmi terrorist ndaj policëve nënvizon nevojën urgjente për vazhdim të dialogut

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është nevojë urgjente vazhdimi i bisedimeve në kuadër të dialogut, si dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.

    Sulmin e terroristëve serbë ndaj Policisë së Kosovës në veri ai e ka quajtur kriminal dhe të tmerrshëm.

    “Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër oficerëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit tani”, ka shkruar ambasadori gjerman.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

    Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

    Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se aksioni në kërkim të sulmuesve është duke vazhduar.

  • ​Peja eliminohet nga Championsi, vazhdon garat në FIBA Europe Cup

    ​Peja eliminohet nga Championsi, vazhdon garat në FIBA Europe Cup

    Peja ka pësuar humbje nga kampioni i Danimarkës, Bakken me rezultat 103:79 (23:16, 25:9, 29:30, 26:24), në takimin e zhvilluar në Antalia të Turqisë, në çerekfinale të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

    Skuadra pejane gjithsesi do të vazhdojë garat në arenën evropiane, ku do të garojë në grupet e FIBA Europe Cup.

    Në takimin e zhvilluar në Turqi, pejanët ishin të barabartë në pjesën e dytë, por gjithsesi dallimi i madh u bë në pjesën e parë që ishte vendimtar.

    Te skuadra pejane më i miri ishte Jacob Calloway me 14 pikë, tetë kërcime dhe pesë asistime.

  • Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse e pini çajin e zi për një muaj?

    Çfarë ndodh me trupin tuaj nëse e pini çajin e zi për një muaj?

    Çaji i zi është i famshëm për përfitimet e tij shëndetësore dhe një filxhan çaj mund ta bëjë ditën tuaj më të mirë menjëherë. Kjo pije është e njohur në mbarë botën dhe e pëlqyer nga të gjithë.

    Disa njerëz e zgjedhin atë sapo zgjohen; disa e pinë atë kur janë të stresuar dhe për disa njerëz ajo vepron si shtysë dhe një dozë e rregullt është absolutisht e detyrueshme.

    Ka shumë lloje të ndryshme çaji që njerëzit zgjedhin, por ekspertët thonë se jo të gjithë mund t’i shërbejnë shëndetit tuaj në një mënyrë pozitive. Por, çaji i zi ka disa veti unike që mund të transformojnë shëndetin tuaj në vetëm një muaj.

    Çaji i zi lidhet me një zemër të shëndetshme. Sipas studimeve, ai ka fuqinë të ndihmojë në uljen e niveleve të kolesterolit, presionin e gjakut dhe të forcojë të gjithë sistemin kardiovaskular të trupit tonë.

    Çaji i zi është gjithashtu i lidhur me funksionin e trurit. Pija e shijshme përmban L-theanine e cila lidhet me funksionin më të mirë njohës që mund t’ju ndihmojë të përqendroheni më mirë dhe të rregulloni funksionin e trurit.

    Për një shëndet afatgjatë, mund të përmirësojë shëndetin tonë të zorrëve dhe të përmirësojë sistemin tonë të tretjes. Ai përmban taninë e cila njihet si një antibakterial i butë që ka fuqinë për të nxitur rritjen e baktereve të mira në zorrën tonë.

    L-theanina e pranishme në çajin e zi dihet gjithashtu se rrit ndjeshmërinë alfa në tru duke i ndihmuar njerëzit të relaksohen dhe të rrisin disponimin e tyre.

    Sipas një studimi të publikuar në Bibliotekën Kombëtare të Mjekësisë, çaji i zi rrit fitonutrientët në trup. Këto janë lëndë ushqyese të zakonshme bimore të quajtura edhe antioksidantë. Këto mund të prodhojnë aktivitete biologjike dhe të mbështesin shëndetin tonë në shumë mënyra.

    Sipas një studimi të publikuar në Journal of Research in Medical Sciences, çaji i zi mund të përmirësojë vërtet shëndetin tonë metabolik i cili do të sigurojë gjithashtu një menaxhim të mirë të peshës.

    Çaji i zi njihet gjithashtu se ka veti anti-inflamatore për shkak të të cilave mund të ndihmojë sëmundjet që lidhen me inflamacionin. Mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të gripit, ftohjes së zakonshme ose virale dhe në të njëjtën kohë të forcojë imunitetin./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për tre terroristët, pas pak nis seanca në Gjykatë

    ​Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për tre terroristët, pas pak nis seanca në Gjykatë

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre prej terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale.

    Sipas Prokurorisë, kërkesa është bërë kundër tre të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

    Seanca do të mbahet sot e martë, nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

  • Lista Serbe shpall 3 ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë

    Lista Serbe shpall 3 ditë zie për terroristët e vrarë në Banjskë

    Lista Serbe përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka shpallur tre ditë zie në komunat e Kosovës të banuara me popullatë shumicë serbe, për shkak të vrasjes së tre terroristëve, të cilët të dielën në mëngjes sulmuan me armë zjarri policinë e Kosovës.

    “Datat 26, 27 dhe 28 shtator shpallen ditë zie në komunat me shumicë serbe për shkak të vdekjes së qytetarëve tonë në ngjarjen tragjike në Banjskë”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.

  • Zhvillimet në veri, pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë vazhdojnë të jenë të mbyllura

    Zhvillimet në veri, pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë vazhdojnë të jenë të mbyllura

    Dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Jarinje vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe gjatë ditës së marte.

    Këto dy vendkalime kufitare janë mbyllur që nga 24 shtatori, pas sulmeve terroriste që ndodhën në veri ku u sulmua Policia e Kosovës, ku një polic u vra, një u plagos dhe një u lëndua, transmeton Telegrafi.

    Grupe terroriste të armatosura kanë sulmuar policinë mëngjesin e së dielës, pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

    Nga gjuajtjet me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër tjerë janë arrestuar për përfshirje.

    Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

  • Zhvillimet në veri, Kearns: Mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit

    Zhvillimet në veri, Kearns: Mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit

    Deputetja britanike Alicia Kearns, ka thënë se ka shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar në një sulm të organizuar terrorist të dielën në Banjskë të Zveçanit.

    Por sipas saj, mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit.

    Përmes një postimi në platformën X, deputetja Kearns është shprehur se llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj Serbi-Kosovë.

    “Shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar, por mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit, kështu që llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj Serbi-Kosovë”, ka shkruar ajo.

    Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

    Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet.

  • Një muaj paraburgim ndaj njërit prej tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë

    Një muaj paraburgim ndaj njërit prej tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj V.T, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë.

    Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca dëgjimore për të dyshuarin në fjalë është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe është i shtrirë për trajtim ai

    V.T dyshohet për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë dhe kryerjen e veprave terroriste.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS-së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.