ATV

Author: G.O.

  • ShSKUK-ja do të pajiset me autoambulanca të reja

    ShSKUK-ja do të pajiset me autoambulanca të reja

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) do të pajiset me shtatë autoambulanca të reja në vlerë 452 mijë e 193 euro, si pjesë e investimeve në sektorin e shëndetësisë.

    Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka bërë të ditur se shpërndarja e autoambulancave të reja do të bëhet në fillim të vitit 2024.

    “Klinikat dhe spitalet publike janë të pajisura më shumë se kurrë me pajisje, materiale shpenzuese e barna. Rritja e buxhetit për shëndetësi po e transformon shëndetësinë publike. Ministria mbetet e përkushtuar të sigurojë sa më shumë pajisje e mjete që të rritet cilësia në shërbime”, thuhet në një postim në Facebook.

  • Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi

    Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një personi

    Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër një personi me inicialet M.M., për rastin e Oliver Ivanoviqit.

    Sipas Prokurorisë, aktakuza kundër tij është ngritur për shkak se i njëjti ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.

    Rasti ka të bëjë me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku i pandehuri si pjesë e grupit veprimet i ka ndërmarrë pas ndodhjes së vrasjes duke penguar procedurën penale dhe pas hetimit i njëjti ka përdorë dokumente të falsifikuara si dhe ka kanosur personat zyrtar të cilët kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij.

    Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

  • Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Komunës së Drenasit

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Komunës së Drenasit

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se janë shpallur “Qytetarë Nderi” Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

    “Sot, me propozimin tim, Kuvendi i Drenasit ua dha një mirënjohje simbolike, bijve të denjë të kombit, ish presidentit Hashim Thaçit, ish kryeparlamentarit Kadri Veselit, ish kryeparlamentarit dhe deputetit Jakup Krasniqit dhe ish deputetit Rexhep Selimi, titullin “Qytetar Nderi”.  Mirënjohja nuk ka të bëj me politikën, por, ne këtu, në Kuvendin e komunës së Drenasit, dëshmojmë se ata janë heronj të luftës dhe paqes, për kontributin e tyre jetësor, ata janë edhe “Qytetarë Nderi”, të komunës së Drenasit, për aq sa do të ekzistojmë si komunë.”

    Lladrovci ka thënë se historia lindi në Drenicë.

    “Historia lindi këtu, në Drenicë, dhe ne me një simbolikë të thjeshtë, duam ta japim lajmin se ata edhe si qytetarë nderi, janë krenari e komunës tonë dhe krenari e kombit! Sot, jam shumë krenar, sepse mund të japim së bashku me asamblenë, një titull, titull që flet se ata janë pjesë e jona, janë krenaria jonë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Megjithëse jeni me trup larg, ne ju kemi pranë, sot e gjithmonë, juve çlirimtarë, juve liridashës, juve heronj të luftës e paqes! Krenar me asamblistët dhe asamblenë e komunës së Drenasit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit!”.

  • Distria Krasniqi, xhudistja numër një në ranglistën botërore

    Distria Krasniqi, xhudistja numër një në ranglistën botërore

    Siç bëhet e ditur nga Federata Evropiane e Xhudos (EJU), Distria Krasniqi është renditur e para në ranglistën botërore të xhudos për vitin 2023.

    Distria është ylli i Kosovës që vazhdon t’i dhurojë vendit të saj suksese të mëdha ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

    Krasniqi morri medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokio në kategorinë deri në 48 kilogramë.

    Më pas, Distria filloi një aventurë të re, duke garuar në kategorinë deri në 52 kilogramë, kategori kjo e cila është bërë e njohur në Kosovë nga Majlinda Kelmendi.

    Ishte një start fantastik i vitit për Krasniqin, duke e shtuar edhe një medalje të artë të Grand Slam-it në Paris në koleksionin e saj. Përveç një vendi të vetëm të 5-të në vitin 2023, Krasniqi ka grumbulluar medalje dhe arritje në të gjitha përpjekjet e saj, duke përfshirë një përfundim të veçantë.

    Në inaugurimin e Kampionatit Evropian në Kosovës, Krasniqi iu bashkua Nora Gjakovës në kategorinë deri në 57 kilogramë, dhe të dyja e mbyllën garën me medalje të bronztë.

  • Qeveria e miraton Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Kosovës

    Qeveria e miraton Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Kosovës

    Qeveria e ka miratuar Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, me të gjitha votat për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky Projektligj ka për synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë.

    Ai ka shtuar se përmes tij do të rregullohet mënyra e bashkëpunimit të strukturave të sigurisë, duke ngritur nivelin e përgatitjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve, rreziqeve dhe sfidave ndaj sigurisë së vendit.

  • Vendos Qeveria – Lehtësohet procesi i marrjes së shtetësisë së Kosovës

    Vendos Qeveria – Lehtësohet procesi i marrjes së shtetësisë së Kosovës

    Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, është miratuar Projektligjit për Shtetësinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online. Kryeministri Albin Kurti tha se ky Projektligj është një kornizë ligjore që synon të rrisë efikasitetin, transparencën, sigurinë dhe drejtësinë e proceseve tona të shtetësisë.

    Ai është shprehur se ky ligj, në veçanti lehtëson fitimin e shtetësisë të personave me lejeqëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme, duke përfshirë edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë që shumë vite në Kosovë.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se synojnë të rrisë efikasitetin, transparencën dhe sigurinë e proceseve për shtetësinë.

    Ai ka thënë se ligji përcakton kritere të qarta për marrjen, mbajtjen dhe heqjen e shtetësisë, dhe përcakton një qasje të shkallëzuar për marrje të shtetësisë në përputhje me interesat tona kombëtare dhe objektivat e sigurisë.

    “Në kohën e rritjes së lëvizshmërisë ky ligj afirmon të drejtën për shtetësi të shumëfishtë dhe si prioritet adreson nevojën e kahershme për lehtësimin e kritereve për përfitimin e shtetësisë edhe për qytetarët e Luginës”

  • Remitancat shënojnë rritje, kaq para dërgoi diaspora gjatë këtij viti

    Remitancat shënojnë rritje, kaq para dërgoi diaspora gjatë këtij viti

    Mbi 1.2 miliard euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Kosovë deri në muajin nëntor 2023, gjë që paraqet rritje prej 10.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin nëntor 2023, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e tyre, sipas vlerësimeve, muaj ishin 101.3 milionë euro.

    Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 65 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.

    Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 300.6 milionë eurove dhe është rritje prej rreth 200 mijë euro krahasuar në tetor 2023.

    Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë euro, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro.

    Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit nëntor janë rritur për 2.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 499.4 milionë eurove.

  • Buleshkaj: Mbi 10 mijë zyrtarë e deklaruan pasurinë, 59 raste janë dërguar në Prokurori

    Buleshkaj: Mbi 10 mijë zyrtarë e deklaruan pasurinë, 59 raste janë dërguar në Prokurori

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka mbajtur konferencë për medie ku u bë rishikimi i punës së kësaj Agjencie gjatë këtij vit, raporton Ekonomia Online. Ylli Buleshkaj, udhëheqës i kësaj Agjencie tha se ka pasur dyfishim të regjistrimit të deklarimit të pasurisë, ku mbi 10 mijë zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë e tyre.

    Buleshkaj pohoi se i kanë dërguar në Prokurori 59 raste, duke sqaruar se Agjencia evitoi 206 raste të shkeljeve të mundshme të ligjit, ku 128 u dhanë si opinion, e 78 tjera si këshilla. Ai ka sqaruar se kontrolli i pasurisë do të bëhet për mbi 4 mijë subjekte, proces ky të cilin premtoi se do ta përmbyllin në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkaq Buleshkaj tha se rritje ka pasur edhe te rastet e sinjalizimeve të jashtme, ku sivjet ka 30% më shumë.

    “I kemi 10  deklarime të pasurisë të cilat janë bërë përmes sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë. Kosova është ndoshta vendi i parë në glob, ku me futjen në funksion të deklarimit elektronik, i kemi mbi 99% të subjekteve deklaruese dhe zyrtarëve publik, të cilët i kanë kryer përmes sistemit elektronik”.

    Janë 19 raste të paraqitura si sinjalizime të jashtme, të gjitha janë trajtuar përveç një nga to. Dy janë përcjellë në Prokurori, një rast është dërguar në komunë për procedim të mëtutjeshëm, njëra në Ministri, 11 janë refuzuar për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore, tri janë mbyllur sepse nuk ka rezultuar që veprimi i raportuar të përbëjë shkelje sipas ligjit”.

    “Në vlerësimin kundër korrupsionit u shqyrtuan 66 raste ku 59 prej tyre janë dërguar në prokurori, 7 kanë përfunduar. Gjatë 2023, Agjencia evitoi 206 raste të shkeljeve të mundshme të ligjit, ku 128 u dhanë si opinion, e 78 tjera si këshilla”.

    Buleshkaj përmendi edhe numrin e vogël të stafit, për çka tha se me një numër më të madh do të mundësohej kualiteti i punës së Agjencisë, raporton EO.

    Në fund Agjencia ka bërë ndarjen e certifikatave për kontributin e partnerëve në përhapjen e misionit të këtij institucioni, gjatë këtij viti.

  • PDK-ja thërret konferencë për media

    PDK-ja thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media.

    Konferenca do të fillojë në orën 13:00 dhe do të mbahet në selinë qendrore të PDK-së, derisa nuk është bërë e ditur arsyeja e kësaj konference.

    “Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media, në orën 13:00. Vendi: Selia qendrore e PDK-së. Koha: 13:00”, thuhet në njoftim.

  • Peci: Viti 2023 më i suksesshmi për bujqësinë, 31 mijë fermerë kanë përfituar 61 milionë euro

    Peci: Viti 2023 më i suksesshmi për bujqësinë, 31 mijë fermerë kanë përfituar 61 milionë euro

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, e ka quajtur vitin 2023 si të suksesshëm për bujqësinë kosovare, raporton Ekonomia Online. Në konferencën përmbyllëse të vitit, Peci ka thënë se këtë vit 31 mijë fermerë kanë përfituar në kuadër të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë euro.

    Ndërsa janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë euro.

    “Nëse vitit 2023 i vendosim një shifër për bujqësinë, ajo është vlera prej 85 milionë eurosh përmes së cilës është shpërblyer puna dhe mundi i bujkut tonë të vyer. Në kuadër të kësaj, janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë eurosh ndërsa 31 mijë është numri i përfituesve të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh”.

    “Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve si dhe në rritje të numrit të përfituesve në Programet mbështetëse të Ministrisë”, u shpreh Peci.

    Peci foli edhe për përkrahjen që ky dikaster u ka dhënë bujqësve, duke sqaruar se sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore, raporton EO.

    “Sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore. Gjatë këtij viti 66 mijë hektarë mbjelle me grurë, dhe 42 mijë hektarë me miser. Nga ana tjetër, 35.5ha janë sipërfaqet e ngritura për prodhimin e perimeve në sera ndërsa 142.22ha është sipërfaqja totale e ngritur për frutat manore, arrore dhe drufrutore”, u shpreh Peci.

    “Kemi Ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë gjermane në vlerë prej 20.2 milion euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë së Gjermanisë. 9.2 milionë euro është vlera e grantit nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme. Ndërsa 7 milionë është vlera me të cilën do të përkrahet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, për procesin e akreditimit që do të fillojë gjatë Janarit/Shkurtit të vitit 2024”.

    “Kjo do t’i mundësojë fermerit të Kosovës që nga viti 2026 të ketë qasje në fonde nga 50 milionë deri në 100 milionë euro krahas buxhetit vendor. Për të dytin vit me radhë jemi ballëhapur përballë fermerëve duke paguar deri në centin e fundit obligimet kontraktuale ndaj tyre. 7.2 milionë është vlera me të cilën kemi mbështetur gratë fermere në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, kemi thjeshtuar kriteret e aplikimit në Programet Mbështetëse duke shtuar numrin e kontrolleve në teren”, u shpreh ai.