ATV

Author: G.O.

  • Kur planifikohen të blihen katër helikopterët e parë për FSK-në, Ministri i Mbrojtjes jep detaje

    Kur planifikohen të blihen katër helikopterët e parë për FSK-në, Ministri i Mbrojtjes jep detaje

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se në invertarin e pajisjeve me armatim dhe automjete për Forcën e Sigurisë së Kosovës parashihen edhe helikopterët.

    Maqedoni tha se një flotë e helikopterëve parashihet të blihet, të prokurohet gjatë fazës së fundit që është faza 2025-2028.

    “Ne fillimisht do të kemi flotën prej katër helikopterëve që do të jenë multi-funskional dhe përveç aspektit të mbështetjes ushtarake, do të jenë edhe transportues”, tha Maqedonci.

    Ministri tha më tej se tashmë e kanë personelin e trajnuar për këtë.

    “I kemi pilotët e certifikuar dhe diplomuar për këtë çështje…”, tha ai.

    Duke folur për planifikimet për pajisjen me armatim, ministri tha se nuk janë paraparë tanket.

    “Tanku është mjet kryesisht që mundëson sulme, ofensiva… dhe ne jemi të drejtuar në aspektin e mbrojtjes…”, tha ndër të tjera ai.

    Po ashtu, Maqedonci tha se përveç dronëve, janë blerë edhe shumë sisteme tjera të armatimit e municioneve.

    “Jo vetëm dronët, por të gjitha sistemet e armatimit që i kemi në dispozicion, testohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, përdoren edhe për t’u trajnuar, ushtarët trajnohen për të operuar si mjet, po edhe si ekip. Byraktarët kanë fluturuar mbi qiellin e Kosovës. Jo vetëm dronët Bayraktar, por janë blerë shumë sisteme të armatimit, shumë municione dhe në aspektin e automjeteve taktike të cilat kanë qenë të planifikuara të blihen në faza më të vonshme”, deklaroi Maqedonci.Më tej, Maqedonci tha se nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Kurti, blerja e këtyre dronëve është blerë para kohe, madje me buxhet shtesë.

    “Nuk mund të thuhet çështja e numrit apo çështjet teknike të blerjes së dronëve “Bayraktar”. Mund të themi që është kapacitet që është i planifikuar në tabelën organizative të pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, është një kapacitet i parashikuar më herët dhe që është blerë para kohe si mbështetje që e kemi pasur nga Qeveria e Kosovës, pra nga kryeministri Kurti, me buxhet shtesë në këtë çështje”, shtoi tutje ministri i mbrojtjes në Tëvë1.

  • Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga autoritetet gjermane, i dyshuari kishte dy palë dokumente me identitete të ndryshme

    Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga autoritetet gjermane, i dyshuari kishte dy palë dokumente me identitete të ndryshme

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në një hotel në Prishtinë është arrestuar një person që kërkohej nga autoritetet gjermane.

    Të dyshuarit i janë gjetur dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën në njërin dokument figuronte si 26 vjeçar e në tjetrin 23 vjeçar.

    Ai është dërguar në mbajtje.

    Komunikata e plotë:

    Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, ka pranuar një kërkesë për bashkëpunim nga Gjermania. Kërkesa është përcjellë për zbatim te Departamenti i Policisë Kufitare të PK-së.

    Në kërkesë të ardhur nga Gjermania kërkohej bashkëpunim në ndalim e një personi të dyshuar për autoritetet gjermane. I dyshuari, i kërkuar nga autoritete gjermane ishte me shtetësi jordaneze dhe gjermane.

    Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një pune hetimore-operative kanë arritur që në një hotel në Prishtinë të lokalizojë vend-ndodhjen e personit të cilin ishin duke u kërkuar.

    I dyshuari mashkull është arrestuar dhe është gjetur se ai posedon dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën në njërin dokument figuronte si 26 vjeçar e në tjetrin 23 vjeçar.

    Hetuesit policorë të dyshuarin e kanë shoqëruar në zyre të FAST Kosova për të vazhduar me procedurat e parapara në raste të tilla. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore të Departamenti i Përgjithshëm në Prishtinë i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Afro 1 mijë pacientë vizitojnë Klinikën e Endokrinologjisë brenda vitit

    Afro 1 mijë pacientë vizitojnë Klinikën e Endokrinologjisë brenda vitit

    Mbi 800 pacientë kanë vizituar gjatë këtij viti Klinikën e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku 510 prej tyre janë me diabet. Rreth 75 për qind prej tyre janë diagnostikuar me diabet melit (sëmundjen e sheqerit), ku mbi 90 për qind e tyre janë me diabet të tipit 2, ndërkaq të tjerët me diabet tip 1 dhe diabet gjatë shtatzënisë.

    Kështu thotë në intervistë për KosovaPress, drejtoresha e Endokrinologjisë, Merita Sadiku, derisa potencon se gjinia femërore dominon me këtë sëmundje, krahasuar me meshkujt.

    “Ne si klinikë e Endokrinologjisë brenda vitit i kemi mbi 800 pacientë, ndryshon vitin 2021 nga viti 2022, në vitin 2023. Në vitin 2022 ka qenë vit i plotë, kanë qenë 820 pacientë. 75 për qind e këtyre pacientëve janë me diabet melit, sëmundjen e sheqerit, diku 92 për qind janë me diabet tip 2.5 % për qind me diabet tip 1, dhe 3 për qind me diabet gjatë shtatzënisë. Femrat dominojnë në krahasim me meshkujt, diku 53 për qind, 47 për qind janë meshkuj. Kohëzgjatja e pacientëve me sëmundjen e sheqerit të shtuar në klinikë është mbi 11 vite… Ndërsa mosha mesatare e pacientëve është 63 vite, që është moshë e pjekur ose moshë e shtyrë”, thotë Sadiku.

    Sadiku thotë se sëmundja e diabetit ashtu si në tërë botën, edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Sipas saj, shkaktarët kryesor janë mos ushqyerja me rregull, mungesa e aktivitetit fizik, prania e stresit etj.

    Siç thotë ajo, në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2, të cilit fillimisht trajtohen me barna e më pas edhe me insulinë.

    “Sëmundja e diabetit apo e sheqerit është sëmundje kronike e cila në të gjithë botën, po ashtu edhe në Kosovë është në rritje e sipër. Kjo jo për shkak të faktit se mungojnë mjekët ose mungojnë mjetet diagnostike ose terapeutike, por vetë ecuria e sëmundjes është e tillë, sepse pacientët jo të gjithë ose njerëzit ushqehen ashtu siç duhet, aktivitet fizik kanë më pak, stresi sa më shumë që po vjen duke u rritur. këta janë faktorët që e rritin numrin e pacientëve me diabet. Edhe në Kosovë dominojnë pacientët me diabet tip 2, që pacientët që fillimisht trajtohen me barna, pastaj vjen një kohë kur trajtohet me insulinë. Ndërsa me diabet Tip 1 janë më pak e po ashtu me diabet gjatë shtatzëninë edhe më pak”, potencon Sadiku për KosovaPress.

    Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Sadiku thotë se sipas një analize 19 mujore të bërë nga janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, tregon se sëmundja e sheqerit shkakton shumë komplikime kronike. Ajo tregon se nga ky hulumtim del se mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, 53 për qind neuropati diabetike, ndërsa rreth 25 për qind sëmundje të veshkave nga diabeti. Ajo shton se me këmbë diabetike kanë rezultuar 7.5 për qind.

    “Nga kjo analizë 19 mujore prej janari 2021 deri në korrik të vitit 2022, i kemi analizuar të gjithë pacientët me diabet, çfarë lloj të komplikimeve kanë. Sëmundja e sheqerit ka shumë komplikime kronike…kur ka dëmtime në sy dëmtime në veshka, dëmtime në zemër. Nga krejt këto i kemi nxjerrë të dhënat, diku mbi 60 për qind kanë sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të syve kanë 39.5 për qind, neuropati diabetike 53 për qind, neuropati apo sëmundje të veshkave nga diabeti 24.7 për qind…Edhe këmbë diabetike 7. 5 për qind”, thekson Sadiku.

    Ndryshe, dje është shënuar Dita Botërore e Diabetit, ku edhe në Kosovë ka pasur aktivitete për nder të saj.

    Diabeti është një sëmundje kronike metabolike e karakterizuar nga nivele të larta të glukozës në gjak, e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime serioze të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave. Më i zakonshmi është diabeti i tip 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën kanë diabet, shumica jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, dhe 1.5 milionë vdekje i atribuohen drejtpërdrejt diabetit çdo vit.

  • Kërkoheshin nga autoritetet austriake, arrestohen në Kosovë dy të dyshuarit

    Kërkoheshin nga autoritetet austriake, arrestohen në Kosovë dy të dyshuarit

    Dje janë arrestuar dy persona, mdaj të cilëve ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga Austria.

    Policia njofton se janë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme dhe gjatë kontrollit janë sekuestruar një sasi e stolive të arit, dy automjete dhe 156 fishekë.

    Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “VJEDHJE E RËNDË- Austri 12.12.2022-15.01.2023. Lidhur me rastin, njësitë policore në koordinim me prokurorinë dhe gjykatën kompetente, me datë 14.11.2023 kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ndaj të cilëve ishte i lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për veprat penale të kryera në Austri, si dhe kanë kryer bastisje ne 4 lokacione të ndryshme ne rrethinën e Prishtinës. Gjatë bastisjeve, në cilësi të dëshmive materiale janë sekuestruar një sasi e stolive të arit, dy automjete si dhe 156 fishek të kalibrit 9 mm. Të dyshuarit me aktvendim te prokurorit kompetent janë dërguar ne mbajtje”.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj gruas së tij, arrestohet një person në Junik

    Ushtroi dhunë fizike ndaj gruas së tij, arrestohet një person në Junik

    Një person është arrestuar të martën në Junik , pasi dyshohet se e ka rrahur bashkëshorten e tij.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Mbi supet e të dyshuarit rëndon akuza për veprën penale “Dhunë në familje”, njofton policia.

  • Zvicra e synon sot kualifikimin në Evropian

    Zvicra e synon sot kualifikimin në Evropian

    Zvicra do të ballafaqohet sot me Izraelin në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Synimi i Xhakës e Shaqirit me shokë në këtë ballafaqim është vetëm fitorja dhe tri pikë të reja që do t’ua garantonin atyre kualifikimin në evropianin e vitit të ardhshëm, raporton KosovaPress.

    Zvicra është në vendin e dytë në grupin I me 15 pikë, katër më shumë se rivali i sotëm, Izraeli që ka 11 pikë një pozitë më postë.

    Pjesë e këtij grupi është edhe Kosova që renditet e katërta me 10 pikë.

  • Nga sot gomat e dimrit të obligueshme, kaq është dënimi nëse nuk i keni të vendosura

    Nga sot gomat e dimrit të obligueshme, kaq është dënimi nëse nuk i keni të vendosura

    Ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit në veturë për të gjithë shoferët do të fillojë nga sot dhe do të zgjasë deri më datën 15 mars.

    Të gjithë shoferët pa marrë parasysh kushtet atmosferike, duhet t’i zëvendësojnë gomat e verës me ato të dimrit, si dhe të pajisen me pajisje të tjera dimërore.

    Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

    Shoferi, që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.
    Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

    Edhe pse ligji i Kosovës për rregullat e trafikut rrugor parasheh ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit nga data 15 nëntor deri 15 mars, ekspertët e ndryshëm ndërkombëtarë thonë se posa temperaturat të bien më pak se 7 gradë, ju duhet t’i vendosni gomat e dimrit për të pasur një fërkim, frenim dhe mbajtje më të mirë.

    Gomat e sotme të dimrit jo vetëm se janë të dizajnuara të performojnë mirë në dëborë, por performojnë mirë edhe në asfalt të ftohët.

    Për sigurinë tuaj dhe të pasagjerëve, vendosni goma të cilat i përshtaten veturës suaj, dhe, keni parasysh: gomat e dimrit duhet të vendosen që të katërtat për të pasur një kontroll dhe stabilitet më të mirë të veturës, përndryshe, nëse i vendosni vetëm dy gomat e para apo dy gomat pas, ju do ta rrezikoni veten.

    Rikujtojmë se thellësia e vijave të gomës për përdorim të dimrit duhet të jetë më e madhe se 4 milimetra.

  • Scholz: Po punojmë të zgjidhim situatën e vështirë mes Kosovës e Serbisë

    Scholz: Po punojmë të zgjidhim situatën e vështirë mes Kosovës e Serbisë

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se janë duke punuar shumë që ta zgjidhin situatën që ai e ka cilësuar si “vërtet të vështirë” mes Kosovës dhe Serbisë.

    Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin grek të martën, Scholz ka thënë se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit të Ballkanit, Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE.

    “Po punojmë shumë për ta zgjidhur situatën vërtet të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi gjithmonë në anën e procesit të anëtarësimit”, ka thënë Scholz, transmeton DW.

    Scholz bashkë me liderët e tjerë evropianë u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 26 tetor në Bruksel në përpjekje për të bindur liderët e Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjeve. Aty u paraqit draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e pranoi Kurti, por kërkoi nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të cilën refuzoi ta bënte Vuçiqi.

  • LDK-ja organizon tryezë për projektbuxhetin e vitit 2024

    LDK-ja organizon tryezë për projektbuxhetin e vitit 2024

    Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot do të organizojë tryezë diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2024.

    Sipas njoftimit për media nga kjo parti, thuhet se tryeza do të mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 14:00.

  • KQZ-ja organizon tryezën për ndryshimet në ligjin për zgjedhjet dhe për pjesëmarrjen gjinore në këshillat e vendvotimeve

    KQZ-ja organizon tryezën për ndryshimet në ligjin për zgjedhjet dhe për pjesëmarrjen gjinore në këshillat e vendvotimeve

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizon tryezën për pjesëmarrjen e barabartë gjinore në trupat menaxhuese të zgjedhjeve (Komisione Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshilla të Vendvotimeve).
    Po ashtu, në këtë tryezë do të diskutohet edhe për ndryshimet ligjore në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
    Sipas agjendës, përveç kryetarit të KQZ-së, edhe shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Davenport do të mbajë një fjalë rasti.
    Në këtë tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të subjekteve politike, gra deputete që përfaqësojnë subjekte politike në Kuvendin e Kosovës, Agjencisë për Barazi Gjinore, PZAP-it, organizatave ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe të mediave.