ATV

Author: G.O.

  • Ish-trajneri i Anglisë: Jam me kancer, më ka mbetur vetëm edhe një vit jetë

    Ish-trajneri i Anglisë: Jam me kancer, më ka mbetur vetëm edhe një vit jetë

    Ish-trajneri i Anglisë, Sven-Goran Eriksson, ka thënë se ai është diagnostikuar me kancer dhe se në skenarin më të mirë të mundshëm, ai ka vetëm edhe një vit jetë.

    75-vjeçari e çoi Anglinë në finalet e Kupës së Botës në 2002 dhe 2006, duke humbur në çerekfinale në të dy rastet, si dhe në Euro 2004. Ai gjithashtu trainoi ekipe si Benfica, Roma dhe Manchester City gjatë karrierës së tij prej katër dekadave.

    Në shkurt të vitit të kaluar, ai u largua nga roli i tij në klubin suedez Karlstad për shkak të “çështjeve shëndetësore”.

    “Të gjithë mund të shohin se unë kam një sëmundje që nuk është e mirë, dhe të gjithë supozojnë se është kancer, dhe është. Por unë duhet ta luftoj atë sa më gjatë që të jetë e mundur,” tha Eriksson në një paraqitje në Radio P1 suedeze.

    “Unë e di që në rastin më të mirë është rreth një vit, në rastin më të keq edhe më pak. Ose në rastin më të mirë mendoj edhe më gjatë. Unë nuk mendoj se mjekët që kam mund të jenë plotësisht të sigurt. Është më mirë të mos mendosh për këtë. Ju duhet të mashtroni trurin tuaj. Unë mund të shkoj duke menduar për këtë gjatë gjithë kohës dhe të ulem në shtëpi dhe të jesh i mjeruar dhe të mendosh se jam i pafat dhe kështu me radhë.”, tha ai në fund.

  • Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu dalin para Gjykatës së Apelit, mediat largohen nga seanca gjyqësore

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani në gusht të vitit 2021 kanë dalë sot, para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

    Seanca e cila nisi pak minuta pas orës 10:00 u mbyll për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe veprës penale të dhunimit.

    Në këtë seancë, pritet të shqyrtohen ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për të akuzuarit Krivaça dhe Sejdiu.

    Kujtojmë se me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të vitit 2023.

    Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.

    Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/

     

  • Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit me Rusinë

    Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit me Rusinë

    Finlanda do të zgjasë mbylljen e kufirit të saj me Rusinë, vendim ky i cili ishte caktuar të përfundonte më 15 janar, tha ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Sari Essayah, të mërkuren për transmetuesin publik.

    “Kufiri do të mbetet i mbyllur,” tha Essayah kur u pyet nëse kufiri do të mbetet i mbyllur edhe për një muaj.

    Mediat finlandeze kishin raportuar më parë se qeveria do të zgjaste masën.

    Finlanda mbylli kufirin për të ndaluar një numër në rritje të azilkërkuesve që të hynin në vend dhe tha se Moska kishte orkestruar fluksin e njerëzve, një akuzë që Kremlini e mohon.

    Në nëntor të vitit të kaluar, Finlanda njoftoi për mbylljen e pikës së fundit kufitare me Rusinë, mes shqetësimeve se Moska po i shfrytëzon emigrantët si pjesë e një “lufte hibride” për destabilizimin e vendit nordik, pas anëtarësimit të tij në NATO.

    Numri në rritje i migrantëve të mbledhur në pikat kufitare i ka forcuar bindjet e Finlandës që autoritetet ruse po tentojnë t’i shtyjnë migrantët për të udhëtuar drejt Finlandës, me qëllim të destabilizimit të shtetit.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar në dhjetor të vitit të kaluar për “probleme” të paspecifikuara me Finlandën, dhe ka thënë se ka urdhëruar krijimin e një distrikti të ri ushtarak në rajonet kufitare me shtetin nordik.

    Finlanda ka hequr dorë nga politika e saj e neutralitetit, pak pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, dhe vitin e kaluar është bërë anëtarja e 31-të e NATO-s.

    Prej atëherë, Finlanda e ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime, dhe u ka lejuar aeroplanëve të NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë./REL/

  • Në rrethana të panjohura, plagoset me armë zjarri një person në Rahovec

    Në rrethana të panjohura, plagoset me armë zjarri një person në Rahovec

    Policia e Kosovës njoftoi se një person në Rahovec është plagosur me armë zjarri në dorë, në rrethana të panjohura.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00, ndërkohë që viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Tutje, Policia njoftoi se për këtë rast nuk është raportuar për të dyshuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

     

  • Arrestohet një person për dhunimin e një gruaje në Ferizaj

    Arrestohet një person për dhunimin e një gruaje në Ferizaj

    Arrestohet një person për dhunim të një gruaje në Ferizaj.

    Policia e Kosovës njofton se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Ferizaj 08.01.2024. Me datë 10.01.2024 viktima femër kosovare ka njoftuar se me datën e lartcekur ishte dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Ajri i ndotur në Prishtinë, IKShPK-ja del me disa rekomandime

    Ajri i ndotur në Prishtinë, IKShPK-ja del me disa rekomandime

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se ajri në Prishtinë është jo i shëndetshëm.

    Lidhur me këtë, IKShPK-ja u ka bërë thirrje për kujdes personave të ndjeshëm dhe atyre me sëmundje kronike.

    Në njoftimin e IKShPK-së, janë dhënë edhe disa rekomandime si të veprohet në situata kur ajri është i pashëndetshëm. 

     

  • Një i mitur ikë nga Qendra Korrektuese në Lipjan

    Një i mitur ikë nga Qendra Korrektuese në Lipjan

    Një i mitur ka ikur nga Qendra Korrektuese në Lipjan, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori për të mitur.

    “Lipjan 10.01.2024 – 12:10. Nga Qendra Korrektues Lipjan raportohet se i dyshuar i mitur mashkull kosovar, ka ikur nga qendra. Ne lidhje me rastin është njoftua prokurori për të mitur”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Kryeministri i Irlandës në Kosovë, pritet në takim nga Osmani dhe Kurti

    Kryeministri i Irlandës në Kosovë, pritet në takim nga Osmani dhe Kurti

    Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, ka arritur mbrëmë në Kosovë për vizitë zyrtare.

    Varadkar sot do të pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, në orën 09:30, për të vazhduar më pas në takim dypalësh në ndërtesën e Qeverisë.

    Kryeministri Kurti dhe homologu i tij irlandez, më pas do të dalin në konferencë të përbashkët për media.

    Varadkar do të takohet edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

    Takimi mes tyre pritet të fillojë në orën 11:00 në Presidencë.

    Kujtojmë se Varadkar u prit mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari, nga kryeministri, Albin Kurti.

    “Sonte në aeroportin e Prishtinës e mirëpritëm Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë. Mirë se vini në Republikën e Kosovës, z. Varadkar”, shkroi Kurti mbrëmë në Facebook.

  • Harresa është shenjë inteligjence, thotë studimi i ri

    Harresa është shenjë inteligjence, thotë studimi i ri

    Një studim i ri i publikuar nga “Neuron” tregon se harresa është e lidhur ngushtë me inteligjencën. Kjo pasi sikundër thotë studimi në fjalë, truri klasifikon më mirë informacionet duke u përqendruar vetëm në gjerat e rëndësishme.

    Studimi është kryer nga Paul Frankland dhe Blake Richards nga Universiteti i Torontos.

    Richard thotë se: “Është e rëndësishme që truri i harron detajet e parëndësishme dhe në vend të kësaj përqendrohet në gjërat që ju ndihmojnë t’i merrni vendimet në botën reale.

    Të gjithë e admirojmë një person që di t’u përgjigjet quize-ve të ndryshme, por evolucioni e ka formësuar kujtesën tonë jo për të fituar lojëra quiz-i, por për të marrë vendime inteligjente”.

    Përpos kësaj, sot është më e rëndësishme të kuptosh dhe klasifikosh më tepër se sa thjesht të mbash mend, pasi shumë informacione gjenden në “Google”.

    Richard shton: “Në vend se t’i mbani mend informacionet e parëndësishme që telefonat tanë mund t’i ruajnë për ne, truri jonë është i lirë për t’i ruajtur vetëm memoriet që vërtet kanë rëndësi për ne”.

  • Qeveria kërkon leje nga presidentja për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren

    Qeveria kërkon leje nga presidentja për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren

    Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike.

    Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Qeveria ka miratuar vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për Ndërtimin e Tunelit në rrugën Tetovë-Prizren ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

    Për këtë projekt, Qeveria thotë se ka siguruar buxhetin përmes ligjit në fuqi për ndarjet buxhetore për vitin 2024.