ATV

Author: G.O.

  • Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Aksidenti tragjik në Itali, Ministria e Jashtme njofton se nuk ka shqiptarë të vdekur

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se nuk shtetas shqiptarë në radhët e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik në Itali.

    Nga ky dikaster kanë shprehur pikëllimin për këtë ngjarje, derisa kanë uruar shërim të shpejtë të të lënduarve të këtij aksidenti tragjik.

    “Thellësisht të pikëlluar nga lajmi i aksidentit tragjik në Mestre të Italisë. Shqipëria shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta. I urojmë shërim të shpejtë të lënduarve të këtij aksidenti tragjik”, thuhet në reagimin MEFA-së.

    Kujtojmë se në aksidentin e mbrëmshëm në Mestre të Italisë humbën jetën mbi 20 persona ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.

  • “Eja në Madrid”, Vinicius zbulon mesazhet që ia dërgonte Bellingham

    “Eja në Madrid”, Vinicius zbulon mesazhet që ia dërgonte Bellingham

    Vinicius Junior ka folur pas fitores mbrëmë të Real Madridit si mysafirë i Napolit, ku ka zbuluar mesazhet që ia ka dërguar Jude Bellingham, para se ky i fundit të kalonte te gjiganti spanjoll nga Borussia Dortmundi.

    Vinicius ka treguar se e donte Bellingham me çdo kusht te Reali, dhe se i dërgonte mesazhe çdo ditë atij që të vjen te madrilenët, raporton KosovaPress.

    “E doja Jude te Real Madridi! I kam dërguar mesazhe të shumta Bellingham vitin e kaluar. I kam shkruar çdo ditë: eja në Madrid”, tha Vinicius.

    Bellingham shënoi mbrëmë golin e tetë në nëntë ndeshje si lojtar i Real Madridit, e po ashtu morri edhe çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes.

  • Kevin McCarthy shkarkohet nga pozita e liderit të Dhomës së Përfaqësuesve

    Kevin McCarthy shkarkohet nga pozita e liderit të Dhomës së Përfaqësuesve

    Kevin McCarthy, nuk do të jetë më udhëheqës i Dhomës së Pëfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ai u shkarkua pas një votë besimi.

    Kjo është hera e parë në histori që një zyrtar shkarkohet nga kjo pozitë.

    216 votuan pro dhe 210 kundër.

    Deri tek shkarkimi i tij erdhi pasi ai arriti një marrëveshje me demokratët e Senatit për t’i financuar agjencitë qeveritare, raportojnë mediat amerikane përcjell Klankosova.tv

    Ende nuk dihet se kush do ta pasojë 58 vjeçarin në këtë pozitë.

    Kongresi i ka rreth 40 ditë për ta arritur një marrëveshje që shmang mbylljen e Qeverisë amerikane.

    Procedura për shkarkimin e Kevin McCarthyt, u nis nga republikani Matt Gaetz, aleat i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

    Ai e ka akuzuar udhëheqësin e deritanishëm për arritjen e një marrëveshjeje sekrete me Shtëpinë e Bardhë për ta vazhduar financimin për Ukrainën, teksa është negociuar shmangia e mbylljes qeveritare në fundjavë.

    Kjo u hodh poshtë nga McCarthy.

  • Një tërmet me magnitudë 6.2 ka tronditur Filipinet

    Një tërmet me magnitudë 6.2 ka tronditur Filipinet

    Një tërmet me magnitudë 6.2 goditi Filipinet veriore të mërkurën, thanë autoritetet.

    Tërmeti u raportua në qytetin Calayan të provincës Cagayan, Agjencia shtetërore e Lajmeve Filipine citoi të ketë thënë Instituti Filipine i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisëm shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Lëkundjet, me epiqendër 22 kilometra (13 milje) në veriperëndim të ishullit Dalupiri, goditën rajonin rreth orës 11:35 të mëngjesit (0335 GMT).

    Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo humbje jetësh.

  • E dhimbshme: Ky është i riu nga Shtimja që vdiq tragjikisht në rrugën Prishtinë-Ferizaj

    E dhimbshme: Ky është i riu nga Shtimja që vdiq tragjikisht në rrugën Prishtinë-Ferizaj

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën Prishtinë-Ferizaj, ku një person ka ndërruar jetë.

    Ai është i riu Aziz Qerkini nga komuna e Shtimes.

    Komuna nga e cila vinte i riu pas rastit tragjik i ka shprehur ngushëllime familjes Qerkini.

    “Kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, familjes Qerkini i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të ndjerin Aziz Qerkini që humbi jetën sot në një aksident tragjik”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Për aksidentin ka folur edhe Policia.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se në aksident ishin të përfshira dy automjete, një kamion dhe veturë, të cilat ishin në lëvizje, dhe si pasojë e kësaj një person nuk ka mundur t’i përballojë plagët, duke ndërruar jetë.

  • Seanca për Kosovën në PE, eurodeputetët kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

    Seanca për Kosovën në PE, eurodeputetët kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

    Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.

    Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    “Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, tha Picula.

    Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq – ish-kryetari i dorëhequr tashmë i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjet e Beogradit zyrtar – por Kosova ngul këmbë se shteti serb qëndron pas sulmit.

    Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të vendosë masa të ngjashme ndaj Serbisë siç bëri kundër Kosovës muaj më parë. BE-ja kishte vlerësuar se Kosova nuk i kishte ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri.

    Deputetja gjermane Viola von Cramon – e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE – tha se sulmi “brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë.”

    Ajo nënvizoi se lidhjet e Radoiçiqit me Beogradin zyrtar “janë më se evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.

    “BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo, duke iu referuar vendimit të javës së kaluar të Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Eurodeputeti holandeze Thijs Reuten kërkoi hapa “vendimtarë për ta ndalur Presidentin e Serbisë Vuçiq”.

    “Vuçiqin duhet ta ndalim sepse ai nuk ndalet vetë. Nëse një herë e tolerojmë e nuk e ndalim, herën tjetër shkon një shkallë më larg. Krejt çka BE-ja ka bërë është sanksionimi i Kosovës“, theksoi ai duke kërkuar masa ndaj Serbisë.

    Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputet bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

    Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiqit si mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.

    Komisioneri për çështje humanitare, Janez Lenarçiq foli në emër të Komisionit Evropian në mungesë të përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, i cili ishte në udhëtim zyrtar.

    Ai e kritikoi Serbisë për veprimet pas sulmit të 24 shtatorit, e cila i lartësoi tre sulmuesit serbë që u vranë pasi e sulmuan Policinë e Kosovës dhe shpalli zi për ta.

    “Retorika nga Beogradi pas ngjarjeve të 24 shtatorit është shumë shqetësuese. Sikur edhe mbajtja e zisë për sulmuesit e vrarë. Edhe rritja e pranisë ushtarake në jug të Serbisë është shqetësuese“ tha ai.

  • Viola von Cramon: BE-ja duhet të “rivlerësojë” strategjinë për Kosovën dhe Serbinë

    Viola von Cramon: BE-ja duhet të “rivlerësojë” strategjinë për Kosovën dhe Serbinë

    Shkëmbimi i zjarrit vdekjeprurës në Kosovën veriore më 24 shtator dhe paralajmërimi i Uashingtonit javën e kaluar për një grumbullim “të paprecedentë” të trupave serbe pranë kufirit me Kosovën kanë ngritur frikën për stabilitetin e rajonit.

    Dhe ndërsa zyrtarët ushtarakë serbë thanë dje se Beogradi ka zvogëluar numrin e trupave në kufi, shqetësimet vazhdojnë në kryeqytetet perëndimore.

    “Jam thellësisht e shqetësuar për sulmin e fundit në Banjska dhe pasojat e mundshme përshkallëzuese që mund të ketë prodhuar” tha Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian.

    Von Cramon-Taubadel, e cila është raportuesja e parlamentit për Kosovën, tha për The Guardian në një email sot se “kemi qenë dëshmitarë të përkeqësimit dhe përfundimisht ngërçit në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

    Një politikan i lartë serb i Kosovës, Milan Radoiçiq, kishte pranuar se ishte përfshirë në përleshjen me armë muajin e kaluar.

    “Ne duhet të dimë në çfarë mase dhe me ndihmën e kujt e ka kryer sulmin, duke pasur parasysh sasinë e municioneve dhe automjeteve të blinduara”, tha Von Cramon-Taubadel.

    Dhe, tha ajo, duhej të kishte një rishikim të qasjes së Brukselit.

    “BE-ja tani duhet të rivlerësojë strategjinë e saj të përgjithshme ndaj bisedimeve Serbi-Kosovë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi,” tha ajo.

    “Qasja aktuale, e cila fokusohet në stabilitetin ekonomik dhe politik, çoi në sulmin në Banjska. Në vend të kësaj, duhet të kemi prioritet gjërat kryesore – sundimin e ligjit dhe demokracinë, dhe të angazhohemi më shumë me zërat përparimtarë nga i gjithë rajoni, “tha parlamentarja.

    “Më në fund, ne kemi nevojë për një përforcim të menjëhershëm të KFOR-it dhe EUFOR-it – asgjë nuk frenon më mirë se prania e trupave të fuqishme të NATO-s në terren”, shtoi ajo./ The Guardian/

  • Kurti uron kancelarin Scholz në ditën e Bashkimit të Gjermanisë

    Kurti uron kancelarin Scholz në ditën e Bashkimit të Gjermanisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar kancelarin Olaf Scholz dhe popullin gjerman e kosovarë që jetojnë në e Gjermani me rastin e 3 tetorit Ditës Kombëtare të Gjermanisë, përkatësisht 33 vjetorin e Bashkimit të Gjermanisë.

    Kurti me këtë rast thotë se Gjermania që jetoi e ndarë për 40 vjet, është djep i qytetërimit dhe boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar brenda dhe jashtë BE-së.

    Kryeministri Kurti thotë se Gjermania ka qenë një nga vendet më mbështetëse ndaj Kosovës që nga vitet ’90-të, ndërsa nga viti 2008, është shteti evropian që ka investuar më së shumti në Kosovën e pavarur.

    Kjo është deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Ditën Kombëtare të Gjermanisë

    Duke e kujtuar dhe uruar bashkimin e Gjermanisë!

    3 tetori është Dita Kombëtare e Gjermanisë, përkatësisht Dita e Bashkimit të Gjermanisë, i realizuar 33 vite më parë, kur më 3 tetor të vitit 1990, dy republikat gjermane u bënë bashkë. Gjermania ishte ndarë në fund të Luftës së Dytë Botërore në katër zona nga Aleatët, prej nga derivuan dy republika gjermane: Republika Demokratike Gjermane e formuar në lindje më 7 tetor 1949 dhe Republika Federale e Gjermanisë e formuar në perëndim më 23 maj 1949. Për dyzet vite, populli gjerman jetoi i ndarë në këto dy shtete me ideologji të kundërta, në sfond të bipolarizimit të botës në periudhën e gjatë të Luftës së Ftohtë.

    Njëmbëdhjetë muaj para bashkimit, më 9 nëntor 1989, gjermanët e kishin shembur Murin e Berlinit, që për 28 vite rresht kishte qenë simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe i botës në dy kampe politike. Më 28 nëntor 1989, Kancelari Helmut Kohl e kishte prezantuar para Bundestagut në Bon, planin e tij 10-pikësh për bashkimin e Gjermanisë, i hartuar në fshehtësi brenda dhjetë ditësh. Ky plan u realizua gjatë dhjetë muajve pasues dhe kulmoi më 3 tetor 1990, kur Republika Demokratike Gjermane iu bashkua Republikës Federale të Gjermanisë.

    Atë natë, Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker kishte deklaruar: “Përmes një vetëvendosje të lirë, e kemi kompletuar bashkimin dhe lirinë e Gjermanisë. Ne duam t’i shërbejmë paqes botërore në një Evropë të bashkuar”.

    Dhe kështu rezultoi vërtetë, pasi që nga atëherë, Gjermania ka qenë boshti i ruajtjes së një Evrope të bashkuar brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Gjermania e bashkuar është kthyer në garancën kryesore të paqes botërore mes vendeve evropiane, si atëherë kur i është bashkuar ndërhyrjes së NATO-s gjatë luftës në Kosovë më 1999, deri sot kur po i kontribuon rezistencës në Ukrainë.

    Gjermania ka qenë një nga vendet më mbështetëse ndaj Kosovës në vitet ’90-të, teksa në një kohë kur regjimi serb e mohonte fare Universitetin e Prishtinës, universitetet gjermane lidhnin marrëveshje me UP-në.Gjermania është shteti evropian që ka investuar më së shumti në Kosovë pas luftës dhe një nga shtetet e para që e ka njohur shtetin e Kosovës, që më 20 shkurt 2008. Gjermania e ka mbështetur në vazhdimësi Kosovën në shumë fusha si dhe në rrugëtimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.Ushtarët gjermanë që janë pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë, kontribuojnë çdo ditë në ruajtjen e paqes në vendin tonë. Gjermania është vendi me diasporën më të madhe shqiptare nga Kosova. Gjermania është vendi i kthyer në shtëpi të sigurt për afër gjysmë milioni bashkatdhetarë të cilët në tre dekadat e fundit, kanë luajtur një rol kyç në jetën dhe zhvillimet sociale dhe politike në Kosovë. Republika Federale e Gjermanisë është adresa kyçe e Republikës së Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

    Andaj sot, në 33 vjetorin e Bashkimit të Gjermanisë, dua ta uroj për Ditën Kombëtare Kancelarin Olaf Scholz, popullin gjerman, shqiptarët që jetojnë në Gjermani dhe të gjithë ata që besojnë te e drejta demokratike për vetëvendosje dhe te një Evropë e bashkuar!

  • ​Çmimi Nobel për fizikë iu jepet tre shkencëtarëve

    ​Çmimi Nobel për fizikë iu jepet tre shkencëtarëve

    Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe Anne L’Huillier ndajnë çmimin prej 823,000£ për punën në dinamikën e elektroneve në materie

    Tre shkencëtarë janë nderuar me çmimin Nobel 2023 në fizikë për punën e tyre në krijimin e pulseve jashtëzakonisht të shkurtra të dritës që mund të shfrytëzohen për të studiuar proceset që ndodhin brenda atomeve dhe molekulave, shkruan The Guardian.

    Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe Anne L’Huillier ndajnë çmimin prej 11 milionë korona suedeze (823,000 £) të shpallur të martën nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm.

    Çmimi i këtij viti është çmimi i 117-të Nobel që jepet në Fizikë që nga viti 1901. L’Huillier është vetëm gruaja e pestë që fiton këtë çmim.

    Duke folur në konferencën për shtyp, L’Huillier tha se ishte duke dhënë mësim kur mori telefonatën se kishte fituar çmimin Nobel në fizikë.

    “Gjysmë ora e fundit e leksionit tim ishte e vështirë për t’u mbajtur,” tha ajo. “Siç e dini, nuk ka aq shumë gra që e marrin këtë çmim, kështu që është shumë, shumë i veçantë,” shtoi ajo.

  • Abdixhiku: Radojiçiq t’iu dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë

    Abdixhiku: Radojiçiq t’iu dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Milan Radojiçiq duhet t’iu dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë.

    “Një përpjekje e kot dhe gjithsesi e vonshme e Serbisë dhe Presidentit Vuçiq për t’u distancuar nga organizimi dhe strehimi i terroristëve të Banjskës. Tani që stërvitja, armatosja, mbështetja logjistike e vet strehimit të terroristëve kanë dalë në shesh botërisht përpjekjet e tilla janë lëvizje dëshpëruese për distancim”.

    “Terroristi Radojciq duhet t’i dorëzohet organeve kosovare të drejtësisë, si pjese e pashmangshme e bërjes se drejtësisë për vrasjen e heroit Bunjaku. Një vend kandidat për në BE nuk duhet të tolerohet me një politikë të tillë”.

    “Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbaje përgjegjës institucionet udhëheqëse te Serbisë, politike dhe ato të sigurisë, për një tendence te tille. Për Kosovën, në të njëjtën kohe, është e domosdoshme fitorja e betejës diplomatike sot dhe rikthimi i pozicionit tonë të drejtë në raport me Serbinë”.