ATV

Author: G.O.

  • Vëllai i Doja Cat dyshohet se ka abuzuar për vite radhazi me këngëtaren

    Vëllai i Doja Cat dyshohet se ka abuzuar për vite radhazi me këngëtaren

    Nëna e këngëtares Doja Cat, paraqiti një kërkesë të përkohshme masë ndalimi ndaj djalit të saj 30-vjeçar, duke hedhur akuza të rënda.

    Sipas saj, ai ka dhunuar fizikisht dhe verbalisht këngëtaren dhe tha se Doja Cat, ka nevojë për mbrojtje.

    Madje ajo tha se vëllai i kishe thyer dhëmbët këngëtares dhe dhuna u përsërit edhe gjatë këtij fillimi të viti.

    Mbrojtje iu dha vetëm nënës së këngëtares, por Doja Cat sipas gjykatësit duhej të paraqiste kërkesën e saj për urdhër ndalimi./atvlive.tv/

  • Për herë të tretë Madonna paditet nga fansat e saj, kjo është arsyeja

    Për herë të tretë Madonna paditet nga fansat e saj, kjo është arsyeja

    Dy fansa të Madonna-s kanë paditur atë me akuzën se ishte vonuar në skenë në koncertin e saj dhe ata kishin për të dalë në punë të nesërmen në mëngjes.

    Në padi thuhet se koncerti duhej të fillonte në oren 20:30 por Madonna u ngjit në skenë pas orës 22:30.

    Fansat kishin thënë se pastaj patën probleme me trafikun duke shtuar se nuk patën mundësi për t’i përfunduar obligimet familjare. Nuk është hera e parë që Madonna paditet nga fansat.

    Këngëtarja në vitin 2019 dhe 2020 ishte paditur për të njejtën arsye nga fansa të ndryshëm./atvlive.tv/

     

  • Paul Walker kishte refuzuar rolin e Superman-it

    Paul Walker kishte refuzuar rolin e Superman-it

    Paul Walker, në vitin 2003 kishte refuzuar 10 milionë dollarë kur iu ofrua roli i një prej superheronjve më të famshëm në histori, Superman-in.

    Menaxheri i Walker shpjegoi duke thënë se: “Mendoj se ishte një marrëveshje prej 10 milionë dollarësh dhe ai ishte i pari. Ai donte ta bënte, e dija se po mendonte ta bënte atë.

    Por, e dija se ai nuk donte të bënte tre ose katër filma Superman dhe të ishte Superman për pjesën tjetër të jetës së tij.

    Pasi kishte provuar kostumin e Superman-it , ai kishte thënë ‘’Nuk jam unë ky, dua të shkoj’’.

    Walker i tha Chicago Sun-Times në atë kohë: “Po, mund të kisha bërë një miliardë dollarë. Ndoshta mund të kisha blerë ishullin tim,” dhe shtoi: “E dini çfarë? Nuk kam nevojë për të. Marka ime e preferuar e këpucëve të vrapimit kushton 23 dollarë. Unë rrallë paguaj më shumë se 40 dollarë për xhinset e mia. Kam veshur një bluzë dhe kjo më kushton 20 ose 10 dollarë. Nuk kam nevojë për një miliardë dollarë për të bërë diçka që nuk dua’’./atvlive.tv/

  • ShKShMK-ja me apel: Kujdes në bjeshkë e pyje, gropat e drunjëve janë vdekjeprurëse

    ShKShMK-ja me apel: Kujdes në bjeshkë e pyje, gropat e drunjëve janë vdekjeprurëse

    Pas reshjeve të dendura të borës në Kosovë të cilat pritet të përcjellën edhe me erëra të fuqishme veriore, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor ka dalë me një reagim për të gjithë qytetarët e vendit që duan ta kalojnë këtë fundjavë në bjeshkë.

    ShKShMK-ja kërkon që të ketë kujdes gjatë skijimit, e sidomos skijimit në pyje, pasi gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.

    Po ashtu, apelohet kujdes i shtuar në shtigjet apo kalimet e ekspozuar gjatë ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore, si dhe pajisja me mjetet e duhura për këtë aktivitet.

    Apeli i plotë nga ShKShMK:

    Të nderuar bjeshkatarë, skitarë dhe qytetarë !Këtë fundjavë sipas parashikimeve sinoptike pritet të kemi të rreshura bore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e sidomos në viset malore. Të reshurat do të jenë të dendura dhe të përcjellura me erëra të fuqishme veriore. Andaj të keni kujdes gjatë skijimit ( jasht shtigjeve të rregulluara) apo ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore nga 30°~50° , e sidomos në shtigjet apo kalimet e ekspozuara. Pas rreshjeve të borës pritni për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës. Mos skijoni/ ngjiteni të vetmuar !Planifikoni itinerarin me kujdes dhe njoftoni të tjerët për atë !Kujdes gjatë skijimit në pyje , gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse!

  • Nis alokimi i mjeteve financiare për përfituesit e izolimit të shtëpive, kaq qytetarë aplikuan

    Nis alokimi i mjeteve financiare për përfituesit e izolimit të shtëpive, kaq qytetarë aplikuan

    Ka nisur alokimi i mjeteve financiare tek qytetarët për subvencionimin e izolimit të shtëpive. Janë mbi 1 mijë qytetarë që kanë përfunduar punimet në shtëpitë e tyre, derisa jo të gjithë i kanë marrë paratë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Ndonëse Fondi është në proces të alokimit për ata që i kanë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara.

    Përkundër faktit që gratë kanë pasur përparësi në këtë program subvencionimi, numri i atyre qe kanë aplikuar është vetëm 2 për qind krahas numrit të përgjithshëm. Kështu bënë të ditur për KosovaPress, Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).

    Konjuhi thekson se marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit, ndërsa shton se çdo ditë alokojnë dalin para në llogari të qytetarëve përfitues.

    Pavarësisht se ka ende kohë për t’i kryer punimet, Konjuhi shprehet se gjysma e qytetarëve në kohë kanë përfunduar ato.

    “Tashmë është përmbyllur i tërë procesi i vlerësimit të aplikimeve. Fondi ka pranuar gjithsej 3 mijë e 321 aplikime, ku rreth 1010 janë aplikime të cilat janë pa raportin e auditorit dhe janë në listë të pritjes, ndërsa nga aplikimet e tjera janë lëshuar 2 mijë e 150 letra të para aprovimit. Në këtë fazë jemi duke pranuar aplikimet për disbursim, d.m.th kërkesat për disbursim të parave dhe janë mbi 1 mijë persona që tashmë kanë lajmëruar fondin që kanë përfunduar punimet. Marrëveshjet e para veçse janë nënshkruar me qytetarët të cilët kanë kaluar të gjitha proceset e verifikimit dhe për çdo ditë po nënshkruhen marrëveshje, e çdo ditë po dalin para në llogari të qytetarëve… Pothuajse gjysma e qytetarëve kanë përfunduar punimet. Të gjithë qytetarët që kanë marrë letrat e para aprovimit kanë gjashtë muaj kohë prej kur kanë pranuar letrat, kështu ende është herët”, tregon Konjuhi.

    Megjithatë, Konjuhi tregon se ka raste që qytetarët po thërrasin Fondin ende pa kryer punimet, për çfarë bënë thirrje përfitueseve që mos të lajmërojnë pa përfunduar në tërësi punimet sepse vonohet procesi.

    “Gjatë kohës se terrenit janë hasur disa familje të cilët kanë lajmëruar Fondin që kanë përfunduar punimet, kurse kur kanë shkuar kompania verifikuese kanë parë që punimet ende janë në proces dhe kjo prolongon procesin, për shkak se kompanitë do duhej të rikthehen përsëri tek ato familje kur ata të kenë kryer në të vërtetë punimet dhe këto familje shkaktojnë vonesa edhe tek qytetarët e tjerë të cilët veçse janë në pritje, sepse kanë përfunduar përnjëmend punimet. Kështu vonohet procesi dhe ju lutem qytetarëve që mos të lajmërojnë fondin që kanë kryer punimet pa i bërë ato, sepse pastaj kompanitë do duhej që ta shtynë procesin për të gjitha familjet e tjera, edhe ata që kanë kryer punimet e që janë në listë të pritjes”, potencon Konjuhi.

    Përkundër faktit që gratë kishin përparësi të subvencionohen me 5 për qind plus, vetëm 2 për qind e totalit ishin përfituese gra.

    “Gratë janë subvencionuar me një 5 për qind plus, por përkundër këtij fakti, numri i tyre të cilët kanë aplikuar si pronare të shtëpive është i vogël, vetëm rreth 2 për qind të totalit të cilët kanë përfituar”, thekson Konjuhi.

    Mes tjerash Konjuhi tregon fazat që duhet të plotësojnë përfituesit deri tek disbursimi.

    “Qytetarët në momentin që dorëzojnë kërkesën për disburusim përmes e-mailit, [email protected]. FKEE i merr këto kërkesa dhe i liston, i ruan dhe ato më pas shqyrtohen nga Komisioni verifikues për të parë nëse dokumentet janë të plotësuara. Dokumentet e plotësuara siç duhet, dorëzohet tek kompanitë verifikuese të cilat janë të ndara sipas regjioneve dhe këto kompani më pas i kontaktojnë familjet dhe shkojnë i verifikojnë punimet. Kur kryhen verifikimet e punimeve, ata hartojnë një raport të detajuar të cilin e dorëzojnë tek fondi me të cilën dëshmojnë që punimet janë kryer sipas letrës së para aprovimit të cilën kanë marrë qytetarët. Në momentin që Fondi pranon raportin, këto shndërrohen në marrëveshje të disbursimit për të cilat qytetarët i pranojnë në adresën e tyre bashkë me kohën kur mund të vinë të nënshkruajne”, përfundon Konjuhi.

    Sipas saj, sfidë në këtë projekt mbetet plotësimi i dokumentacionit. Ajo thotë, se shumë qytetarë që dorëzojnë kërkesat për disbursim, nuk e plotësojnë siç duhet dokumentacionin e kërkuar.

    Duke folur për qytetarët që kanë aplikuar në thirrjen “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, konjuhi shpjegon se përfituesit duhet t’i dorëzojnë fatura në mënyrë të detajuar dhe jo të përgjithësuar.

    Sipas Konjuhit, komuna e cila prin me përfitues për subvencionim është Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj, Vushtrri, Gjakovë, Gjilan, Prizren. Ndërsa thekson se më së paku aplikues ka nga komunat veriore të vendit.

    Kujtojmë se, me qëllim të kursimit më të madh të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, Qeveria e Kosovës ka mbështetur programin për subvencionimin e termoizolimit të mureve të jashtme, termoizolimit të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5.500 euro.

  • Ndërprerje të energjisë në rajonin e Pejës dhe Gjakovës pas reshjeve të borës

    Ndërprerje të energjisë në rajonin e Pejës dhe Gjakovës pas reshjeve të borës

    Disa dalje në rajonin e Gjakovës dhe Pejës, janë jashtë funksionit pas reshjeve të borës dhe erërave të forta.

    KEDS ka njoftuar se paralajmërimet e djeshme për përkeqësim të motit përgjatë natës dhe ditës së sotme, kanë mobilizuar ekipet e KEDS-it, kryesisht në zonat më të afektuara në rajonin e Gjakovës dhe Pejës.

    “Në rajonet e afektuara nga reshjet e borës dhe erërat e forta, disa Dalje janë jashtë funksionit. KEDS ka angazhuar ekipe shtesë me qëllim të rikthimit në funksion të tyre. KEDS informon të gjithë konsumatorët e afektuar se po punohet intensivisht deri në rikthimin në funksion të energjisë elektrike tek të gjithë konsumatorët, për çka kërkon mirëkuptimin e tyre”, thuhet në njoftim.

  • Gashi: Vajzës së lënduar nga rënia e kulmit të komunës i takon kompensimi ligjor, përgjegjësit të marrin dënimet e merituara

    Gashi: Vajzës së lënduar nga rënia e kulmit të komunës i takon kompensimi ligjor, përgjegjësit të marrin dënimet e merituara

    Rënia e një pjese të objektit komunal të Prishtinës këtë enjte lëndoi rëndë një vajzë 24 vjeçare.

    Në rrethinën e këtij objekti, në lagjen Arbëria po ashtu u zënë edhe tri vetura të cilat ishin duke qarkulluar në atë pjesë.

    Avokati dhe eksperti i çështjeve ligjore, Tomë Gashi në intervistën e dhënë për Ekonomia Online ka deklaruar se kjo çështje duhet hetuar nga prokuroria e shtetit.

    “Duke pasur parasysh se një vajzë e re, Elza Ujkani ka pësuar lëndime relativisht të rënda dhe është duke u trajtuar në QKUK, kjo pas lirimit duhet të angazhoj një avokat e të kërkoj kompensim të dëmit nga komuna e Prishtinës. Ndërsa detyrë e kanë policia dhe prokuroria e shtetit që të hapin hetime lidhur me arsyet e kësaj ngjarje të rëndë që kanë ndodhur, si është e mundur që nga një vlerë aq e madhe të ketë një ndërtim aq të dobët.”- ka thënë Gashi.

    Tutje, ai ka thënë se objekti i komunës ka kushtuar më tepër se 4 milionë euro, dhe si duket se punët nuk janë kryer aspak në mënyrë kualitative sepse atë ditë nuk ka pasur asnjë lloj stuhie e as uragani, po as frymë.

    “Situata është jashtëzakonisht e rëndë duke qenë se sa kam informata objekti i komunës ka kushtuar më tepër se 4 milionë euro, dhe duket se punët nuk janë kryer aspak në mënyrë kualitative sepse atë ditë nuk kemi pasur asnjë lloj stuhie e as uragani, po as frymë kështu që rënia e objektit ka qenë si shkak i punimeve jo kualitative”, shtoi Gashi.
    Lidhur me lëndimet që ka marrë 24 vjeçarja, Gashi ka deklaruar se kompensim duhet marrë edhe në bazë të dëmeve fizike e psiçike që iu shkaktuan edhe personave tjerë, e në veçanti familjes së saj.

    “Sa i përket kompensimit të dëmit secili që ka pësuar dëme ka të drejtë të kërkoj kompensim në gjykatën themelore dhe dëmshpërblimi duhet të jetë në kuadër të rrezikimit të jetës, fillimisht dhe pastaj dëmeve tjera fizike e psiçike që i ka shkaktuar vet Elzes dhe persona tjerë e sidomos familjarët kur kanë dëgjuar lajmin se është rrezikuar vet jeta e saj”.

    Fajin për këtë dëm, Gashi ua lë atyre që pranuan teknisht ndërtimin e objektit pa i mbushur kriteret e kërkuara.

    “Duhet të iniciohet procedura penale sepse ne nuk mund ta dimë se kujt i takon përgjegjësia kryesore, megjithatë besoj se përgjegjësia më e madhe është ajo humane e vet atyre që kanë ndërtuar këtë objekt e ende më e madhe është e atyre që pranuan teknisht, nëse dikush përmes komisioneve e ka bërë pranimin e këtij plani pa i plotësuar kushtet e rregullat sipas planit që ka qenë për ndërtimin e këtij objektit”- tha ai.

    Gashi po ashtu tha se duhet të paraqiten kërkesa e padi të tilla si tërheqje e vëmendjes së komunës apo edhe institucioneve tjera private.

    “Nuk duhet të jemi neglizhent dhe duhet të paraqesim kërkesa e padi të tilla si tërheqje e vëmendje që komuna apo edhe institucionet private të kryejnë punë kualitative dhe jo që me shuma marramendëse të paguhen e këto e pastaj të bien e të rrezikohen jeta e qytetarëve të pafajshëm të cilët shkojnë në komunë për të rregulluar dokumente ose janë gjendur thjeshtë në rrethinën përkatës e sidomos kur ka një numër të madh banorësh atje e ka lokale të cila frekuentohen nga qytetarë të ndryshëm”

    Gashi tha se kujdes të madh duhet të ketë edhe në planet e renovimeve.

    “Nëse bëhet një renovim duhet bërë në bazë të kushteve teknike qe japin inxhinierët e jo që në letër të duken si ndërtime si të bëra në Zvicër, Gjermani apo Amerikë e këndej kualiteti është jashtë çdo standarti ballkanik e lëre më jashtë çdo standarti tokësore duke pasur çmimet marramendëse”.

    “Të mos harrojmë: kulmi i objektit të Komunës së Prishtinës është renovuar para pak muajsh dhe ka kushtuar 386 mijë euro. Një vajzë është lënduar rëndë, kur kulmi u rrëzua dje. Askush s’ka dhënë dorëheqje, askush s’është arrestuar. A jep kush përgjegjësi?”, ka shtuar Gashi.

  • Minstri Peci pjesë e margjinatit të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi,prezanton politikat bujqësore të Kosovës

    Minstri Peci pjesë e margjinatit të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi,prezanton politikat bujqësore të Kosovës

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në margjinat e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), që po mbahet në Berlin, ka zhvilluar gjatë ditës një takim zyrtar me homologun e tij nga Lituania, Ministrin Kęstutis Navickas, me të cilin kanë bashkëbiseduar rreth sukseseve dhe sfidave në sektorin e bujqësisë dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, shkruan EkonomiaOnline.

    Gjatë këtij takimi, Ministri Peci e ka njoftuar atë me politikat zhvillimore që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit, që qëllim kanë avancimin e mëtejmë të sektorit bujqësor sipas standardeve evropiane.

    “Ministrit Navickas i tregova rreth hapave të ndërmarrë karshi mbështetjes së fermerëve dhe sigurisë ushqimore si dhe për koordinimin e politikave me ato të Bashkimit Evropian, me qëllim të akreditimit në IPARD”, ka thënë Ministri Peci.

    Gjatë ditës, në kuadër të GFFA në bashkëpunim me SWG është organizuar edhe takimi ndërministror mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i udhëhequr nga Ministri Cem Ozdemir, ku në kuadër të këtij takimi është diskutuar gjatë për rëndësinë e përfshirjes në Procesin e Berlinit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme agro-ushqimore.

    Gjatë fjalimit të tij në këtë takim, Ministri Peci thuhet se ka theksuar hapat e ndërmarrë përgjatë Qeverisjes në këto vite, si dhe angazhimin serioz drejt akreditimit dhe qasjes në fondet IPA.

  • Armë dhe lëndë narkotike në Prizren, dy të arrestuar

    Armë dhe lëndë narkotike në Prizren, dy të arrestuar

    Dy persona janë arrestuar në Prizren, pasi që gjatë kontrollit të veturës janë gjetur substanca narkotike.

    Policia njoftoi se po ashtu gjatë kontrollit në veturë dhe në shtëpinë e tyre janë gjetur dhe konfiskuar 7.66 gram substancë narkotike e llojit kokainë, 9.46 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 26.19 gram substancë narkotike hashash, një pushkë gjysmë automatike, dy pistoleta, një palë dylbi, dy shufra, një sprej, një antiplumb, një karikator, një telefon mobil dhe 346 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Reshjet e borës, Rama: Po pastrojmë rrugët e kryeqytetit që qarkullimi të mos jetë i vështirësuar

    Reshjet e borës, Rama: Po pastrojmë rrugët e kryeqytetit që qarkullimi të mos jetë i vështirësuar

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se për shkak të reshjeve të borës, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtje e rrugëve gjatë gjithë kohës janë në terren duke pastruar rrugët.

    Në një postim në Facebook, i pari i Prishtinës ka thënë se të gjitha ekipet bashkë me zjarrfikësit po kujdesen që qarkullimi mos të jetë i vështirësuar.

    Ai ka bërë apel që qytetarët të kenë kujdes gjatë vozitjes.

    “Bora ka mbuluar Prishtinën tonë dhe ne po mirëmbajmë rrugët e kryeqytetit. Kompanitë gjatë gjithë kohës janë në terren, të gjitha ekipet tona bashkë me zjarrfikësit po kujdesen që qarkullimi mos të jetë i vështirësuar. Ju lutem të keni kujdes dhe të ndiqni rregullat gjatë vozitjes në këtë periudhë të vështirë me borë, duke pasur parasysh se po bie vazhdimisht”, ka shkruar Rama.