ATV

Author: G.O.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë të shtunës parashihet të mbajë mot kryesisht mot me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin në mes 7 dhe 9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22 dhe 26 gradë.

    Kurse të dielën, sipas IHMK-së, parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-26 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Rriten sërish çmimet në Kosovë, inflacioni vjetor shkon në 4.2 për qind

    Rriten sërish çmimet në Kosovë, inflacioni vjetor shkon në 4.2 për qind

    Çmimet e konsumit në Kosovë kanë filluar të rriten përsëri. Madje inflacioni ka shkuar në mbi 4 për qind, muajin shtator 2023, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

    Çmimet e konsumit janë më të larta në një mesatare prej 4,2 për qind në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar (2022).

    Kështu u bë e ditur sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e cila ka publikuar indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shtator 2023.

    Sipas një njoftimi për media nga ASK bëhet e ditur se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,9% në muajin shtator 2023, ndërsa norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2023 me muajin shtator 2022 ishte 4,2 për qind.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,2 për qind në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator 2022”.

    Agjencia ka treguar se me ngritjen e çmimeve të konsumit të cilat i ka ndarë në disa grupe.

    “Në këtë periudhë janë grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perime (25,4 për qind); pemë (14,1 për qind); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (11,0 për qind); prodhime ushqimore (9,6 për qind); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (9,3 për qind); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (7,4 për qind); pije joalkoolike (7,1 për qind); pije alkoolike, duhan (6,6 për qind); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (6,5 për qind); kujdes personal (5,9 për qind), shërbime për transport (5,5 për qind); bukë dhe drithëra (5,3 për qind); restorante dhe hotele (4,3 për qind); energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (4,1 për qind); shërbime ambulantore (4,1 për qind); shëndetësi (3,6 për qind); rekreacion dhe kulturë (3,5 për qind); veshje dhe këpucë (3,4 për qind); mish (2,7 për qind); mallra dhe shërbime të ndryshme (2,7 për qind); dhe qumësht, djathë dhe vezë (1,5 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4,4 për qind në IHÇK”.

    Ndërsa siç thuhet në njoftim rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra (-12,7 për qind) dhe përdorim i pajisjeve për transportin personal (-1,1 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,2 për qind) në IHÇK.

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,9 për qind në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator 2023.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,4 për qind); transport (2,9 për qind); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (1,8 për qind); bukë dhe drithëra (1,7 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,0 për qind në IHÇK”.

    Ndërkaq, rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve (-7,0 për qind) dhe shërbimet për transport (-3,7 për qind) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,1 për qind) në IHÇK.

  • Hoti: Kurti i menaxhoi mbi 8 miliardë për 3 vjet, asnjë shenjë s’shihet ku janë harxhuar këto mjete

    Hoti: Kurti i menaxhoi mbi 8 miliardë për 3 vjet, asnjë shenjë s’shihet ku janë harxhuar këto mjete

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka pyetur se çfarë është bërë me 8.63 miliardë euro që Qeveria Kurti i ka pasur në menaxhim në tri vjetët e fundit.

    Hoti ka thënë se asnjë shenjë nuk shihet ku janë harxhuar këto mjete, duke theksuar se “nuk ka ndonjë autostradë të re, urë të re, tunel të ri, çerdhe, shkolla apo spitale të reja”.

    “ 3 vite mandat dhe 3 buxhete vjetore të menaxhuara. 8.63 miliardë euro vlera e tri buxheteve (2021=2.51 miliardë, 2022=2.90 miliardë, 2023=3.22 miliardë). As shenjë nuk shihet se ku janë harxhuar gjithë këto mjete. Nuk ka ndonjë autostradë të re, urë të re, tunel të ri, çerdhe, shkolla apo spitale të reja. Pagat nuk janë rritur. As policët nuk i kanë marrë shtesat e rrezikshmërisë nga shkurti i këtij viti”, ka shkruar Hoti.

  • ​Kosova me tre xhudistë në Evropianin U18 në Berlin

    ​Kosova me tre xhudistë në Evropianin U18 në Berlin

    Ekipi i kadetëve i Kosovës do të jetë pjesëmarrës në Kupën Evropiane të xhudos, që do të mbahet në Berlin të Gjermanisë.

    Nga data 14 deri më 15 tetor do të zhvillohet Evropiani i xhudos në Berlin për grupmoshat U18, raporton KosovaPress.

    Sidorela Dodaj (kategoria deri në 48 kilogramë), Enise Zijade (kategoria deri në 52 kilogramë) dhe Blin Kuka (kategoria deri në 90 kilogramë) do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë.

    Dodaj e Zijade ndeshen nesër, kurse Kuka ndeshet pasnesër. Së bashku me garuesit ka udhëtuar edhe trajnerja, Majlinda Kelmendi.

    Në Kupën Evropiane marrin pjesë 25 shtete dhe 433 garues.

  • Sulmi në Banjskë do të jetë temë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Sulmi në Banjskë do të jetë temë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Ndonëse temë kryesore e seancës së ardhshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është prezantimi i raportit të UNMIK-ut për Kosovën, në Serbi besojnë se në fokus të seancës në Nju Jork sigurisht që do të jenë edhe ngjarjet e fundit në Banjskë.

    Ata besojnë se një nga arsyet e zhvendosjes së seancës nga 18 tetori në 23 tetor është që t’i jepet kohë UNMIK-ut për të plotësuar raportin lidhur me sulmet e fundit në veri të Kosovës.

    Më 23 tetor do të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSOKB) në të cilën do të diskutohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

    Takimi fillimisht ishte planifikuar për më 18 tetor.

    Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të Këshillit të Sigurimit, seanca do të mbahet pasdite me orën lokale, ose në mbrëmje me kohën e Evropës Qendrore.

    Brazili është kryetar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë muajit tetor.

    Seanca e kaluar është mbajtur më 27 prill dhe ndërkohë ka pasur rritje të tensioneve nw veri tw Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar të mërkurën se tashmë më 21 tetor po udhëton për në Nju Jork dhe për këtë arsye nuk ka kohë të merret me sulmet e opozitës.

    Branka Latinoviq, diplomate e karrierës, vlerëson se sesioni i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të prezantohet raporti i fundit i UNMIK-ut, do të jetë një tjetër në serinë e sesioneve tematike që mbahen rregullisht pas miratimit të Rezolutës 1244.

    “Në të njëjtën kohë, kjo do të thotë se për momentin nuk ka vend që Serbia të kërkojë thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. “Serbia e humbi atë mundësi, edhe pse thirrja e saj ishte paralajmëruar disa herë publikisht”, thotë i intervistuari i Danas.

    Sipas saj, shtyrja e datës së seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të prezantohet raporti i fundit i UNMIK-ut, do të thotë se ekipit të UNMIK-ut në Prishtinë ndoshta i duhet kohë shtesë për të mbledhur dhe kontrolluar disa informacione më shumë në lidhje me zhvillimet e fundit mbi sulmin terrorist në veri të Kosovës.

    “Nuk do ta përjashtoja mundësinë që data të jetë zhvendosur në pritje të vizitës së paralajmëruar të ekipit të ndërmjetësve në Beograd dhe duhet të merret parasysh edhe ndryshimi i komandantit të KFOR-it. Gjithashtu është e mundur që të zhvillohen takime të përbashkëta për të harmonizuar vlerësimin e situatës dhe masat shtesë që eventualisht do të propozoheshin. Në të njëjtën kohë, shtyrja e datës së kësaj seance konfirmon seriozitetin e situatës në veri të Kosovës, por padyshim edhe nevojën për përgatitje shtesë në UNMIK dhe marrëveshje brenda Sekretariatit të OKB-së”, vlerëson ish-ambasadori.

    Ai thekson se nuk duhet të përjashtohet mundësia që arsyet e shtyrjes së seancës të jenë ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat kërkojnë veprime urgjente dhe janë fokusi aktual i angazhimit të KS-së.

  • Deliu-Kodra viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Ishin shumë të lumtur me fitoren e Kosovës dhe Shqipërisë

    Deliu-Kodra viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Ishin shumë të lumtur me fitoren e Kosovës dhe Shqipërisë

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka realizuar një vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

    Deliu përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se me Thaçin dhe Veselin kanë biseduar gjatë për kryesisht.

    “Mall, emocion dhe krenari! Ashtu siç kanë jetuar dhe siç kanë shkuar në Hagë, ashtu i gjeta edhe sot Presidentin Thaçi, Kryetarin Veseli dhe të tjerët ballëlartë e krenarë. Biseduam gjatë për gjithçka, e kryesisht për Kosovën. Ishin shumë të lumtur me fitoren e Kosovës dhe Shqipërisë mbrëmë”, thotë Deliu.

    Tutje, deputetja ka shkruar “të fala keni të gjithë nga ta: Dielli do të lind përsëri”.

  • Fillon ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së në Ferizaj

    Fillon ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së në Ferizaj

    Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, menaxhmentin e QKMF-së dhe mjekët, kanë vënë sot gurthemelin objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

    Aliu ka shkruar në Facebook, se kjo është një vepre publike madhore që i jep zgjidhje për dekada, nevojave hapësinore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në Ferizaj, ndërtimit të objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, që do të shtrihet në afro 5000m2 sipërfaqe, mbi trefishi i objektit ekzistues të QKMF-së, bashkëfinancim ky mes Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    “Falënderim Ministrisë së Shëndetësisë dhe kreut të saj që për vite u angazhuam bashkë në jetësimin e këtij projekti. Urime mantelbardhëve dhe gjithë qytetarëve ferizajas”, ka shkruar ai.

  • Gashi thotë se Gjykata Speciale e ka liruar Hysni Gucatin, javën e ardhshme vjen në Kosovë

    Gashi thotë se Gjykata Speciale e ka liruar Hysni Gucatin, javën e ardhshme vjen në Kosovë

    Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e Hysni Gucatit për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë.

    Lajmin e ka bërë të ditur ish-ushtari i UÇK-së, Astrit Gashi.

    Gashi ka thënë se Gucati do të jetë në Kosovë javën e ardhshme.

    “Lirohet Hysni Gucati ndërsa , Gjykata Speciale bene skandalin e radhës ndaj, Nasim Haradinaj të cilit nuk i aprovon kërkesën për lirim të hershëm.!
    Gjykata speciale e humbi krentibilitetin e saj me arrestimin Nasim Haradianjt dhe Hysni Gucatit Haradinajt per dosjet qe rrjedhën nga gjykata! Tregojë që nuk është aspak humane kur nuk e lirojë Nasim Haradinajn ne varrimin e vëllait të tij i cili ndërroj jetë muaj më parë
    Gjykata Speciale duke ditur se po shkel të gjitha të drejtat me elementare njerëzorë po tenton përmes shantazhit të beje presion ne djemtë me te mire të luftës por Nasim Haradinaj nuk thyhet, nuk u thye as kur regjimi barbar burgosi babain e tij Ismail Haradinajn , vëllain 14 vjeçar Agronin në varrimin e te cilit gjykata speciale nuk e lejoj të vijë për të perdore si forme presioni ndaj Gjeneralit që se humbi asnjë beteje Nasim Ismail Haradinaj.
    Me këto veprime të turpshme kjo gjykatë e sponsorizuar nga kuzhinat e Putinit po behet njollë e zeze e drejtësisë evropiane.
    Edhe çka duhet të ndodhe që ky popull të dele ne rrugë dhe te protestoj kundër kësaj prokurorie fashiste e cila nuk u interesa asnjëherë per 20 mije shqiptarë të vrarë por ne emër te drejtësisë po bashkëpunon me kriminel lufte!
    (Hysni Gucati vjen të merkurën në Kosovë)
    LIRIA KA EMER, LIRI PËR ÇLIRIMTARËT”, shkruan Gashi në njoftim./Indeksonline.

  • Kurti: Terroristët e Banjskës kanë pasur plane për sulme në 37 pika

    Kurti: Terroristët e Banjskës kanë pasur plane për sulme në 37 pika

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën franceze “Liberation” ka folur për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku.

    Kurti ka thënë se synimi i grupit të Banjskës ka qenë aneksimi i pjesës Veriore dhe e ka cilësuar akt agresioni të shtetit serb që ka shkelur sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

    Kreu i Qeverisë ka thënë se vlera e armëve të kapura shkon më shumë se 5 milionë euro vlerë.

    Ai ka zbuluar se sipas hartave që janë gjetur, grupi terrorist ka pasur plane për të sulmuar në 37 pika,

    “Po sigurisht. Ky është një akt agresioni i Serbisë, i cili cenoi sovranitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Vlera e armëve dhe pajisjeve të sekuestruara arrin në më shumë se 5 milionë euro. Terroristët kishin harta dhe plane për të sulmuar në 37 pika“, ka thënë Kurti.

    I pyetur nëse i beson Milan Radojçiqit që doli dhe mori përgjegjësinë për sulmin, Kurti ka thënë se “sigurisht nuk i beson”.

  • Escobar: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet sa më shpejt nga Kosova dhe Serbia

    Escobar: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet sa më shpejt nga Kosova dhe Serbia

    Zëvendësndihmës sekretarit amerikan, Gabriel Escobar ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

    Stabiliteti në Ballkan dhe paqja më e gjerë rajonale ishin temat kryesore gjatë takimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Escobar.

    Në njoftimin e OEAK-së thuhet se gjatë diskutimit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, zëvendësndihmës sekretari Escobar nënvizoi lidhjen e rrënjosur thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.

    “Ai më tej theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe bëri thirrje për zbatimin e saj të shpejtë si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, citohet Escobar në komunikatë.

    Delegacioni i Odës Amerikane, i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Arian Zeka, foli për raste të mundësive të humbura të biznesit në Kosovë për shkak të tensioneve në rajon. Në përgjigje të kësaj, zëvendësndihmës sekretari Escobar theksoi se normalizimi i marrëdhënieve do të zhbllokonte rritjen signifikante ekonomike për Kosovën dhe rajonin më të gjerë.

    Në komunikatë thuhet po ashtu se të dyja palët ranë dakord për rëndësinë e madhe të stabilitetit dhe paqes në Ballkan, si elemente themelore për prosperitet.

    “Më tej, u diskutua për ndërlidhjen midis marrëdhënieve të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, thuhet në njoftim.

    Duke theksuar vizionin e përbashkët për të ardhmen, Escobar dhe përfaqësuesit e Odës Amerikane u pajtuan se rruga përpara për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit varet nga hyrja e tyre në Bashkimin Evropian. Po ashtu në njoftim thuhet se ata u pajtuan se një integrim i tillë do të sillte një epokë të mundësive të shtuara ekonomike, si dhe do të forconte harmoninë rajonale.