ATV

Author: G.O.

  • Presidentja Osmani paralajmëron dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese: E kam ftuar në takim opozitën për të ndërtuar një qëndrim të unifikuar

    Presidentja Osmani paralajmëron dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese: E kam ftuar në takim opozitën për të ndërtuar një qëndrim të unifikuar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në mes të tjerash ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, siç u shpreh ajo, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka bërë të ditur se tashmë Kosovës i është dorëzuar një propozim–draft statut për një Asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët.

    “Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese”.

    “Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, ka theksuar Osmani.

    Osmani tha se qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet  përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.

    Presidentja u shpreh se ka ftuar edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që siç u shpreh ajo, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës.

    “Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, u shpreh tutje Osmani.

     

  • Joseph: Njohja e Kosovës nga NATO është çelësi i stabilitetit

    Joseph: Njohja e Kosovës nga NATO është çelësi i stabilitetit

    Profesori i studimeve të avancuara në Universitetin “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, ka shkruar rreth zhvillimeve të fundit në rajon.

    Joseph tha se njohja ndërkombëtare e Kosovës shënon fundin e Serbisë së Madhe.

    “Një kujtesë se e ardhmja e Bosnjës e Hercegovinës nuk varet nga rastet gjyqësore të cilat Beogradi do t’i sfidojë me ose me Dodik, por nga Kosova. Shikoni izolimin kronik të Kosovës nga Vuçiq, Bërnabiq, Daçiq. Ata e dinë se njohja ndërkombëtare e Kosovës shënon fundin e Serbisë së Madhe, duke i hapur rrugën reformës kushtetuese në BeH. Kjo është arsyeja pse njohja e Kosovës nga NATO është çelësi i stabilitetit. E gjithë kjo është përcaktuar në “Raportin tonë të krizës ndaj konvergjencës” të janarit 2022″, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

  • ​Vikendi sjell përballje të rivalëve në basketbollin e Kosovës

    ​Vikendi sjell përballje të rivalëve në basketbollin e Kosovës

    Xhiro e 13 në elitën e basketbollit do të sjell përballjen mes rivalëve në basketbollin kosovar, apo ndryshe mes skuadrave me traditë dhe trofe në basketbollin e Kosovës.

    Ndeshja e parë e vikendit do të jetë mes Trepçës dhe Bashkimit, e cila pritet të tregojë spektakël, raporton KosovaPress.

    Mitrovicasit janë në vendin e parë me dhjetë fitore e dy humbje, kurse Bashkimi ka katër fitore e tetë humbje.

    Sfida e dytë e së shtunës pritet të jetë edhe më e zjarrtë mes Pejës dhe Sigal Prishtinës. Të dyja skuadrat kanë rivalitet që moti, andaj pritet që të ketë spektakël në parketin e palestrës “Karagaçi”. Verdhezinjtë kanë nëntë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit shtatë fitore e pesë humbje.

    Ndeshje po ashtu interesante pritet ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit, që zhvillohet të dielën. Prizrenasit kanë katër fitore e tetë humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e pesë humbje, duke e bërë sfidën shumë të barabartë dhe të dy skuadrat luajnë për fitore për të pasur plasman sa më të mirë në renditje.

    Përballja e fundit zhvillohet ndërmjet Vëllaznimit dhe Istogut. Kuqezinjtë kanë gjashtë fitore e gjashtë humbje, ndërsa istogasit kanë një fitore e 11 humbje, duke u renditur në vendin e fundit, ndërsa skuadra nga Gjakova renditet në vendin e pestë.

    Java 13-Prince Caffe Superliga

    E shtunë

    17:00 Trepça-Bashkimi

    19:00 Peja-Sigal Prishtina

    E diel

    17:00 Proton Cable Prizreni-Golden Eagle Ylli

    19:00 Vëllaznimi-Istogu

  • Osmani: Anëtarësimi në NATO prioritet, përkushtimi ndaj integrimit evropian i palëkundur

    Osmani: Anëtarësimi në NATO prioritet, përkushtimi ndaj integrimit evropian i palëkundur

    Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se përgjatë këtij viti ka realizuar afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

    “Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.

    Sipas Presidentes Osmani, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

    “Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi Osmani.

    Presidentja Osmani tha se pavarësisht se sa komplekse është rruga, Kosova nuk do të heq dorë nga anëtarësimi në BE, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë kësaj rruge.

    “Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova dhe i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë, se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor.

    Osmani: Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit nga Lugina

  • Osmani: Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit nga Lugina

    Osmani: Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit nga Lugina

    Presidentja Vjosa Osmani Osmani e ka përmendur në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen me diskriminimin mbi baza etnike, raporton Ekonomia Online.

    Më tej, ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

    “Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore”.

    “E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend”.

  • Osmani: Kosova s’zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

    Osmani: Kosova s’zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

    Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për sulmin terrorist dhe agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, duke e cilësuar një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, raporton Ekonomia Online.

    “Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të ‘Botës serbe’. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”, ka theksuar Persidentja Osmani.

    Sipas saj, në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjakun, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë.

    “Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica.

    “Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar Osmani.

    Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e opozitës që në këtë çështje treguan përkrahjen për institucionet e Kosovës e në veçanti për institucionet e sigurisë, të cilat vazhdojnë të jenë mbrojtësit e Republikës, raporton EO.

    “Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur Osmani.

  • Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën

    Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën

    Bashkimi Evropian ka dështuar të arrijë një pajtim për një paketë prej 50 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën, pasi Hungaria vuri veton ndaj ndihmës mbrëmjen e 14 dhjetorit.

    Veprimi i Hungarisë si goditje ndaj Kievit, vjen në kohën kur liderët e BE-së vendosën t’i hapin bisedimet për anëtarësimin e Ukrainën dhe Moldavisë në BE.

    Hungaria do të mund të ndalojë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian më vonë nëse është e nevojshme, meqë BE kishte marrë një “vendim të keq” kur vendosi të fillojë bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës, tha kryeministri Viktor Orban, për radion shtetërore.

    Ai tha se nëse BE dëshiron të ndryshojë buxhetin e saj aktual, atëherë do të jetë një “mundësi e madhe për Hungarinë të thotë se duhet të marrë paratë që ka të drejtë”.

    Liderët e Bashkimit Evropian vendosën të enjten t’i hapin bisedimet për anëtarësim në BE me Ukrainën dhe Moldavinë.

    Të enjten blloku 27 anëtarësh miratoi gjithashtu një paketë prej dymbëdhjetë sanksionesh kundër Rusisë, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

    Hungaria ka kohë të gjatë që e kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Kievin, megjithatë, nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.

    Viktor Orban i cili abstentoi nga vendimi i BE-së të enjten, tha në një reagim në rrjetin social Facebook se vendi i tij nuk deshi “të marrë pjesë në një vendim të keq”.

    Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL/

  • Abdullahu: Qeverisë i konvenon ikja e të rinjve, zhgënjimi do të kthehej në protesta e revoltë sociale

    Abdullahu: Qeverisë i konvenon ikja e të rinjve, zhgënjimi do të kthehej në protesta e revoltë sociale

    Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, i tha Ekonomia Online, se Qeveria aktuale po u hakmerret të gjithë qytetarëve që nuk e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje.

    Sipas tij, edhe përkundër premtimeve Qeveria po bënë padrejtësi të madhe sociale, duke shkaktuar pakënaqësi të qytetarëve që synim e kanë vetëm ikjen.

    Gjithë ky zhgënjim thotë ai i konvenon Qeverisë, ngase mund të kishte protesta e revoltë sociale ndaj vendimeve të ekzekutivit.

    Abdullahu konstaton se Qeveria nuk ka ide e as strategji se si të zhvillohet vendi, prandaj edhe e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Kjo mendësi politike sot në Qeveri dje në opozitë ka premtuar drejtësi dhe sot kemi padrejtësi të mëdha edhe sociale. Mjafton të përmendet çfarë ka bërë kjo Qeveri me buxhetin e saj në shpërndajnë për komunat. Kjo Qeveri po hakmerret ndaj të gjithë atyre që nuk e kanë votuar LVV”.

    “Kjo Qeveri ka premtuar shpresë ndërkohë kemi zhgënjim gjithandej, qytetarëve të cilët po presin të ikin. Ata janë vlerësimi më i madh, kjo Qeveri i ka zhgënjyer njerëzit prandaj edhe do të ikin”.

    “Kësaj Qeveri i konvenon që të ikin një pjesë e madhe e rinisë përndryshe do të kthehej gjithë ai zhgënjim në protestë në revoltë sociale. Prandaj e ka pranuar Asociacionin që tu jep këtë mundësi qytetarëve dhe mos të këtë zhgënjime të tilla nga një Qeveri që nuk ka as ide as strategji as si të zhvilloj këtë vend për më keq i hakmerret qytetarëve sidomos atyre që iu ka shkuar ndërmend të votojnë PDK sidomos ata që shquhen me këtë votë tash sa kohë pjesën e Drenicës”.

  • Adresimi vjetor i presidentes Osmani në Kuvend, PDK-ja vendos të mos marrë pjesë në seancë

    Adresimi vjetor i presidentes Osmani në Kuvend, PDK-ja vendos të mos marrë pjesë në seancë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do t’i adresohet Kuvendit me fjalimin e saj vjetor. Por, në seancën që është paraparë të fillojë nga ora 11:00, do të mungojë Partia Demokratike e Kosovës.

    PDK-ja ka vendosur që të braktisë sërish fjalimin e Osmanit.

    Osmani do t’i drejtohet Kuvendit sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit.

    Roli i saj është kritikuar nga partitë opozitare, që e kanë akuzuar në vazhdimësi.

    Ndryshe, më 4 prill 2021, Osmani me 71 vota në rundin e tretë të votimit, mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesë-vjeçar.

  • 11 policë të vrarë pas një sulmi në Iran

    11 policë të vrarë pas një sulmi në Iran

    11 policë u vranë dhe të tjerë u plagosën pasi një stacion policie u sulmua në Iran, raportoi televizioni shtetëror.

    Autoritetet në qytetin Rask thanë se sulmi kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në jugperëndim të Teheranit.

    “Policia vrau disa nga sulmuesit në një shkëmbim zjarri”, tha zëvendësguvernatori, Ali Reza Marhemati.

    Sulmi pretendohet të jetë kryer nga grupi separatist i myslimanëve sunitë, Jaish al-Adl, sipas raportimit të televizionit shtetëror.

    Në vitin 2019, ky grup kishte marrë përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës me bombë në një autobus ku mbetën të vrarë disa anëtarë të forcave të Gardës Revolucionare të Iranit.

    Në muajt e fundit, militantë dhe grupe të vogla separatiste në rajonin e banuar me shumicë sunite, kanë sulmuar stacionet e policisë.

    Provinca Sistan dhe Baluçistan është një nga zonat më pak të zhvilluara të Iranit./REL/