ATV

Author: G.O.

  • Aksident në magjistralen Gjilan-Prishtinë, tre të lënduar

    Aksident në magjistralen Gjilan-Prishtinë, tre të lënduar

    Tre persona janë lënduar pas një aksidenti trafiku që ndodhi mëngjesin e sotëm, në magjistralen Gjilan-Prishtinë, saktësisht në fshtatin Llabjan.

    Këtë e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënse e Policisë Rajonale të Prishtinës.

    “Sot rreth orës 07:00, kemi pranuar informatën për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën Prishtinë -Gjilan”, njoftoi ajo.

    Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa njësia rajonale e trafikut po merret me rastin.

     

  • Pas sulmit në Banjskë rritet prania e Njësisë Speciale në veri

    Pas sulmit në Banjskë rritet prania e Njësisë Speciale në veri

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës ka rritur tashmë praninë e saj në veri.

    Ai ka theksuar se e kanë shtuar praninë e forcave të Njësisë Speciale dhe i kanë reduktuar patrullimet e policëve të zakonshëm.

    “E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, ka thënë Hoxha në një deklarim për Radion Evropa e Lirë.

    Ai nuk ka ofruar detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por ka thënë se institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

    Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

    Institucionet e Kosovës kanë fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit.

    Tashmë janë publikuar pamje që tregojnë se si grupi i armatosur ka lëvizur në Manastirin e Banjskës. Ministri i Brendshem Xhelal Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet edhe zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

  • Tenton ta marrë fajin e djalit, i kërcënon policët pasi i refuzohet kërkesa

    Tenton ta marrë fajin e djalit, i kërcënon policët pasi i refuzohet kërkesa

    Të mërkurën rreth orës 18:00, është arrestuar një person, pasi që dyshohet se i njëjti ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i njëjti kishte shkuar në vendin e ngjarjes në një aksident trafiku ku i dyshuar ishte djali i tij dhe kishte kërkuar nga zyrtarët policorë që ai te merr përgjegjësinë për rastin pasi që djali i tij nuk posedonte patentë shofer.

    “Pasi që kërkesa e tij është refuzuar nga zyrtarët policorë dhe sqaruar se ligjërisht nuk lejohet, i dyshuari kishte fyer dhe kanosur zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Dy sfida interesante sot në Superligë

    Dy sfida interesante sot në Superligë

    Xhiro e shtatë e Superligës së Kosovës në futboll do të kompletohet sot më dy ndeshjet mjaftë interesante.

    Në Drenas Feronikeli e pret Dritën, skuadër e cila synon një tjetër fitore pas triumfit në derbi kundër Prishtinës me synimin për të mbajtur hapin me Llapin dhe Ballkanin që kryesojnë tabelën, raporton KosovaPress.

    Sfida tjetër tejet interesante është ajo që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku Prishtina ballafaqohet me Dukagjinin.

    Tri pikë është diferenca ndërmjet këtyre dy skuadrave në të mirë të ekipit nga kryeqyteti, andaj dueli pritet të jetë mjaftë interesant.

    Të dy ndeshjet nisin nga ora 15:00.

  • Kuvendi mblidhet sot, këto janë pikat e rendit të ditës

    Kuvendi mblidhet sot, këto janë pikat e rendit të ditës

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e enjte) në seancë plenare.

    Sipas njoftimit, mbledhja do të nisë në ora 11:00.

    Në rend dite janë 23 pika.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3. Pyetjet parlamentare,

    4. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

    7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

    8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    11. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

    12. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

    13. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,

    14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,

    15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,

    16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,

    17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,

    18. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,

    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,

    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,

    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,

    22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,

    23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

  • Serwer për sulmin terrorist në veri: Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Beogradit

    Serwer për sulmin terrorist në veri: Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Beogradit

    Policia e Kosovës dhe forcat e NATO-s në veriun me shumicë serbe të vendit penguan një rebelim të armatosur gjatë fundjavës. Një polic i Kosovës dhe katër terroristë u vranë dhe disa u arrestuan. Por shumica duket se kanë ikur, tha për peacefare.net Daniel Serwer, profesori në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.

    Sipas tij, Serbia dhe përfaqësuesit e saj politikë të Listës Serbe në Kosovë shpallën ditë zie.

    Ai thotë se kjo konfirmon mbështetjen e tyre për rebelimin. “Burrat e gjelbër” duket se kanë gjetur një strehë të sigurt në Serbi.

    “Presidenti serb Vuçiq më pas u takua me ambasadorin rus Aleksandar Bocan Harchenko. Vuçiq është ankuar për “spastrim brutal etnik” në Kosovë, për të cilin nuk ka asnjë provë”, tha ai.

    Serwer ka hedhur dyshimet e tij rreth sulmit terrorist që ndodhi në veri të dielën. Thotë se në komunat me shumicë serbe në Kosovë, asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Beogradit.

    “Ne nuk kemi as konfirmim se Vuçiq ka urdhëruar një rebelim të armatosur. Por një nga qytetet e tij në veri të Kosovës ishte i përfshirë. Gjëra të tilla nuk ndodhin pa dijeninë e Beogradit. Vuçiq mund ta kishte ndaluar paraprakisht ose ta dënonte më pas. Ai nuk e bëri asnjërën”.

    Sipas Serwer-it, ky incident është konfirmim se Vuçiq nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

    Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me këtë qëllim është mbulesë për qëllimin e tij real. Ai kërkon ndarjen e katër komunave në veri me shumicë serbe. Ai do të preferonte një ndarje de jure dhe shpreson se suksesi i Rusisë në aneksimin e pjesëve të Ukrainës do ta konfirmojë këtë qëllim.

    “Por ai, tani për tani, do të pajtohej për një administratë de facto të veçantë, në formën e një Bashkësie të Komunave me shumicë serbe”

    Sipas Serwerit, Prishtina ka treguar se policia e saj, me mbështetjen e NATO-s, mund të merret me një grup të armatosur rëndë prej disa dhjetëra militantë të vendosur.

    “Por është gjithashtu e qartë se forca të blinduara serbe mund të lëvizin lehtësisht në Kosovë. Është më pak se 40 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar serb në Mitrovicën veriore, ndoshta një orë me makinë me tanke”, pohon Serwer duke shtuar se diplomatët amerikanë dhe evropianë besojnë se Serbia nuk do të tentojë një veprim të tillë për shkak të pasojave politike.

    “Por Vuçiq e di më mirë. Ai po përpiqet të bindë botën se serbët po pastrohen etnikisht nga Kosova. Kjo mund të mbështesë pretendimin se tanket e tij po mbrojnë civilët. Prandaj ai vazhdimisht pretendon, pa prova, se po bëhet një spastrim i tillë etnik, siç bëri në takimin me ambasadorin rus.

  • Mbahet tryeza e rrumbullakët për Ditën Kombëtare të Boshnjakëve

    Mbahet tryeza e rrumbullakët për Ditën Kombëtare të Boshnjakëve

    Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, organizon sot nga ora 10:00 tryezën e rrumbullakët me rastin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve.

    Në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2011, jetojnë rreth 27 mijë boshnjakë. Për ditën e tyre kombëtare ata zgjodhën 28 shtatorin, datën kur në Sarajevë u kthye emri kombëtar boshnjak.

  • Clark për armatimin e gjetur në Banjskë: Veprim i koordinuar me forcat speciale serbe

    Clark për armatimin e gjetur në Banjskë: Veprim i koordinuar me forcat speciale serbe

    Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për sulmin terrorist në veri.

    Më poshtë pjesë nga intervista:

    Zëri i Amerikës: Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

    Wesley Clark: Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

    Zëri i Amerikës: Autoritetet e Kosovës pretendojnë se një nga sulmuesit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë më të madhe dhe më me ndikim të serbëve të Kosovës, që ka lidhje të ngushta me partinë serbe në pushtet. Ai është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Si e shihni këtë?

    Wesley Clark: Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

  • Ministri Murati nënshkruan Projektin për Qeverisje Dixhitale

    Ministri Murati nënshkruan Projektin për Qeverisje Dixhitale

    Sot mbahet ceremonia e nënshkrimit të Projektit për Qeverisje Dixhitale.

    Bëhet e ditur se projekti do të nënshkruhet nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni, Massimiliano Paoluçi.

  • Kurti dhe Gërvalla takuan ambasadorët dhe diplomatët e huaj, kërkojnë të dënohen veprimet e Serbisë

    Kurti dhe Gërvalla takuan ambasadorët dhe diplomatët e huaj, kërkojnë të dënohen veprimet e Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, kanë pritur dje në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës.

    Temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist i datës 24 shtator mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtarë, Kurti dhe Gërvalla, i njoftuan diplomatët ndërkombëtarë mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës ndaj këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës.

    Gjatë takimit të njëjtë, Kurti dhe Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

    Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.