ATV

Author: G.O.

  • Franca në panik: Alarme për bomba, evakuohen katër aeroporte

    Franca në panik: Alarme për bomba, evakuohen katër aeroporte

    Aeroporti i Llille-it në veri të Francës është duke u evakuuar për shkak të një alarmi për bombë, njoftoi ky aeroport të mërkurën në rrjetin X.

    “Ekipet shtetërore të sigurisë janë në vendin e ngjarjes”- thuhet në njoftim, raporton agjencia “Reuters”.

    Sipas televizionit BFM TV, që citoi burime të policisë, të mërkurën pati evakuime edhe në aeroportet në Tolouse, Nice dhe Lyon për shkak të alarmeve të sigurisë.

    Franca është në nivelin më të lartë të vigjilencës pas vrasjes së një mësuesi më 13 tetor. Dyshohet se sulmi ishte me motive islamike.

    Të martën, Pallai i Versajës, njëra nga qendrat kryesore turistike të Francës, u mbyll për disa orë për shkak të alarmit të dytë të sigurisë brenda katër ditëve.

     

  • Kurti takon komandantin e KFOR-it: Shtimi i trupave të koncentrohet në ruajtjen e kufirit me Serbinë

    Kurti takon komandantin e KFOR-it: Shtimi i trupave të koncentrohet në ruajtjen e kufirit me Serbinë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Ozkan Ultutas, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.

    Kryeministri Kurti theksoi që është i interesuar për bashkëpunim të fortë, takime të shpeshta dhe komunikim të rregullt me Komandatin e KFOR-it.

    Temë qendrore e takimit ishte situata e sigurisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë. Kryeministri theksoi që ky sulm terrorist ka vënë në pah nevojën për rritjen e sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi.

    Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën.

    Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës.

    Kryeministri Kurti po ashtu theksoi nevojën që në veri të vendit të ofrohen shërbime të rregullta për qytetarët nga institucionet e Kosovës, prandaj duhet të garantohet liria e lëvizjes.

  • Kreu i OBSh-së: Situata në Gaza po del jashtë kontrollit

    Kreu i OBSh-së: Situata në Gaza po del jashtë kontrollit

    Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se situata në Gaza po del jashtë kontrollit.

    “Çdo sekondë që presim të marrim ndihmën mjekësore, humbasim jetë. Për katër ditë furnizimet e OBSh-së kanë ngecur në kufi”, tha ai.

    “Ne kemi nevojë për qasje të menjëhershme për të filluar dërgimin e furnizimeve për shpëtimin e jetës”, shtoi kreu i OBSH-së.

  • Haradinaj takon ambasadorin e ri austriak, flasin për zhvillimet politike në Kosovë

    Haradinaj takon ambasadorin e ri austriak, flasin për zhvillimet politike në Kosovë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takimin ambasadorin e Austrisë në Kosovës, Georg Schnetzer.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

    “Prita në takim njoftues ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Georg Schnetzer. Duke i uruar mirëseardhje dhe punë të mbarë në vendin tonë, me ambasadorin Schnetzer biseduam për zhvillimet aktuale në vendin tonë dhe gjithashtu vumë theksin tek marrëdhëniet historike ndërmjet dy popujve”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj e ka falënderuar ambasadorin Schnetzer për ndihmën e vazhdueshme që Austria e ka dhënë për Kosovën.

    “Ambasadorin Schnetzer, e falënderova për ndihmën e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në rrugën tonë drejt integrimeve euro-atlantike”, ka përfunduar Haradinaj.

  • RTK-së i ndahen mbi 2 milionë euro për periudhën tetor-dhjetor të këtij viti

    RTK-së i ndahen mbi 2 milionë euro për periudhën tetor-dhjetor të këtij viti

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka aprovuar kërkesën e Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK) për ndarjen e mjeteve buxhetore mbi dy milionë euro për periudhën tetor-dhjetor 2023.

    Krahas kësaj komisioni po shqyrton raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2022.

    Nga deputetët e mazhorancës u ngritën shqetësime për mospërputhjen e shpenzimit të ujit dhe të hyrave të kompanive rajonale të ujësjellësve.

    Komisioni po vazhdon shqyrtimin e pikave të tjera që janë në rend të ditës.

  • Rreth 4 mijë persona janë vaksinuar kundër gripit sezonal në QKMF-në e Prishtinës

    Rreth 4 mijë persona janë vaksinuar kundër gripit sezonal në QKMF-në e Prishtinës

    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë, Familje (QKMF) në kryeqytet nga 9 tetori kur edhe ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal, janë vaksinuar rreth 4 mijë persona, ka konfirmuar për Ekonomia Online, Xhevrije Canolli shefe e Njësisë së Vaksinimit.

    Madje tha se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë vaksinuar edhe nga ekipet mobile, duke sqaruar se ky proces po vazhdon edhe në 13 Qendra të tjera.

    “Siç jeni njoftuar edhe ju më herët procesi i  vaksinimit kundër gripit sezonal ka filluar në javën e kaluar më datën 9 tetor që nga ajo datë e deri me sot janë vaksinuar rreth 4 mijë qytetarë po ashtu edhe nga ekipi mobil janë vaksinuar një numër i konsiderueshme i qytetarëve që për arsye shëndetësore nuk mund të vijnë në Qendër të Mjekësisë Familjare”.

    “Këtë vit sikurse edhe vitin e kaluar procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal është organizuar përveç në Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare edhe në 13 qendra tjera të Mjekësisë Familjare duke përfshirë këtu edhe qendrën e re në lagjen Vetrnik pra procesi i vaksinimi është krejtësisht i arritshëm nga qytetarët meqenëse mund ta marrin këtë shërbim varësisht nga vendi ku banojnë varësisht nga adresa në qendrën më të afërt ku ka njësi të vaksinimit”.

    Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që ta marrin vaksinën në mënyrë që të parandalohet dhe mbrohen nga sëmundjet infektive.

    “Meqenëse jemi në sezonin e gripit ku rastet me grip fillojnë të rriten kisha ftuar qytetarët të vaksinohen pasi qe kjo është koha më e mirë për të vaksinuar muaji shtator dhe tetor dhe vaksinimi mbetet mënyra më e mire dhe më efektive në parandalimin dhe mbrojtjen nga sëmundjet infektive. Vaksinimi mbron vetë personin që imunizohet dhe njëkohësisht ndihmon në parandalimin  e përhapjes së virusit të gripit në komunitet”.

    Tutje Canolli tregoi se cilët persona mund të marrin vaksinën, duke filluar nga personat mbi moshën 65 vjeçare, gratë shtatzëna e fëmijët nëse rekomandohet nga mjeku, raporton EO.

    “Vaksinimi kundër gripit  rekomandohet sidomos grupeve me rrezik të lartë sidomos grupeve në rrezik të lartë siç janë personat e moshuar mbi 65 vjet personat me sëmundje kronike grave, shtatzënë fëmijëve nën 5 vjeç personelit shëndetësor ndërsa nuk rekomandohet në rastet e alergjisë në ndonjë komponent vaksinës në raste të sëmundjeve akute me temperaturë të lartë të fëmijët e vegjël nën 6 muaj është me rëndësi të madhe qe duhet ta  cekim se në mesin e personave të moshuar vaksinimi kundër gripit redukton komplikimit dhe vdekshmërinë e shkaktuar nga gripi”.

  • ​Lansohet fushata kundër trafikimit me njerëz, MPB: Trafikantët të marrin dënimin e merituar

    ​Lansohet fushata kundër trafikimit me njerëz, MPB: Trafikantët të marrin dënimin e merituar

    Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz, si dhe për mbrojtje e riintegrim të viktimave të trafikimit. Kështu u tha me rastin e hapjes së fushatës kundër trafikimit me njerëz, në Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz.

    Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenieve Njerëzore, Blerim Gashani tha se angazhimi i kësaj qeverie me mekanizmat e saj do të vazhdon për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz.

    “Duke pasur këtë në mendje, veprimet, puna e aktivitetet tona nuk guxojnë të kufizohen vetëm në kuadër të kësaj dite, apo të këtij muaji kundër trafikimit me njerëz. Por, puna e angazhimi ynë duhet dhe do të vazhdojnë të jenë të përditshme dhe të intensifikohen edhe më tepër në parandalim dhe luftim të trafikimit me njerëz. Në hetime, por edhe detyrimisht në dënime meritore për trafikantët si dhe në përkrahje të duhur e shërbime cilësore për viktimat e trafikimit”, theksoi Gashani.

    Ai shtoi se Qeveria është e përkushtuar që edhe më tutje t’i përafroj veprimet e veta me instrumente ndërkombëtare në veprimet antitrafikim.

    U. D i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi theksoi se bazuar në raportet ndërkombëtare, Kosova ka shënuar rezultate të theksuara për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, mirëpo sipas tij, ende ka nevojë për qasje më profesionale dhe konstruktive nga të gjitha institucionet e shtetit.

    “Shpreh gatishmërinë e prokurorit të shtetit për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie mjaft negative dhe mjaft të rrezikshme për shoqërinë e në veçanti për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Trafikimi me qenie njerëzore paraqet njëra ndër veprat më komplekse që është parashikuar në Kodin penal të Kosovës. Ky kompleksitet është rezultat i vetë strukturës të veprës penale të trafikimit, sepse në kuadër të kësaj vepre penale ose të kësaj dukurie janë përfshirë shumë veprime të cilat po të shikohen si të veçanta paraqesin elemente të shumë veprave të tjera penale. Andaj, edhe trajtimi profesional me përkushtim i kësaj vepre penale ose kësaj dukurie kërkon që të gjithë zbatuesit e ligjit t’i qasen kësaj dukurie me një profesionalizëm dhe me një qasje humane ndaj viktimave të trafikimit. Bazuar në raportet ndërkombëtare, Kosova ka shënuar rezultate të theksuara për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, mirëpo, ende ka nevojë për qasje me profesionale dhe konstruktive të të gjitha institucioneve”, theksoi Kelmendi.

    Ndërsa, sipas zëvendësministrit Blerim Gashani, Kosova e kë etabluar kornizën legjislative dhe institucionale në fushën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore.

  • Borell dënon sulmet terroriste: Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por ka një kufi

    Borell dënon sulmet terroriste: Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por ka një kufi

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e Jashtme Josep Borell ka dënuar ashpër sulmin e fundit në spitalin Gaza dhe jo vetëm.

    Në fjalën e tij në Parlamentin Europian, ai theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet si çdo vend që sulmohet, por “jemi të gjithë dakord kur themi se nuk mund të bëjmë banorët e Gazës përgjegjës për Hamasin”. Borell dënon veprimet e Hamasit duke e cilësuar si një organizatë terroriste që nuk kërkon paqe, por vetëm shkatërrim.

    “Izraeli ka të drejtë të mbrohet, si çdo vend që sulmohet në atë mënyrë, por ne jemi të gjithë të bashkuar duke thënë se e drejta për mbrojtje ka kufij, në këtë rast të sanksionuar nga e drejta ndërkombëtare humanitare. Ne duhet të dënojmë sulmet terroriste kundër Izraelit, por edhe sulmet kundër civilëve palestinezë. Ne nuk mund t’i bëjmë të gjithë banorët e Gazës përgjegjës për Hamasin. Për ne, Hamasi është një organizatë terroriste që nuk ka dashur kurrë paqe, por vetëm shkatërrim”, u shpreh ndër të tjera Borrell.

  • Specializantët anulojnë protestën, ministri Vitia u premton zgjidhje

    Specializantët anulojnë protestën, ministri Vitia u premton zgjidhje

    Protesta e paralajmëruar që do të mbahet sot (e mërkurë) nga specializantët para Ministrisë së Shëndetësisë shkaku i pakënaqësive të tyre lidhur me pagesat, është anuluar. Specializantët kanë biseduar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me kërkesat e tyre, dhe ky i fundit u ka premtuar zgjidhje.

    Përfaqësuesi i specializantëve, Arianit Zajmi për KosovaPress tregoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me pagesat për kujdestaritë e mbajtura nga muaji shkurt, tha se nuk ka ligj që Ministria e Shëndetësisë mund t’i kompensojë ato.

    Zajmi shtoi se sa i përket vendimit për të paguar nga 500 euro për vit për specializim, Vitia ka thënë se nëse ekspertët ligjor mund të argumentojnë se një gjë e tillë mund të anulohet apo ndryshohet, do të shikon mundësitë për rishqyrtim.

    “Sa i përket çështjes së kujdestarive që i kemi mbajtur nga muaji shkurt, dhe që nuk janë kompensuar fare, ministria ka thënë që ato kujdestari nuk ka ligj që mund t’i kompensojë Ministria e Shëndetësisë, ato kanë humbur, kjo e para. E dyta, sa i përket vendimit ka 500 euro për detyrim të shkollimit… dhe 100 euro për specializantët jashtë Kosovës, ka thënë që nuk ka të drejtë ministri i Shëndetësisë me marrë vendim mbi ligj, për shkak se ka thënë se kjo është e përcaktuar me ligj. Unë ia kam parashtruar një pyetje ministrit i kam thënë që unë kam folur me ekspertët ligjorë dhe ekspertët ligjor më kanë treguar për disa rrugë ligjore, përmes të cilave nëse i zbatojnë mund të anulohet ky vendim dhe mund të ndryshohet. Ministri më është përgjigjur nëse më të vërtetë i gjen ekspertë që thonë kështu dhe më argumentojnë, ministri do t’i pranoj…Është treguar i hapur për këtë çështje, por ka thënë edhe një herë, përderisa nuk ka rrugë ligjore, kjo mbetet 100 për qind që jo”, tha Zajmi.

    Po ashtu, lidhur me kërkesën e tyre për kujdestari, Zajmi tha se ministri Vitia u ka premtuar se në fund të muajit tetor apo në fillim të muajit nëntor do t’i pajisini specializantët me aneks kontrata. Ai beson që këto aneks kontrata do të jenë në proporcion me Ligjin e ri të pagave.

    “Dhe e treta sa i përket kujdestarive ka thënë që ka fundi i këtij muaji, eventualisht në fillim të muajit të ardhshëm ne do t’i marrim aneks kontratë, në bazë të cilave çdo kujdestari do të kompensohet me pagesë…Po mbetet të pritet se si do të jenë ato aneks kontrata, por po besoj që duhet të jena në proporcion me Ligjin e ri të pagave”, tha Zajmi.

    Ndërkaq, specializantët protestën e filluan që javën e kaluar, për të vazhduar edhe këtë javë. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mos pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të pagave si dhe mos pagesën e kujdestarive me subvencione prej muajit shkurt.

    Ata gjatë javës së kaluar protestuan për mos pagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

  • Peja nis sot aventurën në grupet e FIBA Europe Cup

    Peja nis sot aventurën në grupet e FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës në basketboll, KB Peja do të nis sot aventurë në garat evropiane, respektivisht në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

    Me fillim nga ora 19:00 KB Peja do të zhvillojë ndeshje si mysafire e skuadrës së njohur gjermane, NINERS Chemnitz, raporton KosovaPress.

    Përballja ndaj skuadrës gjermane shihet tejet e vështirë, sidoqoftë kampioni i Kosovës synon të tregojë paraqitje sa më të mirë, ndërsa ka ftuar edhe bashkëkombësit në Gjermani për përkrahje sa më të madhe.

    Peja është pozicionuar në Grupin H së bashku me NINERS Chemnitz, Heroes Den Bosch nga Holanda dhe Spojnia Stargard nga Polonia.

    Hera e fundit kur Peja ishte pjesë e garave evropiane, përkatësisht FIBA Europe Cup ishte sezoni 2016/17.

    Po ashtu, edhe KB Trepça këtë sezon është pjesë e grupeve të kësaj gare, por që ndeshja kundër Hapoel Galil Elion është pezulluar për shkak të situatës aktuale në Izrael.

    19:00 KB NINERS Chemnitz – KB Peja