ATV

Author: G.O.

  • Përurohet rruga tranzit e Shtimes që lidh Lipjanin, Ferizajin dhe Prishtinën

    Përurohet rruga tranzit e Shtimes që lidh Lipjanin, Ferizajin dhe Prishtinën

    Komuna e Shtimes ka përuruar ndërtimin e rrugës tranzit, e cila lidh Lipjanin, Ferizajin dhe Prishtinën, si dhe do të shërbejë edhe për transporte të rënda. Projekti për ndërtimin e kësaj rruge është financuar nga ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me komunën e Shtimes që ka kushtuar mbi 1.3 milion euro.

    Përfundimi i këtij projekti pritet të lehtësojë qarkullimin për qytetarët e Shtimes.

    Me këtë rast, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se ky projekt do të shkarkojë trafikun e Shtimes. Ai tha se në vitin 2023 në Kosovë ka pasur punime gjithandej, dhe në dy vitet e ardhshme do të nis edhe lidhja e dy autostradave më të rëndësishme në vend.

    “Po e ndajmë shiritin për një projekt shumë të rëndësishëm për komunat rreth e përqark, për regjionin përgjithësisht, komunën e Shtimes në veçanti. Projekt i cili është financuar dhe është kontraktuar nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës. Në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe me kërkesë të komunës së Shtimes, respektivisht kryetarit Qemajl Aliu, projekt është i rëndësishëm për shkak se e shkarkon mjaftë trafikun në qytetin e Shtimes dhe krijon lidhje të mira për trafikun dhe transportin e rëndë. Projekti është 4.6 kilometra, ka pasur kosto prej 1.3 milion euro dhe është përfunduar në afat kohor ashtu siç është edhe paraparë… Gjithandej në Kosovë këtë vit ka qenë, ka pasur punishte gjithandej dhe viti 2024, 2025 të presim që te jenë dy vite të rëndësishme, fillimit të projekteve të mëtejme…..Është një lajm i rëndësishëm jo vetëm për Shtimen por për Kosovën në përgjithësi është lidhja e dy autostradave, pra autostradës Ibrahim Rugova dhe asaj Arbër Xhaferi, ndërtimi i autostradës nga qafa e Duhlës deri në Banullë e që ndërlidhet pastaj me autostradën që shkon deri në Gjilan, dhe këtë vit e kemi ndarë buxhetin dhe e kemi bërë projektin për 2024 me vazhduar nga Gjilani deri tek dheu i bardhë. Duke pasur parasysh edhe rrugën e Podujevës që është duke u zgjeruar, Kosova përmbyll vitin me sukses dhe projektet e kyçjes në koridore”, tha Aliu.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se kjo rrugë ndërlidhët edhe me komunat fqinje Lipjanin, Ferizaj dhe Prishtinën.

    Aliu theksoi se projekt i rëndësishëm është edhe rikthimi i autostradës Duhël, Shtime, Banullë. Sipas tij, ky projekt do t’i shtojë Shtimes pozitën gjeostrategjike.

    “Sot është një ditë e lumtur, e gëzueshme për të gjithë qytetarët e komunës se Shtimes, sepse po përurohet një nga rrugët kryesore vitale të qytetit. Por jo vetëm qytetit të Shtimes, ky është tranziti i Shtimes që qarkullojnë makineritë e rënda dhe kjo e lehtëson qarkullimin trafikut nëpër qytet dhe liron rrugët që janë për makineritë e lehtë. Ne e kemi gjetur në një gjendje të rëndë dhe unë jam shumë i lumtur që vitin e parë kemi bërë kërkesë dhe kjo kërkesë është miratuar, dhe sot po e përurojmë pas 6 muajsh. Kjo rrugë do t’u shërbejë qytetarëve të Shtimes por edhe të gjitha bizneseve dhe qytetarëve të komunës së Suharekës, këtë rast Lipjanit, Ferizajit dhe Prishtinës që lidh kjo rrugë. …. Më në fund pas një anashkalimi disa vjeçar që i ka ndodhë Shtimes me anashkalimin e autostradës, sepse ju e dini se boshti historikisht ka qenë Shtimja që lidhë tri qendra shqiptare, Shkupin, Prishtinën dhe Tiranën. Dhe më në fund rikthimi i autostradës Duhël, Shtime, Banullë prapë ja rikthen pozitën gjeostrategjike të Shtimes dhe këtë rast një qeverisje e përgjithshme lokale dhe një autostradë ka me qenë një siguri që edhe Shtimja do të jetë një qytet i zhvilluar me prosperitet dhe sidomos të rinjtë që ka qenë plagë e jona si migrimi dhe imigrimi kanë me pas perspektivë me jetuar në vendlindjen e tyre”, theksoi Aliu

  • ​Tahiri: Draft-statuti i Asociacionit është dështimi më i madh i kësaj qeverie

    ​Tahiri: Draft-statuti i Asociacionit është dështimi më i madh i kësaj qeverie

    Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mbajtur një konferencë për media, të fundit për këtë vit, në të cilën ai foli përmendi disa prej pikave kyçe që shënuan vitin 203.

    Ai tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar në disa sektorë, siç janë ai i arsimit, i shëndetësisë si dhe në fushën e diplomacisë.

    Tahiri përmendi rezultatet e testit PISA, për të cilët tha se kanë qenë më të dobëtit ndonjëherë, dhe se këto rezultate paraqesin logjikën e qeverisë në forcimin e arsimit në vend.

    Ai tha se Qeveria ka dështuar në sektorin për të cilin ka folur më së shumti.

    “Rezultati i PISA-s ka qenë më i ulëti ndonjëherë që Republika e Kosovës e ka marrë. Fatkeqësisht edhe pse ky rezultat e ka reflektuar logjikën e kësaj qeverie në forcimin e arsimit në Kosovë. Veprimet e një pas njëshme në sektorin e arsimit duke filluar prej synimit për të ngulfatur përfaqësuesit e sindikatave të arsimit e deri tek mos krijimi as i kushteve infrastrukturore e as kushteve të arsimit të lartë të hulumtimeve shkencore, tregon që kjo qeveri në sektorin për të cilin ka folur më së shumti ka dështuar plotësisht”.

    Shefi i deputetëve të AAK-së foli edhe për Ligjin e Pagave, për të cilin tha se ka zvogëluar pagën për disa kategori, e për disa të tjerë ka rritur pagën prej vetëm 10 deri 20 euro.

    Tahiri shtoi se zyrtarët publikë të Kosovës kanë sistemin më të ultë të pagave në Ballkan, teksa shtoi se Qeveria e Kosovës i kë varfëruar këta zyrtarë publikë.

    “Për tre vjet rresht, katër herë e kanë pasur në agjenten legjislative Ligjin e Pagave. Edhe atëherë kur e kanë miratuar, e kanë miratuar një ligj i cili në një numër të caktuar të kategorive e ka zvogëluar pagën, tek një numër i madh e ka rritë për 10, 15 apo 20 euro. Vetëm tek kategoria e specializantëve ka pasur një ngritje në sektorin e shëndetësisë. Mbi 72 mijë zyrtarë publikë ballafaqohen me sistemin më të ultë të pagave në rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Kjo qeveri e ka varfëruar dhe e ka ndëshkuar secilin zyrtarë publikë të këtij vendi”

    Deputeti i AAK-së përmendi edhe draft-statutin e Asociacionit për të cilin tha se është dështimi më i madh i kësaj qeverie, teksa shtoi se kryeministri Kurti e ka sfiduar seriozisht sistemin qeverisës së Kosovës.

    Ai u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese do t’i korrigjojë këto gabime.

    “Maja e dështimit të kësaj qeverie është draft-statuti i Asocacionit i cili është prezantuar dhe njëkohësisht menaxhimi i gjithë procesit të dialogut. Si shtet kemi për obligim që ta ruajmë sovranitetin, lirinë dhe institucionet vitale që i kemi. Kurti si kryeministër ka arritur ta sfidojë seriozisht sistemin një shkallës të Qeverisë së Kosovës. Ne jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese do të korrigjojë gabimet që i ka bërë”.

  • Nagavci e bindur se s’do të ketë mungesë të mësimdhënëseve për shkak të liberalizimit

    Nagavci e bindur se s’do të ketë mungesë të mësimdhënëseve për shkak të liberalizimit

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, tha se nuk kanë informata për mungesë të mësimdhënësve, raporton Ekonomia Online. Madje u shpreh e bindur se Kosova nuk do të ketë mungesë të mësimdhënësve për shkak të liberalizimit të vizave.

    Në konferencën e fundit për këtë vit ajo ka folur edhe për procesin e furnizimit me libra, për çka tha se janë duke bërë një analizë dhe krahasim edhe me shtetet e tjera.

    “Nuk kemi pasur asnjë informatë nga SBAShK-u për çështjen e mësimdhënësve, që janë duke pasur mungesë. Ne e dimë që disa fusha ka mungesë, por jo për shkak të liberalizimit të vizave, por se nuk kanë zgjedhur studentë këto drejtime. Unë besoj që Kosova nuk do të ketë probleme me mësimdhënësit. Ne jemi duke u siguruar që profesioni i mësimdhënësit, të jetë profesion i dëshiruar dhe i vlerësuar”.

    “Jemi duke e bërë analizë financiare për koston që është shpenzuar, por edhe duke bërë krahasime me shtete të tjera. Informatat këtë vit do të jenë të hershme, para verës do të ndahen informatat sesi do t’i furnizojmë me tekstet shkollore”.

    Ajo nga gazetarët u pyet edhe për kërkesën për udhëzimin administrativ për lejim të bartjes së shamisë në shkolla. Ajo tha se votimi i ligjeve për fushën e arsimit në Kuvend nuk duhet të kushtëzohet me hartimin e lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, raporton EO.

    “Do të ishte shumë mirë që deputetët e LVV-së por edhe nga deputetët e partive tjera t’i votojnë ligjet e fushës së arsimit në Kuvend. Për ne nuk ka kushtëzime. Ne e kemi obligim ta respektojmë Kushtetutën, pra asnjë nxënës nuk do të mbetët jashtë bankave shkollore”.

  • Gjatë dhjetorit mbi 221 mijë udhëtarë e shfrytëzuan Aeroportin “Adem Jashari”

    Gjatë dhjetorit mbi 221 mijë udhëtarë e shfrytëzuan Aeroportin “Adem Jashari”

    Gjatë muajit dhjetor të këtij viti përmes Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë kanë udhëtuar mbi 220 mijë pasagjerë.

    Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, se këtë vit Aeroporti po e përmbyll me mbi 3.4 milionë udhëtarë.

    Sipas saj, nga 221 mijë qytetarë sa fluturuan përmes Aeroportit “Adem Jashari”, mbi 133 mijë ishin në ardhje.

    “Vetëm në muajin Dhjetor nga data 1 deri më 27 (deri më sot) kanë udhëtuar 221 309 udhëtarë, përmes ANP ‘Adem Jashari’ (ku nga këta 133 910 kanë qenë në ardhje), përderisa presim të përmbyllim vitin me mbi 3.4 milion udhëtarë. Të dhënat e sakta do të bëhen publike në Janar 2024”, ka shkruar Gara.

  • Dy përballje interesante sot në Superligën e Kosovës në basketboll

    Dy përballje interesante sot në Superligën e Kosovës në basketboll

    Pas ndeshjeve të mbrëmshme, Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon sot me dy përballje tejet interesante, të vlefshme këto për xhiron e 15 të këtij sezoni.

    Të dy përballjet e sotme zhvillohen në orar të njëjtë, respektivisht me fillim nga ora 19:00, raporton KosovaPress.

    Kampionia, KB Peja përballet me KB Vëllaznimin, kurse KB Ylli e pret në shtëpi në palestrën “13 Qershori” të Suharekës KB Bashkimin.

    19:00 KB Ylli – KB Bashkimi

    19:00 KB Peja – KB Vëllaznimi

  • Çitaku: Ky vit, më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme

    Çitaku: Ky vit, më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku vlerëson se Kosova po përmbyllë vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.

    Çitaku, në një konferencë për media tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.

    “Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, theksoi ajo.

    Ajo tha se nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.

    “Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hecegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Çitaku.

    Çitaku rikujtoi se PDK ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku kryetari Memli Krasniqi dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe avantureske të qeveritarëve.

    “Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”, përfundoi Çitaku.

  • Gjendet e mitura e zhdukur në Rahovec, thotë se një person deshi ta dhunojë

    Gjendet e mitura e zhdukur në Rahovec, thotë se një person deshi ta dhunojë

    Ndihmën e Policisë, mbrëmjen e së martës e kërkoi një vajzë në Rahovec, e cila deklaroi se motra e saj e mitur është zhdukur.

    15-vjeçarja është gjetur mëngjesin e djeshëm në një shtëpi në fshatin Çifllak dhe e njëjta më pas është dërguar në spital për ekzaminime mjekësore.

    Sipas sinjalit, viktima ka pohuar se një person ka tentuar që të kryejë marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj.

    29-vjeçari është identifikuar, por i njëjti ende nuk është arrestuar ende për shkak se nuk dihet ende vendndodhja e tij.

  • Vdekja tragjike e 34-vjeçares nga Gjakova, dyshohet se kërceu nga kati i dytë i hotelit – Ky është personi që e pa tmerrin me sy

    Vdekja tragjike e 34-vjeçares nga Gjakova, dyshohet se kërceu nga kati i dytë i hotelit – Ky është personi që e pa tmerrin me sy

    Hotel ‘Venus’ në magjistralen Prishtinë – Lipjan në orët e para të ditës së sotme u shndërrua në skenë krimi. Njëra nga mysafiret që po qëndronte në këtë hotel, A.K, 34-vjeçare, ka humbur jetën tragjikisht, pasi e njëjta dyshohet se ka kërcyer nga ballkoni në katin e dytë. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ngjarja e rëndë, ku sipas informacioneve të para, e ndjera ishte e shoqëruar në hotel nga një person.

    Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për A.B, 32-vjeçar nga Peja.

    Por si ndodhi ngjarja tragjike?

    Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, A.K. dhe A.B, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.

    Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.

    Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.

    Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.

     

  • OBSh: Popullsia e Gazës është në rrezik të madh

    OBSh: Popullsia e Gazës është në rrezik të madh

    Popullsia e Gazës është “në rrezik të madh” paralajmëroi më 27 dhjetor kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), duke përmendur urinë akute dhe dëshpërimin e përhapur në mbarë territorin e shkatërruar nga lufta.

    OBSH-ja tha se një ditë më herët ka dërguar furnizime në dy spitale – një në veri dhe një në jug – duke theksuar se 21 nga 36 spitale në Rripin e Gazës tashmë janë krejtësisht jashtë funksionit.

    Shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë “hapa urgjentë për të lehtësuar rrezikun e madh me të cilin po përballet popullsia në Gazë dhe që po rrezikon aftësinë e punëtorëve humanitarë për të ndihmuar personat që kanë plagë të tmerrshme, të ndihmojnë në lehtësimin e urisë akute dhe të ulin rrezikun e sëmundjeve të rënda”.

    Përmes një deklarate, OBSH-ja tha se stafi i saj të martën ka raportuar se nevoja për ushqim “vazhdon të jetë akute” në mbarë Rripin e Gazës, ndërkaq “njerëzit e uritur sërish kanë ndaluar autokolonat sot me shpresën se do të gjenin ushqime”.

    “Aftësia e OBSH-së për të dërguar furnizime shëndetësore, karburante për spitalet po vështirësohet gjithnjë e më shumë për shkak të urisë dhe dëshpërimit të njerëzve që shohim rrugës për në spitale dhe në spitalet që vizitojmë”.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu sulme vdekjeprurëse në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

    Izraeli u kundërpërgjigj me luftë shkatërruese në Gazë që deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 20.000 palestinezëve./REL/

  • Sveçla e Hoxha të vendosur: Sulmet në veri s’na zmbrapsin, lufta kundër terrorizmit s’ka kompromis

    Sveçla e Hoxha të vendosur: Sulmet në veri s’na zmbrapsin, lufta kundër terrorizmit s’ka kompromis

    Përballja me grupet terroriste në veri të vendit, po konsiderohet si sfida kryesore e Policisë së Kosovës gjatë vitit 2023. 

    Në konferencën e fundit për këtë vit ku u prezantuan të arriturat e këtij institucioni, ku u përmenden kidnapimi i zyrtarëve policor nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës e sulmi terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmet e tilla nuk i zmbrapsin, teksa në luftën kundër terrorizmit nuk kanë kompromis.

    “Vitin që po e lemë pas u përballëm me sulme në veri, kidnapim e sulme terroriste që mori jetën e heroit Afrim Bunjaku. Kemi dëshmuar se asnjë sulm nuk na zmbraps dhe lufta kundër terrorizmit nuk ka kompromis. Asnjë suksese nuk vlen nëse nuk është arritur mbi vlerat demokratike. Duke njohur kontributin e sakrificën e heronjve para nesh, e kemi obligim ruajtjen e shtetit tonë”.

    “Lufta ndaj së keqes duhet të jetë norma e shtetit tonë. Kemi dhënë mbështetje për Policinë dhe do të rritet edhe më tutje, duke njohur sfidat dhe rolin e secilit prej jush, arrijmë objektivat tona së bashku”, tha Sveçla.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka paraqitur të arriturat e këtij institucioni për këtë vit.

    “Situata në Kosovë ka qenë e qetë, përveç në veri të vendit ku siguria ka qenë e cenuar nga grupet terroriste, të inskenuara nga Republika e Serbisë. Duke u ndalë në këtë konstatim po nxjerrim disa sulme. Janë protestat e dhunshme që kanë ndodhur në katër komunat veriore me rastin e hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, ku janë sulmuar policia, pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët e qytetarët. Një ndër sulmet më të mëdha ka qenë kidnapimi i zyrtarëve policor nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës. Pastaj sulmi terroristi në Banjskë ku jeni të informuar mbi këtë sulm dhe suksesin e arritur”.

    “Gjatë 2023-ës, janë 26 384 vepra penale dhe 19 666 kundërvajtje dhe raste te natyrave tjera. Janë zbatuar 834 urdhër kontrolle (bastisje), janë hetuar 2 209 persona të dyshuar, 1 310 persona janë arrestuar, prej tyre 56 janë zyrtarë publik. Ndërsa janë shkatërruar 23 grupe kriminale”.

    Hoxha përmendi edhe arrestimin e tre personave si të dyshuar për krime lufte në Kosovë, raporton EO.

    “Më datë 04.08.2023 në pikë kalimin kufitar në Merdare është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Istog. I dyshuari gjatë luftës ka qenë në pozitën e kryeshefit në stacionin policor në Istog. Gjithashtu më datën 05.08.2023, janë arrestuar edhe 2 persona njëri prej tyre ka qenë komandant i nënstacionit policor në fshatin Rakosh të Istogut”, tha tutje Hoxha.

    Shqetësuese u konsiderua aksidentet me fatalitet gjatë këtij viti. Në total numri i aksidenteve ishte 23176, 95 ishin me fatalitet dhe 104 persona të vdekur nga aksidentet. Ndërsa aksidente me lëndime ishin 8 595 sosh.