ATV

Author: G.O.

  • Bastisjet nga Specialja, Klinaku: Jini prezent, ata janë në gjendje të montojnë prova

    Bastisjet nga Specialja, Klinaku: Jini prezent, ata janë në gjendje të montojnë prova

    Gjatë kësaj jave zyra e Prokurorit të Specializuar, ka nisur me disa bastisje që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë.

    Në lidhje me këto bastisje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se secili që është cak i këtyre bastisje nga ana e ZPS-së të mos lejojë të ju preket diçka pa prezencën e tyre, pasi siç u shpreh ai “ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale”.

    Kjo siç theksoi ai duke u bazuar në përvojat e tij të mëparshme nga ZPS-ja kur kanë bastisur zyrat e OVL UÇK-së më 25 shtator të vitit 2020.

    Postimi i tij:

    Të gjithëve ju kujtohen bastisjet e zyrave të OVL UÇK-së nga ana e ZPS-së më 25 shtator 2020.

    Kur kam shkuar për të marrë pjesë, apo për të qenë prezent gjatë bastisjeve e kontrollit, puna e parë që e kam bërë është që kam kërkuar nga udhëheqësja e operacionit Zdenka Pumper që t’i nxjerr policët nga zyrat tona e të dalin në korridor, duke i thënë se kemi përvoja të hidhura që nga koha e jugosllavisë kur njerëzve u janë montuar prova, dhe puna e dytë që e kam bërë ka qenë se kam kërkuar urdhëresën e bastisjes dhe kemi pritur gati 1 orë deri sa ka ardhur urdhëresa e shkruar.

    Kur kanë filluar bastisjet e kontrolli, nuk kam lejuar që të preket asnjë letër pa qenë unë afër gjysmë metre aty që të shoh se çfarë po preket.

    Poashtu në fund kur kam nënshkruar procesverbalin e përfundimit të bastisjes, e kam cekur në vërejtje se nuk jap llogari se çfarë është bërë rreth 1 orë e gjysmë përpara sa nuk isha unë prezent aty.

    Prandaj, secili nga ju që mund të jeni cak i bastisjeve apo kontrollit të tyre, mos lejoni që të preket diçka pa prezencën tuaj, sepse ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale.

  • Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

    Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se sot po shënohet një moment i madh për hekurudhën në Republikën e Kosovës.

    Kurti, mes tjerash, dha detaje nga përurimi i tuneleve gjashtë dhe shtatë dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.

    I pari i ekzekutivit kosovar potencoi se projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe shtatë tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane.

    “Sot shënohet një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovën. Po rindërtojmë në veçanti dy tunele, njëri me gjatësi 262 metra dhe me një gjatësi 122 metra, që kanë qenë të shembur tërësisht. Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10. Nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë. Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe Mitrovicë në kufirin verior të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

    “Gjatë javëve në vijim ministrit e linjës dhe Infrakos do të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore pesëvjeçare duke ndjekur normat evropiane”.

    “Me Shqipërinë tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndërtuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synojmë të ngrehim portin e thatë që kthen kryeqytetin ton në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe qarkullimit, të shpërndarjes dhe akumulimit”.

    “Edhe me linjën 10 dhe me hekurudhën Prishtinë Durrës, Kosova bëhet pjesë e e rrjetit të transportit trans-evropian”.

    Ai tregoi se do të rritet edhe shpejtësia e trenit me hekurudhën e re.

    “Me forcim rriten shkëmbimet, me zgjerim rritet ndërlidhja, ndërsa me modernizim rritet shpejtësia. Këtu treni mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë se 60 kilometra në orë, me hekurudhën e re mbi 100 kilometra në orë”.

  • Kadri Bytyqi zgjidhet kryetar i ri i Odës së Farmacistëve të Kosovës

    Kadri Bytyqi zgjidhet kryetar i ri i Odës së Farmacistëve të Kosovës

    Kuvendi i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK) sot ka mbajtur punimet në seancë konstituive, në të cilën u zgjedh kryetari i ri Kadri Bytyqi dhe dy nënkryetarët Jehona Hakaj dhe Astrit Haxhijaha.

    Bytyqi në fjalimin e tij inaugurues u zotua për punë të përbashkët për avancimin e sektorit farmaceutik në sistemin shëndetësor.

    Me këtë rast në prezantimin e programit qeverisës u paraqiten edhe objektivat programore qeverisës si inicimi dhe aprovimi i Ligjit për Farmacinë, rritjen e numrit të farmacistëve të punësuar në sistemin publik shëndetësor, rritja e numrit të specialistëve në fushën e farmacisë dhe përmirësimi i funksionimit të OFK-së.

    Ndryshe, Kadri Kadriu është i lindur në Mushtisht të Suharekës. Në vitin 2009 – 2011 ka qenë kryetar i Shoqatës Farmaceutike, shoqatë e cila ka kontribuar në të mirë të profesionit e profesionistit, duke u bazuar në punë vullnetare.

    Nga viti 2011-2013, ka qenë anëtar i shoqatës, gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në grupet punuese për themelimin e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë.

  • Gjendet i vdekur një person i zhdukur pas përmbytjeve në Toskana

    Gjendet i vdekur një person i zhdukur pas përmbytjeve në Toskana

    Trupi i një personi të zhdukur pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme që përfshiu pjesë të mëdha të Toskanës mbrëmjen e së enjtes, u gjet të shtunën.

    69-vjeçari u zhduk në Campi Bisenzio, një nga komunat në zonën metropolitane të Firences më të prekura nga moti ekstrem.

    Gjetja e tij e çon në shtatë numrin e të vdekurve nga përmbytjet. Një person ende mendohet të jetë i zhdukur. /ANSA

  • Serwer: Dorëheqja e Vulinit nuk nënkupton distancim të politikave të Serbisë ndaj Rusisë

    Serwer: Dorëheqja e Vulinit nuk nënkupton distancim të politikave të Serbisë ndaj Rusisë

    Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se dorëheqja e Aleksandar Vulinit prej pozitës së shefit të BIA-s, nuk nënkupton distancim të politikës së Serbisë ndaj Rusisë, mirëpo përpjekje për t’i shmangur sanksionet shtesë.

    Sipas tij, Uashingtoni do ta mirëpresë dorëheqjen e Vulinit, ndërsa Moska nuk do të jetë e lumtur.

    I pyetur se pse ka dhënë dorëheqje Vulini, Serwer ka thënë se ai ka qenë në presion të evropianëve dhe amerikanëve.

    “Mirëpo fakti që i janë dashur tre muaj, dhe jo tri ditë, tregon se ka pasur rezistencë të madhe të presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili e ka pikëpamjen e njëjtë me të Vulinit dhe ambicien e njëjtë për kontroll politik të popullsisë serbe në shtetet fqinje”, ka thënë Serwer.

    Serwer beson që Vulini e ka thënë të vërtetën, kur ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja e kanë kërkuar dorëheqjen e tij, në mënyrë që të mos vendosin sanksione ndaj Serbisë.

    Megjithatë, ai nuk beson se dorëheqja e tij nënkupton se Serbia do të pajtohet për koncesione tjera.

    “Vulini nuk është problem i vetëm në Serbi, apo në shërbimet e saj të inteligjencës. Presidenti Vuçiq nuk ka treguar asnjë shenjë keqardhjeje për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës”, ka thënë Serwer./REL/

  • ​Gjakova përballet me xhudistin serb në Evropianin e xhudos

    ​Gjakova përballet me xhudistin serb në Evropianin e xhudos

    Xhudisti Akil Gjakova do të jetë i fundit nga ekipi kosovar i xhudos që do të garojë Kampionatin Evropian të xhudos në Francë.

    Në kuadër të kategorisë deri në 73 kilogramë, Gjakova raundin e parë e kaloi pa luftë, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, në raundin e dytë Akili tani ka përballë xhudistin serb, Bajsangur Bagajev.

  • Erdogan thotë se pas luftës Gaza duhet të jetë pjesë e shtetit sovran palestinez

    Erdogan thotë se pas luftës Gaza duhet të jetë pjesë e shtetit sovran palestinez

    Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u tha gazetarëve se Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez sapo të përfundojë lufta Izrael-Hamas, duke shtuar se Ankaraja nuk do të mbështesë modelet që “i fshijnë gradualisht palestinezët nga historia”.

    Duke folur për mediat nga kthimi nga Kazakistani të premten, Erdogan tha gjithashtu se shefi i tij i inteligjencës Ibrahim Kalin ishte në kontakt me autoritetet izraelite dhe palestineze, si dhe me Hamasin, raportoi transmetuesi Haberturk.

    Ai tha se nuk do të fliste si homolog me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por shtoi se Ankaraja nuk do t’i ndërpresë as lidhjet e saj me Izraelin, sipas Haberturk.

  • 7-vjetori i vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje tregon agjendën e organizimit

    7-vjetori i vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje tregon agjendën e organizimit

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike agjendën e organizimit me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së aktivistit të tyre Astrit Dehari.

    Në mëngjesin e të dielës do të bëhen homazhe tek varri i tij në Zllatar, e në mbrëmje do të bëhet ndezje e qirinjve tek murali për Astrit Deharin në qendër të Prishtinës.

    Njoftimi i plotë:

    Agjenda për shtatë vjetorin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari

    E diel, 5 nëntor, 2023

    – 09:30 – Homazhe te varri i Astrit Deharit, vendi: Zllatar, Prishtinë

    – 12:00 – SKV Diskutim, vendi: Parku ‘Astrit Dehari’ te Biblioteka e Fakultetit të Mjekësisë.

    – 14:00 – Dhurimi vullnetar i gjakut, vendi: Sekretariati i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, rr. Behije Dashi, Prishtinë.

    – 18:00 – Ndezja e qirinjve te Murali për Astrit Deharin, vendi Kino ABC, rr. Rexhep Luci.

  • Tahiri pas raportimit të Kurtit në Kuvend: Ikje spektakulare nga përgjegjësia dhe dështimi dyvjeçar në dialog

    Tahiri pas raportimit të Kurtit në Kuvend: Ikje spektakulare nga përgjegjësia dhe dështimi dyvjeçar në dialog

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas raportimit të djeshëm të kryeministrit Kurti në Kuvend lidhur me dialogun dhe zotimit të tij për formim të asociacionit.

    “Raportimi i djeshëm i kryeministrit për takimin e Brukselit ishte ikja më spektakulare e Albinit nga përgjegjësia dhe dështimi i tij dyvjeçar në dialog. Ai foli për Shkup e Shkodër, veç për temën që ishte thirrur nuk u përgjigj. Në fakt seanca e djeshme u kthye në një takim politik elektoral të VV-së”, shkroi Tahiri në profilin e tij në Facebook.

    Tahiri shtoi se qytetarët ende presin përgjigje nga Kurti se çka do të fitojë Kosova nga kjo çasje, kur do të largohen sanksionet dhe se si do të bëhet asociacioni.

    “Qytetarët vazhdojnë të presin përgjigje për:

    1. Çka do të fitojë Kosova nga kjo çasje e qeverisë në dialog dhe a do të bëhet dhe si do të bëhet Asociacioni?
    2. Kur do të largohen sanksionet?
    3. Cila është perspektiva e vendit për anëtarësim të shpejtë në NATO?”, përfundoi ai.
  • Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit, vendimi për Isni Kilajn merret të hënën

    Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit, vendimi për Isni Kilajn merret të hënën

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dje ka paraqitur kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Isni Kilajt i cili është arrestuar me 2 nëntor, mirëpo vendimi për këtë kërkesë do të merret të hënën me 6 nëntor 2023.

    Kjo është bërë e ditur nga gjyqtari i vetëm në këtë çështje, Nicolas Guillou i cili i urdhëroi mbrojtjen e Isni Kilajt dhe ZPS-në për t’i dorëzuar parashtrimet e veta.

    “Pasi dëgjova palët dhe duke marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit që u paraqit dje në 3 nëntor përreth orës 10:00 e quaj të përshtatshme të miratoj kërkesën e mbrojtjes për bërë parashtrime me shkrim lidhur me këtë kërkesë përpara se të jep vendimin tim, prandaj e urdhëroj mbrojtjen e z.Kilaj të parashtroj parashtrimet e veta me shkrim, sot 4 nëntor deri në orën 8 dhe ZPS t’i kundërpërgjigjet nesër deri në orën 2. Të hënën në orën 10:00, 6 nëntor do të nxjerrë vendimin tim”, tha gjyqtari Guillou.

    Mbrojtja ka thënë se s’ka prova se ai është fajtor derisa Prokuroria ka thënë se ka gjetur prova të dëshmitarëve në banesën e Kilajt.

    Gjykata njoftoi të premten se ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pasi është arrestuar nën dyshimin për veprë penale kundër administrimit të drejtësisë.

    “Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftim për media.