ATV

Author: G.O.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë, vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka bërë të ditur se do të vazhdojnë me dëshminë e dëshmitarit të 29-të.

    Të martën e ka përfunduar dëshminë në seancë të mbyllur dëshmitari i 30-të, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ky dëshmitar është ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Para se të përfundojë seancën gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka thënë se sot do të vazhdojnë me dëshminë e dëshmitarit të 29-të.

    Dëshmitari i 29-të i prokurorisë, në seancën e 10 tetorit ishte ftuar nga trupi gjykues që të japë dëshminë e tij e cila edhe ishte ndërprerë disa herë, pasi që ai kishte kërkuar pushim me arsyetimin se nuk ndjehej mirë. Po ashtu, me kërkesën e tij, iu caktua edhe një avokat mbështetës.

    Edhe pse seanca vazhdoj më 11 tetor, avokati mbështetës i dëshmitarit të 29-të kishte deklaruar se klienti i tij nuk ishte i gatshëm të dëshmojë, por ishte i gatshëm të shkojë në burg. Ai kishte kërkuar një muaj kohë në këtë proces, mirëpo kjo gjë u refuzua pjesërisht nga kryetari i trupit.

  • Lansohet fushata kundër trafikimit me njerëz

    Lansohet fushata kundër trafikimit me njerëz

    Ministria e Punëve të Brendshme do të lansojë sot hapjen e fushatës kundër Trafikimit me Njerëz, në ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz.

    Hapjen e kësaj ceremonie do ta bëjë Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenieve Njerëzore.

    Dita evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore

    Kjo ditë shërben për të sjellë në vëmendje të vendimarrësve, shoqërisë civile, agjensive apo institucioneve të ndryshme dukurinë e trafikimit të personave, dukuri kjo që ka prekur mbarë botën. Rreth 27 milionë persona (gra, bura dhe fëmijë) trafikohen në vit.

    Trafikimi i personave nënkupton “rekrutimin, transportimin, transferimin, fshehjen ose pritjen e personave nëpërmjet kërcënimit, përdorimit të forcës e formave të tjera të shtrëngimit, mashtrimit, marrjes me forcë, dredhisë ose abuzimit të pushtetit ose të pozitës vulnerabël ose dhënien apo marrjen e pagesave ose përfitimeve për të arritur pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, për qëllime shfrytëzimi.

    Në të gjithë botën, 23% e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore janë vajza dhe adoleshentë.

    Në Bashkimin Evropian, forma më e zakonshme e trafikimit të raportuar është ajo e shfrytëzimit seksual, një formë e dhunës me bazë gjinore që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat që përfaqësojnë 95% të viktimave të regjistruara.

    Sipas raportit të fundit botëror për trafikimin e qenieve njerëzore, shumë vende kanë raportuar një rritje të viktimave të trafikimit në vitet e fundit, si për shkak të përmirësimit të procedurave për identifikimin e viktimave dhe trafikantëve, si dhe për një rritje të mundshme të incidencës.

    Gratë dhe vajzat e përfshira në trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual, pësojnë dhunë dhe abuzim që përfshin edhe privimin e lirisë personale, dhunë ekonomike, fizike dhe seksuale të cilat çojnë në pasoja të rënda dhe ndonjëherë kërcënuese për jetën.

  • ​Presidenti kroat sot dhe nesër në Shqipëri

    ​Presidenti kroat sot dhe nesër në Shqipëri

    Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, homologu kroat Zoran Milanoviq do të zhvillojë një vizitë shtetërore dyditore në Shqipëri më 18 dhe 19 tetor.

    Gjatë vizitës, Milanoviq do të shoqërohet nga Zonja e Parë e Kroacisë, Sanja Musiç Milanoviq dhe një delegacion zyrtar.

    Takimi zyrtar bilateral do të mbahet të mërkurën e 18 tetorit, pas të cilit do të zhvillohet konferenca për gazetarët. Të enjten e 19 tetorit Presidenti kroat Milanoviq së bashku me presidentin Begaj, do të vizitojnë qytetin e Beratit.

    Agjenda e plotë:

    10:30-10:45 – Ceremonia e mirëseardhjes së Presidentit të Kroacisë. Zoran Milanoviq i shoqëruar nga delagacioni zyrtar dhe Zonja e Parë e Kroacisë, Sanja Musiç Milanoviq.

    10:50-11:10 -Takimi tete-à-tête mes presidentit të Republikës së Shqipërisë. Bajram Begaj dhe presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.

    11:15-12:00 – Takimi dypalësh i delegacioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, i kryesuar nga presidentët Begaj-Milanoviq.

    12:10- 12-40- Deklarata dhe konferenca për shtyp nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj dhe presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq.

  • ​Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite arrin në 3,000 në Gaza

    ​Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite arrin në 3,000 në Gaza

    Të paktën 3,061 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës, tha të martën Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

    Rreth 13,750 persona të tjerë janë plagosur në bombardimet izraelite, tha një deklaratë e ministrisë.

    Njëmbëdhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet dhe bllokada e Izraelit në Rripin e Gazës kanë vazhduar, me mbi një milion njerëz të zhvendosur – pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të Gazës, sipas Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt. (UNRWA).

    Më shumë se 1,400 izraelitë janë vrarë në konfliktin e armatosur. (AA)

  • Kurti priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës, Ragnar Almqvist

    Kurti priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës, Ragnar Almqvist

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës për Kosovë, Ragnar Almqvist.

    Duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e palëkundur të Irlandës ndaj vendit tonë, Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin në veçanti për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në takim u theksua se gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në implementimin e reformave kyçe, promovimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit. Kryeministri Kurti po ashtu foli dhe mbi situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.

    U bisedua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit, rritjen e mundësive të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona. Kryeministri Kurti theksoi se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Irlandën për të thelluar më tej lidhjet në mes të dy vendeve.​

  • Bullgaria do të trajnojë kontrolluesit e trafikut ajror të Kosovës

    Bullgaria do të trajnojë kontrolluesit e trafikut ajror të Kosovës

    Të 28-të kontrolluesit e trafikut ajror nga Autoriteti i Kontrollit të Qasjes në Prishtinë në Republikën e Kosovës, janë duke u trajnuar në Ndërmarrjen Shtetërore “Kontrolli i Trafikut Ajror” (BULATSA) të Bullgarisë, tha kompania të martën. Të trajnuarit do t’i nënshtrohen një kursi të krijuar posaçërisht për të rifreskuar njohuritë dhe aftësitë e tyre për të qenë në gjendje të sigurojnë një rrjedhë të sigurt, të rregullt dhe të shpejtë të trafikut ajror në vendin e tyre.

    Kursi mbulon plotësisht kërkesat e Rregullores Evropiane 2015/340 dhe programit të trajnimit të ANSA-së, dhe zhvillohet në bazë të një kontrate ndërmjet Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror – Republika e Kosovës dhe BULATSA. Trajnimi është i nevojshëm që kontrolluesit e trafikut ajror të Kosovës të vazhdojnë vlefshmërinë e licencave të tyre për të kryer detyrat e tyre.

    Përveç pjesës teorike, ata do të bëjnë edhe ushtrime praktike, të cilat do të kryhen në simulatorin BULATSA, ku do të interpretohen situata me ngarkesë të lartë, funksionim në dukuri të pafavorshme të motit, dështim të pajisjeve të vëzhgimit, si dhe rreziqe të tjera dhe situata emergjente.

    Simulimet kryhen në hapësirën ajrore të projektuar posaçërisht nga specialistët e BULATSA, e cila përkon plotësisht me hapësirën reale ajrore të Republikës së Kosovës, duke përfshirë të gjitha pikat aktuale të lundrimit dhe mjetet ndihmëse dhe procedurat e aplikuara nga kontrolluesit e trafikut ajror. Avionët e hasur në simulator përputhen me ata avionë që përdoren në aeroportin e Prishtinës.

    Simulatori BULATSA ofron mundësinë e vendosjes së Ndërfaqes së Makinerisë Njerëzore (HMI) që të ngjajë plotësisht me atë të përdorur në Republikën e Kosovës. Trajnimi është pjesë e planit të BULATSA për të zhvilluar simulatorin e saj dhe për të ofruar aftësinë për të trajnuar dhe kryer simulime në kohë reale, si për nevojat e veta ashtu edhe për kontraktorët e jashtëm. Kurse të ngjashme u mbajtën për kontrolluesit e trafikut ajror nga Maqedonia e Veriut dhe Armenia nën drejtimin e ekspertëve nga Qendra e Trajnimit të Aviacionit BULATSA.

  • ASK: Numri më i madh i studentëve në fushën “Biznes, Administratë dhe Ligj”

    ASK: Numri më i madh i studentëve në fushën “Biznes, Administratë dhe Ligj”

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se numri më i madh i studentëve të regjistruar për herë të parë në arsimin e lartë në nivelin Bachelor është shënuar në fushat “Biznes, administratë dhe ligj” me gjithsej 4 mijë e 268 studentë ose 25 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve.

    “Nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar për herë të parë në nivelin Master, 1 mijë e 528 studentë janë regjistruar në fushën “Biznes, administratë dhe ligj” ose shprehur në përqindje 37,1% e numrit të përgjithshëm. Ndërsa, vërehet numër i vogël i studentëve të regjistruar në fushën “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë”, me gjithsej 65 studentë ose 1,6% e numrit të përgjithshëm”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Arsim të Lartë sipas fushave të studimit për vitin akademik 2022/2023.

    Ndërsa, numër më i vogël i studentëve janë regjistruar në fushat “Bujqësi, pylltari, peshkim dhe veterinari” me gjithsej 365 studentë ose 2,1 për qind.

    “Po ashtu, vërehet numër i vogël i studentëve të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në fushën e “Arsimit” me gjithsej 390 ose 2,3 për qind”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Arsim të Lartë sipas fushave të studimit për vitin akademik 2022/2023.

    Sipas ASK-së numër më i madh i femrave është në fushën “Teknologjia Informative dhe Komunikimi (TIK)”

    “Në fushën e studimit “Teknologjia Informative dhe Komunikimi” (TIK) në nivelin Bachelor, krahasuar me vitin paraprak kemi një numër më të madh të femrave, ku për vitin 2021/2022 numri i femrave në këtë fushë ishte 2 mijë e 195 ose 28,8%, ndërsa në vitin akademik 2022/2023 ishte 2 mijë e 348 ose 32,4%”, thuhet në raport.

    Sipas ASK-së, diferencë më e madhe ndërmjet femrave dhe meshkujve te fusha e Arsimit.

    “Krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve, që ndjekin arsimin e lartë në nivelin Master, dominon numri i studentëve të cilët ndjekin studimet në fushat “Biznes, administratë dhe ligj” me gjithsej 3 853, ose 36,0% e numrit të përgjithshëm. Diferencë më e madhe gjinore vërehet edhe tek niveli Master në fushën e “Arsimit “ ku nga 1 075 studentë, 83,0% janë femra, ndërsa 178 janë meshkuj ose 16,6%”, thuhet në raport.

  • Gashi: Sistemi juridik ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin Astrit Dehari

    Gashi: Sistemi juridik ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin Astrit Dehari

    Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka kritikuar institucionet ligj-zbatuese, me theks Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila sipas tij ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që ka vrarë aktivistin Astrit Dehari.

    Edhe në këtë rast, Gashi ka ripërsëritur se aktivisti Dehari është vrarë në një institucion shtetëror dhe shteti është përgjegjës për vrasjen e tij.

    “Sistemi juridik dështon në identifikimin grupit terrorist vendor! Grupi terrorist, i organizuar mirë, i cili vrau Astrit Deharin me 05.11.2016, ende nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Organet ligj-zbatuese te Kosovës fare lehtë po i identifikojnë grupet terroriste të cilat kanë vepruar dhe ende veprojnë në veriun e Kosovës, e grupet terroriste të ardhura nga Serbia – siç ishte grupi terrorist i 24 shtatorit të këtij viti, madje edhe po i vrasin këta terroristë – mirë po ua bëjnë. Por, të njëjtat organe (kaq) efikase në raport me identifikimin e grupeve terroriste të Serbisë, kanë dështuar 100% në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin e Lëvizjes VETEVËNDOSJE! Astrit Dehari, me 05.11.2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka shkruar Gashi në reagimin e tij.

    Në shtrimin e shumë kritikave, avokati Gashi ka kërkuar nga organet ligj-zbatuese që të gjejnë vrasësit ose le të deklarohen publikisht të paaftë për të kryer punët që i kanë të përcaktuara me ligj.

    “Ose gjeni vrasësit e Astrit Deharit, ose deklarohuni publikisht te paaftë për ta bërë këtë – sepse, për pak ditë do të bëhen 7 vite nga vrasja e Astritit, në duar të shtetit, e për arsye 100% politike”, ka thënë ai.

  • Konjufca takon afaristët nga Turqia, flasin për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike

    Konjufca takon afaristët nga Turqia, flasin për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shoqëruar nga deputetë, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Turqinë, priti sot në takim një delegacion nga Oda Tregtare e Ankarasë (ATO), të kryesuar nga presidenti Gursel Baran.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve tona.

    Në komunikatë thuhet se kryetari Konjufca, pasi i njoftoi mysafirët në lidhje me infrastrukturën ligjore dhe mundësitë për investime në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit tregtar në fusha me interes për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Odën Tregtare të Ankarasë dhe shtetin mik të Turqisë. Ai po ashtu inkurajoi investimet e kompanive turke në sektorët e ndryshëm të ekonomisë së Kosovës.

    Delegacioni turk falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe çmoi angazhimin e tij në nxitjen e marrëdhënieve të ndërsjella tregtare.

    Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i ATO-s, i cili shoqërohej nga nënkryetari, Halil Ibrahim Yilmaz, kryetari i Federatës Shqiptare, Hivzi Krusha, kryetari i Fondacionit Shqiptar për Kërkime Kulturore dhe Edukim i vendeve të Ballkanit dhe deputetë të Ankarasë, shprehën interesimin e dyanshëm për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë të bizneseve me qëllim të avancimit të mëtejshëm të interesave të përbashkëta ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

  • Arrestohen tetë persona të dyshuar për vjedhje në Podujevë

    Arrestohen tetë persona të dyshuar për vjedhje në Podujevë

    Policia e Kosovës njofton se mbrëmë hetuesit e stacionit policor të Podujevës, kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar për vjedhje, ndërsa një person tjetër për blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.

    Në njoftim thuhet se shtatë personave të dyshuar u është iniciuar rast për vjedhjet që kanë ndodhë në periudha të ndryshme kohore në markete, ku personat e dyshuar (që të gjithë të mitur), në bashkëveprim dyshohet se kanë vjedhur artikuj nga marketi.

    Ndërsa personit të dyshuar, A.R, mashkull 23 vjeç, i janë gjetur dhe sekuestruar gjësendet të cilat dyshohet të jenë të vjedhura.

    “Ndaj tij është iniciuar rast për blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, thuhet në komunikatë.

    Policia në koordinim me prokurorin e shtetit hetuesit po ndërmarrin veprimet e nevojshme policore para se rastet të procedohen më tej.