ATV

Author: G.O.

  • ​Chelsea arrin marrëveshje për mesfushorin senegalez

    ​Chelsea arrin marrëveshje për mesfushorin senegalez

    Siç bëhet e ditur nga eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, mesfushori senegalez i grupmoshave U17, Pape Daouda Diong do t’i bashkohet Chelseat në qershor të vitit 2024.

    I lindur në vitin 2006, Pape do t’i mbush 18 vjeç në verë dhe ai do të bëhet pjesë e projektit të Chelseat, raporton KosovaPress.

    Diong ishte në “Stamford Bridge” para dy javëve, ku ka shikuar ambientet e klubit.

  • Autori i të shtënave masive në Çeki la një letër para vetëvrasjes, Kozak rrëfeu se kishte vrarë një burrë dhe foshnjën e tij në pyll

    Autori i të shtënave masive në Çeki la një letër para vetëvrasjes, Kozak rrëfeu se kishte vrarë një burrë dhe foshnjën e tij në pyll

    Autori i armatosur që vrau 14 persona në një universitet në Pragë, ka rrëfyer për një vrasje të dyfishtë të mëparshme në shënimin e tij vetëvrasës, ka thënë policia çeke.

    Shënimi i gjetur në shtëpinë e David Kozak përmbante një rrëfim se ai kishte qëlluar për vdekje një burrë dhe vajzën e tij të vogël në pyll afër qytetit më 15 dhjetor, gjashtë ditë përpara sulmit në Universitetin Charles.

    Policia tha se ai kishte qenë në një listë prej 4000 të dyshuarve për vrasjet e tyre, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Kozak vrau edhe babanë e tij, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave të tij në 17.

    Sulmi në universitet më 21 dhjetor është sulmi masiv më i keq në historinë çeke.

    Kozak, një 24-vjeçar student i magjistraturës së historisë në universitet, vrau veten pasi u rrethua nga policia e armatosur.

    Viktimat e vrara në pyll raportohet se janë një burrë 32-vjeçar dhe një vajzë dy muajshe, raportojnë mediat çeke.

    Trembëdhjetë persona vdiqën në universitet, ndërsa viktima e katërmbëdhjetë vdiq nga plagët e marra në spital. 25 persona të tjerë u plagosën, tha policia.

    Policia nuk ka bërë të ditur motivet e mundshme të vrasjes, duke thënë se hetimet janë duke vazhduar.

    Sulmi në universitet pati një nga shifrat më të mëdha të vdekjeve nga të shtënat masive nga një person i vetëm i armatosur në Evropë këtë shekull:

    Norvegji, korrik 2011 Anders Behring Breivik vrau 77 persona duke vendosur një bombë që vrau tetë në një ndërtesë qeveritare në Oslo dhe më pas vrau 69 të tjerë, shumica prej tyre adoleshentë, në një kamp veror.

    Gjermani, prill 2002 Robert Steinhauser, 19 vjeç, vrau 16 persona – 13 mësues, dy nxënës dhe një polic – në shkollën e mesme të Gjimnazit Gutenberg në qytetin e Erfurt. Ai ishte përjashtuar nga shkolla vjeshtën e kaluar.

    Gjermani, Mars 2009 Tim Kretschmer, 17 vjeç, vrau 15 persona në të shtëna që filloi në shkollën e tij të mëparshme në qytetin Winnenden, afër Shtutgartit. Ai qëlloi për vdekje nëntë nxënës dhe tre mësues në shkollë përpara se të shkonte në qytetin e afërt të Wendlingen, ku qëlloi tre kalimtarë të tjerë.

    Zvicër, shtator 2001 Friedrich Leibacher hyri në ndërtesën e parlamentit rajonal në qytetin Zug i veshur me uniformë policie dhe vrau 14 persona dhe plagosi 10 të tjerë.

    Serbi, prill 2013 Ljubisha Bogdanoviç qëlloi për vdekje trembëdhjetë persona, duke përfshirë një djalë dy vjeçar, dhe plagosi gruan e tij në një fshat jashtë Beogradit. Bogdanoviç ishte një veteran ushtarak që kishte luftuar me forcat serbe në Luftën Kroate për Pavarësi në fillim të viteve 1990.

  • Shkoi për t’u kontrolluar në QKMF, vdes një grua në Skenderaj

    Shkoi për t’u kontrolluar në QKMF, vdes një grua në Skenderaj

    Një grua shkoi për t’u kontrolluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

    Ajo u alivanos dhe mbeti pa shenja jete.

    Vdekja e viktimës e kanë konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Siç njofton raporti 24 orësh, viktima ishte me nevoja të veçanta.

    “Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarës dhe janë duke hetuar rastin. Sipas familjarëve, viktima ka pasur probleme shëndetësore edhe më herët. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti duke u hetuar”, njofton raporti 24 orësh.

  • ​Reali merr vendim për Ancelottin

    ​Reali merr vendim për Ancelottin

    Real Madridi duket se ka marrë një vendim për të ardhmen e Carlo Ancelottit, pas më shumë se nëntë muaj me spekulime për largim të trajnerit brazilian.

    Dyshimet për të ardhmen e Ancelottit filluan në pranverën e vitit të kaluar, kur Reali veçse e humbi garën për titullin e La Ligas, ndërsa Brazili po tenton vazhdimisht të bëjë një lëvizje për të, raporton KosovaPress.

    Brazili e ka bërë Ancelottin synimin kryesorë për pozitën e trajnerit të kombëtares, dhe publikisht ka deklaruar se do ta emërojë atë trajner në verën e vitit 2024, por Ancelotti nuk ka folur kurrë rreth kësaj teme.

    Kurdo që është pyetur për rinovim të kontratës, Ancelotti ka thënë se ai dëshiron të qëndrojë te Reali sa më gjatë që mundet.

    Sipas “Diario AS”, ai do ta ketë këtë shans për ta bërë këtë gjë. Mediumi spasnjoll sugjeron se Real Madridi janë të kënaqur me Ancelottin, dhe do të bisedojnë për një kontratë të re për të.

  • Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

    Më 15 janar, një çerekshekulli nga gjenocidi serb – kërkohet shënim sa më dinjitoz i kësaj date

    Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” me bazë në Gjenevë, Zvicër, ka kërkuar nga të gjitha institucionet e vendit që 15 janari, kur bëhet një çerekshekulli nga gjenocidi serb në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme që të jetë e mundur.

    Përmes një kërkese dërguar mediave, kjo qendër thotë se duke e përkujtuar këtë datë, dëshmohet përkujdesi i lartë shoqëror e shtetëror.

    “Më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën për Gjenocidin Serb të kryer në Kosovë dhe shpalli 15 janarin Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më 15 janar 2024 bëhet një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit në Kosovë! I bëjmë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, Kryeministrit z. Albin Kurti, Kryetarit të Kuvendit z. Glauk Konjufca, Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetarëve të Partive Politike në Kosovë, Kryetarëve të Kuvendeve Komunale, shoqërisë civile, shoqatave e klubeve dhe të gjithë shqiptarëve ngado që janë, që të mobilizohen sa më shumë e sa më mirë, në mënyrë që ky çerekshekull i Gjenocidit në Kosovë, të shënohet në mënyrë sa më të dinjitetshme”, thotë kjo qendër.

    “Gjenocidi në Kosovë” thotë se ngritja e zërit për arritjen e drejtësisë është obligim kombëtar, në mënyrë që të sensibilizohet bota demokratike për njohjen dhe arritjen e drejtësisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.

    “Një çerekshekulli më parë, në vitin 1998-1999 forcat serbe kanë vrarë në mënyrë sistematike mbi dhjetëmijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova, kanë shkatërruar objekte të arsimit e të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe kanë dhunuar seksualisht mbi njëzetmijë gra e burra të përkatësisë shqiptare. Përgjegjësia për këto akte të tmerrshme bie mbi shtetin serb si planifikues e zbatues i gjenocidit kundër shqiptarëve”, tha kjo qendër.

    Qendra Gjenocidi në Kosovë do të organizojë një varg aktivitetesh për ta shënuar këtë çerekshekulli në mënyrë sa më dinjitoze.

    “Gjenocidi në Kosovë” ka ftuar institucionet e vendit që në këtë përvjetor simbolik të krimit të gjenocidit, “të dëshmojmë përkujdesje të lartë shtetërore dhe shoqërore, për të nderuar viktimat e krimit të gjenocidit gjatë luftës 1998-1999”.

  • Njësia elite e gatshme për çfarëdo sulmi tjetër kudo dhe kurdo

    Njësia elite e gatshme për çfarëdo sulmi tjetër kudo dhe kurdo

    Një ekip i ATV-së, gjatë një dite të plotë, përcolli një trajnim të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë. Me përkushtim të lartë, njësia që konsiderohet elite, kryen disa stërvitje të cilat edhe iu shërbyen në aksionet që kryen këtë vit, siç ishte edhe ai në Banjskë.

    Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese e japin maksimumin që të mos e bëjnë më të voglin gabim, as në stërvitjen tjetër ku rezistencën fillimisht e çajnë me blindë e mitraloz.

    Është themeluar nga 2017, numri duhet të mbetet sekret shumë të përgatitur dhe është njësia elite. Për rrezikshmëri të lartë për terrorrizëm, lirimi i pengjeve edhe reagimi në situatë me rrezikshmëri të lartë.

    Specialët janë gati që të vetëm t’u bëjnë ballë sulmuesve, edhe nëse janë të shumtë në numër.

    Stërvitjet me përkushtim, atyre iu shërbyen që t’i kryejnë me sukses aksionet e vitit.

    Një tjetër sulm eventual në veri të vendit apo kudo, nuk i tremb.

    “Një gjë e di saktë edhe e them me përgjegjësi të plotë, edhe morale edhe profesionale, që çdo sfidë që do të hasim do ta kalojmë me sukses se jemi një njësi e përgatitur mjaft edhe çdo detyrë që na shfaqet e përballojmë me sukses”, tha një zyrtar i NjSI-së.

    Akronimi i Ushtrisë Çlirimtare në majë të kodrës së Cërnushës, ndihmon në rritjen e motivit për kryerjen e stërvitjeve./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • ATK-ja grumbulloi 842 milionë euro – Murtezaj: Dorëzuam 42 kallëzime penale, 76 raporte informuese për Prokurorinë

    ATK-ja grumbulloi 842 milionë euro – Murtezaj: Dorëzuam 42 kallëzime penale, 76 raporte informuese për Prokurorinë

    842 milionë euro janë të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për vitin 2023. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rritje për 118 milionë euro apo 16 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Këto të dhëna u bën të ditur nga drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj në konferencën e fundit për këtë vit së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati.

    “Kontributet pensionale janë 273 milionë euro, ndërsa së bashku me kontribute kapin shifrën e 1.1 miliardë euro. Viteve të fundit kemi kurorëzuar shumë suksese. Inkasimi i borxheve këtë vit është 163 milionë euro, ndërsa tatimi, ndëshkimi e i tërësi kapin shifrën e 529 milionë euro. Punë të madhe ATK-ja ka kryer edhe në luftën kundër evazionit tatimor”.

    Sipas Murtezajt, gjatë këtij viti janë kryer 212 aktivitete për shmangie tatimore, 1 bastisje, 22 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, 42 kallëzime penale, 76 raporte informuese për Prokurorinë e 14 aksione së bashku me institucionet tjera ligj zbatuese.

    E sa i përket aktiviteteve përmbushëse, këtë vit janë shqiptuar 715 gjoba për mallin pa origjinë në vlerë prej 4.9 milionë euro.

  • Hajnat vjedhin 20 mijë euro e stoli ari në një shtëpi në Prizren

    Hajnat vjedhin 20 mijë euro e stoli ari në një shtëpi në Prizren

    Një vjedhje e rëndë është raportuar të ketë ndodhur në Prizren.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se një femër kosovare ka njoftuar policinë se në shtëpinë e saj në Prizren, disa persona të panjohur kanë vjedhur para të gatshme me vlerë 20 mijë euro dhe një sasi me stoli ari.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti ka shkruar në procedurë hetimore.

    “Fsh. Krajk- Prizren 27.12.2023-19:00-022:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se gjatë intervalit kohor të lartë cekur, derisa nuk ka qenë në shtëpi , person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë dhe nga aty i kanë vjedhur para të gatshme në vlerë 20.000€ dhe një sasi stoli ari. Është njoftuar prokurori, rasti në procedurë hetimore”, njofton raporti i policisë.

  • Ushtroi dhunë fizike dhe kanosi me armë bashkëshorten e tij, arrestohet i dyshuari në Prizren

    Ushtroi dhunë fizike dhe kanosi me armë bashkëshorten e tij, arrestohet i dyshuari në Prizren

    Është arrestuar një burrë në Prizren i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur me armë gruan e tij.

    Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit i janë sekuestruar një pistoletë dhe me dy karikatorë dhe 50 fishekë.

    I dyshuari për armën, fishekët dhe karikatorët është deklaruar se janë të vëllait të tij i cili jeton jashtë Kosovës.

    Tutje, Policia bëri të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Këto janë fjalëkalimet më të përdorura në vitin 2023

    Këto janë fjalëkalimet më të përdorura në vitin 2023

    Një fjalëkalim i sigurt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të mbrojtur të dhënat tuaja në internet.

    Instituti gjerman “Hasso Plattner” ka analizuar dhjetë fjalëkalimet më të zbuluara në vitin 2023 dhe në top treshe ishin fjalëkalimet 123456789, 12345678 dhe hello.
    Shumë njerëz përdorin vetëm një fjalëkalim për të gjitha llogaritë. Kjo është e përshtatshme për memorien e kujtdo, por nuk preferohet aspak.

    Fjalëkalimi juaj jo vetëm që duhet të jetë i sigurt, por gjithashtu duhet ta ndryshoni rregullisht.

    Peshkimi për fjalëkalime – kjo qëndron prapa të ashtuquajturës metodës ‘phishing’ e përdorur nga mashtruesit.

    Hakerët mund të përdorin truket e tyre përmes postës elektronike, SMS ose platformave të mediave sociale për të marrë të dhënat tuaja dhe rrjedhimisht paratë tuaja.

    Shumicën e kohës ju dëshironi të klikoni në një lidhje ku ju kërkohet të vendosni të dhënat tuaja me ndonjë pretekst.

    Sipas Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit, ju duhet të zgjidhni midis fjalëkalimeve të shkurtra dhe komplekse ose fjalëkalimeve të gjata dhe më pak komplekse që do të thotë; të paktën tetë deri në dymbëdhjetë karaktere , të përbërë nga katër lloje të ndryshme karakteresh (shkronja të mëdha dhe të vogla, numra, karaktere speciale) në rend arbitrar.

    Të gjata dhe më pak komplekse do të thotë të paktën 25 karaktere të gjata, të përbërë nga dy lloje karakteresh.

    E rëndësishme është të keni vetëm një fjalëkalim individual për llogari.
    Gjithashtu mos përdorni emrat e familjes, datat e lindjes, numrat e telefonit ose modelet e tastierës.

    Nuk ndihmon shumë të vendosësh karaktere dhe numra të veçantë përpara ose pas një fjalëkalimi të thjeshtë.

    Nuk preferohet fare t’i bashkëngjitni fjalëkalime kompjuterit tuaj në një shënim ngjitës, t’i shkruani ato në telefonin tuaj ose t’i ruani ato në një në kompjuterin tuaj./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/1wFWl0wfHkc?t=3244