ATV

Author: G.O.

  • Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat

    Kurti kërkon më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë të Drenicës, duke theksuar se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se, me gjithë përparimet në ndjekjen e krimeve të luftës, nevojitet më shumë angazhim nga institucionet e drejtësisë për të siguruar drejtësi për viktimat.

    “Në Shtuticë e Vërboc, në Gllobar e Baks, në fshatra të ndryshme të Drenicës, në secilën prej tyre para 27 vjetëve ranë dhjetëra martirë e dëshmorë të kombit. Dhe siç thuhet edhe në këtë memorial, gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që na e ndriçon rrugën përpara, na e përkujton prej nga vijmë dhe në këtë mënyrë jemi të sigurt se ku shkojmë. Republika e Kosovës, demokratike e pavarur, shtet i orientuar kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, i ka rrënjët e lirisë së saj dhe themelet e sistemit të institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve. Pas 27 vjetëve, shumë kriminelë serbë po arrestohen ose po gjykohen në mungesë, dhe ka përparime sa i përket edhe zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë”, tha ai.

    Kurti kërkoi veprime më të shpejta nga prokuroria dhe gjyqësori për shkak të kalimit të kohës dhe humbjes së dëshmitarëve.

    “Duhet të bëhet më shumë nga prokuroria dhe gjyqësori, duhet të veprohet më shpejt nga prokuroria dhe gjyqësori, për shkak se një mend dëshmitë materiale janë këtu, mirëpo në anën tjetër dëshmitarët po plaken, shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë. Prandaj na duhet që të nxitohemi, që të kemi sa më shumë drejtësi për viktimat tona”, tha ai.

    Ai shtoi se Kosova sot është më e fortë në aspektin e sigurisë dhe institucioneve, duke garantuar se krime të tilla nuk do të përsëriten më.

    “Në anën tjetër, Kosova është më e fortë se kurrë. Ushtria dhe policia, edhe për nga aftësitë, edhe për nga madhësia, janë në nivele të larta, dhe kurrë më askush nuk guxon që të na e mësyjë, për të vrarë pleq e fëmijë, gra e burra, të reja e të rinj, siç është bërë në luftën e fundit në Kosovë. Dëshmorët e martirët e kombit, ne i përkujtojmë përherë dhe do t’i kujtojmë përgjithmonë. Njëkohësisht nuk harrojmë se gjenocidi i Serbisë i viteve 1998-1999, është gjenocidi i katërt dhe i fundit i Serbisë. Republika e Kosovës, dinjitetin e sovranitetin, socio-ekonominë, integritetin territorial e institucional, forcën e sigurisë dhe policinë, i ka në nivele gjithnjë e më të larta, dhe një përparim i një ngritje e tillë vetëm sa do të vazhdojë në javët, muajt dhe vitet në vijim”, tha ai.

  • Miftaraj: Kosova, vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket integrimit evropian

    Miftaraj: Kosova, vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket integrimit evropian

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket integrimit evropian.

    Ai këtë e tha në tryezën rajonale në të cilën u publikua përmbledhja “Pasqyrim rajonal: Ku qëndron rajoni nëgGrupkapitullin 1 të BE – Parimet themelore?”.

    Sipas Miftarajt, këta kapituj lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë, korrupsionin dhe të drejtat e njeriut.

    “Ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe përfituese që më e pa se ku janë tri shtetet tona në këto tri fusha që janë të rëndësisë së veçantë në procesin e integrimit evropian. Fatkeqësisht nëse e marrim për bazë Kosovën, e kemi thënë edhe në raport edhe në punëtori që është vendi i fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor sa i përket procesit të integrimit evropian”, ka thënë ai.

    Ai tha se Kosova organizon zgjedhje të lira, por që këto zgjedhje që po organizohen, pastaj s’po ka vullnet politik që të përkthehen në institucione përgjegjëse.

    “Është bërë modë që Kosova të organizojë zgjedhje të lira demokratike. Jemi liderë në Ballkanin Perëndimor e besoj që edhe në Evropë që organizojmë zgjedhje që i plotësojnë standardet më të larta ndërkombëtare dhe që pranohen nga të gjitha partitë politike e përshëndeten edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Pastaj, këto zgjedhje të lira demokratike që po i organizojmë s’po kemi kapacitete apo vullnet politik që t’i përkthejmë në institucione përgjegjëse apo funksionale që do ta kishin prioritet integrimin evropian, do ta kishin fokusin në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, tha Miftaraj.

  • Reagon Zelensky pasi Putin kërkoi armëpushim për 9 maj

    Reagon Zelensky pasi Putin kërkoi armëpushim për 9 maj

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka udhëzuar zyrtarët ukrainas të sqarojnë detajet e një propozimi nga udhëheqësi rus Vladimir Putin për të shpallur një armëpushim më 9 maj, Ditën e Fitores në Rusi, dhe në përgjigje ka sugjeruar një ndalim afatgjatë të armiqësive.

    Dita e Fitores është një festë ruse që përkujton fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945, e festuar më 9 maj.

    “Unë i kam udhëzuar përfaqësuesit tanë të kontaktojnë ekipin e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të sqarojnë detajet e propozimit të Rusisë për një armëpushim afatshkurtër“, tha Zelensky.

    Sipas tij, Ukraina kërkon paqe dhe po kryen punën e nevojshme diplomatike për ta çuar këtë luftë në një fund të vërtetë.

    “Ne do të sqarojmë se për çfarë bëhet fjalë saktësisht – disa orë siguri për një paradë në Moskë, apo diçka më shumë“, vuri në dukje ai.

    “Propozimi ynë është një armëpushim afatgjatë, siguri e besueshme dhe e garantuar për njerëzit dhe një paqe e qëndrueshme. Ukraina është e gatshme të punojë drejt kësaj në çdo format dinjitoz dhe efektiv“, shtoi presidenti ukrainas.

    Më 29 prill, Yuri Ushakov, një ndihmës i udhëheqësit rus, raportoi se Putin kishte zhvilluar një telefonatë me Donald Trump, gjatë së cilës Putin tha se është i gatshëm të shpallë një armëpushim më 9 maj, shkruan Telegrafi.

    Pas telefonatës, Trump zbuloi detajet e bisedës. Sipas presidentit amerikan, diskutimi ishte “shumë i mirë”.

    Ai tha se shpreson që një zgjidhje për luftën ruso-ukrainase do të vijë “relativisht shpejt“. Trump tha gjithashtu se i ka propozuar Putinit një “armëpushim të vogël“.

  • Sot varroset 43-vjeçari i cili vdiq dje në vendin e punës

    Sot varroset 43-vjeçari i cili vdiq dje në vendin e punës

    Sot varroset Beqir Vokshi 43-vjeçar, që vdiq duke punuar gjatë ditës së djeshme në një punishte në Gllaviçicë të Pejës.

    I ndjeri do të varroset te varrezat në fshatin Kliçinë në orën 18:00.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se viktima ishte lënduar në vendin e punës dhe më pas ishte dërguar në Spitalin Rajonal.

    Vokshi njëherësh ka qenë edhe veteran i UÇK-së dhe ish pjestar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës njësiti 192 i Shtabit të Përgjithshëm.

  • Haxhiu nga Shtutica: Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave e pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

    Haxhiu nga Shtutica: Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave e pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë të komunës së Drenasit, duke përkujtuar viktimat civile dhe dëshmorët e rënë gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës janë dëshmi e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

    “27 vite më parë, Globari, Vërboci, Shtutica, Tërsteniku, Baks, Polluzha dhe fshatra të tjera të Drenicës, u përballën me sulmin e forcave okupatore serbe. 276 civilë të paarmatosur e të pafajshëm u masakruan. Disa prej trupave u dogjën, ndërsa të tjerë u dërguan në rrafsh të Serbisë me qëllim që të fshihen gjurmët e krimit. Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, pra në po atë ditë, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre edhe heroi Ilaz Kodra, i cili e udhëhoqi brigadën 114. Sot ne nderojmë veprën e tyre sublime, nderojmë jetën e martirëve dhe veprën e dëshmorëve të kombit. Janë ata që kanë mundësuar që sot ne e kemi shtetin e Kosovës, lirinë e pavarësinë, të cilën duhet ta nderojmë me punë të vazhdueshme. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha ajo.

  • Hoxhaj në Prekaz, kujton Ilaz Kodrën: Liria ka ardhur me çmim të lartë

    Hoxhaj në Prekaz, kujton Ilaz Kodrën: Liria ka ardhur me çmim të lartë

    Në Prekaz, te kulla e komandantit Ilaz Kodra, ish-kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka bërë homazhe dhe ka kujtuar një nga figurat më të rëndësishme të luftës për liri.

    Përmes një publikimi në Facebook, Hoxhaj e ka vlerësuar Kodrën si simbol të qëndresës dhe sakrificës në momentet më të vështira të vendit.

    “Sot në Prekaz, në kullën e tij, kujtojmë me nderim të thellë komandantin Ilaz Kodra, një nga figurat më të qëndrueshme të luftës për liri të Kosovës. Ai ishte aty që në fillim, në momentet më të vështira, kur gjithçka varej nga guximi i pak njerëzve që nuk u tërhoqën. Ai përfaqësoi vendosmërinë dhe sakrificën që i dha drejtim historisë sonë. Sot, kujtimi për të është kujtesë se liria ka ardhur me çmim të lartë. Lavdi!”, ka shkruar Hoxhaj.

    Homazhet në Prekaz janë zhvilluar në kuadër të përkujtimit të figurave të shquara të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa kulla e Ilaz Kodra mbetet një nga pikat simbol të kujtesës historike dhe rezistencës në vend.

  • Gjashtë shenja të mbidozës me paracetamol

    Gjashtë shenja të mbidozës me paracetamol

    Doza e zakonshme e paracetamolit për të rriturit është një ose dy tableta 500 mg deri në katër herë në 24 orë.

    Mbidozimi i paracetamolit mund të shkaktojë efekte anësore serioze. NHS paralajmëron se ju nuk duhet të josheni për të rritur dozën, ose të merrni një dozë të dyfishtë në qoftë se dhimbja juaj është shumë e keqe.

    Marrja e ilaçit për të ndihmuar në lehtësimin e çfarëdo sëmundjeje të lehtë nga e cila vuani mund të jetë e dobishme, megjithatë nuk duhet të tejkaloni kurrë dozën e rekomanduar.

    NHS thotë: “Marrja e një ose dy tabletave shtesë rastësisht nuk ka gjasa të jetë e dëmshme, për sa kohë që nuk merrni më shumë se tetë tableta në 24 orë. Prisni të paktën 24 orë përpara se të merrni më shumë paracetamol”.

    Drugs.com ka renditur disa simptoma të mbidozës. Këto përfshijnë diarre, djersitje të shtuar, humbje të oreksit dhe të përziera ose të vjella.

    Shenjat përfshijnë gjithashtu ngërçe ose dhimbje në stomak, si dhe ënjtje, dhimbje ose ndjeshmëri në pjesën e sipërme të barkut ose në zonën e stomakut. “Merrni menjëherë ndihmë urgjente nëse ndonjë nga simptomat e mbidozës shfaqet”.

    Sipas NHS, të përzierat dhe të vjellat janë simptoma “jashtëzakonisht të zakonshme” të mbidozës së paracetamolit. Këto simptoma mund të shfaqen brenda pak orësh nga marrja e një doze të tepërt, paralajmëron trupi shëndetësor.

  • Lushaku-Sadriu: Nuk ka dorëheqje nga LDK, por vetëm një të vërtetë – bashkimi i së djathtës po bëhet

    Lushaku-Sadriu: Nuk ka dorëheqje nga LDK, por vetëm një të vërtetë – bashkimi i së djathtës po bëhet

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se një fushatë e paturpshme ka nisur në mesnatën e mbrëmshme kundër partisë ku ajo vepron.

    Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu hodhi poshtë pretendimet se ka dorëheqje brenda LDK-së, duke theksuar se ka vëtëm një të vërtetë, e që sipas saj është bashkimi i së djathtës.

    “Fabrikim i posterëve në gjuhë serbe, fabrikim i dorëheqjeve e fyerje me mesazhe intimiduese ndaj anëtarëve të LDK-së. Krejt kjo është dëshmi e frikës së madhe që ekziston nga bashkimi i së djathtës rreth LDK-së e rritja potenciale e saj. Kur nuk kanë argumente, shpifin, dhe kur nuk kanë mbështetje, fabrikojnë përçarje që nuk ekzistojnë. Nuk ka dorëheqje nga LDK, por ka vetëm një të vërtetë që i tremb: bashkimi i së djathtës po bëhet realitet”, ka shkruar ajo.

    Ndër të tjera, Lushaku-Sadriu thotë se ata që e sollën vendin në kriza politike, në panik, sipas saj po tentojnë ta mbulojnë dështimin me propagandë të ultë.

    “Kosova ka nevojë për një bashkim të së djathtës; një vizioni zhvillimor e patriotik; një shpëtim të vendit tonë nga krizat!  Prandaj sa më shumë sulme, aq më i madh bashkimi”.

  • Osmani bën homazhe te varrezat e dëshmorëve në Vërboc

    Osmani bën homazhe te varrezat e dëshmorëve në Vërboc

    Ish- presidentja e Kosovës Vjosa Osmanin ka bërë homazhe në fshatin Gllobar të Drenasit, në varrezat e dëshmorëve në Vërboc, raporton Ekonomia Online.

    Sot po shënohet përvjetori i rënies se 280 martirëve nga Verboci dhe fshatrat përreth, si dhe i 42 dëshmorëve që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

    Në këtë ditë përkujtimore u nderua edhe figura e Ilaz Kodrës, një nga komandantët që dha kontribut të veçantë në rezistencën për çlirim.

    Në kompleksin memorial në Verboc janë të varrosur 73 martirë, ndërsa të tjerët prehen në fshatra përreth.

  • Brenda 10 ditësh vdiqën dy punëtorë, Azemi: E kemi humbur luftën për sigurinë në punë

    Brenda 10 ditësh vdiqën dy punëtorë, Azemi: E kemi humbur luftën për sigurinë në punë

    Një nga çështjet më shqetësuese në Kosovë është edhe siguria në punë.

    Së fundmi, ka pasur një numër të madh të lëndimeve në vendet e punës, por edhe raste që fatkeqësisht kanë përfunduar me fatalitet.

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se tashmë mund të konsiderohet se është humbur lufta sa i përket sigurisë në punë.

    Sipas tij, Inspektorati Qendror i Punës ka deklaruar se 50 % e kompanive ndërtimore nuk i kanë pajisjet adekuate për punëtorët.

    “Kjo na bën me dije se ne nuk kemi pasur ndonjë kontroll, por nuk kemi as tash”, deklaroi Azemi në Klan Kosova.

    “Fatkeqësisht, derisa ne patëm një fushatë lidhur me shëndetin dhe sigurinë në punë, po shihet se nuk e kemi as ndikimin më të vogël, pasi që fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe brenda 10 ditësh i humbën dy jetë të njerëzve, njerëz punëtorë e të rinj”, deklaroi kreu i Sindikatës.