ATV

Author: G.O.

  • Gazetari Arian Hajdaraj fiton çmimin e parë për foton më të mirë kundër korrupsionit 2023

    Gazetari Arian Hajdaraj fiton çmimin e parë për foton më të mirë kundër korrupsionit 2023

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), edhe këtë vit, për të nëntën herë me radhë, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizoi garën që tregon korrupsionin në Kosovë përmes fotografive më të mira.

    Fitues i këtij edicioni ishte Arian Hajdaraj, i cili përmes fotografisë paraqiti dëmet e shkaktuara nga vërshimet e 19 janarit që përfshin disa komuna në vend.

    Ndërsa çmimin e dytë në këtë edicion e ka fituar Adem Lushaj, dhe të tretin Lum Jakupi.

    Albesa Humolli, këshilltare në KDI, tha se këtë vit kjo garë dallon nga vitet e tjera për të treguar se si ndikon korrupsioni në shoqëri.

    “Në fakt janë qytetarët ata që vuajnë pasojat e korrupsionit andaj qytetarët duke shkrepur një fotografi nga fabrika që derdh derivatet në ambientet publike e deri tek rastet komuna që shfrytëzon jashtëligjshëm ambiente tregojnë se si mund të paraqiten rastet. Deponinë e egër, kompaninë që ndot ajrin apo edhe ndërtimet e bëra pa leje. Lufta fillon nga ne duke qenë aktiv për parregullsi qe na rrethojnë”, deklaroi ajo.

    Të interesuar për këtë aktivitet ishin fotografë, përfaqësues të organizatave të ndryshme si dhe qytetarë te thjeshtë te cilët nga afër përcollën ndarjet e çmimeve.

    Qëllimi kryesor i këtij sipas organizuesve vazhdon të jenë lidhja mes korrupsionit edhe mjedisit, përfshirja aktive e qytetarëve dhe vetëdijesimi i tyre për ndryshimet që mund të sjellin ndryshime brenda komunitetit.

  • Lajçak njofton se KEDS-i ka nënshkruar marrëveshje me Elektroseverin

    Lajçak njofton se KEDS-i ka nënshkruar marrëveshje me Elektroseverin

    Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, ka njoftuar se sot është nënshkruar kontrata komerciale në mes të KEDS-it dhe ELekstroseverit për çështjen e energjisë elektrike.

    Lajcak ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë që është lehtësuar nga BE-ja.

    Gjithashtu emisari sllovak konsideron se është hap i rëndësishëm edhe për rrugën e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

    Ai ka uruar të gjithë ata që kanë mundësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

    “E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Urime për të gjithë ata që e bënë të mundur!”, ka shkruar Lajcak.

  • Presidentja Osmani mbërrin në Katar, merr pjesë në Forumin e Dohas

    Presidentja Osmani mbërrin në Katar, merr pjesë në Forumin e Dohas

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Doha të Katarit.

    Bëhet e ditur se Osmani të dielën do të marrë pjesë në Forumin e Dohas, që do të mbahet më 10 dhe 11 dhjetor.

    E para e shtetit të premten ishte për vizitë zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu i saj turk, Recep Tayip Erdogan.

    Ndërsa, përpara Turqisë, Osmani ishte për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku mori pjesë në Samitin e Klimës.

  • ​Abdixhiku: Drafti i Asociacionit vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim

    ​Abdixhiku: Drafti i Asociacionit vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se me draftin që iu është dorëzuar kësaj partie, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nis me preambulën që i referohet rezolutës 14 44 si paralele e deklaratës së shpalljes së pavarësisë dhe përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Abdixhiku në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LDK-së, tha se kjo parti nuk mund të mbështes asnjë produkt që del jashtë kornizës Kushtetuese, jashtë sistemit tonë unitar dhe jashtë rregullimit territorial të Kosovës.

    Ai shtoi se nga ky këshill pret që të kuptohet se Kosova është në një gjendje të rëndë dhe çdo vonesë e veprimit politik është dëm i pariparueshëm. Sipas tij, sot një javë LDK , ka pranuar draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    “Paraprakisht ka pasur synime që ky draft të jepet vetëm për lexim, e kam konsideruar si ofendim të rëndë që një parti shtetformuese, bartëse e procesit të dialogut nëpër vite të jetë vetëm me memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh dhe t’i jap mbështetje apriori pa e kuptuar atë në thelb, së këndejmi nuk kam pranuar një qasje të tillë, kështu nuk vepron LDK… është i vonshëm dhe na vjen pas afatit të dorëzimit të komenteve për të dhe që ta keni të qartë, LDK nuk ka qenë fare e përfshirë në këtë proces“, tha ai, duke akuzuar qeverinë se ka qenë e mbyllur para dhe pas dorëzimit të këtij dokumenti.

    Ai theksoi se për dokumentin do të kenë edhe qëndrim politikë si LDK, megjithatë dha disa nga vlerësimet e para për draftin.

    “Më lejoni të shtoj para jush dhe para opinionit publik disa nga vlerësimet e para për këtë dokument. Ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis me preambulën me rezolutën 12 44 si paralele e deklaratës së shpalljes së pavarësisë e përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Se si institucionet e Kosovës pranojnë një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e shpalljes së pavarësisë me rezolutën 12 44 në një akt normativ të brendshëm dhe se si e pranojnë që Asociacioni si trup autonomie të mbahej jo brenda Gjykatës Kushtetuese por në sistem arbitrazhi, kjo për ne mbetet e pakuptimta, ndoshta përgjigjen mund ta gjemë te vet deklaratat e tyre që Kosovën republikë të pavarur e sovrane e shohin veç të përkohshme, por unë besoj që prapa kësaj fatkeqësie mosbesues në një shtet që meriton konfirmimin sot, qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për popullzim destruktiv që na sjellë gjithnjë në situata edhe më të rënda se paraprake.. në këtë pikë dua ta bëj të qartë se LDK nuk mund të mbështes asnjë produkt që del jashtë kornizës Kushtetuese, jashtë sistemit tonë unitar dhe jashtë rregullimit territorial të Kosovës. Këtë qëndrim e kemi shpalosur deri tani në çdo paraqitje tonën dhe nuk përtej këtij qëndrimi nuk mund të kapërcejmë”, tha ai duke shtuar se autonomia derivon nga marrëveshja e Ohrit, të cilën theksoi se e ka kundërshtuar LDK.

    Abdixhiku u ndal edhe te gjendja ekonomike, ku kritikoi qeverinë aktuale.

    “Qeveria popullsitë ka shndërruar menaxhimin ekonomik në një transakcion financiar ku paratë shpërndahen pa ndonjë efekt afatgjatë. Ky transaksion i thjesht financiar ka prodhuar pasivitetin më të madh investues në vend. Një qeveri që nuk arrin më shumë se 29 % të buxhetit për investime kapitale në vend, pra atij që ka planifikuar e ne nuk po themi që është ku ta di çfarë planifikimi, pra një qeveri që në planin e vet nuk realizon më shumë se 29 %, është thjesht në dorëzim. Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët e Kosovës, prandaj njerëzit tanë po e braktisin vendin e vet “, tha ai.

    I pari i LDK-së u tha anëtarëve të këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, se do të mbahen mend si gjenerata që ri-ngriti LDK-në kur askush nuk besonte.

    “Natyrisht në këtë rrugëtim do të ketë edhe cinik që përçmojnë çdo punë tuajën dhe do të ketë ankues që nuk mjaftohen kurrë por vet nuk bëjnë asnjë punë, janë të mirë, tregojnë çfarë duhet bërë por vet s’bëjnë gjë. Ajo çka kam kuptuar gjatë kësaj kohe, është se marrja me ta është vetëm humbje kohe dhe ne kohë për të humbur nuk kemi më“, tha ai.

  • NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë protestojnë para qeverisë

    NjSI-ja dhe Sindikata e Policisë protestojnë para qeverisë

    Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Sindikata e Policisë kanë protestuar të shtunën para qeverisë.

    NjSI-ja dhe Sindikata janë duke protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera. Protesta e parë e NjSI është mbajtur më 1 nëntor para objektit të Qeverisë së Kosovës. Përndryshe në protestën e parë, policët elitarë kishin paralajmëruar se nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre.

    Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.

    Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

  • Tre të vdekur nga zjarri në një spital në Itali

    Tre të vdekur nga zjarri në një spital në Itali

    Tre njerëz të moshuar kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një spital gjatë natës në qytetin Tivoli, në afërsi të Romës, raportuan mediet italiane të shtunën.

    Një trup tjetër i pajetë u gjet në morg të spitalit që u kaplua nga flaka, San Giovanni Evangelista, por ajo viktimë besohet të ketë vdekur para së të shpërthente zjarri rreth orës 23:00 të premten, raportoi agjencia e lajmeve e Italisë, Ansa.

    Brigada e zjarrfikësve ia doli t’i largojë rreth 200 njerëz nga ndërtesa e spitalit, përfshirë një grua shtatzënë dhe shumë fëmijë.

    Të evokuarit u dërguan në spitale të tjera në pjesë të Romës për mjekim.

    Të vdekurit – dy burra dhe një grua – ishin të moshës mes 76 dhe 86 vjeçe, sipas medieve lokale.

    Brigada e zjarrfikësve njoftoi se e ka shkuar plotësisht zjarrin dhe se ka nisur një hetim për ta mësuar shkaktarin e tij.

  • Akuzohej se falsifikoi 126 vota në zgjedhje, lirohet nga akuza

    Akuzohej se falsifikoi 126 vota në zgjedhje, lirohet nga akuza

    Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Besmir Mustafa, i cili po akuzohet për falsifikimi të rezultateve të votimit.

    Mustafa në cilësinë e kryesuesit të komisionit zgjedhor në fshatin Celinë, Komuna Rahovec, ngarkohet se kishte regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, duke regjistruar 126 vota, prej tyre 68 vota të shtuara dhe 58 vota të hequra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Mustafa u shpall të premten, nga gjykatësi Ilir Rashkaj.

    Kundër këtij aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Kurse, Mustafa lirohet nga shpenzimet gjyqësore.

    Sipas aktakuzës së përpiluar në nëntor të vitit 2022, Prokuroria Themelore në Gjakovë e ngarkonte Besmir Mustafen se pas mbylljes së vendvotimeve pas orës 19:00/h, duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij lidhur me zgjedhjes ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

    Në aktakuzë thuhej se i pandehuri ditën kritike, ishte i autorizuar nga KQZ si kryesues i komisionit zgjedhor në vendvotimin që gjendej në shkollën filllore “Faik Konica” në fshatin Celinë, Komuna Rahovec.

    Tutje sipas aktakuzës thuhet se pas numërimit të votave në Formularin e Rezultateve të kandidatëve si dhe pas rinumërimit të votave në kundërshtim me nenin 102 paragrafi 2 te Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë votat e kandidatëve, duke regjistruar 126 vota, prej tyre 68 vota të shtuara dhe 58 vota të hequra, me ç’rast me gjithsej 126 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme.

    Me këtë Mustafa ngarkohej se ka kryer veprën penale “falsifikimi i rezultateve te votimit:” nga neni 216 paragrafi 1 i Kodit Penal.

  • Një burrë në Gjakovë dyshohet se në gjendje të dehur plagosi veten me armë zjarri

    Një burrë në Gjakovë dyshohet se në gjendje të dehur plagosi veten me armë zjarri

    Një person në gjendje të dehur, dyshohet se ka plagosur vetën me armë zjarri.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku në vendin e ngjarjes janë konfiskuar dy pistoleta dhe katër fishekë.

    Pas tretmanit mjekësor i dyshuari është arrestuar, ndërsa me vendim të prokurorit ai është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

  • Ministrja Haxhiu: Burrat patriarkal po i vrasin gratë

    Ministrja Haxhiu: Burrat patriarkal po i vrasin gratë

    Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se vrasja e Liridona Ademajt është krim i rëndë dhe femicid, për të cilin kërkohet drejtësi.

    Ajo në mbledhja e këshillit të përgjithshëm të organizatës Gratë për Vetëvendose.

    Liridona u vra si pasojë e femicidit e cila për fat të keq është prezent në shoqërinë tonë

    “Pabarazia gjinore e rrënjosur thellë në strukturën shoqërore herë pas here na shpërfaqet në mënyrën më monstrume siç ishte edhe rasti i fundit i vrasjes së Liridonës. Burrat patriarkal po i vrasin gratë, gratë po vriten nga burrat apo partnerët e tyre, ky është krim i rënd , ky është femicid, për këtë rast dhe për secilin rast kërkojmë drejtësi….kushdo që me ose pa vetëdije i hyn diskutimit pse një burrë ushtron dhunë ose pse një burrë vret një grua, është duke tentuar ta justifikoj dorasin, është duke tentuar ta normalizoj dhunën dhe të tillë që e fajësojnë viktimën janë në anën e dhunuesve”, ka thënë ajo, duke shtuar se si ministri kanë ndërmarrë shumë aktivitete kundër dhunës dhe femicidit.

  • Rama: Mirënjohje për të gjitha gratë që luftojnë për të drejtat e barabarta

    Rama: Mirënjohje për të gjitha gratë që luftojnë për të drejtat e barabarta

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjitha gratë që kontribuojnë në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

    “Mirënjohje e thellë për të gjitha gratë të cilat luftojnë pa ndal, çdo ditë, që të respektohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të cilët përballen me vështirësi të ndryshme por që nuk dorëzohen kurrë”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.

    Ai më tutje lavdëroi gratë që luftojnë çdo paragjykim dhe vazhdojnë të sfidojnë çdo ndalesë për veten e tyre dhe gratë e tjera.

    “Kristalja kishte nderin të merrte pjesë në këtë ngjarje, nën organizimin e Ambasadores së Vullnetit të Mirë, Elvana Shala, ku të pandalshmet, luftëtaret tona u shpërblyen me mirënjohje për kontributin e tyre të pamohueshëm që të gjithë njerëzit të trajtohen të barabartë, zonjat të cilat me guxim, vullnet dhe zemërgjerësi kanë ndikuar pozitivisht në jetën e shumë individëve, ndonëse përballen me shumë vështirësi shëndetësore, paragjykime e barriera të cilat nuk i kanë detyruar të dorëzohen por përkundrazi, i kanë shtyrë të luftojnë jo për veten por për të gjitha gratë tjera”, ka shkruar i pari i kryeqytetit.

    Ndërkohë Rama ka falënderuar edhe z.Eric Dietz, ambasadorin e Luksemburgut në Republikën e Kosovës për bashkë-organizimin e këtij eventi.