ATV

Author: G.O.

  • Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e anijeve luftarake në Shqipëri

    Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e anijeve luftarake në Shqipëri

    Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar marrëveshje për prodhimin e anijeve luftarake, jo vetëm për ushtrinë shqiptare, por dhe për shtetet aleate.

    Marrëveshja u firmos mes kompanisë shtetërore shqiptare Kayo, e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe kompanisë italiane Fincantieri, që është një ndër ndërtuesit më të mëdhenj të anijeve tregtare dhe ushtarake në Evropë.

    Të dyja kompanitë do të krijojnë një shoqëri të re për të prodhuar anije luftarake në Shqipëri, në kantierin e Pashalimanit, në jug të vendit.

    Sipas marrëveshjes në këtë kantier të ri do të punësohen afër 400 persona. Kantieri do të transformohet në një aset kyç për Forcën Detare në Vlorë, me fokus në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e njësive deri në 80 metra gjatësi dhe 800 ton kapacitet.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë kompania Kayo do të vendosë në dispozicion kantierin dhe do të investojë në modernizimin e infrastrukturës, ndërsa Fincantieri do të sjellë ekspertizë dhe trajnim, furnizimin me materiale dhe mbështetje teknologjike për një proces prodhimi modern. Ministria shqiptare theksoi se ky është një plan ambicioz prej 1.2 miliard eurosh.

    Pashalimani është baza më e rëndësishme e Forcës Detare Shqiptare, dhe ndodhet në Gjirin e Vlorës, në jug të Shqipërisë. Funksionon si bazë ushtarake detare dhe kantier riparimi dhe ndërtimi anijesh. Në kohën e Luftës së Ftohtë ishte një nga bazat më të rëndësishme në Mesdhe për Bashkimin Sovjetik. Pas viteve ‘90 u përdor nga Forcat Detare Shqiptare dhe u riorganizua me ndihmë ndërkombëtare.

    Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ambasadori i Italisë në Tiranë, Marco Alberti, dhe përfaqësues të kompanive që operojnë në industrinë ushtarake në dy vendet.

    Kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së Shqipërisë – shtetit anëtar të NATO-s.

    “Ne [Shqipëria] do të jemi të parët që do të përfitojmë nga produktet e shoqërisë në mënyrë konkrete nga dy anijet e para që do të ndërtohen për Forcat tona të Armatosura dhe që do të çojnë në shtatë numrin total të flotës tonë… dhe më pas sigurisht prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku sigurisht është e qartë që teknologjia e re dhe inovacioni që do të shoqërojë këtë rrugëtim, do të implementohet”, tha ai.

    Rama shtoi se zhvillimet e fundit e bëjnë të domosdoshëm investimin në industrinë ushtarake.

    “Shpresoj që bota të përmirësohet dhe që luftërat të përfundojnë, por ndërkohë Shqipëria është shumë e vogël për të vendosur të ardhmen e botës dhe fatin e lojës së shahut gjeopolitike, por duhet të përshtatemi. Duhet të përshtatemi sigurisht në të voglën tonë për të pasur një mbrojtje dinjitoze dhe për të pasur gjithçka që nevojitet për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël, por krenar në aleancën transatlantike, ku ne bëjmë pjesë”, u shpreh kryeministri shqiptar.

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se ky bashkëpunim e bën Shqipërinë një bazë të re evropiane të “Fincantieri- t” për anijet e vogla dhe të mesme.

    “Modeli i biznesit është që mbi 90% e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të Fincantier-it”, tha ai.

    Më 10 prill, Qeveria shqiptare mori vendimin për të autorizuar shoqërinë shtetërore, Kayo, për të lidhur marrëveshje për prodhimin dhe tregtimin e dronëve luftarakë dhe mjeteve lundruese ushtarake dhe civile në Shqipëri.

    Ndërkaq, pak ditë më parë Ambasada amerikane në Tiranë në një njoftim për mediat në lidhje me vizitën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, në Shqipëri theksoi se u diskutuan “aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon”.

  • Ish-kryediplomati shqiptar: Kosova po futet në rreth ciklik krizash, për Presidentin s’ka garanci as pas zgjedhjeve

    Ish-kryediplomati shqiptar: Kosova po futet në rreth ciklik krizash, për Presidentin s’ka garanci as pas zgjedhjeve

    Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo u shpreh kritik ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak se partitë politike nuk arritën dakordësi për të zgjedhur Presidentin e ri.

    Në një intervistë për News24, ai theksoi se partitë politike janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme përballë votuesve të tyre, duke e drejtuar gishtin tek të gjitha palët. Kritik u shpreh edhe ndaj partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se, si partia me shumicën, duhet të bënte kompromis.

    “Po sillen si aktorë të papërgjegjshëm në një moment shumë delikat për vetë Kosovën. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe që klasa politike ka arritur në këtë nivel sa të mos përfaqësojë as minimumin e  ndërgjegjes politike për të gjithë ata shqiptarë që i votojnë. Nuk dua të përdor terma kategorikë për të cilësuar këtë sjellje të tyre, por është veprim i pandërgjegjshëm që nuk mund të kuptohet ndryshe veçse me instikte dhe nuk kanë të bëjnë me politikën e ndërgjegjshme dhe qytetare.”, u shpreh Milo.

    Sipas tij, Kosova po futet në një rreth krizash, duke shtuar se edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nuk ka garanci se çështja do të zgjidhet.

    “Kushdo që të jetë në pushtet duhet të ketë aftësinë për të bërë kompromiset e duhura edhe për të qeverisur dhe pa, në momente të caktuara, me një vullnet që nuk të çon asgjëkundi. Prandaj është e pakuptueshme sjellja e tyre dhe është për të ardhur keq. Nuk mund të them se fajin e ka njëra palë, përgjithësisht të dyja palët kanë përgjegjësi. Por ai që ka shumicën patjetër që ka përgjegjësi edhe më të madhe. Pasi LVV ka fituar 51 përqind të votave dhe ka marrë mandat të qartë për të qeverisur vendin, në çështjen e presidentit duhet të gjente kompromis me njërën nga dy forcat e tjera, për t’i siguruar vetes dhe Kosovës një qeverisje normale.

    Kosova po futet në një rreth ciklik krizash dhe nuk ka garanci, që edhe pas këtyre zgjedhjeve, do të mund të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. Mund të komplikohet edhe më keq, se partitë politike do të paraqiten para zgjedhësve me çfarë alternativash. I kanë konsumuar të gjithë argumentet në zgjidhjet e mëparshme. Duke munguar një qeverisje normale, programet e tyre dhe interesat vihen në pikëpyetje.”, shtoi ai.

    I pyetur nëse do të ishte dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve, ai theksoi se ata janë të lodhur me Kosovën.

    “Ndërkombëtarët duket se janë lodhur duke u marrë me Kosovën, ky është lajm tjetër i hidhur i keq. Se fakti që i kanë konsumuar këto këshillime që herë pas here i janë bërë politikës kosovare, dhe kryeministri nuk dëgjon dhe të bëjë kompromis e të lërë pe, në rastin konkret për të marrë edhe presidentin, kjo dëshmon se ata janë lodhur dhe nuk mund të them nëse ata do të vazhdojnë të këshillojnë apo do ta lënë Kosovën në rrjedhje të lirë. “, shtoi Milo.

    Komentoi gjithashtu edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se janë prej kohësh në një “zgrip” ndërsa shtoi se vështirë se do të rregullohen. Fajtorë për këtë situatë ai bëri dy udhëheqësit e dy vendeve.

    “Marrëdhënia mes dy vendeve janë futur prej kohësh në një zgrip dhe që vështirë do të mund të rregullohen. Edhe nëse do të ketë rregullim do të jetë i cekët dhe sipërfaqësor, marrëdhëniet janë krisur dhe individët që kryesojnë qeveritë, përpos që kanë vlera që i ndajnë bashkë, kanë edhe shumë të meta që i ndajnë bashkë.  Janë çështje të mëdha konceptuale në politikë që i kanë ndarë, edhe dallime karakteriale, mënyra qeverisjeje apo edhe ambicie për të patur një rol përtej kufijve shtetërore të gjithë secilit vend në emër të nacionalizmit shqiptar”, u shpreh Milo.

  • Ulutash pritet në takim nga Shekerinska në Bruksel: NATO është fuqimisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

    Ulutash pritet në takim nga Shekerinska në Bruksel: NATO është fuqimisht e përkushtuar ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

    Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, po qëndron për vizitë në Bruksel, ku është pritur nga zëvendëssekretarja e NATO-s, Radmila Shekerinska.

    Zyrtarja e lartë e Aleancës Veri-Atlantike ka thënë se NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    “Jam e lumtur që mirëpres komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash në selinë e NATO-s dhe e ftoj atë të bashkohet përsëri në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut. KFOR-i vazhdon të luajë një rol kyç, sipas mandatit të saj të gjatë të OKB-së. NATO-ja është fuqimisht e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shkruan ajo në ‘X’.

  • Presidentja e KE-së: Pasojat e luftës me Iranin do të jehojnë për vite me radhë

    Presidentja e KE-së: Pasojat e luftës me Iranin do të jehojnë për vite me radhë

    Zyrtarja më e lartë e Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se lufta në Iran do të vazhdojë të ketë ndikim negativ në Evropë për një kohë të gjatë.

    “Pasojat e këtij konflikti mund të zgjasin për muaj, apo edhe vite,” ka thënë Ursula von der Leyen në një fjalim në Parlamentin Evropian, duke e cilësuar këtë situatë si një “realitet të ashpër”.

    Presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se mësimi kryesor nga kjo krizë është nevoja për ndryshim të përbërjes energjetike të BE-së, nga varësia ndaj karburanteve fosile të importuara drejt burimeve të rinovueshme.

    Ndërkohë, edhe CEO i kompanisë Carlsberg, një nga prodhuesit më të mëdhenj të birrës në botë, ka paralajmëruar se kompania po përgatitet për ndikimin ekonomik të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, i cili mund të zgjasë deri në fund të vitit.

    Në përgjigje të situatës, Bashkimi Evropian ka lehtësuar sot rregullat e konkurrencës, duke lejuar kompanitë të marrin më shumë subvencione për kostot shtesë të karburantit dhe plehrave kimike.

  • Ndërmjetësi pakistanez thotë se përpjekjet për paqe me Iranin, ende “në vazhdim”

    Ndërmjetësi pakistanez thotë se përpjekjet për paqe me Iranin, ende “në vazhdim”

    Pakistani po vazhdon përpjekjet për të ndërmjetësuar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, edhe pse bisedimet e paqes aktualisht janë duke hasur vështirësi, ka deklaruar kryeministri i vendit.

    Sipas zyrës së tij, Shehbaz Sharif ka thënë para kabinetit se “male problemesh qëndrojnë përpara nesh”, duke iu referuar rritjes së çmimeve të karburanteve, por ka shtuar se “ato do të zgjidhen së shpejti”.

    Ai ka theksuar se përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme “vazhdojnë ende dhe nuk do të ketë ulje të tyre”, raporton skynews, transmeton Sinjali.

    Pakistani, i cili ka marrëdhënie të mira si me SHBA-në ashtu edhe me Iranin, ka qenë ndërmjetës kyç në bisedimet mes dy vendeve.

    Ndërkohë, Donald Trump kishte anuluar vizitën e emisarëve të tij në Pakistan për bisedime direkte me Iranin fundjavën e kaluar, duke thënë se iranianët nuk kishin ofruar mjaftueshëm.

  • Parandalohet kontrabandimi i rreth 150 kilogramëve duhan nga Serbia

    Parandalohet kontrabandimi i rreth 150 kilogramëve duhan nga Serbia

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka organizuar në shpejtësi një aksion për të parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave të cilat po hynin ilegalisht nga Serbia në Kosovë, konkretisht përmes fshatit Novosellë të Komunës së Kamenicës.

    Policia në njoftim ka thënë se dyshohet që shtetasi serb, kishte depërtuar ilegalisht në territorin e Kosovës, me ç’rast atij iu zunë 155 kilogramë duhan.

    Ai u vëzhgua intensivisht nga policia dhe pastaj është ndaluar. I dyshuari i cili sipas policisë është 59 vjeç me vendbanim në Serbi, po voziste një veturë me ngjyrë të zezë dhe me targa VR.

    “Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët policorë kanë zbuluar dhe kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të duhanit të dyshuar të kontrabanduar, të markave të ndryshme, konkretisht: 310 pako duhan nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë; 41 paketime të zbrazëta, të gatshme për tregtim ilegal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Sasia e duhanit, dyshohet se ishe e destinuar për tregun illegal me qëllim shmangien e procedurave dogane dhe përfitimi i kundërligjshëm financiar.

  • Radoniqi pas takimit me Haxhiun: 7 qershori, data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

    Radoniqi pas takimit me Haxhiun: 7 qershori, data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe procesi nuk është i lehtë, ndërsa data më e mundshme për mbajtjen e tyre, sipas tij, është 7 qershori.

    Ai theksoi se çështja e buxhetit për zgjedhjet ende nuk është shqyrtuar në KQZ.

    “Sa më vonë. Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë…Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, tha ai pas takimit që ka zhvilluar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

  • Vdekja e punëtorit në Pejë, Prokuroria nis hetimet

    Vdekja e punëtorit në Pejë, Prokuroria nis hetimet

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Gllaviçicë të Pejës, ku një person e ka humbur jetën në vendin e punës.

    Për këtë rast tashmë ka nisur hetimet edhe Prokuroria e Pejës.

    Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

    “Dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka humbur jetën një person. Bëhet fjalë për një punëtor i cili, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën. Në vendin e ngjarjes janë edhe shefi i drejtorisë rajonale të Pejës dhe hetuesit policorë, së bashku me Inspektoratin e Punës, duke i kryer ekzaminimet e nevojshme. Viktima është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës”, deklaroi Nikçi.

    “Trupi i pajetë i viktimës pritet t’i nënshtrohet procedurave të mjekësisë ligjore, ndërkohë që autoritetet po punojnë për të zbardhur nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë”, u shpreh ai.

  • Theret me thikë një i ri në Sarandë

    Theret me thikë një i ri në Sarandë

    Një person raportohet të jetë plagosur me thikë në qytetin e Sarandës.

    Sipas informacioneve të policisë, plagosja ka ardhur si shkak i një konflikti për motive të dobëta midis një 37-vjeçari dhe një 26-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, transmeton Klankosova.tv.

    “Specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka goditur me thikë, shtetasin E. D., 26 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta. 26-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen e 37-vjeçarit dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente, për veprime të mëtejshme.

  • PSRK mirëpret dënimin e Sllobodan Radenkoviq: Vendimi forcon sundimin e ligjit

    PSRK mirëpret dënimin e Sllobodan Radenkoviq: Vendimi forcon sundimin e ligjit

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur aktgjykimin dënues dhe aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë në rastin ndaj të pandehurit S.R., i akuzuar për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

    Sllobodan Radenkoviq u dënua me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmin e 2023-ës ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan.

    Sipas njoftimit zyrtar të PSRK-së, vendimi i gjykatës përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të vendosjes së drejtësisë dhe adresimit të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

    Prokuroria theksoi se aprovimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë dëshmon funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, duke kontribuar në trajtimin më të shpejtë dhe më efektiv të rasteve penale.

    Në reagim, institucioni vlerësoi se ky aktgjykim njëkohësisht përforcon sundimin e ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë se veprat penale ndaj personave zyrtarë dhe rendit publik nuk do të tolerohen.