ATV

Author: G.O.

  • Maqedonia e Veriut thotë se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën

    Maqedonia e Veriut thotë se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën

    Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën pasi ajo i shërben mbrojtjes së Evropës, tha presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij në konferencën e 26-të “SHBA-Karta e Adriatikut” në Shkup.

    Pendarovski tha se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës solli sfida për arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe Maqedonia e Veriut e ka dënuar “pushtimin e paligjshëm” që nga fillimi.

    Ai tha se Maqedonia e Veriut mbështet plotësisht dhe kontribuon me kapacitetet e saj përpjekjet e NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor, raportoi Anadolu Agency.

    “Është e vërtetë që lufta në Ukrainë mund të zgjatë, por ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ndihmojmë sepse besojmë se mbrojtja e Ukrainës është mbrojtja e rendit parimor evropian dhe ndërkombëtar”, tha presidenti.

    Pendarovski argumentoi se lufta e Ukrainës përsëriti nevojën që BE të fokusohet në integrimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, një “proces që do të forcojë më tej stabilitetin, sigurinë, demokratizimin e rajonit tonë, sepse NATO dhe Bashkimi Evropian janë të dy korridoret për të ardhmen e parashikueshme dhe të begatë”.

    “Karta SHBA-Adriatik” u formua në vitin 2003 për t’u mundësuar vendeve në Evropën Juglindore që të ndjekin dhe në fund të marrin anëtarësimin e plotë në NATO.

  • Zelensky thotë se trupat ukrainase po “përparojnë” në Donjeck

    Zelensky thotë se trupat ukrainase po “përparojnë” në Donjeck

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase po bëjnë përparim kundër forcave ruse në rajonin lindor të Donjeckut, përderisa Moska ka kryer sulme të reja me artileri në rajonin jugor të Nikopolit dhe Hersonit gjatë natës, duke plagosur civilë dhe duke shkaktuar dëme nëpër shtëpi dhe infrastrukturë.

    “Po përparojmë në drejtim të Donjeckut”, tha Zelensky pas një konference online me zyrtarët e ushtrisë, duke shtuar se ai po ashtu u informua për situatën në rajonin pjesërisht të çliruar të Hersonit, që për muaj të tërë ka qenë cak i granatimeve ruse.

    “Rusët po vazhdojnë të terrorizojnë territoret që artileria e tyre mund të arrijë”, tha ai.

    Më herët gjatë 27 shtatorit, Oleksandr Prokudin, kreu i administratës ushtarake në Herson shkroi në Telegram se 12 persona janë lënduar në rajon si pasojë e granatimeve ruse.

    Në rajonin e Nikopolit, dy persona janë lënduar nga granatimet ruse tha kreu i administratës ushtarake, Serhiy Lysak.

    Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se forcat e këtij shteti po vazhdojnë operacionet sulmuese në drejtim të qytetit lindor të Bahmutit dhe në rajonin jugor të Melitopolit, duke shtuar se në total janë realizuar 26 beteja në 24 orët e fundit.

    Që kur u tërhoq nga marrëveshja për drithërat në korrik, Rusia ka shpeshtuar sulmet ndaj infrastrukturës në portet ukrainase në Odesa dhe Mikolajiv./REL/

  • Zëdhënësi i BE-së tregon se a do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit në Veri

    Zëdhënësi i BE-së tregon se a do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit në Veri

    Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha se Bashkimi Evropian (BE) do të presë përfundimin e hetimeve të plota për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, para se të marrë një vendim dhe konkluzione për çfarëdo mase dhe pasojë, duke mos dashur të komentojë pretendimet se disa shtete anëtare kanë kërkuar vendosjen e masave ndaj Serbisë.

    “Nuk është kompetencë ime të jap informacione nga bisedat konfidenciale dhe informacionin për mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Siguri të martën”, ka thënë Stano, shkruan N1.

    Stano ka theksuar se BE-ja ka thënë edhe më herët se masat e vendosura ndaj Prishtinës mund të zbatohen edhe për Serbinë, dhe kur shtetet anëtare të BE-së të marrin një vendim formal për to, kur dhe cilat masa, për çfarë arsye, do të shpallen publikisht.

  • Haradinaj pas takimit me Osmanin: Rreziku në veri vazhdon, të koordinohemi me aleatët

    Haradinaj pas takimit me Osmanin: Rreziku në veri vazhdon, të koordinohemi me aleatët

    Ish-kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se rreziku për eskalim të situatës sërish në veri ekziston, raporton Ekonomia Online. Ai tha se përgjegjës për këtë situatë është Serbia dhe se për këtë duhet edhe një hetim ndërkombëtar.

    Haradinaj pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani pohoi se për këtë çështje duhet të ketë një hetim ndërkombëtar. Madje kreu i AAK-së, tha se koordinimi me aleatët është i domosdoshëm në këtë fazë.

    Haradinaj tha se institucionet e sigurisë të vendit u treguan të suksesshme, por se të njëjtën duhet ta bëjënë edhe politikanët në pushtet.

    Ish-kryeministri tha se duhet që të kryhen edhe hetime për të vërtetuar atë që dihet se Serbia qëndron pas sulmit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.

    “Biseda ishte kryesisht lidhur me situatën e sigurisë ne vend gjatë ditëve të fundit të ndërlidhura me sulmin terrorist që ndodhi më veri ku humbi jetën një epror i Policës së Kosovës. Kosova edhe në të kaluarën është përballur me situata të sigurisë. Kjo që ndodhi tani është e pastër terrorizëm. Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla. Për shkaka se rreziku vazhdon edhe me tutje, është prezent rreziku”.

    “Duhet që të bëjmë kujdes që edhe vendimmarrësit politik ta kryejnë me sukses punë  e vete. Përballja me rreziqe e sigurisë nuk behet duke e bartur përgjegjësin vetëm te profesionistët, dihet ndihmesa politike edhe dihet një kurs politik i besueshme me aleatët. Serbia nuk e fsheh faktin se është sponzorisese, i ka stërvit dhe i ka dhënë udhëzimit këtij grupi terrorist. Është mirë që të zhvillimet një hetim që Serbia është faktorë, kjo dihet por të vërtetohet edhe nga hetuesit ndërkombëtar me mundësi të një gjykate”, tha ai.

    Haradinaj tha se një situatë e tillë është mjaft komplekse dhe se etapat që vijnë kërkojnë një koordinim të të gjithëve.

    “Askush nuk duhet të mungojë për të bërë pjesën e vet, askush në Kosovë. ne do ta kryejmë detyrën tonë në shërbim të vendit. Kemi nevojë për aleatët e sigurisë. Vetëm imagjinoni nëse aty në veri të mos ishte KFOR-i, ushtarët amerikanë. Pra, kini parasysh.  Është mjaft e mirëseardhur që e kemi KFOR-in atje, si dhe EULEX-in”.

  • Sveçla: Në mesin e të vrarëve në Banjskë edhe truproja e Vulinit

    Sveçla: Në mesin e të vrarëve në Banjskë edhe truproja e Vulinit

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur identitetin e njërit nga terroristët e vrarë e që është Bojan Mijailoviq.

    Sveçla ka konfirmuar se Bojan Mijailoviq ishte truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.

    “Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

    Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi”, ka shkruar Sveçla ndër të tjera.

    Postimi i plotë:

    Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

    Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

    Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

    Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil.

  • Abdixhiku deklarohet pas takimit me Presidenten dhe drejtorin e AKI-së

    Abdixhiku deklarohet pas takimit me Presidenten dhe drejtorin e AKI-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se mbrëmë ka pranuar ftesë nga presidentja Osmani për takim me të dhe me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.

    Abdixhiku ka thënë se në këtë takim është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë së dielës.

    “Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

    Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohjen e LDK-së për të gjithë në shërbim dhe ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacionale në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.

    “Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve. Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar ai.

  • Elshani: Policia s’pati qëllim ta vrasë askënd por vetëm çlirimin e këtij vendi nga kriminelët

    Elshani: Policia s’pati qëllim ta vrasë askënd por vetëm çlirimin e këtij vendi nga kriminelët

    Veton Elshani, ka thënë se Policia nuk ka pasur qëllim ta vrasë asnjërin nga sulmuesit në Manastirin e Banjskës, raporton Ekonomia Online.

    Elshani, në një konferencë për medie nga veriu i vendit, ka thënë se qëllimi i Policisë ka qenë vetëm ruajtja e territorit dhe çlirimi i vendit nga kriminelët.

    Tutje, ai ka thënë se hetimet nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë e se zona rreth Manastirit do të qëndrojë e mbyllur nën dyshimet se ka ende mjete të paeksploduara.

    “Hetimet nuk do të përfundojnë edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesante pse është zgjedhur ky vend për sulm dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur. Ndoshta, për shkak që është afër kufirit”.

    “Bastisja ka përfunduar. Ne konsiderojmë që kemi bërë një punë të mirë. Nuk lejohet lëvizja e qytetarëve sepse kemi gjetur shumë mjete të paeksploduara dhe ka mundësi të ketë ende”.

    “Do të kemi njësi tjera speciale. Por, konsiderojmë që rreziku ende nuk ka kaluar”.

    “Ne nuk kemi pasur qëllim t’i vrajmë 30 vetë. Nuk kemi pasur qëllim me e vra asnjë njeri. Qëllimi jonë është që ta ruajmë territorin tonë dhe që ta çlirojmë vendin nga grupet kriminale këtu dhe nëse gjatë këtij procesi ka të vrarë, nuk kemi çfarë të bëjmë”.

    “Fshatarët e këtij fshati nuk kanë qenë të rrezikuar as nuk ka dëme anësorë. I kemi bërë planifikimet tona dhe kjo për neve është çudi”.

    “Do të jetë pjesë e hetimeve nëse kanë bashkëpunuar edhe qytetarët, por nuk mund të them asgjë për këtë. Armatim ka pasur në çdo vend, ka pasur shumë armatim, në zonat e jashtme, rreth shtëpive”.

  • Hapet rruga për në Banjskë

    Hapet rruga për në Banjskë

    Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit është hapur në mesditën e së mërkurës.

    Më 24 shtator, në këtë fshat Policia është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë ka mbetur i vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

    Rruga ka qenë e mbyllur prej asaj dite.

    Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, në pasditen e së martës.

    Grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.

    Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.

    Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021./REL/

  • E konfirmon Prokuroria: Lirohen katër të dyshuar për rastin e Banjskës, s’kishin të bëjnë me rastin terrorist

    E konfirmon Prokuroria: Lirohen katër të dyshuar për rastin e Banjskës, s’kishin të bëjnë me rastin terrorist

    Katër persona të cilët janë janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes janë liruar në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës.

    Lajmi u bë i ditur nga zyra e informimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    “Ju njoftojmë se katër (4) perona të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, larg nga vendi i ngjarjes, të njëjtit janë liruar dje (26 shtator 2023), nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në mungesë të provave të paraqitura nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Miftaraj: AKI-ja është dashur të ketë informata për grupin në veri, Presidenca e Kryeministria ta vlerësojnë situatën

    Miftaraj: AKI-ja është dashur të ketë informata për grupin në veri, Presidenca e Kryeministria ta vlerësojnë situatën

    Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha për Ekonomia Online se nëse Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) nuk ka pasur informacione mbi sulmin e së dielës në veri të Kosovës, atëherë kjo është dështim i këtij institucioni.

    Sipas tij, presidenca dhe kryeministria do të duhej ta bënin një vlerësim të situatës.

    “Jemi në një fazë ku janë ditë e para mbas aksionit, unë jam i sigurt që institucionet e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë presidenca dhe kryeministria do të duhej që të vej një vlerësim të situatës, nëse AKI-a ka pasur dhe nëse i ka ndarë këto informata me grupet e caktuara në Kosovë, me theks të veçantë Policinë dhe institucionet tjera të sigurisë dhe nëse ky informacion nuk ka ardhur prej AKI-së atëherë kjo mund të konsiderohet si dështim i këtij institucioni, i cili nuk ka mundur të parapri ose të ketë informacion se mund të ndodh një gjë e tillë, po flasim për një armatim masiv, i cili ka hyr në territorin e Republikës së Kosovës”.

    Ai tha se institucionet e inteligjencës do të duhej të kishin informacione rreth asaj që ndodh në Kosovë dhe kjo çështje duhet të ngrihet në nivel institucional për të kuptuar edhe dështimet, por edhe të merret mësim.

    “Po flasim për një grup i cili ka qenë së paku, prej 30 personave dhe sigurisht që institucionet e inteligjencës në Kosovë do të duhet të kishin informata se çka ndodh në territorin e Republikës së Kosovës, unë besoj që në ditët në vazhdim , në javët në vazhdim do të duhej që kjo çështje të ngrihej në nivel institucional për të kuptuar edhe dështimet por edhe përvojat, mësimet që mund të marrim nga raste të tilla”.

    Miftaraj shtoi se institucionet e Kosovës do të duhej të shkëmbenin informacione, të bënin takime me të institucionet ndërkombëtare që veprojnë në atë pjesë nëse ka pasur një informacion të tillë dhe nëse është ndarë me kosovarët.

    “E para, në çdo shtet edhe Kosova i ka agjencitë e inteligjencës, që është Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por edhe inteligjenca brenda policisë së Kosovës, dhe qëllimi kryesor i këtyre institucioneve është që në popull, në publik, të mbledh, të marr informacione të cilat sigurisht nuk mund të kuptohen nga organe të tjera të shtetit, të gjitha këto informata duhet të përpunohen, të analizohen për të ardhur deri në një konkluzion i cili mund të iu shërbej pastaj institucioneve të drejtësisë por edhe institucioneve tjera për të parandaluar apo për të luftuar dukuritë që cenojnë rendin kushtetues, juridik në Republikën e Kosovës”

    “Ne e dimë që veriu i Kosovës është në një gjendje tjetër, ku kemi KFOR-in, kemi EULEX-in, kemi një pjesë të personave të cilët fatkeqësitë janë të ndikuar nga strukturat serbe nga strukturat e sigurisë, janë të frikësuar dhe është e kuptueshme që AKI nuk mund ta ushtroj mandatin e saj në çdo pjesë të vendit, por kur flasim për një armatim të tillë, kur flasim për një numër kaq të madh të personave të përfshirë do të duhej që AKI të kish informacione të tilla, institucionet e Kosovës do të duhej të shkëmbenin informata po edhe takime me KFOR-in dhe të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare që veprojnë në atë pjesë nëse ka pasur një informacion i tillë dhe nëse është ndarë me kohë në institucionet e Kosovës”.