ATV

Author: G.O.

  • S’ka kuorum dështon raportimi i Bislimit në Komision

    S’ka kuorum dështon raportimi i Bislimit në Komision

    Ka dështuar raportimi i zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, në mungesë të kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbreshë Hyseni, tha se Bislimi ka qenë në mbledhje të Qeverisë, dhe në ndërkohë po priste kuorumin për të ardhë në raportim.

    Ajo theksoi se është e paarsyeshme sjellja e deputetëve të opozitës, anëtarë të këtij komisioni, që nuk e pritën Bislimin.

    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se do e lëshuan sallën pas 15 minutash, ngase Bislimi ishte dashur të vijë me kohë në raportim.

  • Qeveria nuk e paguan më rrymën në veri, Rizvanolli: Serbia po e saboton marrëveshjen për energji

    Qeveria nuk e paguan më rrymën në veri, Rizvanolli: Serbia po e saboton marrëveshjen për energji

    Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë më të mbulojë shpenzimet për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore të vendit.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se që prej vitit të kaluar, i është dhënë fund pagesës së faturave të energjisë elektrike për këto komuna.

    Ajo në një konferencë për media theksoi se Serbia po e saboton zbatimin e marrëveshjes për energji, Udhërrëfyesin për energjinë.

    “Sa i përket mbulimit të konsumit të energjisë për komunat veriore të vendit, kemi pasur një Udhërrëfyes vitin e kaluar me një afat prej 100 ditësh, ne kemi thënë me atë rast se pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës do të jenë deri në afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-I që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri. Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdojë. Sigurisht që ne si institucione dhe të gjithë operatorët, qoftë KOSTT, KEDS-, ZRRE, i kemi kryer detyrat tona në afate të duhura sipas kësaj marrëveshje. Ndërsa, nga pala tjetër (Serbia) kemi pasur sabotim dhe zvarritje, mirëpo me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet. Mirëpo, pa bërë kompromise shtesë apo ndryshim të kësaj marrëveshje dhe e kemi bërë të qartë që verzioni I fundit I kontratës I cili është dërguar “Elektroseverit”, disa muaj më parë, është verzioni i fundit të marrëveshjes, i cili duhet të nënshkruhet nga ata. Dje, operatori I distribucionit ‘KEDS-I” i ka I ka dërguar kërkesën e fundit për nënshkrim të kompanisë “Elektrosever” dhe presim që kjo të ndodhë shpejt, brenda ditësh. Nëse jo, atëherë sigurisht që duhet ti shohim të gjitha opsionet e tjera për të adresuar këtë çështje”, theksoi ajo.

    Ministrja Rizvanolli në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë theksoi se një kredi prej 15 milionë eurosh shtesë për Telekomin e Kosovës do t’i shfrytëzojë për investime në rrjetin mobil dhe fiks.

    “Sot në qeveri e miratuam edhe një kredi prej 15 milionë eurosh shtesë për Telekomin e Kosovës, me të cilat mjete Telekomi I Kosovës do të bëjë investime në rrjetin mobil dhe atë fiks për të vazhduar investimet që tani më i ka filluar me kontratën e nënshkruar prej 13 milionë eurosh në vitin e kaluar… Telekomi do të vazhdoj të investoj në pajisje të tjera, deri te zbatimi i plotë i rrjetit të gatshëm për 5 G”, theksoi Rizvanolli.

    Në mbledhje janë miratuar edhe propozim-vendimi për aprovimin e ndarjes buxhetore për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë, kërkesën e Ministrisë së Financave për lirim zero nga Tatimi Doganor dhe atë për Normën e Tatimit të Akcizës.

  • Ish-pjesëtari i UÇK-së vazhdon edhe sot dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-pjesëtari i UÇK-së vazhdon edhe sot dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Edhe sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 30-të (me kodin W04769) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitarë për të cilin Gjykata Speciale njoftoi se është ish-pjesëtar i UÇK-së, ka dëshmuar edhe në seancën e djeshme, e cila ka qenë e mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitari i 30-të, u ftua në sallë pasi që i 29-ti tha se nuk ishte i gatshëm që të dëshmonte, por ishte i gatshëm që të shkonte në burg. Po ashtu, ai kërkoi edhe nga trupi gjykues Charles Smith III që t’i japin një muaj kohë në këtë proces.

    Kërkesa e tij u refuzua pjesërisht nga trupi gjykues, kështu që u morë vendim që dëshmitari i 29-të, a vazhdojë dëshminë e tij të hënën më 16 tetor.

    Vlen të theksohet se seanca e ditës së sotme do të jetë më e shkurtë, për shkak se do të mbahet konferenca javore. Në këtë konferencë do të jepen informata javore lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të Gjykatës.

    Gjithashtu, do të ketë edhe konferencë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, të cilët në seancën e parë para gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse. Pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë. Kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili e përfundoi më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të nëntë.

    Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të. Dëshmitari i 11-të e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor.

    Ndërsa, më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

    Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

    Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

    Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

    E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

    Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.

    Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.

    Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.

    Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të. Më 9 tetor ka filluar dhe më 10 tetor ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari i 28-të, ish-reporteri i Tanjugut, Nebojsha Radosheviq (me kodin 03880). Po më 10 tetor, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 29-të i mbrojtur me kodin Ë04577, në këtë proces. Ndonëse, kërkoi një muaj kohë në këtë proces, dëshmitari i 29-të pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë me 16 tetor.

    Ndërsa, në po të njëjtën ditë me dëshmitarin e 29-të, ka filluar dëshminë edhe i 30-ti e që pritet ta vazhdojë edhe në ditën e sotme.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • “I kom krejt por ata që m’u ka dashtë nuk e kom”, emocionohet i riu që mbeti në karrocë për shkak të mjekut

    “I kom krejt por ata që m’u ka dashtë nuk e kom”, emocionohet i riu që mbeti në karrocë për shkak të mjekut

    Endrit Januzaj, në emisionin “Studio A” në ATV ka ndarë historinë e tij se si pas një ndërhyrje nga mjekët kroat, ka mbetur në karrocë.

    Por, pavarësisht sfidave që kaloi, ai nuk u dorëzua kurrë, duke bërë kështu të ballafaqohet me çfarë do, vetëm e vetëm për t’i arritur synimet e tij.

    “Nuk jam dorëzua, krejt kom arritë me i bo. E kom familjen e shëndoshë, fëmijët e shëndoshë, krejt I kom por ata që m’u ka dashtë nuk e kom. Bashkëshortja m’ka ndihmu shumë në këto periudhë të jetës m’ka bo me u ndje më i fortë”, tha ai.

    Tutje ai tregoi se drejton një fondacion humanitar, ku ndihmon shumë familje me nevojë, si dhe është aktivist i personave me aftësi të kufizuar.

    “Kam hapur një fondacion për t’i ndihmuar personat me aftësi të kufizuar dhe ato familje që kanë nevojë, janë diku rreth 5 mijë familje që i kam ndihmu me pako ushqimore gjatë pandemisë, karroca kam dhuruar shumë, motorë elektrikë janë diku rreth 500-600, të gjitha në mënyrë vullnetare”, shtoi tutje./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kurti thotë se mund të ketë eskalim sërish në veri: Po inskenohen sulme për ta fajësuar Policinë

    Kurti thotë se mund të ketë eskalim sërish në veri: Po inskenohen sulme për ta fajësuar Policinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenime për sulme të reja nga Serbia në mënyrë që fajësohet Policia e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti u shpreh se ekziston rreziku për eskalim javët në vijim në veri.

    Lirimi i Milan Radojiçiqit në më pak se 24 orë, sipas Kurtit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, “sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militar dështoi”.

    “Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata”.

    “Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”.

    “Shumë çka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist nuk do të neutralizoheshin që në natën e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka dëshpëruar. Lirimi i Radojiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi e sinjalit për rigrupim dhe hakmarrje. Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenimet. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës”

    Fjalimi i plotë:

    Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

    Të dashur qytetarë,

    Jemi 18 ditë pas sulmit paramilitar, terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të dielës. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist dhe planet e tyre për aneksim të katër komunave në veri të vendit nuk do të neutralizoheshin që në aktin e parë. Ata dështuan. Dhe kjo i ka bërë shumë të dëshpëruar.

    Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, përkatësisht, Presidencës, Shërbimit të inteligjencës, Ministrisë së Mbrojtës dhe ushtrisë serbe, në frymëzimin, përgatitjen, furnizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë, janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues.

    Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për ri-grupim dhe hakmarrje, sepse me 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për të arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet.

    Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me Republikën tonë, vetëm sa e ka inkurajuar. Provuan ta ndryshojnë realitetin në terren përmes veprimeve të organizuara dhe koordinuara paramilitare. Nuk ia arritën. Keqpërdorën Manastirin e Banjskës me synimin që t’i japin ngjyrim fetar ngjarjeve të 24 shtatorit. Sërish nuk ia arritën. Tani, formacione kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior, në skenarët e tyre destabilizues ka shumë të ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike. Për rastësi, javën që e lamë pas shënoi 23-vjetorin e rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. E për fat të keq, 23 vjet pas 5 tetorit, regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka përngjarë më shumë se sot, Serbisë së Millosheviqit.

    Në botëkuptim, e në synime, në sjellje, në metoda e në veprime. Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjt, romët, egjiptianët, goranët dhe të gjithë të tjerët jetojnë e punojnë bashkë kudo në Kosovën tonë të dashur paqësore e proevropiane.

    Ata që po duan të na rrënojnë nuk do t’ia dalin. Sepse jemi të përgatitur. Sepse jemi bashkë, me motiv të lartë dhe qëllime fisnike, për paqe dhe siguri, për të drejta dhe demokraci. Kosova është shtet i sigurtë. Sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar, Kosova ka shkallën më të ulët të kriminalitetit në mesin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Institucionet e vendit tonë, sidomos ato të sigurisë, janë në krye të detyrës, në shërbim dhe mbrojte të të gjithë qytetarëve, pa diskriminim e favorizim.

    Puna dhe ligji na bashkojnë si shoqëri. Shumëllojshmëria kulturore dhe etnike na pasurojnë si vend. Ju ftoj që të mbështeteni në Policinë e Kosovës. T’i besoni profesionalizmit të saj. Të raportoni sjelljet e dyshimta të individëve në komunitetet tuaja.

    T’i përcjellni me vëmendjen njoftimet e institucioneve nëpër kanalet e tyre zyrtare. Të mos bini pre e raportimeve të pakonfirmuara dhe të dezinformatave. Të ruani qetësinë në çdo situatë. Andaj, bashkëqytetarë të dashur, Me këtë thirrje në të njëjtën kohë shpreh edhe një herë mirënjohjen gjithë juve dhe secilit prej juve, për besimin, bashkëpunimin, maturinë dhe vetëdijen e lartë qytetare.

    Ju faleminderit!

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 26 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Ferizajt me 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 27 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 7 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • OKB-ja do të mblidhet të premten për të diskutuar mbi Izraelin dhe Gazën

    OKB-ja do të mblidhet të premten për të diskutuar mbi Izraelin dhe Gazën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të premten për të diskutuar konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

    Brazili, i cili aktualisht mban presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thirri takimin “për të adresuar situatën në Rripin e Gazës”, tha ministria e këtij vendi në një deklaratë.

    Ministri brazilian i Punëve të Jashtme Mauro Vieira ka ndërprerë një udhëtim në Azi për të udhëtuar në Nju Jork për të marrë pjesë në takim.

    Anëtarët e KS të OKB-së ishin të ndarë në lidhje me politikën në lidhje me Izraelin dhe palestinezët në një takim të dielën.

    “Fëmijët nuk duhet të mbahen kurrë peng, kudo në botë,” shkroi presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në X, dikur Twitter, të mërkurën, raporton BBC.

    Ai tha se Hamasi duhet të “lirojë fëmijët që janë rrëmbyer nga familjet e tyre”.

    Presidenti gjithashtu i bëri thirrje Izraelit që “të ndalojë bombardimet në mënyrë që fëmijët palestinezë dhe nënat e tyre” të largohen nga Gaza përmes Egjiptit.

     

  • Sot Kuvendi diskuton për mbështetjen urgjente financiare të Policisë

    Sot Kuvendi diskuton për mbështetjen urgjente financiare të Policisë

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.

    Në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00 është vetëm një pikë në rendin e ditës, ku do të bëhet shqyrtimi i i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës , Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.

    Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.

    Kjo kërkesë ka ardhur pas situatës së krijuar në Banjskë, si pasojë e të cilës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Gjatë atij aksioni, u shpërfaqën mungesat që kanë policët në punën e tyre, si mospagimi i shtesave të rrezikut, mungesa e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor dhe çështje të tjera.

  • Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Serwer: ShBA-ja dhe BE s’kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë

    Njohësi i zhvillimeve politike dhe profesori amerikan, Daniel Serwer, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-se, Peter Stano, për masat ndaj Kosovës, duke thënë se BE-ja ende s’ka parë veprime nga Kosova që çojnë në de-eskalim të plotë të situatës në veri.

    Sipas Serwer, “BE-ja është bërë një kundërshtar de-facto i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

    “Ajo [BE] dëshiron të kufizojë dislokimet e policisë në përgjigje të një kërcënimi të qartë dhe aktual, si dhe të krijojë një strukturë të veçantë qeverisëse për popullatën serbe, të paktën në veri”, ka shkruar Serwer.

    Më tej profesori i Universitetit amerikan “John Hopkins”, ka shkruar se “SHBA-të po mbështesin BE-në në të dyja këto synime, ndërsa mohojnë se do të lejojnë arritjen e objektivit të fundit”.

    “Por as BE dhe as SHBA nuk kanë treguar ndonjë vullnet për të bllokuar ambiciet e Serbisë, siç tregohet nga dështimi për të reaguar ndaj tentativës së kryengritjes së Beogradit”, ka shkruar Serwer.

    Situata në veri e ka ndikuar edhe në mënyrë tjetër ekonominë e Kosovës, pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë në fund të qershorit disa masa ndëshkuese ndaj vendit.

    Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nuk u është bindur, sipas bashkësisë ndërkombëtare, kërkesave të saj për ta shtensionuar situatën në veri.

    Këto masa kanë përfshirë pezullimin e programimit të fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA – Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE – dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

    Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se këto masa nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë negativ apo të prodhojnë humbje financiare për bizneset, por, megjithatë, “ato kanë pezulluar nënshkrimin e kontratave të reja, që do të kishin krijuar një vlerë potenciale për bizneset në Kosovë”.

  • Për 9 muaj, Policia ia mori lejen mbi 7 mijë shoferëve

    Për 9 muaj, Policia ia mori lejen mbi 7 mijë shoferëve

    Policia e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti, 7 mijë e 403 shoferëve u është ndaluar vozitja.

    Ndërsa, pikë negative kanë marrë 22 mijë e 434 shoferë.

    “Policia e Kosovës vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve. Gjatë periudhës kohore Janar – Shtator 2023:· 7403 shoferëve, iu është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik. · 22434 shoferëve, iu kanë vendosur pikë negative”, thuhet në njoftim.

    Policia u ka bërë thirrje shoferëve që t’i respektojnë rregullat në trafik.