ATV

Author: G.O.

  • Vendos Qeveria: Këtë muaj pensionistët marrin nga 100 euro shtesë

    Vendos Qeveria: Këtë muaj pensionistët marrin nga 100 euro shtesë

    Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme pritet të miratojë vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 euro për pensionistët.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njoftoi se krahas pensionit aktual që pensionistët marrin, ata do të marrin edhe këtë shtesë prej 100 euro këtë muaj, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës.

    “Që në këtë vit nuk kemi harruar as pensionistët tanë. Do të përkujdesemi me një vendim tjetër në këtë mbledhje. Për të gjithë pensionmarrësit, për këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën njëherësh prej 100 euro përveç pensionit të rregullt që marrin”, tha Kryeministri Kurti.

  • Vjena shpallet sërish qyteti më i mirë në botë për të jetuar

    Vjena shpallet sërish qyteti më i mirë në botë për të jetuar

    Edhe një herë, qyteti i Vjenës u rendit në vendin e parë në renditjen globale si vendi më i mirë për të jetuar.

    Është hera e njëmbëdhjetë që Vjena zyrtarisht mund ta quajë veten qyteti më i jetueshëm në botë

    Të paktën sipas renditjes globale të firmës konsulente Mercer. “Anketa e Cilësisë së Jetesës 2023” krahason cilësinë e jetës në 241 qytete në mbarë botën – dhe Vjena doli sërish fituese.

    “Vjena është e njohur për historinë e saj të pasur, arkitekturën mbresëlënëse dhe skenën e gjallë kulturore dhe u ofron banorëve të saj një standard të lartë jetese në shumë mënyra”, thuhet në faqen zyrtare të Mercer.

    Vjena ia detyron vendin e saj në krye të botës infrastrukturës së saj me një rrjet të mirëzhvilluar dhe të besueshëm të transportit publik, ujin dhe kujdesin shëndetësor, dhe një gamë të gjerë ofertash arsimore. Për renditjen janë përdorur kritere të ndryshme, duke përfshirë standardet shëndetësore, stabilitetin politik, situatën ekonomike, sistemin arsimor, tregun e banesave dhe ruajtjen e natyrës. Studimi bazohet në të dhëna nga institute dhe autoritete të pavarura, të cilat vlerësohen nga Mercer dhe plotësohen nga një anketë e emigrantëve – punëtorëve të dërguar jashtë vendit.

    Kryetari i Bashkisë së Vjenës, Michael Ludwig, është i kënaqur me renditjen e lartë: “Ne po punojmë gjatë gjithë kohës me përkushtim të plotë për t’u ofruar njerëzve të Vjenës jetën më të mirë të mundshme. Sigurisht, është mirë të shohësh që këto përpjekje njihen edhe në renditjet ndërkombëtare. Shqetësimi ynë kryesor është të vazhdojmë të punojmë për popullin e Vjenës dhe të zhvillojmë vazhdimisht qytetin tonë”.

    Sipas Mercer, vendi i dytë shkon në Cyrih dhe vendi i tretë në Auckland.

  • ATK-ja lanson tri shërbime të reja elektronike për tatimpaguesit

    ATK-ja lanson tri shërbime të reja elektronike për tatimpaguesit

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, të mërkurën ka lansuar tri shërbime të reja elektronike, raporton Ekonomia Online.

    Këto tri shërbime elektronike do të ndihmojnë tatimpaguesit të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësim të obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.

    Avni Zogiani, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve, tha se qëllim i Ministrisë është që të rriten cilësi er shërbimeve ndaj qytetarëve, e për këtë tha se kanë nënshkruar një marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 20 milionë euro.

    “Shërbimet kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve tatimorë që iu ofrohen qytetarëve si dhe i kontribuojnë reformave të brendshëm të ATK-së. Kemi nënshkruar një marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 20 milionë euro, përmes së cilës parashihet rritja e sistemeve elektronike, mbrojtja e të dhënave si dhe rritja e numrit të shërbimeve të ofruar të institucioneve”, tha ai.

    Alexander Albertine, nga USAID Kosovë, tha se janë ATK-ja ndër vite ka arritura suksese dhe ka përmirësuar integritetin e saj.

    “Është shumë inkurajuese që përtej këtyre përfitimeve që janë bërë ATK vazhdon që të përmirësoj shërbimet për tatim paguesit. Jam i sigurt që ATK do të përfitoj shumë. Do të këtë përmirësim të integritetit. Ne si USAID kemi pasur kënaqësinë që kemi qenë partner ATK-në në përmirësimin e integritetit. Ju inkurajoj që të shërbeni si kampion të ndryshimit të ndërtuar mbi qeverisje të mirë”.

    Ilir Murtezaj, drejtor ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës, tha se përkundër vështirësive ATK-ja vazhdon të rriss kualitetin e shërbimeve dhe të zgjerimin e gamës së shërbimeve, raporton EO.

    “Përkrahja e USAID në ngritje të kapaciteteve të ATK datojnë që nga themelimi i ATK. Përkundër vështirësive ATK vazhdon qe shtoj numrin e tatim paguesve, të rris kualitetin e shërbimeve dhe të zgjerimin e gamës së shërbimeve”.

    “Ne kujdesemi që edhe siguria e tatim paguesve të jetë në nivel gjë që ja kemi arritur në vazhdimësi. Rritja e të hyrave që kemi parë gjatë viteve të fundit është dëshmi e potencialit ekonomik që ka vendi ynë”, tha ai.

  • Kurti i shqetësuar: Rezultatet e PISA-s, dëshmuan për defekte kronike në arsim

    Kurti i shqetësuar: Rezultatet e PISA-s, dëshmuan për defekte kronike në arsim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehu i shqetësuar për rezultatet e arritura në testin PISA, duke thënë se kjo ka shpërfaqur defektet strukturore e kronike në sistemin arsimor, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se rezultatet e dobëta në testet që i bën programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – PISA, treguan për “defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë”.

    Kurti tha se testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë.

    “Natyrisht që jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë, të cilat treguan për defektet strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe nuk do të mund të rregullohen shpejtë e as përnjëherë”.

    “Testi PISA po tregon se në fëmijërinë e hershme diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte më të mira për mësimdhënës, ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që t’i motivojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë”, u shpreh Kurti.

  • 42 aktakuza kundër 60 personave për 24 orë

    42 aktakuza kundër 60 personave për 24 orë

    Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik, se gjatë 24 orëve të fundit, nga prokuroritë Themelore janë ngritur katërdhjetë e dy (42) aktakuza kundër gjashtëdhjetë (60) personave, për vepra të ndryshme penale. Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dymbëdhjetë (12) persona, si dhe pranë gjykatave kompetente janë parashtruar tri (3) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj tre (3) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar shtatë (7) persona dhe ka ngritur dymbëdhjetë (12) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit kundër një (1) personi. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër tetëmbëdhjetë (18) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar, si dhe ka parashtruar dy (2) kërkesa për caktim të paraburgimit kundër dy (2) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur një (1) aktakuzë kundër shtatë (7) personave, për veprën penale “Mashtrimi”.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar  një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orëve, për kryerjen e veprës penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër shtatë (7) personave për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur dymbëdhjetë (12) aktakuza kundër pesëmbëdhjetë (15)  personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Nënshkruhet marrëveshja me vlerë 7 miliardë euro, Kosova përparon në teknologji

    Nënshkruhet marrëveshja me vlerë 7 miliardë euro, Kosova përparon në teknologji

    Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen Kornizë në vlerë 7 miliardë euro në fushën e teknologjisë.

    Marrëveshjen e ka nënshkruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Kosova po bëhet pjesë e programit në vlerë prej 7 miliardë euro “Evropa Digjitale” (#DigitalEurope)!

    Në emër të Republikës së Kosovës, nënshkrova Marrëveshjen Kornizë të këtij Programi, ndërsa nga ana e European Commission, marrëveshja është nënshrkuar nga Roberto Viola, Komisioner për Komunikim, Rrjete, Përmbajtje dhe Teknologji.

    Ky program ka për qëllim të rritë qasjen në digjitalizim tek qytetarët, bizneset dhe institucionet, dhe përmes granteve strategjike të avancojë katër fusha:
    Resurset kompjuterike me performancë të lartë, Inteligjenca artificiale (IA), Shkathësitë e avancuara digjitale, si dhe Përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria (interoperabiliteti).

    Pas miratimit nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, ne do të mund të bëhemi pjesë e projekteve të digjitalizimit të BE-së. Ky program synon t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e shoqërinë e BE-së, për të mbështetur digjitalizimin në përgjithësi, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme” shkruan Rizvanolli në njoftim.

  • Zjarrfikësit protestojnë përsëri nesër para Qeverisë

    Zjarrfikësit protestojnë përsëri nesër para Qeverisë

    Zjarrfikësit e Kosovës nesër do të protestojnë para Qeverisë, duke filluar nga ora 11:00.

    Kjo për shkak të mospërmbushjes, siç njoftojnë ata, të kërkesave të tyre rreth moskompensimit për rrezikshmëri në punë.

    “Ju njoftojmë se Kryesia e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës dhe këshilli protestues ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, moskompensimi për rrezikshmëri në punë, mosgatishmëria që Qeveria të zgjidh drejt problemet e krijuara edhe pas takimeve që kishim, zjarrfikësit e Kosovës kanë vendosur që me datën 14.12.2023 të riaktivizojë protestën si formë e presionit sindikal. Protesta do të organizohet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në ora 11:00 dhe do të vazhdojë deri sa të na informojnë për qëndrimin dhe të marrim një konfirmim dhe përgjigje nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Bëhet e ditur se protesta do të jetë paqësore.

    Ndryshe, Sindikata e Zjarrfikësve kishte protestuar edhe në muajin e kaluar.

    Fillon protesta zjarrfikësve para Qeverisë

  • Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

    Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

    Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit.

    Sulmi ka ndodhur teksa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.

    Kjo shifër përbën numrin më të madh të të plagosurve në Kiev, në muajt e fundit.

    Sergiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, ka thënë se 51 persona janë plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë.

    Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar.

    Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.

    Kryetari i Kievit Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë.

    Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel/

  • Ten Hag: Nuk e merituam të humbasim, lojtarët dhanë gjithçka

    Ten Hag: Nuk e merituam të humbasim, lojtarët dhanë gjithçka

    Manchester United u eliminua mbrëmë nga të gjitha garat evropiane, pasi që përfundoi fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në vendin e fundit në Grupin A.

    Galatasaray u rendit në vendin e tretë, duke vazhduar garën në Ligën e Evropës, kurse dy vendet e para në grup i okupuan Bayern Munichu dhe Copenhagen, raporton KosovaPress.

    United u mposht nga Bayerni 1:0 dhe pas humbjes në “Old Trafford” foli trajneri Erik ten Hag.

    Ten Hag ishte i kënaqur me paraqitjen e “Djajve të Kuq” derisa tha se skuadra e tij nuk meritoi të humbte.

    “Ne bëmë gabime. Paraqitja ishte tejet e mirë. Ne nuk e merituam të humbasim por ne humbëm. Në fund, nuk është mirë. Lojtarët dhanë gjithçka, ju e patë shpirtin. Më duhet të ju jap meritat skuadrën, komplimente të mëdha se si punuan së bashku, si skuadër, kundër një Bayerni të fortë”, tha Ten Hag.

    United u rendit në vendin e fundit në Grupin A me katër pikë, një më pak se Galatasaray në vendin e tretë, katër sosh më pak se Copenhagen dhe 12 sosh më pak se lideri i grupit, Bayern Munich.

  • BE-së i kërkohet heqja e masave ndaj Kosovës dhe hetim i plotë për sulmin terrorist në Banjskë

    BE-së i kërkohet heqja e masave ndaj Kosovës dhe hetim i plotë për sulmin terrorist në Banjskë

    Kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka njoftuar se 13 kryesues të komiteteve për punë të jashtme nëpër Evropë u kanë bërë thirrje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i largojnë të gjitha masat negative ndaj Kosovës.

    Pos kësaj, ata kanë kërkuar të bëhet një hetim i plotë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    “Sot 13 kryesues të komiteteve parlamentare nëpër Evropë u kanë bërë thirrje Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut që të njoftojnë në Samitin BE – Ballkan Perëndimor: fundin e gjitha masave negative ndaj Kosovës dhe hetimin e plotë ndaj sulmit në Banjskë dhe të publikojnë rezultatet”, ka shkruar Kearns në platformën “X”.

    Ajo thotë se krimineli serb, Millan Radojçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.

    Sipas saj, nuk ja asnjë justifikim që Serbia ta mbrojë atë.

    “Milan Radojçiq ka rrëfyer sulmin. Ai duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me gjyqin. Nuk ka asnjë justifikim që Serbia të mbrojë Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij nga përballja me drejtësinë për krimet e tyre”, shtoi Kearns.

    Ajo ka falënderuar kryesuesit që u mblodhën gjatë 24 orëve të fundit për të nxitur BE-në që të miratojë një qasje më të drejtë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

    “Paqja kërkon drejtësi dhe llogaridhënie, të dyja aktualisht mungojnë”, shtoi deputetja britanike.