ATV

Author: G.O.

  • Prostitucion dhe shpërndarje droge në Elbasan, arrestohen 4 shtetase të huaja

    Prostitucion dhe shpërndarje droge në Elbasan, arrestohen 4 shtetase të huaja

    Policia e Elbasanit zbuloi se në një objekt 3-katësh, në lagjen “Visarjon Xhuvani”, ushtrohej prostitucion dhe shiteshin lëndë narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.

    Për këtë veprimtari u arrestuan 4 femra nga Kolumbia dhe Republika Domenikane, të përfshira në këto veprimtari kriminale.

    Po ashtu u sekuestruan 0.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 35.3 g lëndë narkotike Kokainë, shuma parash, armë sportive, celularë dhe sende të tjera që lidhen me dy veprimtaritë kriminale.

    Nga hetimi rezultoi se ato ushtronin prostitucion në objektin 3-katësh, si dhe iu shitnin shtetasve që përfitonin nga kjo veprimtari kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa.

    Gjithashtu, nga hetimi u identifikua organizatori i këtyre veprimtarive kriminale, një 56 vjeçar, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.

  • Miftari konfirmon shkarkimin nga posti i shefit të Misionit në Vatikan: E kam pranuar dekretin nga U.D. e Presidentes

    Miftari konfirmon shkarkimin nga posti i shefit të Misionit në Vatikan: E kam pranuar dekretin nga U.D. e Presidentes

    Vehbi Miftari ka konfirmuar se është liruar nga detyra e shefit të Misionit të Kosovës në Vatikan, duke bërë të ditur se ka pranuar dekretin përkatës nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Në një njoftim në Facebook, Miftari theksoi se ky vendim shënon përfundimin e mandatit të tij në Selinë e Shenjtë, por jo edhe angazhimin e tij për Republikën e Kosovës. Ai e cilësoi këtë detyrë si një nder jetësor, duke qenë shefi i parë i këtij misioni diplomatik në Vatikan, dhe shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë tashmë janë konsoliduar.

    “Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”, shkruan ai.

    Miftari falënderoi gjithashtu Vjosa Osmani për besimin e dhënë, si dhe institucionet e Selisë së Shenjtë për bashkëpunimin dhe mikpritjen.

    “Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”.

    Presidentja Osmani e kishte emëruar Miftarin para dy vitesh ambasador në Misionin e Posaçëm të Kosovës në Vatikan. Që nga 1 shkurti i atij viti, ai kishte udhëhequr misionin e sapothemeluar, pasi kishte lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes.

    Ai u shpreh se është i gatshëm të ndihmojë në procesin e dorëzimit të detyrës tek pasardhësi apo pasardhësja e tij, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të ndërtuara me përkushtim gjatë mandatit të tij.

    “Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”.

  • Rashiti: Zgjedhjet e parakohshme nuk garantojnë stabilitet

    Rashiti: Zgjedhjet e parakohshme nuk garantojnë stabilitet

    Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sërish “nuk garantojnë stabilitet”, vlerëson Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.

    “Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në Bashkimin Evropian], qoftë për proceset e agjendave rajonale”, thotë Rashiti.

    Sipas tij, Kosova ka vite që e ka humbur besueshmërinë në raport me faktorët ndërkombëtarë.

    “Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë”, thekson Rashiti.

    Siç thotë ai, Kosova aktualisht ka një kastë politike “që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve”.

    Si e tillë, vlerëson ai, kjo kastë politike nuk mund të arrijë që të ketë dialog me kundërshtarët politikë dhe as me faktorin ndërkombëtar.

  • Kanye West vjen në Tiranë, koncert live më 11 korrik

    Kanye West vjen në Tiranë, koncert live më 11 korrik

    Kanye West do të mbajë një koncert live në Tiranë më 11 korrik.

    Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar organizimin e eventit në kryeqytet.

    Koncerti pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, duke sjellë në skenë një nga emrat më të njohur të industrisë globale të muzikës.

    Ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi vendin e zhvillimit, orarin apo mënyrën e shpërndarjes së biletave.

  • Pas operacioneve në Iran dhe Venezuelë, aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane kthehet në SHBA

    Pas operacioneve në Iran dhe Venezuelë, aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane kthehet në SHBA

    Anija luftarake USS Gerald R Ford po kthehet në Shtetet e Bashkuara pas më shumë se 300 ditësh në det, vendosja më e gjatë e çdo aeroplanmbajtëseje amerikane që nga Lufta e Ftohtë, pas operacioneve në luftën e Iranit dhe misionit në Venezuelë që rezultoi në kapjen e Nicolas Maduro.

    Nuk është e qartë se kur saktësisht pritet që Ford të largohet nga Lindja e Mesme, por do të kthehet në portin e tij të origjinës në Virxhinia në mesin e majit, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.

    Anija Ford, e konsideruar gjerësisht si aeroplanmbajtësja më e fuqishme dhe më e përparuar në botë, u nis nga Stacioni Detar Norfolk në fund të qershorit 2025 dhe fillimisht u drejtua drejt Detit Mesdhe. Anija më pas u ridrejtua për në Karaibe në tetor.

    Aeroplanmbajtësja u detyrua të kthehej në Mesdhe muajin e kaluar për riparime dhe mirëmbajtje pasi një zjarr shpërtheu në lavanderi më 12 mars, ndërsa ankorohej në një port në Greqi.

    Me një zhvendosje prej 100,000 tonësh dhe një gjatësi prej 334 metrash, ajo përmban një kuvertë fluturimi të aftë të akomodojë më shumë se 75 avionë, megjithëse zakonisht operon me një krah ajror prej 60-70 avionësh.

    Dita e 295-të në det e Fordit theu rekordin e mëparshëm pas Luftës së Ftohtë prej 294 ditësh, të vendosur nga USS Abraham Lincoln në vitin 2020 gjatë pandemisë COVID-19, sipas të dhënave të përpiluara nga Instituti Detar i SHBA-së.

    Rekordin e përgjithshëm për qëndrimin më të gjatë në det e mban anija lufte USS Midway, e cila qëndroi në det për 332 ditë gjatë Luftës së Vietnamit.

    Tre transportues aeroplanësh amerikanë janë aktualisht të vendosur në Lindjen e Mesme – një numër i paparë që nga viti 2003.

    Anija luftarake USS Abraham Lincoln ka qenë në rajon që nga janari. Anija luftarake USS George HW Bush mbërriti javën e kaluar dhe po shkon drejt Detit Arabik për të mbështetur bllokadën amerikane të porteve iraniane.

  • Vdes një punëtor në Gjakovë, u godit aksidentalisht nga një kamion

    Vdes një punëtor në Gjakovë, u godit aksidentalisht nga një kamion

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 09:55 në fshatin Meqë të Gjakovës, ku dyshohet se një punëtor ka vdekur pasi është goditur nga një kamion.

    Lajmin e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës.

    “Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Krasniqi.

    Tutje, ajo bëri me dije se në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, por që personi në fjalë veçse kishte vdekur.

    “Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm nga Policia për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, theksoi ajo.

  • Dita e Punëtorëve, nesër protestohet në Prishtinë

    Dita e Punëtorëve, nesër protestohet në Prishtinë

    Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat ka njoftuar se më 1 maj 2026, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, do të organizojë një protestë paqësore.

    Sipas njoftimit të FSPTSPK-së,  protesta organizohet në mbështetje të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

    “Protesta do të fillojë në ora 10:00, me vendgrumbullim në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, dhe do të vazhdojë sipas itinerarit të planifikuar deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë”, thuhet në njoftim.

  • Shqiptari i kërkuar për tentim-vrasje arrestohet në aeroportin e Malpensës në Milano

    Shqiptari i kërkuar për tentim-vrasje arrestohet në aeroportin e Malpensës në Milano

    Një arrestim u krye në Aeroportin Malpensa të Milanos, ku Policia e Shtetit ndaloi një shtetas 36-vjeçar shqiptar me urdhër arresti për tentativë vrasjeje.

    Burri u arrestua gjithashtu për posedim të paligjshëm të një arme dhe pranim të mallrave të vjedhura.

    Hetimi i Zyrës së Policisë Kufitare filloi me një incident më 13 prill, kur 36-vjeçari, pasi pa një patrullë, iku me vrap, duke u përpjekur të përzihej me pasagjerët dhe duke hedhur xhaketën për të mos u njohur. Më pas ai arriti të arratisej me një makinë, shkruan La Provincia di Varese.

    Analiza e sistemeve të mbikëqyrjes me video dhe përdorimi i bazave të të dhënave, të mbështetura nga teknologjia e njohjes së fytyrës, ishin thelbësore në identifikimin e tij, transmeton Sinjali.

    Hetimet çuan në një urdhër gjyqësor përfundimtar kundër burrit, me një dënim prej një viti e një muaji burgim, përveç akuzave të tjera në pritje.

    Hetuesit gjurmuan gjithashtu kontaktet e burrit, duke identifikuar një grua dhe një fëmijë të lidhur me të, të cilët ishin kthyer nga Baku ditët e fundit. Në zonën e mbërritjeve, ndërsa priste t’i takonte, 36-vjeçari u ndalua nga oficerët përpara se të largohej nga aeroporti.

    Kontrolli personal dhe i automjetit çoi në sekuestrimin e një pistolete Beretta kalibri 7.65 me numër serial të fshirë, një karikator me tetë fishekë dhe një plumb tashmë në dhomën e fishekëve, të fshehura midis rrobave në bagazh.

    Gjithashtu u gjetën mjete për vjedhje me thyerje, pajisje elektronike, përfshirë një gjurmues GPS dhe telefona celularë, si dhe dy palë targa të klonuara: njëra prej tyre besohet të jetë e lidhur me një tentativë grabitjeje në një bankomat në zonën e Cuneos.

    Në fund të operacionit, burri u arrestua dhe u transferua në burgun Busto Arsizio, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

    Ky veprim konfirmon fokusin e policisë në aeroportin e Vareses, një qendër strategjike jo vetëm për trafikun e pasagjerëve, por edhe për parandalimin dhe kontrollin e krimit.

  • Dështon seanca gjyqësore për vrasjen në Zllakuqan

    Dështon seanca gjyqësore për vrasjen në Zllakuqan

    Për shkak të mungesës së dëshmitarit Dalip Krasniqi, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Skender Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z.

    Krasniqi akuzohet për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kryetari i trupit gjykues, Gent Beka, tha se Gjykata ka lëshuar urdhëresë në Stacionin Policor në Lipjan, për sigurimin e pranisë në seancë gjyqësore për dëshmitarin Dalip Krasniqi, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Stacioni Policor lidhur me arsyet e moszbatimit të kësaj urdhërese.

    Kurse, i dëmtuari Veton Zani deklaroi se sipas tij dhe informacioneve që ka, dëshmitari Krasniqi nuk ka mundur të paraqitet sepse është në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Prezent në sallën e gjykimit ishin prokurori Menduhi Kastrati, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Mahmut Halimi, të dëmtuarit Mejreme Zani dhe Veton Zani, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Skender Krasniqi, avokati Ilir Rama.

    Në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, seanca e sotme dështoi, kurse të radhës për këtë rast u caktuan për në javët në vazhdim.

    Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

    Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

    Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

    Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

    Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Rastet e sulmeve, QKUK inicion formimin e Shtabit Emergjent për menaxhimin e qenve endacakë

    Rastet e sulmeve, QKUK inicion formimin e Shtabit Emergjent për menaxhimin e qenve endacakë

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent pas situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të institucionit, si dhe pas disa rasteve të fundit të kafshimeve të raportuara.

    Sipas njoftimit, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka ndërmarrë këtë hap me qëllim të rritjes së sigurisë për pacientët, stafin shëndetësor, vizitorët dhe qytetarët që frekuentojnë institucionin.

    Shtabi Emergjent ka për detyrë të koordinojë masat urgjente për identifikimin, kontrollin, largimin dhe parandalimin e rrezikut nga qentë endacakë brenda hapësirave të QKUK-së.

    Në përbërje të këtij mekanizmi janë përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, Kliniken Emergjente, Zyrën Ligjore dhe Shërbimin e Sigurimit dhe zjarrfikësve.

    Po ashtu, në proces janë përfshirë edhe institucione të jashtme si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Policia e Kosovës, inspektorati komunal, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve.

    QKUK ka theksuar se masat vijnë si reagim i domosdoshëm pas shqetësimeve të ngritura dhe rasteve të fundit të kafshimeve brenda hapësirave të kampusit.

    Rasti i fundit ka ndodhur para dy ditësh ku një 15-vjeçare tjetër u sulmua nga një grup qensh endacakë në hyrje të Ortopedisë në QKUK.