ATV

Author: G.O.

  • 8 nëntor 1462 u nënshkrua dokumenti i parë i gjuhës shqipe

    8 nëntor 1462 u nënshkrua dokumenti i parë i gjuhës shqipe

    Në Trininë e Matit, pranë Macukëllit, më 8 nëntor 1462, u nënshkrua dokumenti i parë i gjuhës shqipe “Formula e Pagëzimit”.

    Ajo është një fjali e shkurtër shqipe, në mes të një shkrimi latinisht në një letër qarkore të kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Gjergj Kastriotit.

    “Formula” përdorej për të pagëzuar fëmijët e porsalindur, në kushtet e luftërave të vazhdueshme kundër osmane. Formula dëshmoi se shkrimi i shqipes me germa latine, duhet të jetë përdorur edhe para kësaj date.

    “Formula e pagëzimit” u zbulua në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga albanologu rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij më 1915.

  • Komisioni Evropian miraton sot paketën e zgjerimit

    Komisioni Evropian miraton sot paketën e zgjerimit

    Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.

    Për herë të parë, raportet e progresit do të miratohen për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet do të miratohen për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

    Po ashtu, pritet që Komisioni Evropian të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe të rekomandojë dhënien e statutit të vendit kandidat për Gjeorgjinë.

    Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave ka hasur në kundërshtime, gjatë takimit të zhvilluar të martën të shefave të kabineteve. Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet. Por, për këtë çështje pritet të bëhen përpjekjet e fundit nga komisionarët në takimin e së mërkurës.

    Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

    Rekomandimet dhe raportet që do të miratohen më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

    Sa u përket raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Radio Evropa e Lirë më 7 nëntor publikoi përmbajtjen e disa drafteve në të cilën ka pasur qasje. Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

    Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

    “Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.

    Marrëveshja drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit, kërkon nga palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

    Ndërkaq, draft-statuti i prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca, është thënë se është një model modern evropian. Ky dokument nuk është bërë publik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar atë dhe se i njëjti është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës.

    Në raportin për Kosovën po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe bojkotin e tyre në zgjedhjet lokale të prillit të këtij viti. Këto veprime cilësohen si “shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve [e vitit 2013] dhe paraqet shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015”.

    “Nga Serbia kërkohet që të inkurajojë serbët e Kosovës që menjëherë të kthehen në institucione, ndërkaq nga Kosova që të bëjë këtë të mundur. Që nga nëntori i vitit 2022, asnjëra palë nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thuhet në raport.

    Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, për shkak të kundërshtimit të serbëve për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, Kosova ka hartuar një legjislacion që mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të ndryshojnë kryetarët e komunave.

    Situata në veri të Kosovës u përkeqësua edhe më shumë më 24 shtator, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

    Ndryshe, pas miratimit në kolegjin e komisionarëve, paketën e zgjerimit do ta prezantojë para gazetarëve presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa para deputetëve të Parlamentit Evropian, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

  • Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet jozyrtare në Bruksel.

    Sipas burimeve, data 16 nëntor përmendet si datë e mundshme për takimin mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Kujtojmë se më 26 tetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq patën takime të ndara me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.

  • Kurti priti në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin

    Kurti priti në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot paradite në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismailin.

    Ai fillimisht e uroi për detyrën e re dhe e falënderoi guvernatorin Ismaili për angazhimin e tij të deritanishëm në krye të BQK-së, teksa dhe i dha mbështetjen e tij institucionale për realizimin e përgjegjësive dhe misionit të Bankës Qendrore.

    Guvernatori Ismaili e njoftoi kryeministrin Kurti mbi punën e BQK-së, planet dhe synimet.

    Shërbimet bankare, digjitalizimi i tyre dhe rruga drejt zgjidhjes së çështjes së kamotshme të Kartonit të Gjelbër për automjete ishin disa prej temave që u diskutuan bashkë në takim.

  • Haradinaj: E lexuam draftin – i referohet Kushtetutës, s’ka kompetenca veç lehtësira për komunat

    Haradinaj: E lexuam draftin – i referohet Kushtetutës, s’ka kompetenca veç lehtësira për komunat

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndryshe nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pas takimit me Lajcak ka thënë se ka parë draftin dhe ka mundur ta lexojë në tërësi atë. Megjithatë nuk dihet nëse Drafti është prezantuar në të njëjtin takim të përbashkët, apo nëse Haradinaj ka zhvilluar takim tjetër ndaras me Miroslav Lajcak. I pyetur nga gazetarët për këtë, Haradinaj s’ka treguar, vetëm ka dhënë detaje për Draftin që ka parë.

    Haradinaj ka thënë drafti i Asociacionit që ka parë çdo herë i referohet Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të vendit.

    “Sapo përfunduam takimin me Lajcakun dhe ekspertë të tjerë që ishin me të. Patëm mundësinë të njoftohemi me dokumentin ta lexojmë në tërësi dhe të zhvillojmë një bisedë me hapat e mëtejmë me atë që e presin Kosovën”, tha Haradinaj.

    “Kemi lexue draftin në tërësi. Ai e shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni iu jep Komunave me Shumicë Serbe , kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Nuk ndryshojnë përgjegjësitë e Komunave dhe Asoc s’merr nga këto përgjegjësi. Po ashtu janë disa lehtësina që krijohen në arsim dhe shëndetësi. Komentet tona do t’i bëjmë pas shqyrtimit nga Kushtetuesja”, ka shtuar ai.

    “Në hyrje të dokumentit thuhet që drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtutuese dhe të gjitha aktet tjera duhet të shqyrtohet nga MAPL dhe të aprovohen, miratohet nga Kushtetuesja. Duhet ta themi haptazi, me implementimin pas shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, Kosova e bën një hap të madh përpara. Është një kompromis i madh i Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

  • Trazira në Milano, theret me thikë tifozi i PSG-së

    Trazira në Milano, theret me thikë tifozi i PSG-së

    Një tifoz i PSG-së është goditur me thikë dhe është dërguar me urgjencë në spital të hënën kur një grup prej mbi 50 ultras të Milanit sulmuan tifozët francezë në lagjen Navigli.

    “Il Corriere della Sera” dhe “La Gazzetta dello Sport” pretendojnë se tifozi i PSG-së është në gjendje kritike pasi u godit me thikë nga ultrasit e Milanit të hënën mbrëma.

    Të dy burimet pretendojnë se më shumë se 50 ultras të Milanit mbërritën në zonën e Navigli me helmeta dhe bomba tymuese për të nisur një sulm të qëllimshëm ndaj ultrasve të PSG-së dhe tifozëve të zakonshëm në bare dhe klube nate në një nga zonat më të gjalla të qytetit.

    Tifozi i PSG-së u godit dy herë me thikë në këmbë dhe u dërgua në spital në gjendje kritike.

    Ultras të PSG-së janë përplasur edhe me policinë. Një agjent u godit me thikë dhe një mbështetës francez u arrestua. Një objekt i hedhur nga tifozët e PSG-së plagosi një tjetër agjent policie.

    Milan dhe PSG do të takohen në San Siro sonte në një ndeshje kyçe të Ligës së Kampionëve me fillimin në orën 21:00.

  • Kërcënoi të dashurën se do t’ia vrasë familjen, Policia në Prishtinë bastis shtëpinë e 22-vjeçarit

    Kërcënoi të dashurën se do t’ia vrasë familjen, Policia në Prishtinë bastis shtëpinë e 22-vjeçarit

    Një 23-vjeçare nga Prishtina ka raportuar gjatë ditës së djeshme në Polici të dashurin e saj, nën akuzat për dhunë fizike e psiqike.

    Dyshohet se i dashuri i saj edhe e ka kanosur atë, duke kërcënuar se “ka blerë armë dhe do t’ia vrasë familjen”.

    Ndërkohë mësohet se Policia ka bastisur e shtëpinë e 22-vjeçarit, pas intervistimit të viktimës.

    Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i cili po e heton rastin. Ndërkohë pala e dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

  • 20-vjeçari humb jetën në vendin e punës në Partesh

    20-vjeçari humb jetën në vendin e punës në Partesh

    Një 20-vjeçar ka vdekur në vendin e punës në fshatin Budrikë e Epërme të Parteshit, pasi dyshohet se ka rënë në makinerinë e përzierjes së betonit.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se rasti ka ndodhur të hënën në mbrëmje, ku viktima po punonte në një fabrikë për prodhimin e tullave dekorative.

    Hashani ka bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe se aty është konfirmuar vdekja.

  • Përfundon takimi i Miroslav Lajçak me ambasadorët e akredituar në Kosovë

    Përfundon takimi i Miroslav Lajçak me ambasadorët e akredituar në Kosovë

    Ka përfunduar takimi i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

    Mirosllav Lajçak, do të takohet sot me liderët e opozitës, si pjesë e vizitës së tij dyditore në Kosovë për të biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

    Lajçaku u takua dje me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me të cilin tha, në një postim në rrjetin social X, se u pajtua për hapat e ardhshëm dhe për zbatimin e plotë dhe pa vonesa e parakushte të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërsa, Bislimi tha pas takimit se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

    Lajçak ndodhet prej ditës së djeshme në Kosovë, ku gjatë vizitës, Lajçak pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

    Pjesë e diskutimeve pritet të jetë draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.

  • Theri me thikë një person, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Theri me thikë një person, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Të hënën është arrestuar një person i dyshuar për një vrasje të rëndë në tentativë, në veri të Mitrovicës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti i therjes ka ndodhur të dielën pas një zënkë verbale.

    “Mitrovicë Veri 05.11.2023 – 22:25 Është raportuar se pas një zënke verbale viktima mashkull kosovar ishte sulmuar dhe therur me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati. Viktima për tretman mjekësor është dërguar në spitalin rajonal Mitrovicë Veri. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë gjetur dhe sekuestruar një revole dhe një granatë dore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.