ATV

Author: G.O.

  • Festivali i muzikës jazz rikthehet në Pejë

    Festivali i muzikës jazz rikthehet në Pejë

    Edicioni i katër i Peja Jazz, këtë vit do të mbahet nga data 16 nëntor deri më 20 nëntor dhe pritet të ofrojë adhuruesve të muzikës jazz, dhe muzikës e artit në përgjithësi, një tjetër përvojë të veçantë.

    Çka filloi si një tentim për të ngjallur shpresën në kohëra karantine, me qëllimin për të bashkuar shpirtërisht njerëzit përmes muzikës, sot vazhdon si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në qytetin e Pejës.

    Bashkëpunimi mes Organizatës “Anibar” dhe Festivalit “Peja Jazz”, ka bërë që emra të mëdhenj dhe të përfolur të muzikës xhaz, të vijnë në skenën e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” gjatë tre viteve të fundit. Në mesin e tyre, Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Elina Duni, Rona Nishliu, Vinicio Capossela, Ana Carla Maza dhe shumë të tjerë.

    Tashmë, me fillimin e muajit nëntor, çdo vit pritet që kjo traditë të vazhdojë.

    Të gjitha performancat do të ndodhin në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

  • E fajëson ASK-ja, Murati: S’kemi përgjegjësi për dështimin e regjistrimit të popullsisë

    E fajëson ASK-ja, Murati: S’kemi përgjegjësi për dështimin e regjistrimit të popullsisë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nuk merr përgjegjësi për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë i paraparë të nis më 1 nëntor. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë fajësuar dikasterin e drejtuar nga Murati.

    Ministri Murati për KosovaPress, thotë se e kanë ndihmuar ASK-së për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si Ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces.

    “Ministria e Financave ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për t’i kryer disa punë që ata (ASK) nuk kanë pasur resurse t’i përfundojnë…Ne e kemi marrë atë vendim dhe i kemi ndihmuar ASK-së…Është problem kur dikujt i ndihmon, mundohet t’i fajësoj atë që po e ndihmon. Ministria e Financave nuk e ka përgjegjësi regjistrimin e popullsisë, e ka ASK-ja”, thotë Murati.

    Në anën tjetër, zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë për KosovaPress, ka thënë se shkaktare që regjistrimi të mos fillojë me kohë ka qenë edhe Ministria e Financave.

    Sipas tij, formimi i komisioneve për mbikëqyrës dhe regjistrues ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave.

    “Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor…Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrësve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre komisioneve”, kishte thënë Berisha për KosovaPress.

    Ndërkaq, Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor, porse për shkak të mos përgatitjes me kohë, ASK-ja kishte kërkuar që ky proces të shtyhet për vitin tjetër, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për këtë shtyrje. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.

  • Sulmoi fizikisht bashkëshorten, i konfiskohen dy armë në shtëpi

    Sulmoi fizikisht bashkëshorten, i konfiskohen dy armë në shtëpi

    Një person është arrestuar dje në Prishtinë, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, e cila ka pranuar tretman mjekësor.

    Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK-47, një pistoletë dhe 27 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Po në Prishtinë, një femër ka raportuar se vazhdimisht ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj i cili gjendet në Gjermani. Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti dhe ndaj të dyshuarit.

    Kurse, në Fushë Kosovë, një femër ka pësuar lëndime trupore, pasi e njëjta është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj mashkull kosovar.

    Viktima pas pranimit të tretmanit mjekësorë është dërguar në strehimore. I dyshuari gjendet në arrati.

     

  • IKShPK-ja mban konferencë për media, flitet për nivelin e manganit në ujin e Liqenit Badoc

    IKShPK-ja mban konferencë për media, flitet për nivelin e manganit në ujin e Liqenit Badoc

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbajë konferencë për media.

    Sipas njoftimit në këtë konferencë do të flitet për nivelin e manganit në ujin e pijes nga Liqeni i Badocit.

    IKShPK-ja njoftoi se konferenca do të mbahet në ora 11:00.

    Ndryshe, IKShPK-ja qysh në fillim të muajit tetor kishte njoftuar për vlerat e larta të manganit, duke apeluar edhe për mospërdorim të ujit, për shkak se konsiderohej se përdorimi i tij mund të shkaktonte probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël.

  • Ambasadori francez flet për vizat: Do të ishte rrezik të mos dëgjohej mesazhi i presidentit Macron

    Ambasadori francez flet për vizat: Do të ishte rrezik të mos dëgjohej mesazhi i presidentit Macron

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka folur edhe një herë mbi raportimet për mundësinë e pezullimit të vizave.

    Ai ripërsëriti fjalët e presidentit francez, Emmanuel Macron në një konferencë për media, duke thënë se ai kërkoi përgjegjësi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “…Pikërisht në këtë kontekst ai ngriti edhe çështjen e liberalizimit të vizave, i cili ishte një gjest besimi, por që në këtë fazë nuk ishte reciprok. Prandaj ai priste që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të angazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.” – ka thënë ai.

    Guerot u pyet sërish se a mund të sigurojë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza pas 1 janarit 2024, duke u përgjigjur se do të ishte rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik.

    “Në këtë fazë, përgatitjet teknike për liberalizimin e vizave më 1 janar po vazhdojnë, por do të ishte me rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik i presidentit që sapo përkujtova.” – u shpreh ai për Kohën.

  • Pezullohet prodhimi i Volkswagenit elektrik në Gjermani

    Pezullohet prodhimi i Volkswagenit elektrik në Gjermani

    Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen (VW) po pezullon prodhimin e dy modeleve të makinave elektrike në fabrikën e tij në Emden, Saksonia e Ulët, tha një zëdhënëse e fabrikës.

    Linjat e prodhimit janë ndërprerë dje dhe pritet që sot dhe të hënën të jenë pa punë, tha zëdhënësja për mediat gjermane.

    Ajo theksoi se atyre u mungojnë motorët elektrikë për modelet e makinave ID.4 dhe ID.7, por se do të vazhdojë prodhimi i modeleve Passat dhe Arteon me motorë me djegie të brendshme. “Vetëm prodhimi i makinave elektrike është ndalur”, tha zëdhënësja.

    Sipas saj, shkaku kryesor i mungesës së motorëve janë ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit. Për shkak të mungesës së motorëve, VW tashmë ka njoftuar pezullimin e prodhimit në fabrikën në Zwickau, e cila prodhon vetëm makina elektrike.

  • E verdha e vezës ndonjëherë ka njollë të kuqe: A është e sigurt të hani?

    E verdha e vezës ndonjëherë ka njollë të kuqe: A është e sigurt të hani?

    Nganjëherë shfaqet një njollë e kuqe në vezë sepse kapilarët në vezoren e pulës vozitëse kanë shpërthyer. Nëse do të ndodhë kjo varet nga mosha e pulës, nga lloji i ushqimit që ha, por kjo nuk do të thotë se veza nuk është e mirë për t’u ngrënë. Kjo është në fakt një dukuri normale dhe veza është e sigurt për t’u përdorur.

    Sa të zakonshme janë njollat e gjakut në vezë?

    Është e vërtetë që shumë rrallë mund të gjejmë një vezë me njollë gjaku. Të gjitha vezët komerciale skanohen dhe renditen duke përdorur procesin e qërimit, i cili përfshin ndriçimin e një drite përmes lëvozhgës për të dalluar defektet. Shumica e vezëve refuzohen nga ky proces, por disa ia dalin.

    Çfarë duhet bërë nëse veza ka njollë të kuqe?

    Fakti që veza ka njolla të kuqe nuk do të thotë se duhet ta hidhni. Ekspertët thonë se këto vezë janë plotësisht të sigurta për t’u ngrënë. Nëse njolla e kuqe ju shqetëson, hiqeni me majën e thikës dhe vazhdoni me mëngjesin, transmeton The Kitchn.

  • Kurti në Spanjë e përmend agresionin e Serbisë: Ka forca që synojnë ripërcaktimin e kufijve

    Kurti në Spanjë e përmend agresionin e Serbisë: Ka forca që synojnë ripërcaktimin e kufijve

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur përpara anëtarëve të organizatës socialdemokrate në Evropë ku sot u bë anëtare edhe partia të cilën vetë Kurti e udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje.

    Kurti tha se pranimi i VV-së si anëtare vëzhguese në hapin e parë është një dëshmi e besimit ndaj qeverisjes, të cilën Kurti e quajti të mirë, efikase dhe premtuese të cilën ai e udhëheq si kryeministër i Kosovës.

    “Ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë  aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike. Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike”.

    “Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”, tha Kurti.

    Kreu i qeverisë përmendi Raportin e Komisionit Evropian, ku sipas tij, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallen e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues.

    “Përmendje të tjera të rëndësishme janë një rritje prej 34% në punësim, miratimi i ligjeve mbi financimin e partive politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe rreshtimi me sanksione të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Sektori i drejtësisë ka themeluar Gjykatën Komerciale për të drejtat e pronësisë intelektuale, ka përforcuar rikuperimin e aseteve me një koncept të ri të fondit të konfiskimit dhe ka përparuar në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit”.

    “Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit – buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit”, tha tutje Kurti.

    Më tej, Kurti përmendi edhe agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tha se ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin e për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit.

    “Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit”.

    “Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”.

    “Ne përfaqësuesit e forcave të qendrës së majtë në Evropë, e kujtojmë historinë dhe jemi larg të qenit naivë: Historia evropiane ka vërtetuar gjithmonë se ne jemi në ballë të luftës kundër të gjitha formave të ekstremizmave, për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut edhe kur dhuna, racizmi, antisemitizmi dhe islamofobia duket se po fiton terren dhe mendje. Vazhdoj të jem optimistë se ne mund ta forcojmë unitetin tonë në mënyrë që ta ndryshojmë rrjedhën e këtyre ngjarjeve”, tha Kurti.

    Tutje, Kurti tha se Kosova përballet me sfidën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, teksa shtoi se e pranon përgjegjësinë që i takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

    “Këtu e shfrytëzoj mundësinë të ndaj lavde për grupin S&D për udhëheqjen e saj në rezolutën e miratuar te Parlamenti Evropian më 19 tetor. Deri me tani, ky ishte teksti më i qartë politik për sulmin e 24 shtatorit”.

  • Vdes astronauti i NASA-s që udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës

    Vdes astronauti i NASA-s që udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës

    Ka vdekur astronauti i NASA-s, Frank Borman, i cili udhëhoqi misionin e parë hapësinor rreth Hënës në Apollo 8.

    Ai vdiq në Billings, Montana, në moshën 95-vjeçare, tha agjencia, raporton BBC.

    Borman dhe dy kolegë astronautë ishin njerëzit e parë që panë ndonjëherë anën e largët të Hënës në ekspeditën Apollo 8 në 1968.

    Administratori i NASA-s, Bill Nelson e kujtoi Borman si një nga më të mirët e NASA-s dhe një hero të vërtetë amerikan me të vërtetë të përkushtuar ndaj punës së tij.

    “Dashuria e tij e përjetshme për aviacionin dhe eksplorimin u tejkalua vetëm nga dashuria për gruan e tij Susan”, tha ai.

    Apollo 8 ishte një mision themelor sepse ishte hera e parë që njerëzit u larguan nga orbita e Tokës, duke humbur nga sytë planetin e tyre.

  • Ministri Maqedonci takohet me kryesuesin e ardhshëm të Komitetit të NATO-s

    Ministri Maqedonci takohet me kryesuesin e ardhshëm të Komitetit të NATO-s

    Në kuadër të vizitës zyrtare, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot u prit në takim nga shefi i Mbrojtjes së Italisë dhe kryesuesi i ardhshëm i Komitetit të NATO-s, admiral Giuseppe Cavo Dragone.

    Bëhet e ditur se palët diskutuan për situatën aktuale gjeopolitike, zhvillimin e FSK-së, bashkëpunimin bilateral me Italinë në fushën e mbrojtjes dhe synimin tonë si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE.

    “Ministri Maqedonci e falënderoi admiralin italian për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka ofruar përmes trupave të KFOR-it dhe EULEX-it. Nga ana e tij, admirali shprehu vlerësim të lartë për mënyrën se si është menaxhuar sulmi terrorist në veri të vendit, e po ashtu shfaqi vullnet e gatishmëri të plotë për të përkrahur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe”.

    “Të dy u dakorduan që ruajtja e stabilitetit në Ballkan e më gjerë përbën prioritet, ndërsa koordinimi me partnerët tanë strategjikë është lidhja që e garanton këtë”, thuhet në kumtesën për media nga Ministria e Mbrojtjes.