ATV

Author: G.O.

  • FFK vazhdon me projektin për zbuilimin e talentëve në futboll

    FFK vazhdon me projektin për zbuilimin e talentëve në futboll

    Projekti ‘Elite Youth Development Programe U15’ po vazhdon ritmin e tij të punës tash e disa javë me ndeshjet e përzgjedhjeve të rajoneve. Këto ndeshje po zhvillohen çdo të martë e të mërkurë, duke i dhënë mundësi secilit prej lojtarëve të këtij projekti të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre, por njëkohësisht edhe zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm. Paraqitjet e secilit ekip e lojtar po vëzhgohen me vëmendje nga përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova dhe stafi i trajnerëve tjerë të përfshirë në këtë program, si dhe nga stafi i Kombëtares U15 në krye me përzgjedhësin, Ilir Nallbanin.

    Ky i fundit përmes këtij projekti është duke e krijuar ekipin me të cilin do të paraqitet në turneun ndërkombëtar që mbahet në fund të këtij muaji në Shqipëri, e ku krahas nikoqirëve dhe Kosovës marrin pjesë edhe Maqedonia e Veriut dhe Hungaria.

    Përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova vlerëson se puna e bërë deri më tash është shumë pozitive dhe se gjithçka po ecën sipas dinamikës dhe planprogramit. “Është e jashtëzakonshme të shihet dallimi ndërmjet dy apo tri xhirove të para me atë ku jemi sot. Përgjegjësia e lojtarëve, rrjedhshmëria në lojë, kuptimi i lojës dhe shprehja e aftësive të tyre, por edhe përmirësimi i aspektit fizik është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Rugova. Atij i ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme fakti që në fundjavën e kaluar një talent i cili është pjesë e këtij programi, Elvir Gashjani ka arritur të bëjë debutimin në fanellën e Llapit dhe atë duke shënuar gol.

    “Moment i jashtëzakonshëm të shohësh një lojtar që doli nga ecuria e këtij projekti duke e realizuar debutimin e tij në Superligë me fanellën e Llapit dhe atë me gol. Ndoshta nuk është i vetmi dhe sigurisht se do të ketë edhe shumë të tjerë, por e përgëzoi Tahir Batatinën me stafin e tij që ia kanë dhënë besimin dhe mundësinë këtij djaloshi 17-vjeçar t’i shprehë vlerat e tij në elitë. E ky në fakt është qëllimi ynë, që këtyre djemve t’u krijojmë kushte dhe t’i japim mundësi për ta shprehur talentin e tyre. Ky projekt me vazhdimësinë e tij mund të shndërrohet në një program ushqyes stabil për kombëtaret zinxhir deri në ekipin A. E ky njëherësht është thelbi i punës sonë që në të ardhmen e afërt të shndërrohemi një akademi të qëndrueshme”, ka shtuar Rugova.

    Ai ka bërë të ditur se faza e turneut ndërajonal në kuadër të këtij projekti do të përmbyllet javën tjetër, kurse më pas do të mbahet një punëtori me të gjithë trajnerët e përfshirë në këto projekt, ku do të jepen vlerësimet për punën e deritashme dhe udhëzimet për punën e mëtejshme, e cila do të vazhdojë me stërvitje nëpër regjione.

    Ndërkohë, në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë puna edhe me gjeneratën 2010, teksa deri në korrik do të vijojë puna edhe me gjeneratën aktuale 2009.

    E të kënaqur me tërë ecurinë e këtij projekti, por edhe punën që po bëhet aty janë shprehur edhe vetë lojtarët.

    Ernest Rama nga regjioni i Gjakovës ka vlerësuar faktin se në këtë projekt ka konkurrencë të fortë dhe kjo po i ndihmon ata të zhvillohen edhe më shumë si lojtarë. “Në këtë projekt ka shumë konkurrencë, ka lojtarë shumë të mirë dhe na ka ndihmuar ta shprehim talentin tonë. Tash po kemi edhe lojë në kampionat. Këtu i kemi zhvilluar 10 ndeshje. Ato po janë shumë konkurruese, ku po ka lojtarë të fortë si në aspektin teknik edhe në atë fizik. Kemi një raport shumë të mirë me stafin e trajnerëve të këtij projekti, të cilët janë njerëz që e njohin futbollin dhe gjithçka po shkon si duhet. Ku e shoh të ardhmen? Duke filluar me hapa të vegjël në Superligën e Kosovës, e më pas pse jo edhe më lart në ligat e Evropës. Me punë, çdo gjë arrihet”, është shprehur Rama. Ndërkaq, Bebart Selmani nga regjioni i Prishtinës theksoi se ky projekt ia ka mundësuar atyre si lojtarë që ta shprehin talentin e tyre. “Kemi pasur deri tash 10 lojë, të cilat besoj janë të mjaftueshme për ta treguar potencialin tonë. Jam i lumtur me këtë projekt, derisa edhe trajnerët janë përkujdesur për ne për t’u përmirësuar në vazhdimësi. E ardhmja ime? Shpresoj që një moshë të re edhe unë të debutoj në Superligë, e pse jo të arrij edhe më shumë”, ka thënë Selmani.

  • Szunyog viziton veriun e Kosovës: Dëgjova perspektiva të ndryshme për situatën aktuale

    Szunyog viziton veriun e Kosovës: Dëgjova perspektiva të ndryshme për situatën aktuale

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog e ka vizituar veriun e Kosovës. Pas kësaj vizite, ai deklaroi se nga atje dëgjoi perspektiva të ndryshme rreth situatës aktuale.

    Në një postim në “X”, Szunyog ka thënë se zhvillimet e fundit tregojnë rrezikun që kanë qytetarët që jetojnë në atë pjesë.

    “Në një vizitë në veri të Kosovës, dëgjova zëra dhe perspektiva të ndryshme për situatën aktuale në terren. Zhvillimet e fundit janë një përkujtues i ashpër dhe tragjik i asaj çfarë rrezikohet për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, për sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj dhe për rajonin më të gjerë”, ka shkruar ai.

    Tutje ai ka bërë të ditur se ka theksuar rolin dhe rëndësinë që kanë aktorët për të kontribouar në uljen e tensioneve.

  • Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok, arrestohet i dyshuari 14-vjeçar

    Tre persona të vrarë nga të shtënat në Bangkok, arrestohet i dyshuari 14-vjeçar

    Tre persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një qendër tregtare në qendër të kryeqytetit tajlandez, Bangkok.

    I dyshuari, 14-vjeçar, është arrestuar. Ai dyshohet se e ka përdorur armën në incident.

    Në disa pamje në rrjetet sociale janë parë shumë njerëz duke ikur nga qendra tregtare.

    Ky objekt, dhe një stacion i afërt metroje, janë mbyllur.

    Sulmet me të shtëna masive janë të rralla në Tajlandë, ndonëse përqindja e personave që posedojnë armë është relativisht e lartë për rajonin.

    Në tetor të vitit të kaluar, një ish-zyrtar policor pati vrarë të paktën 37 persona, shumica prej tyre fëmijë, në një qendër për fëmijë në provincën Nong Bua Lamfu.

    Më 2020, një ushtar i këtij shteti i ka lënë të vdekur 29 persona dhe i ka plagosur dhjetëra tjerë në qytetin Nakhon Ratçasima./REL/

  • Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, vdes një person

    Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Ferizaj, vdes një person

    Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën Prishtinë-Ferizaj.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë.

    “Sot rreth orës 13:15 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete (një kamion dhe një veturë), të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar një person e cila nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe e njëjta ka ndërruar jetë . Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, tha Ahmeti.

  • Kjo është komuna e parë në Kosovë që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale, këto janë rezultatet

    Kjo është komuna e parë në Kosovë që ka nisur përdorimin e inteligjencës artificiale, këto janë rezultatet

    Komuna e Pejës për herë të parë transkriptoi me inteligjencën artificiale në Seancën e rregullt të Kuvendit komunal.

    Kështu bëhet e ditur në komunikatën e Komunës së Pejës në të cilën thuhet se sot u bë një hap i rëndësishëm drejt të ardhmes duke përdorur inteligjencën artificiale për të transkriptuar seancën e Kuvendit të Komunës së Pejës të datës 29.09.2023, ku u diskutua dhe u aprovua buxheti i Komunës për vitin 2024, ky transkriptim u bë në vetëm 20 minuta.

    “Përmes Shqip.ai, arritëm të transkriptojmë 230 minuta të diskutimeve te pikave të rendit të ditës e edhe miratimit të buxhetit për vitin 2024 në Kuvendin Komunal të Pejës në vetëm 20 minuta, duke mbuluar një saktësi prej mbi 95%.”, thuhet në komunikatë.

  • Kosova siguron tri vaksina të reja

    Kosova siguron tri vaksina të reja

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se në Kosovë kanë arritur tri vaksina të reja.

    “Janë siguruar tre vaksina, kundër rotavirusit, pneumokokut e meningjitit dhe vaksinën HPV, kundër kancerit të qafës së mitrës”, ka njoftuar ministri Vitia.

    Vitia shtoi se gjithashtu është gjashtëfishuar buxheti për vaksina dhe është shtuar buxheti për mbrojtje dhe parandalim.

  • Hendboll/ Istogu mëson rivalin e radhës në Kupën Evropiane

    Hendboll/ Istogu mëson rivalin e radhës në Kupën Evropiane

    KHF Istogu ka mësuar të martën kundërshtarin e raundit të tretë të Kupës Evropiane për hendbolliste. Shorti i tërhequr në Vjenë ka përcaktuar që Istogu të përballet me skuadrën e njohur sllovake, Iuventa Michalovce. Ndeshja e parë luhet në Sllovaki, ndërsa e kthimit në Kosovë.

    Ndeshjet e raundit të tretë të Kupës Evropiane zhvillohet më 11/12 dhe 18/19 nëntor.

    Në raundin e dytë të Kupës Evropiane, kampioni i Kosovës e eliminoi skuadrën portugeze, 1Maio/Ada.

    Iuventa Michalovce ka në përbërje shumë lojtare të huaja dhe lojtare cilësore sllovake. Është skuadër e nivelit të lartë, ndërsa edicionin e kaluar arriti deri në gjysmëfinale të Kupës Evropiane.

  • Tërmeti i ri rrit frikën në zonën vullkanike Campi Flegrei

    Tërmeti i ri rrit frikën në zonën vullkanike Campi Flegrei

    Një tërmet me magnitudë 4.0 të hënën vonë në Campi Flegrei (Fushat e Phlegraean) ka rritur shqetësimin tek njerëzit që jetojnë në zonën vullkanike pranë Napolit për një valë të aktivitetit sizmik.

    Tërmeti i ri vjen pasi zona u godit nga tërmeti me magnitudë 4.2 javën e kaluar, më i madhi në këtë zonë në 40 vjet.

    Tërmeti i së hënës tronditi gjithashtu Napolin dhe shumë njerëz fjetën jashtë gjatë natës nga frika e shembjes së ndërtesave.

    Autoritetet kryen kontrolle si në ndërtesa private ashtu edhe në ato publike gjatë gjithë natës. Nuk pati raportime për dëme të mëdha.

    “Mos lejoni që frika t’ju pushtojë,” tha Josi Gerardo Della Ragione, kryebashkiaku i qytetit Bacoli.

    Ministri i Mbrojtjes Civile dhe Politikës Detare Nello Musumeci tha javën e kaluar se një plan evakuimi ishte duke u hartuar për Campi Flegrei në rast se do të ishte i nevojshëm.

    “Duhet të fillojmë punën menjëherë”, tha Musumeci, duke theksuar se në këtë zonë jetojnë rreth gjysmë milioni njerëz.

    Fushat e Phlegraean janë një kalderë e shembur, një zonë vullkanike e formuar nga disa ndërtesa vullkanike. /ANSA/

  • Policia vazhdon hetimet në Banjskë

    Policia vazhdon hetimet në Banjskë

    Policia e Kosovës është ende duke kryer hetime në zonën malore të Banjskës, ku më 24 shtator janë sulmuar pjesëtarë të këtij institucioni.

    Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në operacionin e së martës, Policia, përfshirë njësitin special, është në kërkim të armëve.

    Megjithatë, ai ka njoftuar se kontrollet e shtëpive në atë zonë nuk janë pjesë e operacionit.

    “Sapo i kemi tërhequr njësitet speciale nga Banjska, do të thotë niveli i rrezikut ulet, por na duheshin më shumë njerëz. Nuk është e pazakontë. Po mundohemi ta çojmë aksionin deri në fund, por varet nëse do të gjendet diçka”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

    Policia e Kosovës ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit në këtë zonë edhe më 30 shtator.

    Në mesin e pajisjeve të gjetura janë përmendur: raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jelekë anti-plumb.

    Pas sulmit të 24 shtatorit, zyrtarët policorë kanë ekspozuar edhe granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë, të cilat i kanë gjetur në operacionet e kërkimit në këtë fshat në veri të Kosovës.

    Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

    Vendndodhja e të cilit nuk dihet, mirëpo Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai gjendet në “Serbinë qendrore” dhe autoritetet atje e kanë marrë në pyetje “në cilësinë e qytetarit”.

    Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo autoritetet në Beograd e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

    Sulmi ndaj Policisë në Banjskë është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e sulmuesve me drejtësinë./REL/

  • AAK-ja insiston në hetim ndërkombëtar për sulmin në veri – Çeku kërkon ngritjen e kapaciteteve ushtarake e policore

    AAK-ja insiston në hetim ndërkombëtar për sulmin në veri – Çeku kërkon ngritjen e kapaciteteve ushtarake e policore

    Grupi Parlamentar i AAK-së, ka organizuar të martën tryezë diskutimi në lidhje me situatën e sigurisë pas sulmeve terroriste në veri të vendit, raporton Ekonomia Online. Në këtë tryezë kanë marr pjesë ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku, ish-ministra të Sigurisë, ish-drejtor të Policisë së Kosovës, ekspert  të çështjeve të sigurisë në vend si dhe deputet të Kuvendit të Kosovës.

    Para diskutimit të pjesëmarrësve është mbajtur edhe një minutë heshtje në nderim të rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ndodhia e 24 shtatorit është sulm terrorist dhe se sponsor i këtij terrorizmi është Serbia.

    Ai kërkoj që në lidhje me këtë sulm dihet që të ketë hetim ndërkombëtar.

    “Një mundësi e mirë për një diskutim sa më të kujdesshëm që përputhet me situatën e sigurisë që është e ndjeshme. Unë kam tri momente që i kish prezantuar e para është ajo që ka ndodh me 24 shtator është terrorizëm, edhe po ashtu edhe Serbia në bazë të gjitha të gjeturave e kualifikimeve si sponsor i terrorizimit. Është interes i paqes në rajon që bashkësia ndërkombëtare të merr një pozicion të qartë që të ndëshkohet Serbia për sponsorizoi sulmin terrorist. Për këtë duhet një hetim ndërkombëtar. Pjesa tjetër është që Kosova nuk bënë asnjë herë me humb fokusimin nga obligimet e marra pra nga plani franko-gjerman. Nuk duhet me heq dorë nga qëllimi ynë i arritjes së paqes në Kosovë dhe rajon. I përgëzoj institucionet e vendit për punë ë që e kanë bërë në ditën kritike”, tha ai.

    Agim Ceku, ish-kryeministër i Kosovës, tha se sulmi që ka ndodhur me 24 shtator është sulm terrorist i mbështetur nga Serbia.

    Sipas tij, Kosova duhet që të fokusohet në politikën të jashtme si dhe e rëndësishme sipas tij, është ndërtimi i kapaciteteve ushtarake e policore në vend.

    “Ajo çka është deri më tani kemi të bëjmë fjalë me terrorizëm dhe me Serbin si sponsor të terrorizimit. Unë mendoj se sot situatë e sigurisë sot është stabile por na ka ardhur edhe një mundësi që këtë stablitite të shfrytëzojmë. Është më se e qartë se Serbia si sponsor tani është në një pozicion sa ka qenë të dielën, para kësaj ka qenë me e favorshme se sa Kosova. Tani ajo është në fazën defanzive për t’u shfajësuar nga ky veprim terrorist. Ka humbu fuqia e tyre. Mendoj se në anë tjetër ne kemi dalë faqe bardhë fitues, reagimi ka qenë bindës i suksesshëm, fatkeqësisht e kemi humb një policë. Ajo pozitive është se Policia jonë gjatë ballafaqimit pati një veprim ku u përcjell edhe me taktikë edhe veprime reale. Këtë test e dha me shumë sukses është pritur kjo që do të ndodh një ditë. Nga kjo dolëm fitimtar u rrit edhe besimi i PK. U pa që Kosova ka kapacitet dhe potencial për ta mbrojtur vetën. U pa së sa është e rëndësishme bashkëveprimi më NATO-n, ShBA, BE-së, shihet sa i vlefshëm është kjo”.

    “Gjithë e dimë se siguria kombëtare mbështet në pesë shtylla, e para dhe më shumë rëndësi është politika e jashtme. Apeloj që diplomacia jonë të jetë bindës dhe shumë aktive. E dyta është ndërtimi i kapaciteteve, e treta është Policia, e katërta është inteligjenca që është kyçe në paralajmërimin e hershëm. E pesta është plani kombëtar i reagimit në çfarëdo lloj emergjence, çfarë do lloj emergjence. Këto janë pesë shtyllat që duhet të fuqizohen”, tha ai.

    Sheremet Ahmeti ish-drejtor i Policisë së Kosovës, tha se në këtë rast është shumë e nevojshme mbështetja materiale e PK, raporton EO.

    “Njësia Speciale i ka ë dhënë kapacitetet e veta të nevojshëm për të ndal atë sulm terrorist. PK ka mjete për t’u ballafaquar por jo mjaftueshëm. Për këto 24 vite ne nuk kemi helikopter. Kujdesi duhet që të jetë në nivelin e duhur. Në këtë kohë e dini që PK duhet mbështetur materialisht, sepse nuk i ka të rregulluar statusin, që 25 vite nuk ka sigurim, nuk ka shtesa, nevoja e pensionimit të parakohshme është e nevojshme”, tha ai.

    Profesori i çështjeve të sigurisë Avni Islami, tha se duke parë rrezikun në veriun e vendit do të duhet që të shikohet edhe një herë marrëveshja e ish-kryeministrit Thaçi, që e ndalon FSK-në që të patrullojë në veri.

    Sipas tij, kjo duhet që të diskutohet dhe FSK të lejohet në atë pjesë.

    “Ngjarja e fundit ka vënë në pah institucionet e Kosovës dhe ka vënë në provë institucionet e sigurisë. Kur një shtet është pjesëmarrës ky është një terrorizëm shtetëror i Serbisë i kryer në një vend tjetër, kjo e bënë drejtpërdrejt shtetin Serb fajtor. Institucionet e Kosovë s’duhet ta shikoj ë marrëveshjen e ish-peridentit Thaçi në atë kohë, që FSK të jetë në atë pjesë”, tha ai.

    Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, tha se në këtë çështje duhet që të diskutohet edhe përfshirja e Rusisë, sipas tij, “Serbia është dorë e zgajtur e Rusisë”.

    Ai tha se gjendja e sigurisë në vend e mirë dhe se i gjithë suksesi për neutralizimin e sulmit terrorist i atribuohet Policisë së Kosovës.

    Drizan Shala, ekspert i sigurisë, tha se pas këtij sulmit duhet që të rritet vigjilenca dhe të analizohet çdo i huaj që hynë në Kosovë, pasi sipas tij, mund të ketë persona që mund të hyjnë që të marrin informacione.