ATV

Author: G.O.

  • Senatorja Shaheen kërkon që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë

    Senatorja Shaheen kërkon që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari: Serbia të bashkëpunojë

    Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, tha se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari, duke u shprehur e shqetësuar për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ajo pas takimit me presidenten Osmani pohoi se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim. Sipas saj, për paqe afatgjate duhet që të gjendet një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

    “Kishim planifikuar një udhëtim në rajon. Deshëm të shfrytëzojmë mundësinë që pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vijmë këtu dhe t’i shprehim shqetësimet tona. E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Mendojmë se është e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari, shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim”.

    “Kjo na tregon se për stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet vazhduar me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së në mënyrë që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë”.

  • Shqipëria miraton Rezolutën në mbështetje të Kosovës

    Shqipëria miraton Rezolutën në mbështetje të Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me 101 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë votoi projekt-rezolutën që dënon sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij tha se vazhdon të jetë i patundur në qëndrimet sa i përket veriut të Kosovës dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “E kam thënë së samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i. Fokusimi te suksesi dhe jo dështimi i planit francezo-gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rama.

    Gjatë 90 minutave sa kishte në dispozicion, kryeministri Rama mes tjerash kritikoi homologun e tij nga Kosova se ka ushtruar qasje të gabuar në dialog.

    “Nëse asociacioni bëhet si duhet, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia nuk do të lëvizë aq lirshëm sa ka lëvizur mes Brukselit dhe SHBA-së, duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin me një çmim komplet të paarsyeshëm të një asociacioni komunash, i cili i kyçur brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës do të ishte i zhveshur nga çdo potencial për destabilizim të Kosovës. Këtë e kupton edhe bufi”, tha Rama.

    Fjalimi i kryeministrit Rama shkaktoi reagimin e opozitës, derisa ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Rama po e favorizon Serbinë.

    “Fjalimi që lexoi sot para jush, është i shkruar në zyrat e Vuçiçit. Ky fjalim kishte në plan që në prag të samitit, të portretizonte si djall me zile kryeministrin e Kosovës. Kishte qëllim të mbronte padronin e tij, serbomadhin Aleksandar Vuçiç”, tha Berisha.

    Rezoluta e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, mbështet plotësisht rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës dy javë më parë, që dënon sulmet terroriste në Banjskë dhe përmend nevojën për hetim ndërkombëtar për rolin institucional të Serbisë në këtë sulm.

  • “Pesëshja e madhe” viziton Kosovën dhe Serbinë

    “Pesëshja e madhe” viziton Kosovën dhe Serbinë

    Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë dhe Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi.

    Qëllimi i vizitës në Kosovë dhe Serbi i përfaqësuesve të pesë shteteve kryesore, sipas diplomatëve në Bruksel, është përpjekje “të shpëtohet procesi i dialogut” dhe Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti, shkruan Evropa e Lirë.

    Burimet në Bruksel thanë se “është i domosdoshëm angazhimi i vendeve të mëdha të BE-së krahas Shteteve të Bashkuara për të shpëtuar dialogun pasi fuqia e përfaqësuesve të BE-së në këtë drejtim nuk do të ishte e mjaftueshme”.

    Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si “Pesëshja e madhe” është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë në Banjskë.

  • Këto janë të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

    Këto janë të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje ku ka marrë disa vendime. Një prej këtyre vendimeve është edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2023.

    Është  aprovuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Rrugës Prizren-Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), segmenti Strazhë-Kyçja me Autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren-Jug.

    •          Ndryshuar dhe plotësuar Programin Legjislativ për vitin 2023. Me këto plotësim-ndryshime, tërhiqen nga Programi Legjislativ, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr.04/L-010 për Bashkëpunim ndër komunal; Projektligji për Planifikim Hapësinor; Projektligji për Harmonizimin e Ligjeve të Veçanta me Ligjin Nr. 08/L- 067 për Inspektimet; Projektligji për Harmonizimin e Ligjeve të Veçanta me Ligjin Nr. 04/L- 202 për Sistemin e Lejeve dhe Licencave, kurse afati për Projektligjin për Banimin Social shtyhet deri më 31 dhjetor.

    •          Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Projekti për Forcimin e Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve”. Ky projekt synon digjitalizimin e shërbimeve nga administrata publike, pra ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët. Po ashtu, do të ndikojë në uljen e kostove financiare e barrës administrative për qytetarët, si dhe rritjen e efikasitetit e transparencës për institucionet publike.

    •          Ka ndarë 290.000.00€ për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo shumicë.

    •          Aprovuar në parim kërkesën për huamarrje të “Telekomit të Kosovës Sh. A.” në vlerë prej 15 milionë €. Mjetet e huadhënies sipas këtij vendimi përdoren vetëm për qëllimin e miratuar dhe nuk janë subjekt i asnjë kufizimi, pretendimi dhe detyrimi nga palët e treta. Fuqizimi i ndërmarrjeve publike dhe rikthimi i tyre drejt profitabilitetit përmes mirë menaxhimit dhe mundësimit të investimeve kapitale, mbetet prioritet i Qeverisë.

    •          Ndarë mjetet buxhetore për Projektin “Sanimi i rrëshqitjes në rrugën nacionale N22.3, segmenti Mitrovicë-Jarinje” tek vendi i quajtur “Kërshi i Kajushës”, në shumë prej 300 mijë €.

    •          Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për Lirim Zero nga Tatimi Doganor për:

    o          mallrat (pjesët rezerve te makinerive që përdoren në proces të prodhimit) për të gjithë prodhuesit që importojnë vet ose përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për shtyrje të TVSH-së ose janë subjekte të autorizuara për procedurën e përpunimit të brendshëm nga Dogana e Kosovës;

    o          mallrat (pjesë dhe aksesorë) për të gjithë prodhuesit që importojnë vet ose përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për shtyrje të TVSFL-së dhe Dogana e Kosovës, të përcaktuara me shtojcën 1. të këtij vendimi;

    o          mallrat (kanaçe dhe mbyllëset) për të gjithë prodhuesit që importojnë vet ose përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës për shtyrje të TVSH-së dhe Dogana e Kosovës, të përcaktuara me shtojcën 2. të këtij vendimi.

    •          Themeluar tri Ndërmarrje Publike Lokale: Ndërmarrja publike “Dardana Sh. A. Kamenicë”, Ndërmarrja Publike Lokale “Eko-Llapi Sh. A. Podujevë”, Ndërmarrja Publike Lokale “Eko- Theranda Sh. A.”  me 100% Aksione nga komunat, të cilat do të veprojnë në emër të aksionarit të vetëm dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e ligjshme, duke përfshirë regjistrimin sipas Ligjit nr.02/L- 016 për Shoqëritë Tregtare.

    •          Propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës aprovimin e Draft-statutit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Sipas këtij vendimi, Universitetit Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, i jepet pëlqimi për Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës. Statuti i ri reflekton ngritje substanciale të standardeve të funksionimit si institucion dhe avancim të standardeve akademike. Këto ndryshime vijnë pas rreth njëmbëdhjetë (11) vjetësh, kur për herë të fundit statuti është rishikuar, ndryshuar e plotësuar.

    •          Miratuar Strategjinë për Qeverisje Elektronike 2023-2027 dhe Planin e Veprimit. Strategjia e Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027 është dokument strategjik, që fokusohet në fushat kryesore të digjitalizimit të sektorit publik, që ndihmojnë në arritjen e vizionit të përcaktuar në Agjendën Digjitale të Kosovës 2030 për transformimin e Kosovës në një vend të suksesshëm në fushën e digjitalizimit. Me këtë Strategji krijohen kushte për përshpejtimin e e-qeverisjes së Kosovës, duke shtuar funksionalitete të reja, adoptuar praktikat më të mira dhe përdorur teknologji moderne.

    •          Miratuar Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2023-2027 dhe Planin e Veprimit. Me miratimin e Strategjisë synohet përmirësimi i sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës së shërbimeve kombëtare, si dhe krijimi i një mjedisi online të sigurtë për të gjithë qytetarët, bizneset dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

    •          Miratuar Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022, i cili obligon të gjitha organizatat buxhetore për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022.

    •          Miratuar Programin Nacional për Zhvillim Ekonomik Lokal. Programi Nacional për Zhvillim Ekonomik Lokal fokusohet në çështje ekonomike të nivelit lokal, por njëkohësisht adreson edhe ato që i takojnë nivelit qendror, të tilla që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal.

    •          Miratuar pesë nisma për amendamentin e marrëveshjeve financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian:

    1.         Amendamentin Nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015.

    2.         Amendamentin Nr.2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2016.

    3.         Amendamentin Nr.1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020.

    4.         Amendamentin Nr.1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2021.

    5.         Amendamentin Nr.1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022.

    •          Propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës (MD)

    •          Aprovuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave për Projektin: Mbrojtja dhe Menaxhimi i Trashëgimisë Kulturore, Konservimi dhe Investimi në “Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana”. Në rrënojat e qytetit romak, lokaliteti i sotëm arkeologjik Ulpiana, para dy muajsh, arkeologët e Kosovës dhe të Francës kanë zbuluar një mbishkrim të perandorit Justinian (527-565), dëshmi e rrallë e lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës dhe dëshmi e bashkëpunimeve të suksesshme ndërkombëtare. Hap i radhës, shumë i rëndësishëm është sigurimi i qasjes për hulumtim dhe shfrytëzim të pronave ku gjendet ky lokalitet përmes shpronësimit.

    •          Aprovuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Rrugës Prizren-Kufiri me Maqedoninë e Veriut (Tetovë), segmenti Strazhë-Kyçja me Autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren-Jug.

    •          Aprovuar Listën e Ekspertëve të kategorizuar në shtojcën 14.4 të Ligjit Nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik. Komisioni për vlerësimin e sistemeve shtetërore të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike ka përgatitur raportin për sistemet shtetërore të informacionit dhe komunikimit me rëndësi strategjike dhe ka propozuar listën e pozitave të ekspertëve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve për sistemet shtetërore të informacionit dhe komunikimeve.

  • Blinken në Izrael, thotë se u vranë të paktën 25 amerikanë

    Blinken në Izrael, thotë se u vranë të paktën 25 amerikanë

    Numri i amerikanëve të vdekurve në Izrael është rritur në të paktën 25 persona, tha të enjten Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

    “Në mënyrë tragjike, numri i jetëve të pafajshme të marra nga sulmet e tmerrshme të Hamasit vazhdon të rritet. Midis tyre, ne tani e dimë se të paktën 25 qytetarë amerikanë u vranë”, tha Blinken në Tel Aviv, raporton CNN.

    Të mërkurën, Departamenti i Shtetit konfirmoi vdekjen e të paktën 22 amerikanëve.

  • Rama: Shyqyr që iku Rugova pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij

    Rama: Shyqyr që iku Rugova pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se teoricienët dhe praktikantët në Prishtinë mendojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke nxitur armiqësi ndaj Qeverisë së Shqipërisë. Rama tha se nuk ka nder më të madh se të jetë i bashkë-akuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar. Ai i ka quajtur video propagandistike videot, në të cilat shihen ish-udhëheqësit e shtetit, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Ramush Haradinaj.

    Në deklarimin e tij para deputetëve në parlamentin e Shqipërisë, ai tha se “shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij”.

    Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Rama në deklarimin e tij ka folur për veprimet e qeverisë shqiptare pas agresionit serb në veri të Kosovës, qëndrimet e Prishtinës zyrtare ku pati kritika të ashpra për kryeministrin Albin Kurti.

    “Teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral, ta dëgjojnë edhe këtu sot se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën se të jem i bashkë-akuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar. Dhe nuk ka provë më të madhe se sa kjo aktakuzë e përbashkët me Hashimin për dritë-shkurtësinë dhe pa përgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores së lavdishme të UÇK-së, e cila do të jetë krenari shekujsh për shqiptarët, ku zhgarravistët e sotëm të saj do të jenë të harruar pa nam e pa nishan. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët UÇK-ja nuk do ta kishte fituar dot kurrë luftën e Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës. Dhe fatkeqësisht kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë, fitohet duke nxitur armiqësi ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe ndaj meje personalisht”, deklaroi ai në seancë plenare.

    Teksa foli për agresionin serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Rama tha se veriun e Kosovës e konsideron si tokën e askujt.

    “Unë e karakterizoj veriun e Kosovës, jo Kosovën natyrisht, me shprehjen angleze ‘no man’s land’. Po pse nuk qenka ‘no man’s land’, kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme kriminale, kur aty s’ka asnjë kontroll dhe s’ka asnjë mundësi të parashikosh se çfarë vjen nesër. Çfarë është kjo, çfarë ishte Lazarati ‘no man’s land’. Shumë e thjesht. U nxora nga konteksti, me një frymë, shpejt u keq shfrytëzua me epsh të posaçëm nga gjithë strategjinjtë dogmatik dhe kalamgjinjtë të Prishtinës zyrtare dhe të Tiranës. Përfshirë edhe strategjinë patetik të planetit ‘Non Grata’”, deklaroi ai.

    Vrer të inateve politike provinciale, i ka quajtur Rama videot e shpërndara kundër pushtetit të kaluar në Kosovë, të cilat tha se qëllim kanë diskreditimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Isa Mustafës.

    “E gjithë kjo tollovi germash ku në lumenjtë e marrëzive të thëna dhe të shkruara nga dy anët, gjaku i dëshmorëve të Kosovës nga ai i komandantit legjendar Adem Jashari, tek ai i efektivit të policisë, Afrim Bunjaku, përzihet me vrerin e inateve politike provinciale, i cili pastaj shpërndahet në rrjete sociale me video të porositura për të diskredituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinaj, Isa Mustafen… Nuk më bën mua, kjo është e vërteta më e hidhur. Na bën dëm, i bën dëm dinjitetit të Kosovës, i bën dëm marrëdhënieve strategjike mes Kosovës dhe komunitetit euroatlantik, i bën dëm procesit të shtet-njohjes përfundimtare të Kosovës ”, shtoi ai në seancë plenare.

    Teksa përmendi raportet me kryeministrin Albin Kurti, Rama tha se ka divergjenca botëkuptimore. Ai dënoi rëndë shpërndarjen e videove ku Ramush Haradinaj shihet duke trokitur gotat me përfaqësuesit e Listës Serbe.

    “Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Ramush Haradinaj, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal kur ai ishte kryeministër. Ndërsa, me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal. Madje në nivel personal e kam kënaqësi të bisedojë me të, por me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka pse më pengon sot, as që t’i kem, as që t’i shpreh divergjencat që janë të lidhura pa zgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht. Por gjithashtu që fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka se si më pengon që ta shpreh këtu neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë ditëve të fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, kur Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëjë copë-copë nga trollcat e trush-përlarjes kinse patriotike”, deklaroi ai më tej.

    “Turpi i mbuloftë” tha Rama teksa komentoi në seancë plenare këtë video, ku shtoi se këto janë mjete mizerable sulmi për ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj.

    “Duke varrosur vëllezër dhe shokë lufte të vrarë dhe duke rrezikuar të marrë vet plumbin e armikut në ballë dhe nuk ka luftë imagjinare për të bërë me hapje varresh digjitale në Facebook për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, të fshehur pas profileve false, nuk ka se si ta ketë problem fare të trokasë gotat me deputetët serbë të Kosovës në një koktej komplet të zakonshëm. Dhe prapë do të ishte e neveritshme që të sulmohej me diçka të tillë me këto mjete mizerabël kineze të Mao Ce Dunit, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe nuk ka kush nuk ka gurë për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe e bën paqen kur është për të bërë paqen. Prandaj turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë me lehtësinë e një puple se pa qindra e mijëra Ramusha të UÇK-së nuk do e gëzonin lirinë e shprehjes deri në mundësinë ekstreme të abuzimit dhe as s’do kishin shans fare të derdhnin për ditë plumba fjalësh”, tha Rama.

    Në deklarimin e tij para deputetëve në parlamentin e Shqipërisë, ai tha se “shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij”.

    “Pastaj them me vete shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij dhe pa u kryqëzuar edhe ai me ato gozhdat e helmit digjital, si axha i Vuçiqit. Nuk është rastësi, është thjesht vazhdimësia e një vije të vjetër uji të helmuar me nacionalizëm bajraktar dikur dhe pastaj elektoral dhe me dritë-shkurtësinë strategjike dhe pa përgjegjshmëri kombëtare që ata andej dhe këta këndej, të cilët rikthejnë në çdo skenë krize në veri të Kosovës dhe në çdo skenë takimit tim me presidentin Vuçiq, janë po ata prapë që mua më shpallën tradhtar të kombit kur u nisa për Beograd”, u shpreh ai.

    Kryeministri shqiptar, Rama përmendi disa herë edhe etiketimet që po i bëhen në Prishtinë e Tiranë.

    “Deri tek kryeministri i Shqipërisë, tradhtar i kombit e të vijë Ramoviçi, gëzuar pra-zhivelli. Bjerini pra daulleve, tastierave për të luftuar me Ramoviçin, më shumë me Ramoviçin bile se sa me vet Vuçiqin. Dhe ajo që dua të ju kujtojë është se këtu në Tiranë vetëm me këtë rrugë thellohen fitoret imagjinare të armatës së kapur pas së shkuarës, përpjekjen për të marrë në kontroll të ardhmen”, përfundoi ai.

    Ai shtoi se presidentin e Serbisë do ta takojë sa herë ta konsiderojë të nevojshme, sepse sipas tij, kështu i shërben më mirë interesit të Shqipërisë dhe Kosovës.

    Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.

    Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën.

  • Osmani: Nga Izraeli janë evakuuar 60 shtetas maqedonas

    Osmani: Nga Izraeli janë evakuuar 60 shtetas maqedonas

    Gjashtëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evakuuar nga Izraeli që nga fillimi i sulmit masiv të militantëve të Hamasit, të shtunën, më 7 tetor, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Ai tha se autoritetet kanë regjistruar rreth 150 shtetas të Maqedonisë së Veriut në qytete të ndryshme të Izraelit dhe në territoret palestineze. Por, ky numër mund të arrijë deri në 200 persona pasi disa nuk janë paraqitur për identifikim në thirrjen e autoriteteve të Shkupit.

    Të shtunën, sipas Osmanit, pritet të kthehen në Shkup edhe 90 të tjerët, të cilët janë duke komunikuar me shtabin e krizës të formuar menjëherë pas shpërthimit të konfliktit të Izrael.

    Shefi i diplomacisë maqedonase tha se ambasada në Kajro, është duke komunikuar me dy persona të tjerë që ndodhen brenda zonave të rrezikuara të Gazës, të izoluara nga Izraeli, pasi nuk arritën të dilnin para mbylljes së pikës së vetme kufitare me Egjiptin.

    “Situata atje është shumë e ndryshueshme dhe vlerësojnë se janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Ne po punojmë, gjithashtu, me autoritetet në Egjipt për t’i liruar ata dhe më pas do të organizojmë transportin nga Egjipti. Mirëpo, për momentin nuk kemi si t’i nxjerrim nga Gaza”, tha Osmani.

    Disa nga shtetasit maqedonas që gjendeshin në zonat e rrezikuara në rajonin e Gazës, të mërkurën në mbrëmje kanë arritur Athinë prej nga me autobus janë transferuar në kufirin e Maqedonisë së Veriut.

    Sipas Osmanit, fillimisht fokusi ishte identifikimi, kontaktimi dhe nxjerrja e qytetarëve nga zonat e rrezikuara dhe më pas transportimi i tyre në Tel Aviv.

    Osmani theksoi se një pjesë e qytetarëve të kthyer, kanë ardhur përmes Jordanisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me ç’rast u shprehu mirënjohje autoriteteve të këtyre shteteve.

    Maqedonia e Veriut i ka dënuar sulmet e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

    “Ne i dënojmë fuqishëm sulmet terroriste të Hamasit ndaj Izraelit. Mendimet tona janë me popullin izraelit, me të cilin solidarizohemi dhe ndajmë dhimbjen. Bëjmë thirrje për zgjidhje me dialog pasi bota ka nevojë për paqe”, thuhet në reagimin me shkrim të kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski./REL/

  • Konjufca e lëshon sallën: Le ta udhëheq nënkryetari i PDK-së ose i LDK-së seancën

    Konjufca e lëshon sallën: Le ta udhëheq nënkryetari i PDK-së ose i LDK-së seancën

    Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

    Musliu, kritikoi mazhorancën për mosparaqitje në seancë dhe i ka bërë thirrje kryeparlamentarit Konjufca, që t’i ftojë në seancë deputetët e pozitës, duke i thënë që nuk është njeri pa fuqi në VV.

    “Kryetar nuk jeni krejtësisht i pafajshëm në krejt këtë ngjarje sepse nuk jeni pa fuqi politike brenda subjektit tuaj politik dhe unë mendoj që edhe për ju tani më mirë do të ishte që t’u bëni thirrje publike deputetëve të partisë tuaj që të jenë këtu dhe t’i përkrahin kërkesat e Policisë së Kosovës ose ta lironi karrigen dhe t’ia lironi një nënkryetari ta udhëheq këtë seancë”, tha ajo.

    I menjëhershëm qe reagimi i kryekuvendarit Konjufca.

    “Atëherë zonja Musliu unë pajtohem plotësisht me kërkesën tuaj. Seancën pra le ta udhëheq nënkryetari i juaj PDK-së ose i LDK-së. Faleminderit”, ka thënë Konjufca dhe është ngritur për të dalë nga salla.

    Seanca me këtë rast nuk ka vazhduar më.

  • Krasniqi: Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku, pushteti e do Policinë vetëm për mburrje

    Krasniqi: Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku, pushteti e do Policinë vetëm për mburrje

    Pas refuzimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancën ku do të votohej Rezoluta për Policinë e Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se pushteti e do policinë vetëm për mburrje.

    Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, theksoi se sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejtë dhe konkretisht Policinë e Kosovës.

    “Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar kreu i PDK-së.

    Krasniqi tha se PDK nuk do të ndalet dhe do të insistojë, përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që këtë Rezolutë të miratohet. “Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, është shprehur Krasniqi.

  • Hoti për bojkotimin e seancës: Është cenuar rendi Kushtetues

    Hoti për bojkotimin e seancës: Është cenuar rendi Kushtetues

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën tha se është cenuar demokracia parlamentare në Kosovë.

    Ai përmendi tri instrumente që opozita i ka në dorë dhe sipas tij që të tria po cenohet drejtpërdrejtë nga vendimet e shumicës, raporton Ekonomia Online. Ai tha se Konjufca duhet t’i japë rrugë kësaj çështje ose të shpërbëhet Kuvendi.

    “Situata e sotme ka kulmuar me një pozicion që besoj që cenohet demokracia parlamentare në Kosovë. Janë tri instrumente që i ka opozita në dorë: seanca e jashtëzakonshme, komisionet parlamentare dhe pyetjet parlamentare të deputetëve. Të tria këto, në dy javët e fundit janë cenuar drejtëpërdrejtë me vendime të shumicës. Pak ju mbaj përgjegjës juve dhe kryesinë e Kuvendit, ju duhet të uleni të diskutoni këtë situatë, kjo është e patolerueshme”.

    “Nuk është veprim i thjeshtë parlamentar mosprezenca e mazhorancës sot këtu ose veprim i thjeshtë i kryeministrit mos e u përgjigj në pyetjet parlamentare, ose pamundësimi i konstituimit të komisionit hetimor. Ky është cenim i rendit kushtetues”, tha ai.