ATV

Author: G.O.

  • Arrestohen dy persona në Pejë për drogë, iu gjenden afro 19 mijë euro

    Arrestohen dy persona në Pejë për drogë, iu gjenden afro 19 mijë euro

    Të mërkurën janë arrestuar dy vetë në Pejë, pasi që të njëjtit dyshohen për veprën penale “Blerje dhe posedim të substancave narkotike”.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, të njëjtëve iu janë gjetur 18,907 euro para kesh në shtëpitë e tyre.

    “Pejë / 13.07.2023 – 06:30. Pas hetimeve te zhvilluara, në lidhje me rastin është raportuar se me 08.11.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe gjatë kontrollit në shtëpitë tyre si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: 18 907 € kesh para, 1.7 gram narkotike e llojit Kokainë, 43 shishe qelqi Raki, një telefon, një pistoletë,  63 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje për pastrimin e armës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri prej tyre është dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Moti në Kosovë dhe rajon

    Moti në Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Ferizaj me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 15 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajnë qyteti i Pejës, Gjakovës dhe Prishtinës dhe me nga 7 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Mitrovica me 19 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot i vranët dhe me shi. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Lezhë, Durrës dhe Tiranë me nga 20 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri të mërkurën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre.

    Seanca pritet të nisë në orën 09:00.

    Ndryshe, dje Gjergj Dedaj ka mbaruar dëshminë e tij treditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

  • Kuvendi vazhdon seancën me 13 pika të papërfunduara

    Kuvendi vazhdon seancën me 13 pika të papërfunduara

    Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot seancën plenare.

    Në seancën e cila pritet të nisë nga ora 10:00, është paraparë miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

    Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 19 tetor dhe 2 e 3 nëntor.

    “ Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

  • Kryeministri Kurti udhëton për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes

    Kryeministri Kurti udhëton për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për Francë, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes që organizohet në kryeqytetin francez, Paris. Me ftesë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili do ta bëjë edhe hapjen e Forumit, të enjten në mbrëmje Kryeministri Kurti do të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në këtë Forum.

    Ndërsa të shtunën, më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00, në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Paqes, Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, ndërkohë që gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë disa takime.

  • Raporti për Kosovën: Korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese

    Raporti për Kosovën: Korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese

    Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën një vëmendje i ka kushtuar edhe luftës që ka bërë Kosova kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se vendi ynë është në mes të një faze të hershme në luftën kundër këtyre dy dukurive.

    Sipas Raportit, Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

    “Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese. Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimin penal është avancuar, mbetet shumë për të bërë për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht. Kosova duhet të shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve. Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Është bërë përparim i kufizuar në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore dhe ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës dhe analizës. Operacionet e zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar vazhduan. Përkundër kësaj, mjetet e fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk janë shfrytëzuar plotësisht. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”, thuhet në raport.

    Pjesë nga raporti:

    Lufta kundër korrupsionit

    Kosova është në mes të një faze të hershme dhe një niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë progres të kufizuar. Kosova miratoi një kornizë të re rregullative për auditimin e partive politike dhe financimin e fushatës. Mbetet shumë për të bërë për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit të miratuar së fundmi, duke përfshirë Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin për deklarimin e pasurisë dhe legjislacionin për partitë politike dhe financimin e fushatës. Korniza ligjore për konfiskimin penal është mjaft e avancuar, duke përfshirë Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit. Megjithatë, ligji mbetet kryesisht i pazbatuar dhe vlera e aseteve të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikuara, i cili synon të vendosë një sistem të konfiskimit pa dënim, është në pritje në Gjykatën Kushtetuese. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të pasur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të aseteve. Dënimet plotësuese që ndalojnë ushtrimin e funksioneve publike ose të profesioneve të tjera, veçanërisht për ata që janë dënuar për vepra të lidhura me korrupsionin, nuk zbatohen mjaftueshëm. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mjetet parandaluese kundër korrupsionit të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë zbatuar plotësisht, veçanërisht miratimi i planeve të integritetit në institucionet publike, “korrigjimi” i legjislacionit, vlerësimet e rrezikut dhe përdorimin praktik të procedurave të sinjalizimit në sektorin publik dhe privat.

    Në përgjithësi, korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese serioze. Ekziston nevoja për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Në këtë drejtim, shkarkimi i shefit të Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës është shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ për përkushtimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë përmbushur vetëm pjesërisht, dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm Kosova në veçanti duhet:

    → të forcojë më tej kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në aspektin e personelit dhe ekspertizës, për t’u siguruar që ajo mund të kryejë në mënyrë efektive mandatin e saj; institucionet përkatëse duhet të miratojnë dhe zbatojnë planet e integritetit dhe procedurat e brendshme të sinjalizuesve (përfshirë sektorin privat);

    → të forcojë më tej efikasitetin e regjimit të konfiskimit penal; duhet të promovojë përdorimin sistematik të konfiskimit të zgjatur dhe ‘të rregullt’ nga ndjekja penale dhe policia; duhet të rrisë nivelin e specializimit/ekspertizës në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë; duhet të krijojë një fond konfiskimi;

    → të forcojë më tej zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale, si dhe bashkëpunimin multidisiplinar dhe një qasje të bazuar në objektiva për të siguruar hetime proaktive dhe për të luftuar në mënyrë efektive rastet e korrupsionit të nivelit të lartë; të kryejë në mënyrë sistematike hetime financiare gjatë hetimeve penale; duhet të garantojë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

  • Bebe Rexha nominohet për tri çmime në “Billboard Music Awards 2023”

    Bebe Rexha nominohet për tri çmime në “Billboard Music Awards 2023”

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, do të jetë pjesë e mbrëmjes së madhe të ndarjes së çmimeve, Billboard Music Awards 2023.

    Ajo është nominuar në këtë event në tri kategori: “Bashkëpunimi më i mirë”, “Top Billboard Global Song” dhe “Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për hitin “I’m Good (Blue)” me David Guettan.

    Krahas shpresës për të fituar njërën nga këto çmime, 34-vjeçarja do të jetë në ngjarjen e madhe edhe për të performuar.

    Në një postim të bërë nga Billboard Music Awards në Instagram, këngëtarja shqiptare është paraqitur si pjesë e listës së artistëve që do të performojnë.

    Ajo do të këndojë live këngën e saj më të fundit “One in a milion”, shoqëruar nga DJ David Guetta.

    Billboard Music Awards 2023 do të mbahet të dielën e 19 nëntorit në ‘Arena Paradise’ në Nevada të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Bebe Rexha këtë vit ka qenë e nominuar edhe për çmimet e rëndësishme: “Grammy” dhe MTV Video Music Awards. /Telegrafi/

  • Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj katër personave, dyshohen për kanosje dhe nxitje të përçarjes

    Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj katër personave, dyshohen për kanosje dhe nxitje të përçarjes

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve me inicialet AM, E.A, Q.E dhe E.Z.

    Sipas njoftimit, aktakuza kundër dy të pandehurve A.M dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”. Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja”, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B.

    “Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, thuhet në komunikatën për media.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë, si dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

  • ​U21/Prishtina mposht Gjilanin, Jashari hat-trick me asistime

    ​U21/Prishtina mposht Gjilanin, Jashari hat-trick me asistime

    Skuadra e Prishtinës ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në grupmoshat U21.

    Prishtina shënoi fitore me rezultat të ngushtë 3:2 kundër Gjilanit, kështu duke e përforcuar kreun e tabelës, raporton KosovaPress.

    Golat për Prishtinën i shënuan Ange Fofana (minuta e 8’), Dion Gallapeni (minuta e 39’) dhe Rinor Shabani (minuta e 77’), ndërkaq interesante është që të tre golat kishin asistuesin e njëjtë, Igball Jasharin.

    Me pikët e reja, Prishtina U21 ngjitet në kuotën e 23 pikëve në tabelë, tani pesë sosh më shumë se Drita U21 që renditet në vendin e dytë.

    Rezultati final, 3:2 në favor të Prishtinës U21.

  • ​Ramadani: Jam në bisedime me Interin

    ​Ramadani: Jam në bisedime me Interin

    Mesfushori i Leçes, Ylber Ramadani konfirmoi se ai ka zhvilluar bisedime me drejtorin e Interit, Piero Ausilio, duke shtuar se ëndërron ta vesh fanellën zi kaltër.

    27-vjeçari mbërriti në skuadrën italiane këtë verë nga Aberdeen në një marrëveshje me vlerë vetëm 1.2 milionë euro. Ai nënshkroi një kontratë trevjeçare me një opsion për të katërtin.

    Ramadani ka bërë përshtypje në muajt e parë të aventurës së tij në Itali, duke luajtur mbi 1100 minuta në 13 ndeshje në Serie A dhe Coppa Italia. Deri më tani, ai ka dëshmuar aftësitë e tij si një mesfushor i fortë mbrojtës.

    Duke folur për “Analuz”, Ramadani ka diskutuar fillimisht për një bisedë që ka pasur së fundmi me drejtorin e Interit, Ausilio, përcjellë KosovaPress.

    “Ai ishte në Tiranë, takova Ausilion dhe qëndruam gjatë duke biseduar. Për mua është një motiv shumë i madh, nuk mund të ndaloj së punuari për të shkuar te Interi”, tha Ramadani.

    Mesfushori shqiptar 27-vjeçar foli më pas për idenë për të luajtur me bashkatdhetarin e tij Kristjan Asllani.

    “Unë përshtatem shumë shpejt. Asllani është më teknik se unë, por unë bëj gjëra të tjera. Mund të luaj me një ose dy mesfushorë qendrorë, nuk ka problem”, theksoi ai.

    Interi është në kërkim të Scudetto-s këtë sezon dhe mund të kërkojë të forcojë mesfushën e tyre në afatin kalimtar të janarit me një opsion me kosto të ulët.