ATV

Author: G.O.

  • Shkolla me pesë ndërrime në Viti, puna për objektin e ri nuk ka përfunduar as pas 7 vitesh

    Shkolla me pesë ndërrime në Viti, puna për objektin e ri nuk ka përfunduar as pas 7 vitesh

    Ndërtimi i objektit të ri të shkollës fillore “Halil Alidema” në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë ka filluar prej 7 vitesh, por ende nuk është finalizuar. Nxënësit e kësaj shkolle janë detyruar të vijojnë mësimin në objektin e shkollës së mesme “Kongresi Manastirit” por jo në kushte të rregullta të procesit mësimor. Ndonëse autoritetet thonë se janë katër ndërrime, në fakt mësimdhënësit dhe nxënësit tregojnë se janë pesë ndërrime me vetëm 25 minuta për një orë mësimi.

    Investitor i projektit për ndërtimin e kësaj shkolle është Ministria e Arsimit, ndërsa menaxhimi i ishte lënë Ministrisë së atëhershme të Administratës Publike, që tani me riorganizimin e ri i bie Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

    Punët e vrazhda dhe lyerja e hapësirave, së bashku me instalimet elektrike ka përfunduar, por nga brenda ende ka shumë punë për të bërë që kjo shkollë të jetë funksionale. Sipas projektit, punimet e të cilit kanë filluar në vitin 2016, shkolla duhet të ishte gati në vitin 2019.

    Drejtohesha e shkollës “Halil Alidema”, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, tha se ndërtimi i objektit të shkollës ka ngecur për shkak se operatori ka qenë i papërgjegjshëm, derisa kërkon nga Ministria e Arsimit që të ketë prioritet ndërtimin e objektit të shkollës.

    “Ndërtimi i objektit të ri shkollor është ndërprerë pasi që operatori nuk ka qenë i përgjegjshëm, ku si pasojë e kësaj, lënda së fundmi është dërguar edhe në OSHP (Organin Shqyrtues të Prokurimit). Ndërtimi i këtij objekti shkollor është projekt i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kërkesë e vazhdueshme e stafit të shkollës, prindërve, është që MASHT-i dhe Ministria e Punëve të Brendshme të kenë prioritet përfundimin e objektit tonë shkollor sa më parë, sepse duhet respektuar gjithë përfshirja edhe nxënësit tanë duhet të kenë të drejtën për të mësuar në objektin e tyre shkollore”, tha Pira.

    Shkolla “Halil Alidema” dikur kishte një objekt të sajin të vetin, por tërmeti i nëntorit të vitit 2019 që goditi Shqipërinë, lëkundjet e të cilit u ndjenë edhe në Kosovë, e bëri të papërdorshëm atë.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Arta Ajeti deklaroi për KosovaPress se institucion kanë bërë kërkesa tek institucionet qendrore që të përfundojë objekti i ri.

    “Shkolla fillore në Pozheran që është ‘Halil Alidema’ ka filluar të ndërtohet që nga viti 2016 d.m.th. tash shtatë vite ka ngecur ndërsa shkolla e vjetër që ka qenë aty është dëmtuar nga tërmeti (nëntor 2019) në Shqipëri. Nga ekspertë është vërtetuar që nuk është objekt që mund të zhvillohet procesi mësimor, prandaj jemi detyruar ta rrënojmë. Ndërsa nxënësit e shkollës fillore i kemi zhvendosur në objektin e shkollës mikse që e kemi ‘Kongresi Manastirit’ atje janë katër ndërrime. Rregullisht bëjmë shkresa si Drejtori e Arsimit bashkë me Komunën, rregullisht bëjmë shkresa atje, ende nuk kemi asnjë përgjigje” tha Ajeti.

    Ajeti u shpreh se kjo situatë po dëmton nxënësit dhe mësimdhënësit , derisa theksoi se kanë pasur edhe protesta për ndërtimin e shkollës.

    Drejtoresha Ajeti tha se nga Ministria e Arsimit kanë marrë përgjigje se lënda është në shqyrtim por deri më tani asnjë hap nuk është ndërmarrë.

    “Kërkesa ime është që sa më shpejt të bëhet një zgjidhje sepse është viti i tretë që fëmijët tonë janë më katër ndërrime dhe ora është 20 minuta e cila nuk ka efekt d.m.th. jo që shkon në dëmtim të nxënësve po ashtu edhe për normal edhe tek mësimdhënësit, kështu kemi pasur edhe ankesa nga prindërit, kemi pasur vitin e kaluar edhe protesta dhe i kuptoj plotësisht… Ishim në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe ata vetëm na kanë informuar se lënda është në OSHP”, shtoi Ajeti

    Mësimdhënësit e kësaj shkolle fillore janë të shqetësuar së procesi mësimor nuk është efektiv dhe kështu po dëmtohen nxënësit.

    Profesori Drilon Pira thotë se një orë mësimorë prej 25 minutash është e pamjaftueshme për mësimdhënie dhe mëximnxënie.

    “Pa dyshim që është mjaftë e vështirë sepse 25 minuta janë të pamjaftueshme nevojat e nxënësve, sidomos nga një mësimdhënës por edhe mësimnxënia nuk është efektive në këtë aspekt, prandaj thirrjet tona duhet të jenë ndaj të gjithëve… Ne kemi vazhduar mësimin në këtë objekt ku jemi tani po mundohemi të rikuperojmë ato mungesa që kanë nxënësit por presim, lutemi në çfarë do forme procedurat administrative mos me qenë problematike për ndërtimin e shkollës se re”, tha Pira.

    Ndërsa profesoresha Fitore Halili tha se orën e saj të artit figurativ e ka të pamundur të zhvillojë për vetëm 25 minuta.

    “Është e pamundur për të realizuar një orë mësimore sa i përket sidomos lëndës time të artit figurativ të zhvillohet një orë e mësimit tash si duhet me një kohë kaq të shkurtër… Gjithmonë është kërkesa jonë tash e sa vjet por është e pamundur më mbërri atë çka ne po e duam”, tha Halili.

    Prindërit nuk janë aspak të kënaqur me situatën aktuale. Liridona Alabaku, e cila ka dy fëmijë në këtë shkollë, bëri të ditur se mësimi për fëmijët e saj zgjat vetëm dy orë.

    “Procesi mësimor që katër vite është tmerr i Zotit, djalin e kam klasën e tretë, të madhin në klasën e pestë, mësimi fillon në 12:15 mbaron në 14:15. Vetëm dy orë është shumë pak po ishalla bëhet mirë, edhe për neve, edhe për fëmijët se mësimi është katastrofë. Shkolla është ndërtuar vetëm se nuk është kompletuar sa duhet qe sa vite, fëmijët e mi me këtë orarë, katastrofë” tha Alabaku.

    Edhe nxënësit nuk janë aspak të kënaqur. Lorjana Halabaku, nxënëse e klasës së pestë, thotë se mësimi fillon shumë vonë dhe nuk po ndikon mirë tek ajo.

    “Jam në klasën e në ndërrimin e pestë dhe mësimi fillon në ora 17:20 dhe mbaron në 17:55 dhe nuk kemi shumë efekte të mira të mësimit dhe shpresojmë që sa më shpejt me u ndërtuar shkolla e re”, u shpreh Halabaku

    Edhe Lejla Pira, nxënëse në këtë shkollë, tha se presin që ndërtimi shkollës të përfundojë sa më shpejtë dhe t’i rikthehen procesit normal mësimor.

    “Ora mësimore tek ne është vetëm 25 minuta kemi dëshirë me ndërtuar shkollën e re që me pas orën si shkollat tjera”, shtoi Pira

    Në lidhje me përfundimin e objektit të ri të shkollës “Halil Alidemi”, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

  • Sonte super derbi në Angli, Tottenham-Liverpool

    Sonte super derbi në Angli, Tottenham-Liverpool

    Sonte do të zhvillohet derbi mes Tottenhamit dhe Liverpoolit, që i takon javës së shtatë në Premierligë.

    Të dyja ekipet e kanë nisur mirë sezonin e ri dhe gjenden në katër pozitat e para në tabelë.

    Liverpool është në vendin e dytë me 16 pikë, dy më pak se lideri Manchester City.

    Në anën tjetër, Tottenham është në vendin e katërt me dy pikë më pak se ekipi i drejtuar nga Jurgen Klopp.

    Ndeshja fillon nga ora 18:30 dhe zhvillohet në stadiumin “Tottenham Hotspur” në Londër.

  • Tre trupat e terroristëve të vrarë sot iu dorëzohen familjarëve

    Tre trupat e terroristëve të vrarë sot iu dorëzohen familjarëve

    Trupat e tre të vrarëve në Bansjkë të Zveçanit do t’ju dorëzohen sot familjarëve.

    Burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se trupat e të vrarëve sot i marrin familjarët e tyre.

    Aksioni në Bajsnkë të Zveçanit kishte nisur në orët e hershme të së dielës ku ishte vrarë një polic e plagosur dy të tjerë.

    Pastaj, Policia kishte vrarë tre të dyshuar ndërsa sulmuesit tjerë kishin arritur të largoheshin pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.

    Ky aksion është cilësuar si terrorist nga Policia e Kosovës, ambasadorët dhe nga BE-ja.

  • Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

    Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

    Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

    Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

    Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

    Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    “Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.

    Të premten, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

    Borell pret që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

    “Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“ shtoi ai.

    Sulmi ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

    Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.

  • Kamberi: Nëse Vuçiq s’e tërheq ushtrinë, mund të rikthehet Zona e Sigurisë 5 km nga Marrëveshja e Kumanovës

    Kamberi: Nëse Vuçiq s’e tërheq ushtrinë, mund të rikthehet Zona e Sigurisë 5 km nga Marrëveshja e Kumanovës

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shqip Kamberi, ka shkruar pas telefonatës së djeshme që Sekretari Amerikan, Antony Blinken, i ka bërë kreut të shtetit serb, Aleksaner Vucic.

    Kamberi thotë se Blinken ka qenë i qartë në kërkesën e tij që Serbia të tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën.

    „Vuçiq duhet të vendosë“, ka shkruar Kamberi.

    Sipas tij, nëse dështohet me përfilljen e kërkesës së SHBA-së, mund të rivendoset Zona e Sigurisë Tokësore që mundësohet sipas Marrëveshjes së Kumanovës.

    Zona e Sigurisë Tokësore (GSZ) përkufizohet si një zonë prej 5 kilometrash nga kufiri i Kosovës drejt territorit të Serbisë dhe sipas kësaj Marrëveshje forcat serbe s’mund të hyjnë, rihyjnë apo mbeten brenda territorit të Kosovës ose Zonës së Sigurisë Tokësore.

  • Sot varroset 19-vjeçari që vdiq tragjikisht në kufirin Serbi-Kroaci

    Sot varroset 19-vjeçari që vdiq tragjikisht në kufirin Serbi-Kroaci

    Mori rrugën ilegale për në Gjermani, e pas tri ditë mos komunikim me askënd në Kosovë, familjarët e 19-vjeçarit Shqipron Muçiqi u njoftuan për vdekjen tragjike të tij në kufirin Serbi-Kroaci.

    Për këtë vrasje shkaktar po dyshohet të jetë një grup emigrantësh të cilët gjatë tentimit për ta plaçkitur atë dhe shokun e tij kosovar nga Vushtrria, sulmuan me thikë 19-vjeçarin të cilin e lanë të vdekur në vendin e ngjarjes.

    Familjarët e të ndjerit kanë bërë të ditur se pas kthimit të trupit në vendlindje nga morgu i qytetit të Novi Sadit, që e ndihmoi edhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, sot i jepet lamtumira e fundit Shqipronit në orën 14:00 në varrezat e fshatit Llapashticë e Epërme të Podujevës.

  • Komuna e Vushtrrisë nënshkruan marrëveshje me Kryqin e Kuq për projektin e ndërtimit të objektit për nevoja të KKK-së

    Komuna e Vushtrrisë nënshkruan marrëveshje me Kryqin e Kuq për projektin e ndërtimit të objektit për nevoja të KKK-së

    Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se bashkë me kryetaren e Kryqit të Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i objektit për nevoja të Kryqit të Kuq të Kosovës dega në Vushtrri”.

    Sipas kryetarit, me përfundimin e punimeve, punëtorët e Kryqit të Kuq që janë gjithmonë në shërbim të qytetarëve vushtrrias.

    Postimi i Plotë:

    Bashkë me kryetaren e Kryqit të Kuq të Kosovës, znj.Feride Hyseni, nënshkruam marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi i objektit për nevoja të Kryqit të Kuq të Kosovës dega në Vushtrri”.
    Me përfundimin e punimeve, punëtorët e Kryqit të Kuq që janë gjithmonë në shërbim të qytetarëve vushtrrias do të kenë një objekt me kushte më të mira për punë.

  • IML-ja përfundon obduksionin e tre trupave të grupit terrorist

    IML-ja përfundon obduksionin e tre trupave të grupit terrorist

    Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsinë e tre trupave të pjesëtarëve te grupit terrorist.

    Ata u vranë gjatë një kundërsulmi nga Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.

    Si pasojë e sulmit i vrarë mbeti edhe një pjesëtar i policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

     

  • Hovenier reagon për mobilizimin ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën

    Hovenier reagon për mobilizimin ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas telefonatës që Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ka realizuar mbrëmë me Kryeministrin Albin Kurti.

    Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovë dhe bëjmë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm dhe konsiderojmë se implementimi i plotë i marrëveshjes nga të dy palët.

    “Telefonata e rëndësishme mes Këshilltarit Sullivan dhe Kryeministrit Albin Kurti. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovëm. Bëjmë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm dhe konsiderojmë se implementimi i plotë i marrëveshjes nga të dy palët, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që të arrihet stabilteti”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.

  • Kurti: Mbi 5 milionë euro armatim në veri, të ekstradohen ata që ikën tinëzisht malit

    Kurti: Mbi 5 milionë euro armatim në veri, të ekstradohen ata që ikën tinëzisht malit

    Kryeministri, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu drejtua bashkë partiakëve të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm që u mbajt sot (30 shtator) në Prishtinë. Para të pranishmëve, ai tha se kanë gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro ndërsa përsëriti kërkesën që terroristët që u larguan nga Kosova, të ekstradohen për t’u ballafaquar me drejtësinë.

    Kurti tha se grupi terrorist kishte ardhur me një skenar të tyre të cilin me sukses iu përgjigj Policia e Kosovës duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën.

    Kreu i ekzekutivit u shpreh se është e qartë që e gjithë mbështetje logjistike, në armatim e trajnim ishte nga Serbia.

    “Kemi gjetur armatim në vlerë më shumë se 5 milionë euro dhe sasitë e armatimit për qindra luftëtarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak e trajnimet luftarake, municione dhe pajisje të tjera, direktiva politike e strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike të gjitha vinin nga Serbia. Kësisoj prej të dielës që lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet dolën sheshazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri u qartësua e u vërtetua për të gjithë”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri u shpreh se Policia e Kosovës tashmë ka vendosur sigurinë dhe paqen në pjesën veriore të vendit tonë, ndërsa ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike te banorët serbë që jetojnë në Banjskë.

    Kurti duke falënderuar qytetarët e Banjskës për qetësinë e tyre, theksoi se gjatë operacionit policor nuk është lënduar dhe plagosur asnjë civil.

    Për shtetin serb ka kërkuar që ata që ikën tinëzisht malit, të ekstradohen në Kosovë, ndërsa për ndërkombëtarët që dy organizata veriore “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste.

    “Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ tashmë ka prova e argumente të mjaftueshme të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere dhe aleate, ashtu si ne tashmë bëmë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës para 3 muajsh”, vijoi Kurti.

    Duke u ndalur të ruajtja e kufirit, Kurti tha se eksiton një zotim që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë atje, prandaj kërkojnë që ky vakum të mbulohet nga forcat e NATO-s.

    “Ky vakum që është atje duhet të mbushet dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë e ata praninë e NATO-s, KFOR-it, atje. Për këtë akt të agresionit të Republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë që ajo nuk është ndëshkuar për krimet e saj, i ka përsëritur ato dhe kjo nuk duhet lejuar”, deklaroi Kurti para delegatëve të LVV-së.

    Kurti tha se Kosova është vendi me më së paku kriminalitet në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga Serbia ku kriminaliteti është i lartë. Ai tha se Kosova gjithmonë do të ngadhënjejë ndaj Serbisë sepse “ne kemi Afrimin kurse ata krimin”.

    Krimi i i organizuar dhe autokracia politike shkojnë bashkë. Demokracia është liri për qytetarët. Autokracia bëhet liri për kriminelët. Në autokraci kriminalizohet politika dhe politizohen kriminelët. Aq i lartë është kriminaliteti në Serbi sa në vazhdimësi shikohen të eksportohet edhe në shtete përreth, e sidomos tek ne, siç është parë së fundmi madje edhe si terrorizëm. Në si Republikë do të vzhdojmë luftën kundër krimit të sponsorizuar nga Serbia dhe nuk do të lejojmë të cenohet as integriteti, as sovraniteti, as jeta e qytetarëve tanë pa dallim. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi publik duhet të mundësojnë liri, liri nga krimi, liri në paqe, liri për prosperitet. Ne do të ngadhënjejmë sepse në kemi Afrimin brenda nesh kurse ata e kanë vetëm krimin.

    Kurti u zotua se urrejtjes, krimit dhe terrorit ndaj Kosovës, shqiptarëve, Republikës e qytetarëve do t’i përgjigjemi me forcën e ligjit dhe drejtësinë e shtetit.