ATV

Author: G.O.

  • 15 vjet nga shpërbërja e TMK-së në FSK

    15 vjet nga shpërbërja e TMK-së në FSK

    Ishte viti 1999 ku nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

    Nuk shkoi shumë dhe në vitin 2000 përfundon edhe transformimi i UÇK-së në TMK.

    Kjo e gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë. Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së – misionit UNMIK.

    Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua gjenerallejtënant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin e dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet, raporton KP.

    TMK u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendi që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej, por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

    Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TMK-së dhe krijimi i një force të re.

    “Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshjeje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës, ato do të shpërndahen një vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaari-t.

    Por, më 2009 kjo forcë prapë u shpërbë për t’u shndërruar në një forcë tjetër, tash Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Më 20 janar 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë në FSK. Forca e Sigurisë së Kosovës, fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

    Më 4 mars 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës.

    Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

    Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

  • Problem me softuerin në kufirin e Malit të Zi: Të gjithë qytetarët e Kosovës në kërkim nga Interpoli

    Problem me softuerin në kufirin e Malit të Zi: Të gjithë qytetarët e Kosovës në kërkim nga Interpoli

    Të premten e 19 janarit, dhjetëra qytetarë të Kosovës, kanë pritur për orë të tëra në pikëkalimin kufitar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në Bozhaj, kjo për shkak se sistemi i Interpolit i ka paraqitur të gjithë kosovarët si të kërkuar prej Interpolit.

    Arsyeja e këtij problemi ka rezultuar të jetë softueri i cili u rregulluar pas tri orëve.

    Policia e Malit të Zi, ka konfirmuar se sistemi është rregulluar në mbrëmje, siç raporton mediumi “Vijesti”.

    Sipas njoftimit, autoritetet e Malit të Zi kanë lëshuar të paktën tetë shtetas të Kosovës për të vazhduar rrugën drejt Prishtinës.

    Bëhej fjalë për një grup që ishte pjesë e një projekti mediatik.

    Sipas raportimit, edhe policët e kishin të qartë se ka problem me sistemin e Interpolit, por që raste të tilla sipas tyre janë të rralla.

    “Kjo ndodh rrallëherë”, ka thënë policia e Malit të Zi.

    Ndërsa, ndalimi i qytetarëve të Kosovës është bërë për shkak të domosdoshmërisë së kontrollit. (AP)

  • Avokati serb që bëri dje homazhe në Prekaz, thotë se u ndalua për 4 orë nga BIA

    Avokati serb që bëri dje homazhe në Prekaz, thotë se u ndalua për 4 orë nga BIA

    Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, i cili bëri homazhe të enjten në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në kufi për katër orë dhe më pas është liruar.

    Ai ka shkruar në platformën ‘X’, se pas 4 orë mbajtje është lejuar të lëviz lirisht.

    “Zyrtarët e BIA-s që folën me mua kishin një qasje profesionale. Ata bënin pyetje që i interesonin dhe u sollën me shumë edukatë. Nuk ndjeva asnjë armiqësi pavarësisht dallimeve natyrore që kemi. Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Pa dyshim, ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të vijë”, shkroi ai në ‘X’.

  • Largimi i kanaleve të DigitAlb, KPM-ja i gjobit operatorët me 100 mijë euro

    Largimi i kanaleve të DigitAlb, KPM-ja i gjobit operatorët me 100 mijë euro

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), të premten ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit. E në rend dite ishin ankesat e shumta të qytetarëve në lidhje me largimin e kanaleve të DigitAlb nga operatorët e shpërndarjes, raporton Ekonomia Online.

    Që nga 1 janari e deri më 18 janar, KPM-ja i ka pranuar 340 ankesa për këtë çështje, ndërsa shumica e tyre janë kundër platformës Artmotion, me 221 ankesa, pasuar nga Kujtesa me 87. E shkak i shkeljeve të shumta, KPM-ja ka gjobitur katër operatorët me 100 mijë euro.

    “Duke pasur parasysh gjithë ato ankesa qe kemi pranuar, ne kemi ardhur në përfundim se kemi shkelje të rregullores së KPM-së, nga Ipko, Kujtesa, Artmotion e Telkos. Ato kanë shkelur nenin 15-të. Gjitha këto dështime në implementim të rregulloreve tona paraqesin dëm të madh drejtuar qytetarëve. KPM-ja do veproj për sanksionimin duke ofruar gjobën maksimale e që është 100 mijë euro. Artmotion 64 mijë euro, Kujtesa 26 mijë euro, IPKO 7mijë dhe Telkos me 3 mijë euro”, u shpreh Mehmeti.

    “Ka pasur ankesa rreth këtij rasti ku platformat televizive kanë ndryshuar kanalet dhe deri dje kanë ardhur 340 ankesa të qytetarëve dhe nga këto ankesa, 221 janë kundrejt platformës Artmortion, 87 për Kujtesën, 23 IPKO dhe 9 për Telkos”, deklaroi kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

    Ai tha se natyra e ankesave është e njëjte, ballafaqim me reklamime mashtrues nga këta operatorë të cilët e kanë ditur se nga 1 janari nuk do i kenë shërbimet e DigitAlb.

    Mehmeti tha se kontrata e fundit është bërë më 28 dhjetor pra vetëm tri ditë para se e drejta për shfrytëzim të Digilalb të skadojë.

  • Policia e Kosovës pranon donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Gjermania

    Policia e Kosovës pranon donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Gjermania

    Policia e Kosovës ka pranuar donacion vetura dhe pajisje teknologjike nga Ambasada Gjermane.

    Drejtori i Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, është shprehur mirënjohës ndaj ambasadës gjermane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, teksa ka thënë se dhurimi i këtyre donacioneve do të ndikojë pozitivisht në luftimin e të gjitha akteve kriminale.

    Njëherit, pjesë e ceremonisë zyrtare ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së.

    “Me datën 19 janar 2024, përmes ceremonisë zyrtare ku morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Rohde si dhe menaxhmenti i lartë i PK-së, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me vetura si dhe pajisje të teknologjisë për Policinë e Kosovës nga shteti gjerman, gjegjësisht Ambasada Gjermane në Kosovë. Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Hoxha, ndër të tjera tha se Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj Ambasadës Gjermane për përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës në avancimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve operacionale, logjistike dhe të teknologjisë. Përkrahja nga partneret tanë ndërkombëtarë do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime”, thuhet në komunikatën e Policisë.

    Po ashtu, thuhet se Rohde ka theksuar se automjetet dhe pajisjet e dhuruara, janë pjesë e një bashkëpunimi, brenda të cilit Policia Federale Gjermane ndanë teknologjinë më moderne dhe taktikat hulumtuese, kështu duke e forcuar përkushtimin e Kosovës për të siguruar kufijtë e saj dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjithë rajonit.

    “Ambasada e Republikës së Gjermanisë si partnerë i përhershëm i Policisë së Kosovës gjatë dy viteve të fundit 2022 dhe 2023 ka përkrahur Policinë e Kosovës, më konkretisht Policinë Kufitare në ngritje të kapaciteteve operacionale dhe logjistike me 59 vetura, 5 kombi-bus dhe 10 motorë të terrenit, në fushën e teknologjisë informative me 130 kompjuter, 16 llaptop, laborator për pikën kufitare Hani i Elezit, projektorë, pajisje të ndryshme për kontrollimin e dokumenteve dhe skenimin e veturave gjatë kontrollit në kufi, dylbi, kamera termike, detektor për identifikim te njerëzve dhe pajisje tjera”, thuhet tutje në komunikatë.

    Po ashtu, një kontribut të veçantë nga ambasada gjermane, policia kufitare ka pranuar në ngritjen edhe të kapaciteteve të burimeve njerëzore ku janë mbajtur 20 trajnime të ndryshme me pjesëmarrje të mbi 150 zyrtarëve policorë.

    Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për ambasadën e Gjermanisë, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim.

  • Katër ndeshje interesante zhvillohen këtë vikend në basketbollin vendor

    Katër ndeshje interesante zhvillohen këtë vikend në basketbollin vendor

    Në fundjavë zhvillohet java e 18-të e Prince Caffe Superligës, që gjithnjë e më shumë po bëhet interesante.

    Takimi i parë dhe derbi i kësaj xhiro zhvillohet mes skuadrave verdhezi Golden Eagle Yllit dhe Pejës. Ish-kampionët dhe kampionët do të përballen në një sfidë që pritet të jetë shumë interesante. Therandasit janë në vendin e katërt me dhjetë fitore e shtatë humbje, derisa pejanët në vendin e dytë me 12 fitore me pesë humbje.

    Ndeshje shumë e vlefshme është ai ndërmjet skuadrave prizrenase, Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit, që synojnë të paktën “Play-off”-in në këtë edicion.

    Bashkimi është në vendin e gjashtë me gjashtë fitore e 11 humbje, kurse Prizreni në vendin e shtatë me pesë fitore e 12 humbje, andaj ky takim është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat.

    Të dielën, Istogu do të ndeshet me Sigal Prishtinën. Istogasit janë në vendin e fundit me një fitore e 16 humbje, kurse prishtinasit në vendin e tretë me 11 fitore e gjashtë humbje.

    Ndeshja e fundit për këtë xhiro është ndërmjet Trepçës dhe Vëllaznimit. Mitrovicasit janë liderë me 15 fitore e dy humbje, derisa kuqezinjtë renditën të pestit me tetë fitore e nëntë humbje.

    Prince Caffe Superliga – Java 18

    E shtunë

    17:00 Golden Eagle Ylli – Peja

    19:00 Bashkimi – Proton Cable Prizreni

    E diel

    17:00 Istogu – Sigal Prishtina

    19:00 Trepça – Vëllaznimi

  • Osmani takon shefin e EULEX-it, diskutuan për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimin e ligjit

    Osmani takon shefin e EULEX-it, diskutuan për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimin e ligjit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Sipas një komunikate nga presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Osmani dhe Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit teknik të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.

  • Qytetarët të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, fituese e shohin sërish VV-në

    Qytetarët të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, fituese e shohin sërish VV-në

    Përgatitjet e partive politike për zgjedhje të reja, kanë shtyrë që edhe qytetarët t’i kërkojnë ato. E disa prej tyre, të intervistuar nga Ekonomia Online, e shohin sërish fituese Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ata shprehen optimist në fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, që zyrtarisht pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

    Hamdi Gashi u shpreh i kënaqur me qeverisjen aktuale, ndërsa fituese e sheh sërish VV-në kurdo që mbahen zgjedhjet.

    “Ma të mirë s’ka hala, jemi tepër të kënaqur, edhe nëse ka zgjedhje prapë do fitoj Albini”.

    Mendim të ngjashëm ka edhe Nur Dino i cili kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje për shkak “se nuk po funksionon asgjë”. Thotë se Qeveria i ka duart e lidhura.

    “Sipas të gjithave gjasave, vendi duhet të shkoj në zgjedhje, nuk po funksionon kuvendi, nuk po funksionon asgjë, duhet të shkojmë në zgjedhje. Qeveria ka qenë e zënë, i ka pasur duart e lidhura, 20 vjet e kanë pasur pushtetit këta burokratët, e kanë lënë keq, s’ka mundur me bë diçka ky për tri vjet. Sipas mendimit tim nëse në shkojmë në zgjedhje, e para duhet të dal Lëvizja Vetëvendosje, e dyta duhet të jetë LDK-ja e të tjerat këto që janë bërë tash bashkë”, u shpreh ai.

    Edhe Osman Rama, një qytetar tjetër, për Ekonomia Online tha se edhe nëse ka zgjedhje Kurti është fitues, ndërsa apelon te partitë tjera që të mos lodhen.

    “Së pari 600 fabrika kanë qenë në Kosovë, mbi 40 vite përvojë e punë i merr vetëm 130 euro pension, çka me prit prej tyre, këta duhet të hiqen e të vinë të rinjtë, edhe me pas zgjedhje s’kanë tash çka me bë, se ato veçse janë hëngër tashmë, e nëse ka zgjedhje sipas meje vetëm Albin Kurti duhet të fitoj s’ka tjetër njëherë për njëherë, tjerët as mos u lodhni”, u shpreh ai.

    Ndërsa për Ramadan Berishën nuk ka rëndësi se cila parti duhet të fitoj por që primare ka avancimin e shtetit.

    “Po si çdo shtet që i ka rregullat e veta që duhet me iu përmbajt, njëjtë janë edhe zgjedhjet, partia e cila është më e drejta, e që bën avancimin e shtetit. Sipas meje nuk ka rëndësi cila është vetëm që ta kryej punën mire”.

  • Ndalimi i dinarëve nga BQK-ja, BE-ja i kërkon sqarime Kosovës për vendimin

    Ndalimi i dinarëve nga BQK-ja, BE-ja i kërkon sqarime Kosovës për vendimin

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e pakoordinuara të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve dhe, siç thanë nga blloku, mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.

    Kjo thirrje u bë edhe lidhur me rastin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme. Kjo rregullore parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro, vendim që nga Serbia është parë si ndalesë për pagesat me dinarë serbë.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje.

    “Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.

    Ai përsëriti thirrjen për të dyja palët që edhe këtë çështje ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja./Rel/

  • ​Klopp flet për lëndimin e Salah

    ​Klopp flet për lëndimin e Salah

    Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka folur për lëndimin e Mohamed Salah, ku sipas gjitha gjasave duket më serioz se sa që pritej.

    Salah u lëndua mbrëmë me Egjiptin në ndeshjen kundër Ganës, e vlefshme kjo për Kupën e Kombeve të Afrikës, raporton KosovaPress.

    “Kam biseduar me Mo mbrëmë. Ai e ndjeu. Ne të gjithë e dimë se sa rrallë Mo largohet nga loja, kështu që sigurisht ka diçka. Varet se çfarë do tregojnë testet mjekësore”, tha Klopp.